Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

6 shtator 1993

Në Gjilan nga të shtënat e revoles u vra Misrete Vranovci

Komisioni për Informim i LDK-së së Gjilanit njofton se dje në orën 14.30, derisa ishte duke qëndruar në teracën e banesës së saj, nga personi tash për tash i paidentifikuar, u godit nga të shtënat e revoles, Misrete Vranovci, nënë e pesë fëmijëve me vendbanim në rrugën “Bojana” nr. II/4 në Gjilan.

Burimet e informimit të LDK-së njoftojnë se e plumbi nga revolja erdhi nga dasmorët e Bllazha Stojanoviqit.

Misrete Vranovci, nga plagët e marra vdiq rrugës, derisa dërgohej në spitalin e qytetit në Gjilan.

 

Nga sulmet e një personi të panjohur vdiq Ismet S. Bytyçi

Pardje në Prizren, rreth orës 18, nga plagët që mori nga një person, tash për tash i panjohur, vdiq Ismet S. Bytyçi.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Prizren, njofton se shkaqet e këtij rasti nuk dihen, por supozohet se një person i panjohur me një femër doli nga vetura e tipit “Lada” dhe filloi ta rrahë një fëmijë 7-vjeçar, me pretekst se ky e paska penguar këtë çift. Ismet S. Bytyçi ndërhyn për ta shpëtuar fëmijën, kurse personi, tash për tash i paidentifikuar, nisi të qërojë hesapet fizikisht edhe me Ismetin dhe me atë rast e godet me gurë në kokë dhe i shkakton lëndime vdekjepruese.

Nga lëndimet që i mori në këtë rast, Ismet S. Bytyçi vdiq në spitalin e Shkupit.

 

 6 shtator 1994

Represioni në Kosovë

Podujevë: – Dje me pretekst të kërkimit të armës në orën tetë të mëngjesit u morën në stacionin e policisë vëllezërit Sabit, Imer dhe Musa Vllahiu nga fshati Tërnavë e Podujevës. Ata u torturuan deri në orën 16:00. Nga rrahja po shërohen Imeri dhe Musa, ndërsa Sabiti që po dëgjonte torturimin e vëllezërve të tij, u arratis.

Prej vëllezërve Vllahiu kërkohej të tregonin edhe se kush ka armë në fshatin Tërnavë.

Siç dihet para disa kohësh policia serbe e ka vrarë vëllaun e tyre Ejupin.

Më 3 shtator, policia bastisi shtëpinë e Muharrem Hoxhës në Podujevë, i cili dorëzoi një revole.

Po këtë ditë, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Rrustem Shalës. Pas bastisjes, policia ia la thirrjen Rrustem Shalës që të paraqitet në stacionin e policisë në Podujevë.

Të njëjtën ditë, policia bastisi edhe shtëpinë e Skënder Poterës në Podujevë. Policia pas bastisjes ia konfiskoi pasaportën, si dhe e urdhëroi Skënder Poterën që të paraqitet në stacionin e policisë në Podujevë.

Po këtë ditë, policia keqtrajtoi fizikisht Halil Hoxhën nga fshati Obrançë nën pretekst të dorëzimit të një automatiku.

Istog: – Më 3 shtator, policia e postkomandës së Banjës së Pejës, bastisi shtëpinë e Milaim Hakajt, kryetar i Aktivit të LDK-së në Orrobërdë të Vogël të Istogut. Njoftohet se policia në shtëpinë e Milaim Hakajt gjeti një revole, si dhe konfiskoi një makinë shkrimi. Ndaj Milaim Hakajt është përdorur edhe dhuna fizike.

Më 3 shtator, një patrullë e policisë serbe, nën pretekst të dorëzimit të një revoleje keqtrajtoi fizikisht Adem Zekajn (62) nga Mojstiri i Istogut.

Dje, në fshatin Mojstir, policia, bastisi shtëpinë e Tafil Beqirajt, aktivist i SHH “Nënë Tereza” dhe anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Dubravë të Istogut.

Bëhet nme dije se policia pasi plaçkiti mallin e mori me vete Tafil Beqirajn, i cili u keqtrajtua rëndë deri në alivanosje në pyll afër fshatit të lartëshënuar.

Njoftohet se Tafil Beqiraj mori plagë të rëndë trupore.

Pejë: – Më 2 shtator, derisa po kthehej me traktor, policia serbe pa kurrfarë shkaku keqtrajtoi fizikisht Ali Tafën ish-punëtor i sigurimit nga Sferka e Pejës.

pas keqtrajtimit fizikik, policia iu kërcënua Ali Tafës se do t’ia djegin shtëpinë.

Dje, policia për herë të dytë mori në pyetje Ahmet B.Haxhiajn, kryetar i Aktivit të LDK-së nga Raushiqi i Pejës. Inspektorët serbë nga Ahmet B.Haxhiaj u interesuan të dinë rreth aktivitetit të LDK-së në fshat.

Ferizaj: – Dje rreth orës 5:00 të mëngjesit, policia serbe rrethoi dhe bastisi shtëpinë e Muhabi Ademit në fshatin Bit i Ulët në Ferizaj. Gjatë bastisjes, policia kërkoi vëllain i Muhabitit, Veli Ademin, për ta dërguar me dhunë në ushtrinë serbe.

Prishtinë: – Dje policia serbe mori sërish Rexhep Kastratin dhe Esat Hoxhën në Matiçan të Prishtinës. Policia nën pretekst të dorëzimit të armëve ishte edhe në shtëpinë e Osman Hazirit, për të dorëzuar armën e vëllait, i cili kohë më parë e ka dorëzuar atë, me ç’rast edhe ua ofroi dëshminë. Pas verifikimit nga ana e policisë se është dorëzuar arma, policët iu kërcënuan se do ta izolojnë atë dhe familjen e tij.

Personat e lartëshënuar policia i urdhëroi që të paraqiten edhe sot në stacionin e policisë. Në mesin e të thirrurve është edhe Islam Hajdini, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Matiçan.

 

6 shtator 1995

Kryetari Rugova priti udhëheqjen e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Kryetari i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, priti sot në Prishtinë udhëheqjen e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përbërë nga Prof.Dr. Zejnullah Rrahmani, dekan i Fakultetit Filologjik (FF) të Prishtinës, drejtor i Seminarit, Prof.Dr. Hamdi Daci e Prof. Dr. Fadil Raka, prodekanë të FF-së, Prof.Dr. Enver Mehmeti, shef i katedrës së Letërsisë Shqipe në FF, dhe Mr. Muhamet Hamiti, sekretar profesional i Seminarit.

Përgjegjësit e Fakultetit Filologjik të Prishtinës, që bashkë me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës, është bashkorganizator i Seminarit XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili sivjet u mbajt në Tiranë prej 16-31 gusht, njoftuan kryetarin e Republikës për punën e sesionit të sivjemë të Seminarit.

Ata theksuan se gjatë dy javëve u mbajtën rreth njëqind kumtesa e referime të albanologëve vendës e të huaj për probleme të gjuhës, letërsisë, historisë, arkeologjisë e fushave të tjera të studimeve albanistike. Për pjesëmarrësit nga bota, rreth 30 albanologë, u organizuan edhe veprimtari të tjera njohëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Për shkak të rrethanave të krijuara nga okupimi serb i Kosovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare, i cili nga viti 1974 deri më 1990 mbahej në Prishtinë, nuk mundi të mbahej në Kosovë në këto vitet e fundit.

Tashti si institucion mbarëkombëtar, me seli në Prishtinë e në Tiranë, u tha me këtë rast, Seminari u përtëri me përkrahjen e të dy republikave, të Kosovës e të Shqipërisë.

Përgjegjësit e Fakultetit falënderuan institucionet e Shqipërisë e të Kosovës, presidentët Berisha dhe Rugova, për përkrahjen që i dhanë përtëritjes së Seminarit të Prishtinës, trajtimit që iu bë albanologëve nga bota dhe viset shqiptare, dhe angazhimeve të tyre që Seminari, si institucion i rëndësishëm i qarkullimit të vlerave shqiptare dhe i valorizimit të tyre në shkallë botërore, do të ketë trajtim të dorës së parë kulturore në programet e qeverive.

Kryetari Rugova çmoi lart punën që kanë bërë të dy institucionet bashkëorganizatore të Seminarit, Fakulteti Filologjik dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, të cilët ringjallën frymën e Seminarit të Prishtinës, duke ruajtur përgjithësisht traditën e tij, po edhe duke ia pasuruar profilin me qasje të reja, dhe e vlerësoi të nevojshme që përgatitjet për Seminarin e XVIII, të të fillojnë sa më parë.

 

6 shtator 1997

Vdiq Nënë Tereze

Bëmirsja Nëna Tereze vdiq dje në orën 21:30 prej sulmit në zemër në selinë e rendit të saj fetar në Indinë Lindore.

Bamirësja legjendare shqiptare, Nëna Tereze vdiq në Kalkutë të Indisë në moshën 87-vjeçare nga infarkti në zemër. Misionarja shqiptare, fituese e Çmimit Nobel në vitin 1979, u bëri ballë, disa sulmeve në zemër gjatë viteve të shkuara, por gjithnjë mblodhi forcë të vazhdonte misionin e saj të shenjtë në vende të ndryshme të botës.

Nëna Tereze kaloi jetën e saj duke u përkujdesur për, siç thoshte ajo, “më të varfërit e të varfërve” në mbarë botën.

Nëna Tereze (Agnese Gonxhe Bojaxhiu) lindi në Shkup më 27 gusht 1910, në një familje tregtarësh të mesëm. Prindërit e saj, Nikolla dhe Drane Bojaxhiu, u vendosën në Shkup në filim të këtij shekulli të ardhur nga Prizreni. Babai ishte nga Prizreni, kurse nëna nga fshati Novosellë i Gjakovës. Në Shkup, ajo kreu shkolën fillore dhe, meqë që në fëmijëri ishte besimtare, në moshën 18-vjeçare u paraqit vullnetare për një mision bamirës në Bengal. Një kohë kaloi në Irlandë e pastaj shkoi në Kalkutë të Indisë. Në vitin 1920 ishte mësuese e gjeografisë në shkollën “Shën Mëria” në Kalkutë. Më vonë u emërua edhe drejtoreshë e saj.

Më 1931 ajo mori emrin Tereze në nderim të Shën Terezës së Avilës, një shenjtëreshë spanjolle e shekullit të 16-të. Më 1946 ajo vendosi t’ju përkushtohet të braktisurve dhe të sëmurëve në rrugët e Kalkutës, duke themeluar Misionin e Bamirësisë.

Nëna Tereze, ndonëse veproi në tërë botën dhe u mor me misionin e saj të shenjtë, kurrë nuk harroi popullin e saj. Pikërisht ishte ndër vendet e para që ajo vizitoi pas nderimit që iu bë me Çmimin Nobel më 1979. Atëbotë ajo vizitoi Binçën, Prishtinën, Pejën dhe Ferizajin.

Disa herë vizitoi Shqipërinë pas demokratizimit të saj e ku i ka edhe varret e nënës dhe motrës së saj. Sipas disa informatave të mëparshme, Nëna Tereze me gjasë ka shprehur dëshirën e saj të fundit që edhe atë ta varrosin në Shqipëri.

Familja Bojaxhiu është e shpërndarë në shumë vende të botës. Është e sigurtë se rrjedh nga Prizreni. Një pjesë e familjes jeton ende aty, një pjesë tjetër në Shkodër, pastaj edhe në Shkup e në Egjipt.

Njëri nga studiuesit e jetës dhe të veprës së Nënë Terezes, Dom Lush Gjegji, duke iu referuar rrëfimit të vëllait të Gonxhes, Lazrit, thotë se “shtëpia e Kolë Bojaxhiut në Shkup ishte gjithmonë krahapur për miqtë e të varfërit. . . Ajo ishte një çerdhe politike, kulturore, ndërtimtare. . . ”

Lorenc Antoni, një kompozitor i njohur nga Prizreni, bashkëkohanik dhe farefis me Nënë Terezën, thoshte se më 20 gusht 1928, duke u kthyer nga Kisha Katolike Shqiptare e Letnicës së Vitisë së Kosovës, Gonxhja, i kishte thënë në besim: “Kam vendsour para Zojës së Letnicës të shkoj në misione dhe t’i kushtohem tërësisht Zotit për shëlbimin e shpirtërave”.

Nënë Tereza kishte nënën, vëllain Lazrin, dhe një motër në Shqipëri. Regjimi komunist i Tiranës nuk e lejoi të vizitonte as varrin e së ëmës, as varrin e së motrës, deri në gusht të vitit 1988. Ndërsa eshtrat e babait të saj gjenden në Shkup. Babain e Gonxhe Bojaxhiut, Kolën, e kishin helmuar në Beograd në vjeshtë të vitit 1918 pas një mbledhjeje të rëndësishme ku flitej për çështjen shqiptare. Ai ishte inkuadruar në politikë për interesa kombëtare, si deputet për Shkupin. Vdekja e tij i shkaktoi pikëllim të thellë gjithë familjes, por edhe varfnjakëve të shumë në Shkup, për të cilët kujdesej ai. Kola u varros në varrezat katolike në Shkup me nderime të mëdha. Eshtrat e tij u zhvarrosën në periferi të qytetit në vitin 1963, pas termetit katastrofik që goditi qytetin, bashkë me të gjitha varret e tjera.

Viteve të fundit Nënë Tereza ka qenë shumë herë në Shqipëri. Herën e fundit, më 25 prill 1993 mori pjesë bashkë me Papa Gjon Palin në ceremoninë impozante të inaugurimit të Katedrës së Madhe në Shkodër.

Me 557 shtëpitë e saj në 126 vende të botës, Misionet e saj ndihmojnë qindra mijëra fëmijë e pleq të vuajtur e të uritur, njerëz të sëmurë, të hendikepuar e të pastrehë. Nënë Tereza ka në Shqipëri tetë Shtëpi Bamirësie. Në Kosovë ka dy Shtëpi të tilla.

Ndërsa shoqata më e njohur humanitare shqiptare përgjithësish mban emrin e saj. Shoqata Humanitare Bëmirëse “Nëna Tereze” u themelua në Kosovë më 1990 dhe prej atëherë ajo e ka shtrirë aktivitetin e saj në shumë fusha të ndihmës për të varfërit.

 

 

6 shtator 1998 (Ora 14:30)

Në Dejnë e Polluzhë të Rahovecit forcat serbe vranë 11 shqiptarë

Nënkëshilli i KMDLNj-së në Prizren bëri sot të ditur emrat e 11 të vrarëve më 4 gusht në fshatrat Dejnë dhe Polluzhë të Rahovecit.

Sipas këtij burimi, janë vrarë Arben Sadri Bytyçi (20), Leonora (Sadri) Bytyçi (17), Shpresa Ramadan Bytyçi (30), Bahrie Gazmend Bytyçi (10), Nenkadize Fahredin Bytyçi (20), Sevdije Smajl Hoti (30), së bashku me djalin e saj 3 vjeç, Elmaze Muharrem Bytyçi (7), të gjithë nga fshati Dejnë, ku edhe u varrosën dje dhe pardje.

Janë vrarë edhe Shani Muharrem Hoti (45), bashkëshortja e Hamëz Bajraktarit (65) dhe Ahmet Ali Kabashi (2), të tre nga Polluzha.

Gjatë sulmit të forcave serbe në fshatin Dejnë dhe në fshatrat tjera të komunës së Rahovecit janë plagosur edhe Destan Fahredin Bytyçi (33), Hadi Fahredin Bytyçi (27), Ruzhdi Fahredin Bytyçi (25), Sulltane Brahim Bytyçi (47), Valbonë Destan Bytyçi (9), Naim Rasim Bytyçi (16), Luan Latif Bytyçi (24) dhe Fatmir Latif Bytyçi (17), të cilët momentalisht janë të strehuar në fshatin Dushanovë të Prizrenit.

Ndërkohë, bëhet me dije se shumë të plagosur kanë mbetur pa kurrfarë ndihme mjekësore. Deri tash dihen emrat e këtyre banorëve të plagosur: Igballe Latif Bytyçi (19), Latif Latif Bytyçi (6), Jeton Sadri Bytyçi (15), Mirjeta Bedrush Bytyçi (2), Arben Rexhep Krasniqi (20), Nexhmedin Murat Bytyçi (60) dhe Mersi Misin bytyçi, me të birin 5 vjeç.

NMDLNj në Prizren bën me dije edhe emrat e shumë banorëve të kësaj ane, të plagosur gjatë ofensivës së fundit të forcave serbe, të cilët ndodhen të shtrirë në spitalin e Prizrenit dhe të Prishtinës.

Në spitalin e Prirenit janë të shtrirë për mjekim këta të plagosur: Adbullah (Isuf) Morina (37) nga Vranjaka, Adebin Qerim Morina nga Senoci, Rexhep Muharrem Krasniqi (44) nga Kramoviku, Manush Halit Bytyçi (34) nga Dejna, Bedrush Halit Bytyçi (28) nga Dejna, Bekim Rexhep Krasniqi (23) nga Kramoviku, Ekrem Halim Bytyçi (13) nga Dejna dhe Albert Halit Bytyçi (6) nga Dejna.

Në spitalin e Prishtinës janë të shtrirë për mjekim Vesel Selim Morina (45) nga Senoci dhe Astrit Sadri Bytyçi (13) nga Dejna.

Në spitalin e Prizrenit janë të shtrirë për mjekim edhe shumë veta, që kanë pësuar lëndime trupore nga keqtrajtimi fizik: Leonora Gani Krasniqi (18) nga Dejna, Shyqri Sali Morina (39) nga Vranjaka, Adem Ukë Morina (19) nga Senoci, Eshref Ukë Morina (27) nga Senoci, Agim Sahit Morina (17) nga Ratkoci dhe Kadri Jemin Mustafa (36) nga Guri i Kuq.

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara