Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

30 gusht 1993

Mësimi fillon më 1 shtator

Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës, lëshoi sot një kumtesë, në të cilën thuhet:

Viti shkollor 1993/94 fillon më 1 shtator.

Në shkollat, në të cilat mësimi është organizuar në objektet e tyre shkollore, nxënësit shkojnë në mësim sipas orarit mësimor të shkollës.

Të gjithë nxënësit dhe arsimtarët e shkollave të penguara nga ana e pushtetit okupues serb, të cilat mësimin e kanë organizuar në shtëpi private, shkojnë në ora 8,00 në shkollat e tyre, në të cilat kanë qenë para pengimit të mësimit, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës.

 

30 gusht 1994

Në Kosovë çdo gjë e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor

Kamenicë: – Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së zgjeruar të Degës së LDK në Kamenicë, u tha se në këtë komunë u bënë të gjitha përgatitjet higjieniko-teknike të lokaleve shkollore për fillim të mbarë edhe të këtij viti shkollor.

Në mbledhje i kritikuan pronarët e firmave private që nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre. Pronarët e 260 firmave të ndryshme private në periudhën gjashtëmujore u grumbulluan vetëm 10 mijë DEM, ose 7 për qind nga mjetet e planifikuara.

Për të kapërcyer gjendjen tepër të rëndë materiale të shkollave e të arsimtarëve, të pranishmit përkrahën iniciativën e Këshillit Qendror për Financim të Kosovës për intensifikimin e aksionit me moton “Ta ndihmojmë shkollën shqipe”, shkruan “Bujku” i sotëm.

Podujevë: – Në të gjitha shkollat e komunës së Podujevës (në 26 shkolla të plota fillore e në 3 qendra të mesme shkollore) mësimi do të fillojë më 1 shtator. Në procesin mësimor punës do t’i rreken mbi 1.000 arsimtarë, me 16.500 nxënës të përfshirë në shkollimin fillor 4.200 sish në shkollim të mesëm. Është kjo një armatë e të rinjve, që do t’ua mësyjnë bankave shkollore.

Kështu, përderisa në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” dhe në SHMT “Fan Noli” janë siguruar me kohë lokalet për mësim, në SHME “Isa Boletini” kjo punë pritet të kryhet përfundimisht brenda dy ditësh.

Pejë: – Ngase me kohë janë kryer punët përgatitore në 31 shkollat fillore dhe të mesme shqipe të komunës së Pejës do të mund të startohet me sukses në vitin e ardhshëm shkollor, u theksua në mbledhjen e djeshme të Aktivit të drejtorëve të shkollave të komunës së Pejës dhe të Entit Ndërkomunal Pedagogjik të Pejës.

 

 

30 gusht 1995

Njoftime jozyrtare për dy të vrarë e katër policë të plagosur në Irzniq të Deçanit

Sipas të dhënave nga Deçani, mbrëmë rreth orës 24:00 në stacionin e policisë serbe në Irzniq u dëgjua një shpërthim i fuqishëm, kurse pak më vonë edhe rafale automatikësh të cilat zgjatën rreth një gjysmë ore.

Edhe pse natë, qytetarët e këtij fshati mbtetën të zgjuar nga pasojat që mund të ndodhin nga kjo.

Të shtëna u dëgjuan gjatë natës nëpër disa rrugë të këtij fshati për çka dëshmojnë gëzhojat e gjetura sot.

Pas tërë kësaj, sot rreth orës O5:00 të mëngjesit, ekspedita policore (afro 50 policë) nga Peja dhe Deçani rrethuan lagjën e Mushkolajve që gjendet 500 metra larg stacionit të policisë.

Njoftohet se janë bastisur shumë shtëpi dhe se janë arrestuar

Zenel M. Mushkolaj, me të bijtë Bekimin (23), Ruzhdiun (20) dhe Nekiun (17), Avdi M. Mushkolaj (35), Rasim Q. Mushkolaj (37), Milazim I. Mushkolaj (24) dhe Izet S. Mushkolaj (24).

Avokati Esat Mushkolaj, shtëpinë e të cilit e bastisën policët duke e arrestuar vëllanë e tij Rasimin, tha se e kishte pyetur kryeshefin e policisë së Deçanit, Vukmir Mirçiqin se për çfarë preteksti po ia bastisnin shtëpinë. Përgjegjësi i policisë serbe ishte përgjigjur se: “dikush ka shtënë në stacionin e milicisë në Irzniq dhe në këtë rast qenkan vra 2 (dy) policë dhe se 4 (katër) të tjerë janë plagosur.

 

30 gusht 1997

“Education International” kërkon hapjen e pakusht të shkollave në Kosovë

Prishtinë, 30 gusht (QIK)
Në një kumtesë të lëshuar më 29 gusht, Organizata Ndërkombëtare e Arsimit “Education International-EI”, tërheq vërejtjen për eskalimin e dhunës në Kosovë si pasojë e veprimeve serbe për pengimin e nxënësve shqiptarë të ndjekin mësimet në shkollat e tyre.
Në kumtesë thuhet: Tash shtatë vjet me radhë 400 mijë fëmijë shqiptarë të Kosovës janë të detyruar të ndjekin mësimet në shkolla klandestine dhe kjo mund të bëjë që studentët të ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta. Demonstratat dhe ngujimet brenda në shkolla mund të jenë format më të buta të këtyre veprimeve.
Studentët shqiptarë nuk kanë ndjekur mësimet në shkollat shtetërore që nga viti 1991, sepse autoritetet serbe kanë penguar mësimin në cilindo gjuhë tjetër, përpos në gjuhën serbe. Shqiptarët kanë formuar një rrjet të shkollimit klandestin në të cilëm mbi 20 mijë arsimtarë mbajnë mësim në shtëpi private dhe objekte të tjera. Këta arsimtarë janë përzënë nga puna nga regjimi serb sepse kanë refuzuar të punojnë me një planprogram të ri serb. Mu për këtë, ata tani ballafaqohen me keqtrajtime dhe ndjekje të përditshme.
EI ka përshëndetur iniciativën e drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s Federiko Majori, për të kërkuar nga autoritetet serbe dhe kosovare të pranojnë një komision të përbashkët të UNESCO-s dhe EI-së në Kosovë. EI konsideron si prioritet të parë hapjen e pakusht të shkollave publike për studentët shqiptarë, heqjen e ndalesës për përdorimin e gjuhës shqipe dhe kthimin në vendet e punës me kompensim të arsimtarëve të larguar.
“Kërcënimi dhe keqtrajtimi i vrazhdë i arsimtarëve nga policia serbe është intensifikuar, disa arsimtarë janë paditur, burgosur për ‘veprimtari ilegale’. Shkollimi është esencial për çdo shoqëri prandaj ne s’duhe të kursejmë përpjekjet tona për t’u garantuar shkollim të gjithë të rinjve”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i EI-së, Fred van Leuven.
EI ka kërkuar nga organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe UNESCO-n, që të ushtrojnë presion maksimal në Republikën Federale të Jugosllavisë që të ndërprejë represionin dhe të implementojë marrëveshjen e arritur në shtator të vitit 1996 në mes të presidentit serb Sllobodan Millosheviq dhe presidentit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova. Kjo marrëveshje përfshinte të gjitha nivelet e shkollimit – nga ai fillor deri tek universitar – dhe mes tjerash kërkonte kthim të pakusht të nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë në objektet shkollore dhe universitare. U mbush një vit që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje dhe asnjë pjesë e saj nuk është zbatuar. Prandaj, në fillim të vitit të ri shkollor, fëmijët e Kosovës ballafaqohen edhe njëherë me rreziqe dhe mundësinë për të vazhduar mësimin në klasë të fshehta me fare pak apo hiç pajisje”, thuhet në kumtesë.
Education Internacional është organizatë në kuadër të së cilës janë 275 organizata kombëtare sindikaliste që përfaqësojnë 23 milionë punëtorë të arsimit të 148 shteteve.
EI angazhohet në mbrojtjen e të drejtave të mësuesve dhe punëtorëve të arsimit në gjithë botën.
Kumtesa e fundit i është dërguar dr. Agim Hysenit, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës e Kulturës së Republikës së Kosovës.

 

30 gusht 1998

Istog: Dje, në Shushicë të Poshtme policia serbe vrau 8 shqiptarë

Dje në fshatin Shushicë e Poshtme të komunës së Istogut forcat e policisë serbe vranë 8 shqiptarë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Istog njofton se, rreth orës 6. 30 të mëngjesit, shtëpia e Shaban Isë Salihajt u rrethua nga forca të mëdha të policisë serbe, me 1 taks, 2 autoblinda, 6 pigauerë e 3 kamionë. Pas rrethimit policia urdhëroi gratë e fëmijët që të dalin nga shtëpia. Me të dalë të tyre, filloi shkëmbimi i zjarrit gjatë të cilit u vranë: Isë (Hysen) Salihaj (76), Shaban (Isë) Salihaj (47), Milaim (Isë) Salihaj (36), Abedin (Isë) Salihaj (28), Hysen (Shaban) Salihaj (23), Arben (Shaban) Salihaj (19), Hysni (Shaban) Salihaj (17) dhe Nazif Gashi (36), nip i familjes Salihaj nga fshati Vojnikë i komunës së Skënderajt.

Gjatë aksionit të policisë, i cili zgjati deri rreth orës 11. 00, u rrafshuan me tokë 7 shtëpi të familjes Salihaj.

Forcat e policisë serbe, të cilat u tërhoqën nga fshati rreth orës 16. 00, arrestuan Faik Salihajn, djalin e axhës së të ndjerëve, ndërsa deri në orët e vona të mbrëmjes nuk dihej për fatin e Fatime Salihajt, bashkëshortes së Shabanit të ndjerë.

Njoftohet se kufomat e të vrarëve edhe janë masakruar. Varrimi i tyre bëhet sot në fshatin Shushicë.

Në njoftimin e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së thuhet se Shaban Isë Salihaj ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Drenicës. Ai ka qenë shumë i kërkuar nga policia serbe.

 

Ferizaj: Bilall Shala u mbyt me torturë

Bilall Shala (47) nga fshati Guncat i Malishevës, me vendbanim në Saraishtë të Ferizajt, vdiq mbrëmë rreth orës 23, nga torturat fizike të ushtruara mbi të në sigurimin serb në Ferizaj.

Ai ishte punëtor në shkollën fillore të fshatit Dremjak.

KI i Degës së LDK-së në Ferizaj, duke cituar vëllain e Billalit, Zenel Shalën, njofton se trupi i pajetë i Bilallit ndodhet në morgun e spitalit të Prishtinës.

Bilall Shala, së bashku me djalin e tij Agronin (19) dhe një person tjetër me emrin Rexhë nga Dremjaku i Ferizajt, u arrestuan më 28 gusht në orën 12 në qendër të Ferizajt nga dy policë dhe një inspektor serb dhe u dërguan në Qendrën e sigurimit serb në këtë qytet, prej ku Agroni u lirua të njëjtën ditë, pasi u keqtrajtua fizikisht.

Varrimii Bilall Shalës bëhet nesër.

Bilall Shala është viktima e katërt e torturës fizike në sigurimin serbe që nga 22 korriku i këtij viti.

Më 22 korrik, si pasojë e torturës fizike, vdiq veprimtari i KMDLNj-së në Ferizaj Rexhep Bislimi, më 17 gusht, po nga torturat, vdiq Cen Dugolli nga Ferizaj, ndërsa vetëm 2 ditë më vonë, pasi qëndroi disa ditë në gjendje të rëndë në spital, vdiq Adem Berisha nga Buqa e Dragashit.

 

Në Peçan të Suharekës forcat serbe ekzekutuan një shqiptar dhe plagosën një tjetër

Dje në Peçan të Suharekës forcat serbe vranë një shqiptar dhe plagosën një tjetër.

Në fakt, katër banorë të këtij fshati, të ikur më parë nga shtëpitë e tyre, tentuan të kthehen në fshat, por forcat policore i ndaluan ata në Semetisht e pastaj i dërguan në Peçan ku i vendosën në radhë për t’i ekzekutuar dhe shtinë në ta, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Me këtë rast u vra Hamzi Bytyçi (34), u plagos Naser Fetaj (22), ndërsa vetëm falë fatit shpëtuan dy bashkëfshatarët e tyre Haxhi Fetaj (39) dhe Shefki Fetaj (56), të cilët nuk u qëlluan nga plumbat.

Varrimi i Hamzi Bytyçit u bë sot në Pagarushë.

 

Në Sllapuzhan kanë mbetur të pavarrosur dy trupa të pajetë

Në Sllapuzhan kanë mbetur pa u varrosur trupat e pajetë të Ymer Latif Jahës (50) dhe të plakut Jetish Shaip Syla, i cili ishte i paralizuar dhe trupi i të cilit u dogj.

Ndërkohë, nuk dihet për fatin e Sahit Isuf Jahës dhe disa banorëve të këtij fshati.

 

Njoftohet emrat e dy të vrarëve dhe 17 të plagosurve në fshatrat e Grykës së Shalës së Lipjanit

Gjatë granatimeve të fshatrave të Grykës së Shalës së komunës së Lipjanit, pardje u vranë Vehbi Shamolli (75) dhe Rabie Mulaku (43).

KI i Degës së LDK-së në Lipjan ka njoftuar sot edhe emrat e 17 shqiptarëve të plagosur, të plagosur në këto fshatra gjatë ofensivës serbe të ditëve të fundit. Janë plagosur: Bujar Pajaziti (17), Habibe Pajaziti (11), Bashkim Thaçi (24), Sofie Mulaku (60), Sabit Bytyçi (150, Lirie Hashani (18), Sheremet Hashani (22), Sanie Pajaziti, nënë e pesë fëmijëve, Shpresa Pajaziti, Mustafë Hashani (43), Flora Hashani (10), Jeton Mulaku (9), Selhane Hashani (21), Sabrie Ramadani (36), Mehmet Pajaziti (25), Blerta Bytyçi (9) dhe Blerim Sinani (33).

Njoftohet se shumica e banorëve që qëndruan disa ditë në male, janë kthyer në ato shtëpi që kanë mbetur pa u dëmtuar, duke marrë kështu mbi vete rrezikun e ndërhyrjes së forcave serbe sërish kundër tyre.

Gjatë ofensivës së forcave serbe në këto fshatra, në fshatin Shalë janë djegur 127 shtëpi, nga 300 sa ka gjithsej fshati, 51 shtëpi janë demoluar, është granatuar edhe shkolla e vjetër, zyrja e vendit, ndërsa nga katër shitoret sa kishte fshati, tri u dogjën e një u plaçkit.

Ndërsa, në fshatin Rusinofc u granatuan mbi 90 për qind e shtëpive.

 

Foto: Shtëpia shkollë te Hërticët në Kodër të Trimave në Prishtinë

Continue Reading

Lajmet

Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Published

on

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave që kishin afat deri në qershor të këtij viti si shkak i bllokadës politike, ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, raporton Ekonomia Online.

Duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj ka thënë se nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova ka arritur t’i zbatojë shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përmbushur në afatin e përcaktuar.

Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.

“Siç e dini, Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të mbahet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë të para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha ai.

Zulfaj ka theksuar se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i shpërndarë.

Megjithatë, ai ka thënë se këto reforma janë rikthyer në proces dhe synohet të miratohen gjatë këtij viti, përfshirë ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe strategjinë kundër krimit të organizuar.

“Shumica e tyre kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur Kuvendi, siç e dini, ishte i shpërndarë. Megjithatë, të gjitha këto reforma janë në rrugë të zbatohen këtë vit, ligji për energjinë, për falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar, pra të gjitha reformat, sepse procesi në tërësimi në BE është proces reformator, dhe të gjitha reformat të cilat nuk kanë arritur afatin e qershorit janë kthyer sërish në Kuvend, në qeveri fillimisht, pastaj në Kuvend, ashtu që të mos humbet asnjë reformë. Edhe nëse mjetet nuk arrijnë të përmbushen me kohë”, tha ai.

Kryenegociatori ka paralajmëruar se deri më 31 dhjetor Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh.

Sipas tij, dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend, ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga Qeveria.

“Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë euro, që skadojnë më 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim. Varësisht nga vonesat që shkaktojnë edhe Komisioni Evropian, në dërgimin e komenteve, sepse pjesë e procesit të hapave është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, ku secili hap, sidomos në hapat e ligjeve, kërkohet që përveç konsultimeve publike që i kemi ne si pjesë e procesit, duhet të konsultohen edhe me Bashkimin Evropian, dhe Bashkimi Evropian i kërkon diku rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente dhe kjo pastaj shkakton edhe vonesa të tjera që vonojnë ligjet. Ligjet që besoj që duhet të vijnë deri në fund të nëntorit, projektligji për inovacion, siç thashë, është këtu; projektligji për prokurimin publik, për partneritetin publiko-privat”, tha Zulfaj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn vazhdojnë edhe sot në Prishtinë

Published

on

Protestat kundër femicidit dhe për drejtësi për Arlinda Zekajn do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, ku është paralajmëruar një protestë kombëtare me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes kundër dhunës ndaj grave.

Protesta e sotme vjen pas pesë ditësh radhazi të mobilizimit qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e saj.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve.

Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e grave, trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë institucionale në parandalimin e femicidit.

Përmes protestës së sotme, organizatorët synojnë të vazhdojnë mobilizimin kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Prizren, gjendet pa shenja jete një shtetas i Shqipërisë

Published

on

By

Në Prizren është raportuar një rast i vdekjes së dyshimtë, ku një burrë shtetas i Shqipërisë është gjetur pa shenja jete.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orët e parë të mëngjesit të datës 1 nëntor, rreth orës 01:20.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe ekipi mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga organet e rendit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Raportohet një person i zhdukur në Ferizaj

Published

on

By

Në Ferizaj është raportuar zhdukja e një personi, i cili është larguar nga strehimorja ku po qëndronte.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor rreth orës 08:00.

Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin është iniciuar shënimi zyrtar dhe hetimet po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara