Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Presidenti amerikan Bill Klinton

 30 qershor 1993

Shqipëria dënon dëbimin e keqtrajtimin masiv të shqiptarëve nga Greqia

Shqipëria, ka dënuar dëbimin masiv të qytetarëve të Shqipërisë që po qëndronin si emigrantë në Greqi.

Njoftohet se gjatë pak ditëve, autoritetet greke, arrestuan, dëbuan, keqtrajtuan dhe plaçkitën më se 9.000 qytetarë shqiptarë, një shumicë e tyre me viza dhe dokumente të rregullta.

Në një intervistë për Radiotelevizionin Shqiptar, presidenti i Republikës së Shqipërisë tha dje se shkaqe kryesore të këtij dëbimi, janë lidhjet e Greqisë me Serbinë, humbjen që pësuan qarqet shoveniste greke në lidhje me problemin maqedonas, si edhe ethet elektorale që po shfaqen në Greqi.

Ndërsa Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përmes një deklarate të shpallur dje, dënoi dëbimin masiv të qytetarëve shqiptarë dhe provokacionin e më se 300 qytetarëve grekë para ambasadës së Shqipërisë në Athinë. “Qarqet politike e klerikale shoveniste në Greqi, po i fryjnë me qëllim një histerie antishqiptare për të mbuluar ndërhyrjet sistematike në punët e brendshme të Shqipërisë dhe për të maskuar përpjekjet e vazhdueshme të helenizimit të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar”. Provokacionin para ambasadës së Shqipërisë, Ministria për Punë të Jashtme e vlerësoi si provokacion fashist. Në deklaratë tërhiqet vërejtja se qeveria shqiptare do të dijë të mbrojë me forcën dhe mjetet e duhura të drejtat dhe sovranitetin kombëtar dhe nuk do të lejojë askë që të luaj me interesat e shenjta të Shqipërisë”.

Njoftohet se dje Tirana e thirri për konsultime ambasadorin e saj në Greqi.

Gjatë një takimi të Safet Zhulalit, Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë me Kryekomandantin e Forcave Aleate të NATO-s, admiralin Xhervin Borda, pasi kërkoi dërgimin e forcave ndërkombëtare në Kosovë, ku gjendja e krijuar nga shovenistët serbë është shumë e rëndë, foli për incidentin e kryer më 26 qershor në kufi me Maqedoninë, dëbimin e refugjatëve shqiptarë nga Greqia dhe tha se me këto aksione influencon dhe koordinon Millosheviçi me të gjitha forcat proserbe për ta destabilizuar edhe më shumë situatën në Ballkan.

 

30 qershor 1994

Iu ndërpre rryma elektrike 34 fshatrave në Prizren

Siç bëjnë të ditur organet kompetente, mbrëmë dhe sot iu ndërpre rryma elektrike 34 fshatrave të Prizrenit.

Pa rrymë elektrike kanë mbetur fshatrat Billushë, Hoça e Qytetit, Lubiqeva, Leskoveci, Lezi, Kushnini, Jeshkova, Vlashnja, Murrademi, Kobanja e Re, Grazhdaniku, Landovica, Gjonaj, Tupeci, Grazhdaniku, Zymi, Karashëngjergji, Krajku, Bregdrilli, Lukinji, Romaja, Dedaj, Kabashi, Lugishta, Kushnini, Krusha e Vogël, Krusha e Madhe, Randobrava, Pirana, Zojzi, Medveci, Mamusha, Serbica e Ulët dhe e Epërme. Vetëm në qytet ka rrymë.

Preteksti i shkyqjes, thonë, është mospagesa e rrymës për këta muajt e fundit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDk-së në Prizren.

 

30 qershor 1995

Klinton: Shqipëria luan rol të rëndësishëm për stabilitetin në rajon

Në kuadrin e reagimeve të shumta pozitive lidhur me pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, radiostacioni i “Zërit të Amerikës” njoftoi mbrëmë se presidenti amerikan Bill Klinton i dërgoi një letër anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan Eliot Engël, me të cilën mbështet fuqimisht zhvillimin e një vizite në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i Shqipërisë Sali Berisha.

Në mes të tjerash, presidenti Klinton përkrah fuqimisht përpjekjet që po bën Shqipëria në rrethana shumë të vështira për të krijuar një shoqëri të hapur e demokratike dhe për të vënë bazat e ekonomisë së tregut.

“Presidenti Berisha ka luajtur rol kyç në përpjekjet e vendit të tij gjatë periudhës së vështirë kalimtare për t’u çliruar nga prangat e regjimit të gjatë komunist. Siç keni vënë re edhe ju, i drejtohet presidenti Klinton ligjëdhënsit Engël, mund të them me plot të drejtë se Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Shpresoj se takimi ynë me presidentin Berisha, do të ndihmojë për vazhdimin e reformave demokratike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe për nxitjen e stabilitetit në rajon, thuhet në letrën e presidentit Klinton dërguar kongresistit Eliot Engëll.

 

30 qershor 1997

Dy të vdekur dhe katër të plagosur në Fier

Grupe të armatosura kanë vrarë dy veta dhe kanë plagosur katër të tjerë në dy incidente të veçanta të dielën në mbrëmje në Fier, në përfundim të ditës së zgjedhjeve, njofton AFP, duke u referuar në burimet policore.

Sipas policisë, rreth orës 22. 00, një veturë që transportonte një kufomë në Tiranë nga Vlora u mor në shënjestër. Dy vetë që gjendeshin në automjet u vranë, ndërsa një polic nga Vlora që i shoqëronte u plagos. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ky incident të jetë një larje hesapesh.

Pak me herët, elementë të armatosur hapën zjarr rreth orës 21. 30 kundër bashkisë duke plagosur tre vetë, ndërmjet të cilëve një nëpunës bashkiak. Partia Demokratike (PD) publikoi një komunikatë se të tre të plagosurit ishin anetarët e saj dhe se ky atentat kishte motive politike.

Dje pasdite, kryetari i një komisioni elektoral në Kurjan u vra nga një anëtar i familjes së një kundërshtari socialist, përfundon njoftimi.

 

30 qershor 1998

Të vrarë e të plagosur në Hade, fshatarët janë larguar nga shtëpitë, në Bardh vazhdojnë përleshjet

Forcat serbe ndërmorën dje një sulm masiv kundër lokalitetit të Bardhit të Madh (Bellaqevcit) me pretekst të rikthimit të kontrollit serb në Mihjen Siparfaqësore të thëngjillit, nga e cila u vetëlarguan punëtorët dhe rojet serbe javën e kaluar. Mirëpo është e qartë se sulmet serbe kanë dalë edhe jashtë hapësirës së zonës industriale të termocentraleve “Kosova”. Janë sulmuar fshatrat Hade, Dardhishtë, Bardh i Madh, Lismir, Palaj, e tjerë.

Sulmi i djeshëm vazhdoi gjatë natës dhe po vazhdon edhe sot. Forcat serbe, pasi kanë vënë një gjendje të shtetrrethimit në një zonë të gjerë në komunat e Obiliqit e Fushë Kosovës, tentuan të depërtoninin përmes një shtegu në mes Hades dhe Dobrosellës në Bellaqevc. Ky fshat ka rreth 800 shtëpi, ndërsa javën e fundit janë bërë përgatitje për ta lëshuar në punë edhe mihjen sipërfaqësore të thëngjillit.

Në orën 02:00 pas mesnate forcat serbe kanë shkrepur në Bardh 14 raketa ‘kaçusha’. Ndërsa prej anës së Dobrosellës janë granatuar lagjet e Gjigollëve dhe Kostanicëve në Bardh të Madh.

Janë dëmtuar nga granatimet shumë shtëpi të Gjigollëve dhe Kostanicëve.

Në orën 13:00 një dëshmitar nga Bardhi i Madh i tha QIK-ut se luftimet po vazhdonin dhe se nuk ishin të vërteta pohimet serbe se gjoja është pushtuar ky fshat dhe kompkeksi industrial.

Gjatë ditës së djeshme forcat serbe e kanë granatuar edhe fshatin Hade. Nga një granatë e shkrepur në mesin e fshatarëve, u plagosën Ismet Preniqi (49), Fatmir Preniqi (33), Zymer Preniqi (37), Selman Preniqi (51) dhe Salih Preniqi (58) që të gjithë nga Hadja. Po në këtë fshat, në oborrin e shtëpisë së Ibrahim Morinës, nga një granatë tjetër thuhet se janë vrarë tre të rinj dhe dy të tjerë janë plagosur.

Hadja është fshat me rreth 250 shtëpi dhe gjatë graantimeve janë qëlluar disa shtëpi. Nga frika shumica e banorëve të këtij fshati janë larguar në drejtim të Drenicës. Ndërsa sot në orën 05:00 kanë filluar sërish sulmet kundër këtij fshati.

Gjendje e rëndë ka mbretëruar dje dhe sot edhe në fshatin Palaj, me rreth 40 shtëpi. Banorët e këtij fshati kanë mbetur ende peng. Gjatë ditës së djeshme janë mbajtur të bllokuar edhe banorët e fshatit Lismir. Dje në mëngjes në këtë fshat u vra një fëmijë dhe u plagos një burrë. Në orët e mbrëmjes, shumë lismiras janë larguar nga fshati.

Ndërsa pas mesnatës, nga shtëpitë e veta janë larguar banorët e fshatrave Pomozotin, Bardh i Madh, Graboc i Ulët dhe Graboc i Madh në drejtim të Drenicës.

 

Sipas mediave serbe, së paku 8 të vrarë në brezin kufitar me Shqipërinë

Mediat serbe, duke cituar burime të ushtrisë jugosllave, njoftuan se së paku 8 shqiptarë janë vrarë sot në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë, në veriperëndim të Gjakovës.

Në njoftim thuhet se një grup i shqiptarëve të armatosur sot në mëngjes sulmoi me pushkë automatike dhe minahedhës rojet kufitare të cilat iu përgjigjën sulmit.

 

Prishtinë: Policia serbe plagosi Ylber Topallin dhe një kalimtar rasti

Sot në mesditë, në afërsi të ndërtesës së gjykatës së instaluar serbe në Prishtinë, në një vend shumë të frekuentuar, policia serbe plagosi dy veta.

Dëshmitarë të rastit thanë se një shqiptar i paraburgosur kishte ikur derisa po dërgohej nga policia në gjykatë. Tre gardianë dhe një polic u vunë në ndjekje të tij dhe pas disa metrash shtinë drejt me tij me armë. Personi që po ikte u plagos, ndërsa plumbat qëlluan edhe një kalimtar të rastit, i cili u dërgua në spital.

I ikuri që u plagos dukej shumë i keqtrajtuar. Edhe në gjendje të plagosur ai iku edhe disa metra. Mirëpo me të shpejtë ai u zu nga policët dhe u fut në veturën e policisë.

Forca të mëdha të policisë bllokuan me të shpejtë të gjitha rrugët rreth vendit të ngjarjes. U ndalua qarkullimi i veturave dhe i qytetarëve dhe u keqtrajtuan disa kalimtarë rasti. Gjatë kësaj kohe kalimtarë rasti hynë në shitore dhe pastaj mbetën të mbyllur për një kohë prej bllokimit të policisë.

Dëshmitarët nuk mundën të mësojnë identitetin e të ikurit që u plagos nga policia. Një aktivist i Degës së LDK-së në Ferizaj i tha personi i plagosur mund të jetë Ylber Topalli, rreth 30- vjeç, nga Gremja e Ferizajt, kryetar i Nëndegës së LDK-së në fshatin e tij.

Policia i ka thënë babait të tij Ylberit se ‘djali i tij ka ikur, dhe se policia ka shtënë në të me armë. Nuk dimë çka ka ndodhur me të, i kanë thënë policët babait të Ylberit.

Ylber Topalli është arrestuar në shtëpinë e vet në Greme në mëngjes më 25 qershor. Atë ditë policia ka arrestuar edhe të afërmin e tij, Enver Topallin, ish i dënuar politik. Një ditë më vonë policia bastisi edhe disa shtëpi në këtë fshat, ndërsa në Ferizaj dhe ën disa fshatra të tjera policia arrestoi disa veprimtarë të LDK-së e të KMDLNJ-së.

Continue Reading

Lajmet

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara