Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Ilustrim:

 

7 shtator 1993

 

Tre vjet nga Kushtetuta e Kaçanikut

 

Sot, u bënë tre vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut, me ç’rast delegatët e Kuvendit të Kosovës në këtë qytet jugor, afër kufirit me Maqedoninë, shpallën Republikën e Kosovës. Që nga atëherë u ndërmorën disa veprime praktike që të jetësohet kjo Kushtetutë, megjithëse pas shpalljes së Kushtetutës delegatët lëshuan Kosovën dhe ende jetojnë të shpërndarë në disa shtete.

Kronikët njoftojnë se mbledhja ishte e shkurtër dhe zgjati vetëm 20 minuta.

Shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut ishte shprehje e vullnetit politik të pjesës dërrmuese të popullsisë së Kosovës, që pas shkatërrimit të federatës jugosllave, Kosova të bëhej shtet i pavarur.

Edhe pas tre vjetësh punë e përpjekje, Kosova mbetet e okupuar nga forca të mëdha të policisë dhe të ushtrisë serbe, por me vendosmërinë e popullit që të realizojë lirinë dhe pavarësinë. Këtë vullnet populli e shprehi edhe një herë në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar, me ç’rast u zgjodh kryetari i Republikës së Kosovës, deputetet e Kuvendit pluralist të Republikës së Kosovës, i cili ende, për shkaqe objektive, nuk arriti që të konstituohet.

 

 

7 shtator 1994

 

“Bujku”: Çelësat e pavarësisë së Kosovës janë në duart tona

 

Me rastin e katërvjetorit të aprovimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gazeta “Bujku” në kryartikullin e vet vlerëson se Shtatë Shtatori tashmë shënohet me germa të mëdha dhe kremtohet si një nga datat e rrëndësishme të popullit shqiptar në Kosovë.

-Këtë ditë para katër vjetësh në Kaçanikun e njohur edhe nga historia e hershme jona, delegatët e Kuvendit të Kosovës nxorën Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe i vunë themelet një shteti, i cili, ç’është e vërteta, ende nuk është njohur nga bashkësia ndërkombëtare dhe ende nuk funksionon siç është paramenduar për skhak të okupimit nga ana e një shteti tjetër – Serbisë, por megjithatë një shteti që është ngulitur fuqishëm në vetëdijen e shqiptarëve në përgjithësi, kurse gjithnjë e më shumë ka zënë të ngulitet edhe në vetëdijen e të tjerëve, thuhet ën filim të kryartikullit.

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij akti, më tutje thuhet se ajo është e pakontestueshme.

-Sot edhe fatosat e njohin dhe i këndojnë Kaçanikut e Kushtetutës së tij. Në disa fusha të rëndësishme, si në arsim, kulturë, informim, sport, asistencë sociale, financa e pjesërisht edhe në shëndetësi, ekonomi, administratë etj, funksionon shteti i pavarur i Kosovës. Liria e pavarësia mund të vonohen, por ato një ditë patjetër do të vijnë. Më shpejt a më ngadalë varet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, mirëpo çelësat megjithatë janë në duart tona. Sa më parë dhe sa më mirë e sa më shumë të organizohemi e të veprojmë secili në fushëveprimtarinë e tij dhe sa më të vendosur e më këmbëngulës të jemi në realizimin e synimeve dhe të kërkesave tona legjitime aq më parë do të arrijmë të konkretizojmë në jetë Kushtetutën e Kaçanikut në çdo rrafsh të jetës e të punës sonë, thuhet mes tjerash në kryartikullin autorit Blerim Stavilecit në gazetën “Bujku”.

 

 

7 shtator 1995

 

Paralajmërohet vendosja e kolonëve serbë në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit

 

Drejtoresha e instaluar serbe në Kompleksin përkujtimor “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, Shutakoviq, urdhëroi sot në orën 8:00 heqjen e të gjitha eksponateve, pikturave dhe dokumentacionit nga ndërtesa.

Ajo tha se objekti do të lirohet për vendosjen e kolonëve serbë në të, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Prizren.

Kompleksi përkujtimor “Lidhja e Prizrenit” u përurua në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), ngjarjes më të rëndësishme politike kombëtare të shekullit të kaluar.

Njoftimet nga Prizreni bëjnë me dije për tensionimin e gjendjes dhe shqetësimin e madh dhe indinjatën te qytetarët e tij.

Sulmi i regjimit serb në këtë monument të historisë e të kujtesës kombëtare është provokim i rëndë, jo vetëm për Prizrenin dhe Kosovën, po edhe për gjithë botën shqiptare, sepse Lidhja e Prizrenit shënon pikën kthesë në historinë moderne të kombit shqiptar.

Fushata serbe për rikolonizimin e Kosovës është vlerësuar si provokimi më i madh që i bëhet popullit shqiptar.

Regjimi serb nuk e ka fshehur karakterin porovokues të aksionit, duke i vendosur kolonët në hotelet, ndërmarrjet, spitalet e shkollat e pushtuara prej nga janë përzënë me dhunë shqiptarët, si edhe në banesat e shtëpitë e shqiptarëve.

Plani që kolonët të vendosen në kompleksin përkujtimor në Prizren është akt i paramenduar dhe në funksion të provokimit më të vrazhdët.

Është e qartë se ky provokim nuk synon të zgjidhë qoftë një problem refugjati, por synon të atakojë botën shqiptare.

Pjesa e qytetit ku gjendet kompleksi përkujtimor “Lidhja e Prizrenit” është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

 

 

7 shtator 1998

 

Suharekë: Në Sllapuzhan kanë mbetur 6 të vrarë të pavarrosur

 

Gjendja në komunën e Suharekës, edhe pse që prej disa ditësh duket më e qetë, është shumë e rëndë.

Forcat policore kontrollojnë çdo rrugë lidhëse me Suharekën, ndërsa edhe në vetë qytetin ka lëvizje dhe kontroll të shtuar të policisë, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Njoftohet se në Semetisht nga dy kalimtarë të rastit u varros Ramadan Mazreku, viktima e 60 që nga fillimi i veprimeve luftarake në komunën e Suharekës.

Në Sllapuzhan kanë mbetur të pavarrosur edhe më tej mëse 6 të vrarë, ndërsa që prej ditëve të para të sulmit mbi Reshtan nuk dihet për fatin e Vesel Ramë Sopës (58) nga Suhareka.

I njëjti burim bën me dije se në një mbledhje të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme u vendos që mësimi të fillojë të mbahet edhe në disa shkolla tjera si në: Suharekë, Budakovë, Bukosh, Gjinoc dhe Leshan. Tash për tash në komunën e Suahrekës mësimi mbahet në 11 shkolla fillore, kurse në të gjitha shkollat tjera fillore dhe në ato të mesme mësimi tash për tash nuk ka mundësi të mbahet.

 

Në Lybiçevë të Prizrenit u varrosën 5 viktimat e terrorit serb

 

Më 6 shtator në Lybiçevë të Prizrenit, me ndihmën e disa qytetarëve nga fshatrat përreth, u varrosën: Qazim Poniku (86), Agush Poniku (72), Nesim Krasniqi (65), Mersel Halilaj (63) dhe Skender Mehmetaj (80), viktima të terrorit serb.

Të shtunën, në orën 20,00 u liruan nga arresti edhe katër qytetarë të fshatrave Dejnë, Renoc dhe Ratkoc. Sipas tyre, në arrest po mbahen edhe 32 banorë të fshatit Dejnë. Në mesin e tyre është edhe një person nga Klina, i cili kishte qenë mysafir në Dejnë.

Sipas këtyre dëshmitarëve, në Dejnë ishin arrestuar 58 persona, të cilët i kishte detyruar që të ecnin më duar të lidhura prapa kokës deri në Ratkoc, ku policia i ka urdhëruar që të mos shikojnë nga fshati. Besohet se kështu policia përpiqej të fshihte gjurmët e masakrave të bëra në këtë fshat. Dëshmitarët thonë se kanë parë këpucë, sandale e qadra të gjuajtura.

Ndërkaq, në fshatin Palluzhë policia i ka zhveshur deri në brekë burrat dhe gratë. 27 burra i ka dërguar deri në Prizren, ashtu të zhveshur. Njoftohet se Samidin Bytyqi dhe Gazmend Bytyqi, të cilët janë marrë në pyetje, nuk janë kthyer më në mesin e të arrestuarve.

Burimet e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Prizren njoftojnë se në spitalin e Prizrenit gjenden ende këta të plagosur: Rexhep M. Krasniqi (1954) – Kramovik, Manush H. Bytyqi (1964), Bedrush H. Bytyqi (1970) – Dejnë, Bekim R. Krasniqi (1970) – Kramovik, Ekrem H. Bytyqi (19) – Dejnë, Albert Halim Bytyqi (1992) – Dejnë, Astrit S. Bytyqi (1985) – Dejnë, Abdullah I. Morina (1964) – Vërnjakë, Kadri J. Mustafa (1962 – i rrahur), Hajriej R. Morina (1961) – Vërnajkë, pas dhënies së ndihmës së parë u lirua në shtëpi, Drita S. Morina (1964) – Vërnjakë, gjendet në reparitn intensiv në spitalin e Prizrenit.

Njoftohet se Drita dhe Hajrije Morina u plagosën në shtëpinë e tyre. Njoftohet se ato ishin kthyer në shtëpi dhe u plagosën derisa po ndeznin zjarrin në shporet. Ato nuk kishin hetuar se policia serbe kishte vendosur një bombë në shporet. Si pasojë e shpërthimit të kësaj bombe Hajrija u plagos lehtë, ndërsa Drita ka marrë plage të rrezikshme për jetën e saj.

Continue Reading

Vendi

Studentja e UBT-së shpallet fituese e vendit të dytë në Konkursin Ndërkombëtar “Riciklo – Kreativ 2026”

Published

on

By

Studentja e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), Erika Hoti, është shpallur fituese e vendit të dytë në edicionin e sivjetshëm të Konkursit Ndërkombëtar Studentor “Riciklo – Kreativ 2026”.

Ky konkurs rajonal, që bëri bashkë studentë të arkitekturës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vlerësoi projektet më të mira që ndërthurin kreativitetin, qëndrueshmërinë mjedisore dhe vizionin arkitektonik.

Suksesi i studentes së UBT-së u arrit pas vlerësimit të kujdesshëm nga një juri profesionale ndërkombëtare, nën mbështetjen e Fondacionit Mane, TEG dhe programit B4Students, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e lartë të studentëve të këtij institucioni në skenën mbarëshqiptare dhe rajonale.

Continue Reading

lajme

United Hospital avancon kujdesin për shëndetin e fëmijëve me shërbime të specializuara të kirurgjisë dhe urologjisë pediatrike

Published

on

By

Shëndeti i fëmijëve kërkon përkushtim të veçantë, vlerësim të kujdesshëm mjekësor dhe trajtim të përshtatur për çdo moshë. United Hospital ofron shërbime të specializuara në kirurgjinë dhe urologjinë pediatrike, duke u fokusuar në diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve shëndetësore që mund të ndikojnë në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së fëmijëve.

Një nga fushat e trajtimit përfshin vlerësimin e problemeve të rënda të zorrëve dhe konstipacionit kronik, veçanërisht kur simptomat vazhdojnë pavarësisht trajtimit të zakonshëm. Në rastet e përzgjedhura, procedurat diagnostikuese dhe ndërhyrjet e specializuara mund të ndihmojnë në identifikimin e shkakut të problemit dhe përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm. Kur dyshohet për sëmundje të lindura të zorrës, analizat histopatologjike mund të jenë të nevojshme për konfirmimin e diagnozës, ndërsa trajtimi përcaktohet nga ekipi mjekësor në bazë të gjendjes individuale të fëmijës.

Për ta bërë kujdesin shëndetësor më të qasshëm për prindërit, United Hospital ofron vizita specialistike në kirurgji dhe urologji pediatrike edhe të shtunave, nga ora 10:00 deri në 16:00, me një ekip profesionistësh të përkushtuar ndaj shëndetit të pacientëve të vegjël.

Prindërit që vërejnë te fëmijët e tyre konstipacion të vazhdueshëm, dhimbje të përsëritura të barkut, fryrje apo shqetësime të tjera duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor, në mënyrë që shkaku të identifikohet dhe trajtimi të planifikohet në kohë.

United Hospital – kujdes profesional, vëmendje e veçantë dhe përkushtim për shëndetin e fëmijëve.

📅 Terminet: Çdo të shtunë, 10:00–16:00

📞 Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70

📍 Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë, Kosovë

Për informata mbi përshtatshmërinë e procedurave për fëmijën tuaj, konsultohuni me specialistët e kirurgjisë pediatrike./rajonipress/

 

Continue Reading

lajme

Dy persona të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari vetëdorëzohet në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.

Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në Gjilan

Published

on

By

Një rast i rëndë është raportuar në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, personat që janë gjetur pa shenja jete janë një burrë dhe një grua, raporton Ekonomia Online.

Continue Reading

Të kërkuara