Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 5 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Edhe shtatë shqiptarë të vrarë në komunën e Gjakovës

 5 gusht 1993

U arrestuan edhe 10 shqiptarë në disa vende në Kosovë

Ekspeditat ndëshkuese të policisë serbe, të cilat filluan ditë më parë, vazhduan edhe dje e sot nëpër disa vendbanime dhe qytete të Kosovës. Si gjithnjë, pretekst i këtyre ekspeditave të egra, është kërkimi i armëve nga shqiptarët.

Dje, në fshatin Brojë të Skënderajt policia serbe bastisi shtëpinë e Gani Thaçit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në këtë fshat. Bastisja u bë prej orës 11,30 deri rreth orës 13,00, kurse në këtë aksion morën pjesë rreth 40 policë me shumë automjete.

Gjatë bastisjes policia gjeti një pushkë të gjuetisë dhe një pushkë M-48, për të cilat pronari posedonte leje. Babai i Gani Thaçit – Haxhiu pushkën M-48 e kishte me leje, sepse dikur ishte rojtar fushe. Gjatë bastisjes policia u soll në mënyrë brutale, demobiloi inventarin dhe konfiskoi një sasi librash, kurse me vete mori Haxhi Thaçin.

Dje, policia serbe për herë të dytë bastisi shtëpinë e Hysen Gegajt nga Sallograzhda e Suharekës, i cili po mbahet në arrest që nga 2 gushti. Shkas për bastisjen e dytë ishte letra që policia solli me vete dhe të cilën e kishte shkruar Hysen Gegaj ku i rekomandohej familjes së tij që ta dorëzojë armën e caktuar. Gjatë kësaj bastisje policia mori një pushkë automatike me karikator dhe disa fishekë. Po ashtu sërish u bastis edhe shtëpia e Ilaz Kadollit nga fshati Bukosh i po kësaj komune, të cilin policia e arrestoi gjithashtu më 2 gusht. Gjatë bastisjes policia gjeti një pushkë automatike me karikator e fishekë. Me këtë rast policia serbe arrestoi dy vëllezërit e Ilazit, Veselin dhe Sadriun si dhe kushëririn e tij Hamdiun.

Dje në fshatin Gjinoc të Suharekës u arrestuan Fazli, Ismet, Zenun, Sylë dhe Brahim Muharremaj, të cilët në polici u mbajtën tetë orë. Merret vesh se edhe këta u mbajtën në polici me pretekst të kërkimit të armëve.

Pardje në Prizren u bastis familja e Kapllan Gashit dhe me këtë rast djalit të tij, Jakupit, policia ia mori një revole. Policia plaçkiti edhe pajisje teknike shtëpiake.

Sot në orën 5 të mëngjesit policia kërkoi në shtëpinë e tij sekretarin e Degës së LDK-së në Obiliq, Rexhep Kelanin. Meqë nuk gjendej në shtëpi, atij iu la shkresa që të paraqitet në stacionin e policisë në Obiliq.

Në Malishevë, rreth 15 policë serbë nga Kijeva dhe Klina bastisën sot në orën 7 shtëpinë e Adem Xh.Krasniqit nga Llashkadrenoci. Pretekst i bastisjes ishte kërkimi i Halit Krasniqit, ish-i burgosur i ndërgjegjes dhe veprimtar i LDK-së. Meqë nuk e gjetën në shtëpi, policët morën disa pasaporta të familjes Krasniqi, ndërsa arrestuan një mysafir nga Prishtina.

 

 5 gusht 1994

Policia serbe plagosi Sabri Lumën në Prishtinë

Mbrëmë rreth orës 20,15, në stacionin e autobusëve urbanë afër Tregut të Gjelbër të Prishtinës, dy policë serbë rrahën e pastaj plagosën në këmbë Sabri Lumën (1954) nga Prishtina.

Bashkëshortja e Sabriut, Selvetja, në një deklaratë me shkrim, si dhe shumë dëshmitarë të tjerë, vërteton se dy policë serbë, pa kurrfarë shkasi, në prani të një numri të madh qytetarësh, rrahën e plagosën Sabri Lumën.

Bashkëshortja Selvetja tha se dy policët serbë kërkuan nga bashkëshorti i saj t’i voziste me veturën e tij “Zastava 101”. Mirëpo, ai u tha policëve se nuk mund ta bënte këtë, pasi kishte një punë të ngutshme familjare, për çka kishte ardhur ta kërkonte bashkëshortja e tij, me djalin gjashtëvjeçar Visarin. Pas kësaj, njëri polic e goditi me shuplakë Sabriun dhe derisa policët shtyheshin me të, gruaja me fëmijën arriti të hynte në mes tyre, duke kërkuar ndihmë për ta shpëtuar bashkëshortin. Njëri prej policëve e nxorri revolen dhe iu kërcënua Selvetes.  – Ma ofroi tytën në gojë dhe më kërcënohej se do të më vriste! – tha ajo. Pastaj policët e morën Sabriun me vete, e skajuan aty afër, e mbështetën pas një kiosku dhe e goditën me grushta e me kondakë revolesh barkut e nëpër pjesë të tjera të trupit. Polici i quajtur Zllatko, nga Fushë Kosova, e plagosi Sabriun në këmbë. Policët serbë, që dukeshin të dehur, përpiqeshin t’ia lidhnin duart Sabriut dhe pas disa përpjekjeve ata u futën në veturën e Sabriut e u nisën rrugës kah qendra e Prishtinës, ndërsa bashkëshortja e tij, e dërguar me veturë nga një kalimtar, e kishte paraqitur rastin në policinë serbe. Pas disa orësh Selvetja shkoi në spital, ku ishte dërguar bashkëshorti i saj i plagosur. Sabriu kishte treguar se ishte keqtrajtuar nga ata dy policë. E kishin detyruar të shëtitej një kohë nëpër oborrin e spitalit dhe në spital, nën kërcënim me revole se do ta vrisnin.

Selvete Gjyshinca – Luma tha se jeta e bashkëshortit të saj nuk është në rrezik. Pos plagës mbi zogun e këmbës, ai ka lëndime nga goditjet në shpinë, në bark dhe në fytyrë.

Ajo tha se familja Luma, sidomos fëmijtë e vegjël dhe Visari që ishte dëshmitar, përjetuan një natë tmerrësisht të rëndë për shkak të veprimeve kriminale të policëve serbë.

Pohimet e zonjës Luma i vërtetoi edhe Ymer Neziri (54), pedagog nga Prishtina, njëri prej dhjetëra dëshmitarëve të këtij akti kriminal.

Ai tha se dy policët serbë arritën në vendin e ngjarjes rrugës prej tregut, ku gjenden dy pijetore të pronarëve serbë. Ai dëshmoi se policët pa kurrëfarë shkasi kishin rrahur Sabriun dhe pastaj e kishin plagosur, pasi që e kishin skajuar pas një kiosku. Zmer Nezir tha se dëshmitarët ishin tmerruar nga sjelljet kriminale të policisë ndaj të plagosurit dhe ndaj gruas e fëmijës së tij.

 

 5 gusht 1995

Në Gjenevë u mbajt një konferencë me gazetarë për gjendjen në Kosovë

Organizata e Popujve dhe Kombeve të Papërfaqësuar, në bashkëpunim me Pax Christi International dhe me Shoqatën e Popujve të rrezikuar, në selinë e OKB-së në Gjenevë, organizoi një konferencë shtypi, kushtuar gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.

Brifingun në Gjenevë e hapi Jose Ramos Horta, ekspert i Komisionit të OKB-së për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore, kurse për situtën në Kosovë foli Besim Rexhaj, anëtar i Sektorit të LDK-së për marrëdhënie me jashtë.

Ai po ashtu iu përgjigj pyetjeve të shumta të gazetarëve dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme, që po marrin pjesë në punimet e sesionit të 47 të Nënkomisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë, njofton “Bujku”.

 

 5 gusht 1997

U rrahën dhe u maltretuan shumë qytetarë në Skënderaj

Dje, në orët e paraditës, në vendin e quajtur Përroi i Keq, që ndodhet në mes të Skënderajt e Runikut, me armë zjarri është shtënë në një automjet të policisë “Niva”.

“Bujku”, duke iu referuar Nënkëshillit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Skënderaj, njofton se shumë qytetarë kanë njoftuar se në rrugë kishin parë këtë një veturë me xhama të thyer, si dhe shumë policë e punëtorë të tjerë të sigurimit duke hulumtuar përreth.

Menjëherë pas kësaj, janë vënë postblloqe të policisë, si në Klinë të Epërme e të Poshtme, që ndodhet në hyrje të Skënderajt, ku janë legjitimuar qytetarët dhe u janë kontrolluar automjetet.

Njoftohet se disa qytetarë janë keqtrajtuar rëndë dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës.

 

5 gusht 1998

Gjakovë: Edhe shtatë shqiptarë të vrarë në komunën e Gjakovës

Gjatë ditëve të fundit, forcat serbe kanë vrarë Haxhi Adem Brahimaj (80) nga fshati Krelan, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Njoftohet se dje në Jabllanicë, ushtria serbe ka vrarë edhe 5 shqiptarë, përkatësisht 3 pleqë e dy plaka, ndërsa ende nuk dihet për identitetin e tyre.

Bëhet e ditur se në pjesën e rrugës në mes të fshatrave Meje e Madanaj, përkatësisht në afërsi të një trafostacioni, që nga 2 gushti i këtij viti, gjendet trupi i pajetë i një shqiptari rreth 50 vjeç, i vrarë nga policia serbe. Popullata e këtushme shqiptare, nuk ka mundësi që ta tërheq kufomën dhe ta varrosë atë, meqë në afërsi të kufomës janë të vendosur disa snajperistë serbë.

 

Continue Reading

Lajmet

Dita e fundit për presidentin: Shtyhet seanca në Kuvend

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme, mirëpo ende nuk është përcaktuar orari i saktë i nisjes së seancës.

Sipas burimeve të Kohës, deputetët fillimisht u ftuan për të qenë në ulëse në orën 14:00, mirëpo më vonë u njoftuan për shtyrjen e këtij orari. Deri më tani, nga administrata e Kuvendit nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me kohën e saktë të nisjes së punimeve.

Kjo seancë vjen në një moment kritik, pasi sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit deri në mesnatë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hamza: Nëse Specialja injoron Kuvendin, të shfuqizohen marrëveshjet ndërkombëtare

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nëse Dhomat e Specializuara nuk i respektojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, atëherë institucionet vendore duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm, përfshirë shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të cilat është krijuar kjo gjykatë.

Deklarata e tij erdhi pas pyetjeve lidhur me amandamentet e propozuara nga PDK-ja, sipas të cilave Gjykata Speciale duhet të trajtojë vetëm krimet e supozuara që ndërlidhen me heqjen e organeve dhe që pretendohet se kanë ndodhur pas luftës, nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Lidhur me zbatueshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore, Hamza nënvizoi:

“Unë e them që çdo ligj që aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend, është i obliguar të zbatohet. Nëse ka ndonjë institucion, në këtë rast edhe gjykatat brenda Dhomave të Specializuara, duke e përfshirë Gjykatën Kushtetuese që injoron Kuvendin e Kosovës, një ligj të aprovuar në Kuvend, jam i bindur se Kuvendi duhet të shkojë edhe një hap tutje e kjo nënkupton edhe shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Gjykata Speciale është themeluar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa propozimi i PDK-së synon kufizimin e mandatit lëndor të saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hamza: S’ka takim me Kurtin derisa të votohet ligji për Specialen

Published

on

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se nuk do të takohet me liderin e VV-së, Albin Kurtin, derisa deputetët e partisë së tij të pranojnë ta votojnë, në lexim të dytë, ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, raporton Ekonomia Online.

“S’ka takim. Nuk do të ketë derisa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për Kosovën, ligji është domosdoshmëri. Nuk janë çështje të lidhura. Le të votohet ligji dhe pastaj jemi të hapur të diskutojmë për tema të tjera”, tha Hamza para gazetarëve.

Kreu i PDK-së ka shtuar se janë të hapur për çështjen e presidentit, pasi të kalojë në lexim të dytë Ligji për Specialen.

Sipas Hamzës, mund të ketë president me marrëveshje, por që i ka atributet dhe karakteristikat për ta përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të duhur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ligji për Specialen, protestuesit para Kuvendit të Kosovës

Published

on

Protesta para Kuvendit të Kosovës ka nisur sërish sot, më 6 tetor, në orën 12:00, me kërkesën që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të miratohen edhe në lexim të dytë.

Qytetarët janë mbledhur për të kërkuar përfundimin e procedurës parlamentare për projektligjin, i cili u miratua në lexim të parë me 91 vota për. Miratimi përfundimtar ende nuk është bërë, pasi projektligji duhet të kalojë edhe në leximin e dytë.

Protesta e sotme vjen pas tensioneve të një dite më parë, kur pati përplasje mes protestuesve dhe persona të tjerë, ndërsa gjatë protestës u hodhën mjete piroteknike.

Protestuesit kërkojnë që ndryshimet ligjore të kalojnë edhe në leximin e dytë, në mënyrë që procedura parlamentare të përfundojë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara