Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: U quajt vendi më i rrezikshëm në Evropë: Kijeva e Malishevës

3 korrik 1993

Rroga mesatare në ekonominë e kontrolluar nga serbët në Kosovë 5 marka

Gazeta serbe “Borba”, njofton sot se rroga mesatare në Kosovë për muajin maj ishte 8.8 milionë dinarë serbë. Mirëpo, siç thotë kjo gazetë, as këto të ardhura nuk janë paguar ende, ndonëse sot kjo shumë nuk tejkalon vlerën e 5 markave gjermane.

Sipas kësaj gazete, në pushim të dhunshëm gjenden më shumë se 40 mijë punëtorë nga sektori shoqëror. Eshtë vlerësim i Odës Ekonomike të Kosovës, që tash është nën kontrollin serb, se ekonomia po shkon drejt hendekut. Pas rënies shumë të madhe të prodhimit në vitin e kaluar, sivjet prodhimi shënoi rënie prej 35 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rënie drastike u shënua në të gjitha degët industriale në Kosovë, shkruan veç tjerash gazeta “Borba”.

 

3 korrik 1995

Bob Dol: Kongresi amerikan ka qenë miku më i mirë i popullit të Kosovës

Senatori Bob Dol i dërgoi një letër gazetës “Illyria”, që botohet në Amerikë, me të cilën demanton disa pohime të juristit shqiptaro-amerikan, Ilir Zherka. Ky i fundit, në fillim të qershorit, në një shkrim botuar në këtë gazetë, thekson se senatori Dol dhe kongresisti Benxhamin Gilman, dy legjislatorë republikanë në poste udhëheqëse në Kongres, kohët e fundit nuk e kanë ngritur zërin për çështjen e Kosovës.

“Ekziston një numër i madh i pasaktësive në shkrim, në veçanti kur thuhet se unë asnjëherë nuk kam paraqitur një rezolutë ose amendament për të shprehur mospajtimin e thellë lidhur me gjendjen ekzistuese në Kosovë. Siç e dinë shumica e lexuesve të gazetës “Illyria”, kjo thjesht nuk është e vërtetë”, shkruan Dol. Ai në vazhdim thekson se duke qenë i brengosur për situatën në Kosovë, me senatorë të tjerë kishte shkuar në fund të gushtit 1990 për vizitë në Prishtinë, ndërkaq pas kthimit, Dol thekson se ka bërë përpjekje të mëdha për të bërë në administratë një presion më të madh ndaj regjimit të Millosheviqit.

“Ishte kjo një përpjekje të cilës iu bashkangjitën një numër senatorësh të tjerë, të cilët më shoqëruan në vizitën në Kosovë, siç ishin senatorët Alfons D’amato, Don Nikës, Leri Presler e të tjerë”, shkruan Dol.

“Si rezultat i kësaj iniciative legjislative, që nga viti 1991, Serbia nuk ka marrë asnjë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara”, shkruan Dol.

Më poshtë në letrën e tij, Dol numëron rezolutat e tjera (nr.106, 153, 176), që ka paraqitur për Kosovën e që janë miratuar në Senat, me të cilat dënohej represioni ndaj shqiptarëve dhe bëhej thirrje për zgjedhje të lira në Kosovë, si dhe rezoluta nr.1793, me të cilën bashkë me senatorin D’Amato kërkonte nga Administrata e presidentit Bush që të vendoseshin sanksione ekonomike ndaj Serbisë. Ai thekson se bashkë me senatorin Levin kishte bashkësponsoruar amandamentin, i cili iu bashkangjit projektligjit të Buxhetit Ushtarak të SHBA-ve për vitin fiskal 1994, me të cilin sanksionet e SHBA ndaj Serbisë kodifikoheshin me ligj.

“Më në fund, përveç ruajtjes së sanksioneve ndaj Serbisë, përderisa të mos zgjidhet kriza në Kosovë dhe të kthehet autonomia politike e shqiptarëve, kam hartuar një amandament me të cilin me ligj do të kushtëzohet heqja e sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Këtë amandament do t’ia bashkangjes projektligjit për Ndihmë Vendeve të Jashtme për vitin fiskal 1996, për të cilin Senati do të votojë nga mesi i korrikut, shkruan Dol.

“Shpresoj se këto janë vetëm disa fakte mbi iniciativat e mia legjislative me qëllim të ndihmës më se 2 milionë shqiptarëve në Kosovë, fakte këto që do të bindin lexuesit e gazetës “Illyria”, të cilët mund të hamenden nga një artikull (i Zherkës – v.j.), që nuk mbështetet në fakte e të vërteta”, shkruan Dol dhe përfundon letrën me konstatimin se “Kongresi Amerikan ka qenë miku më i mirë i popullit të Kosovës”, shkruan veç tjerash senatori Bob Dol në letrën dërguar gazetës “Illyria”, të cilën e transmeton dhe e komenton konrrespondeti i gazetës “Bujku” nga Uashingtoni, Sulejman Gashi.

 

 

3 korrik 1997

Kuvendi i Maqedonisë sot debaton për ligjet për përdorimin e flamujve

Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë sot pritet të debatojnë në mes tjerash edhe për propozimligjin për përdorimin e stemës, flamurit shtetëror dhe flamuurit të nacionaliteteve. Në bazë të debatit publik që është zvilluar nëpërmes mediumeve dhe nëpër institucione të sistemit me Propozimligjin për përdorimin e flamujve të nacionaliteteve në Maqedoni nuk janë të kënaqur as shqiptarët ose nacionaliteet e tjera, por as maqedonasit. Të parët mendojnë se propozimligji është mjaft restriktiv në krahasim me praktikën e deritashme të përdorimit të flamurit e cila daton që nga viti 1973 e që përdorej nëpër të githa institucionet shtetërore në viset e banuara me shqiptarë, kusre pala maqedone mendon se me këtë propozimligj nacionaliteteve iu jepen “shumë të drejta” dhe me këtë krijohen mundësi për “copëtimin”, respetkivisht “ndajren” e Maqedonisë.

Propozimamandamentet e deputetëve shqiptarë, përmes të cilëve kërkohet një liberalizim më i madh i përdorimit të flamurit shqiptar, nuk kaluan dje as në Komisionin Juridiko-ligjdhënës e as në ato të sistemit politik në Parlamentin e Maqedonisë. Gjykuar sipas shkrimeve në shtypin në gjuhën maqedonase që kanë përshkruar këto ditë faqet e shtypit, edhe gjatë debatit të sotëm për këtë pikë të rendit të ditës nuk pritet ndonjë “mirëkuptim” i deputetëve maqedonas të cilat përbëjnë rreth 90 për qind të strukturës parlamentare.

Ndërkaq, lidhur me vendimin e gjyqit Kushtetues të Maqedonisë përmes të cilit përkohësisht ndalohet përdorimi i flamurit shqiptar edhe në Kuvendin e Tetovës, kryetari i kësaj komune z. Alejdin Demiri deklaroi se “flamuri mbetet aty ku është kurse deputetët duhet të kenë më tepër arsye dhe mirëkputim për sjeljen e ligjit për përdorimin e flamurit shqiptar. Tentimet që kjo të kuptohet si segregacin janë tepër të dëmshme dhe nuk përkasin me rregullat e demokracisë sepse tërë bota i di parimet e demokracisë”.

Kurse kryetari i Partisë MAAK- konzervative Stasho Angellovski, në një debat në Televizionin e pavarur “A1” deklaroi se po qe se pustheti ekzekutiv nuk i heq falmutj shqiptar nga shtizat e komunave, atëherë kjo parti do të aktivizojë “Komitete mbrojtëse” që ta bëjnë këtë. Ai po ashtu tha se këto komitete janë formuar në kohën kur kryetar i kësaj partie ishte Ante Popovski (shkrimtar).

Sot, pra në Parlamentin e Maqedonisë do të vëhet në sprovë toleranca dhe mirëkuptimi ndëretnik për të cilin shpeshherë është deklaruar edhe presidenti i republikës z. Kiro Gligorov në paraqitjet e tij publike brenda dhe jashtë vendit.

 

 

3 korrik 1998

Sulme masive kundër shumë fshatrave të Klinës

Mediumet serbe thonë se forcat serbe hynë në Kijevë sot në 7:30

Sot që nga ora 5,00 e mëngjesit, forca të shumta policore, me tanke, mjete të blinduara, kamionë e topa të kalibrit të madh, filluan një sulm të fuqishëm në drejtim të fshatrave Gllarevë, Rigjevë, Zabërgjë, Cerovik e Kijevë, njofton KI i Degës së LDK-së në Klinë.

Duket se synim i këtij sulmi është depërtimi i forcave serbe në Kijevë.

Në drejtim të këtyre fshatrave, si dhe fshatrave përreth, po shtihet edhe nga postblloqet e Dollcit e të Pogragjës, ndërsa shpërthimet e detonimet e fuqishme po dëgjohen edhe në qytetin e Klinës.

Mbi këtë zonë fluturuan edhe helikopterë ushtarakë.

Burimet në anë të ndryshme të Drenicës bëjnë me dije se janë dërguar plagosur.

Para më shumë se një muaji, serbët vendës, të ndihmuar nga policia e stacionuar në këtë fshat, dëbuan shqiptarët nga shtëpitë e veta.

Riçard Hollbruk në konferencën për shtyp javën e kaluar në Prishtinë e quajti Kijevën “vendi më i rrezikshëm në Evropë”.

Zyrtari i instaluar serb në Kosovë, Odalloviq tha dje se forcat serbe do ta “ta thejnë bllokadën e shqiptarëve të armatosur ndaj Kijevës”.

Deri tash nuk ka njoftime për pasojat e këtij sulmi. Ndërkohë, një medium serb njoftoi se forcat serbe kanë arritur në Kijevë në 7:30. Në njoftim thuhet se policia serbe nuk ka pësuar humbje.

 

Nga Kijeva u lejuan të largohen vetëm gratë, fëmijët e të paarmatosurit

Sot që nga ora 4,20 të mëngjesit filloi një sulm i ashpër i forcave serbe ndaj fshatrave të komunës së Klinës që kufizohen me Drenicën. Këto forca që nga Klina filluan t’i granatojnë fshatrat shqiptare. Por UÇK-ja tani mbrojtëse e çelikt e çdo pëllëmbe të Kosovës, me sukses arriti ta zbrapsë armikun.

Në këtë mënyrë, edhe pse detonimet e fuqishme ishin të padëgjuara deri më tash, forcat e UÇK-së arritën që t’i ruajnë pozicionet strategjike.

Kështu UÇK-ja me ato forca dhe moralin e fortë luftarak i kthyen prapa 15 tanke, 50 autoblinda, 12 kamionë si dhe një numër i madh i mjeteve tjera luftarake të përcjellur me helikopterë dhe avionë luftarak. Gjithë ky arsenal luftarak ishte e lëshuar si një lukuni mbi fshatrat: Dollc, Gllarevë, Stapanicë, Rigjevë, Qabiq, Cerovik, Kijevë, Ujmirë, Siqevë, Jashanicë, Jellovc etj.

Dëshmitarët pohojnë se forcat e armikut veç dëmeve të arsenalit luftarak, pësuan me dhjetra policë dhe ushtarakë të vrarë. Tymi nga mjetet e forcave ushtarako-policore vërehej nga Abria.

Pasi arritën inofrmatat për sulmet në Kijevë dhe në fshatrat përgjatë rrugës Klinë-Kijevë, forcat e UÇK-së nga Drenica dhe njësia speciale e komandosve arritën t’i fusin forcat ushtarako-policore në një rrethim të hekurtë. U lejuan të largohen vetëm gratë, fëmijët dhe personat e paarmatosur, ndërsa i përforcuan pozicionet e tyre të mëparshme, thuhet mes tjerash në kumtesën e N/MDLNJ-së në Likoc.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Tahiri paralajmëron debat parlamentar për krizën energjetike në Kosovë

Published

on

By

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e energjisë, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një debat parlamentar lidhur me dështimet në këtë sektor.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri theksoi se situata aktuale është mjaft shqetësuese, pasi Kosova po blen energji me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që blloku B1 ndodhet jashtë funksionit. Ai nënvizoi se trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit strategjik dhe energjetik të vendit.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet këtë të enjte, në orën 12:00.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.

Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës mbledh 186.6 milionë euro të hyra në tetor, rritje prej 5.9 për qind

Published

on

Dogana e Kosovës ka mbledhur 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas buletinit mujor të publikuar nga Dogana, në tetor të vitit 2025 të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro, ndërsa këtë vit janë rritur në 186.6 milionë euro.

Përveç rritjes së të hyrave, gjatë tetorit janë shënuar edhe zhvillime të tjera në aktivitetin doganor.

Një ndër to ishte realizimi i eksportit të parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, e cila synon të krijojë mundësi të reja për bizneset kosovare.

Po ashtu, Sektori i Antikontrabandës ka realizuar një operacion gjatë të cilit janë ndaluar 121 telefona celularë pa dokumentacionin përkatës.

Një tjetër zhvillim ishte organizimi i punëtorisë së parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të programit Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.

Në buletinin mujor, Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin për forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Siguria e barnave është përgjegjësi e përbashkët e profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve

Published

on

By

Shkruan: Prof. Dr. Fitim Alidema

Nga këndvështrimi farmakologjik, siguria e një bari nuk përcaktohet vetëm nga efikasiteti i tij në trajtimin e një sëmundjeje. Ajo lidhet ngushtë me dozën e administruar, kohëzgjatjen e trajtimit, gjendjen shëndetësore të pacientit, funksionin e mëlçisë dhe të veshkave, praninë e sëmundjeve të tjera, si dhe ndërveprimet e mundshme me barna të tjera. Për këtë arsye, i njëjti bar mund të ketë efektin e dëshiruar terapeutik te një pacient, ndërsa te një tjetër mund të shkaktojë reaksione të padëshiruara që kërkojnë vlerësim dhe ndërhyrje mjekësore

Barnat përbëjnë një nga arritjet më të rëndësishme të mjekësisë bashkëkohore. Falë zhvillimit të farmakologjisë dhe përparimeve në trajtimin medikamentoz, sot është e mundur të parandalohen, kontrollohen dhe trajtohen sëmundje që dikur përbënin kërcënim serioz për jetën. Megjithatë, krahas përfitimeve të padiskutueshme terapeutike, përdorimi i barnave shoqërohet edhe me rreziqe të caktuara, të cilat kërkojnë vëmendje të vazhdueshme nga profesionistët shëndetësorë dhe vetë pacientët.

Në kuadër të Javës Botërore të Sigurisë së Barnave, e cila shënohet nga 2 deri më 8 nëntor 2026, vëmendja përqendrohet në një aspekt thelbësor të kujdesit shëndetësor: identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e reaksioneve të padëshiruara që mund të shfaqen gjatë përdorimit të barnave.

Nga këndvështrimi farmakologjik, siguria e një bari nuk përcaktohet vetëm nga efikasiteti i tij në trajtimin e një sëmundjeje. Ajo lidhet ngushtë me dozën e administruar, kohëzgjatjen e trajtimit, gjendjen shëndetësore të pacientit, funksionin e mëlçisë dhe të veshkave, praninë e sëmundjeve të tjera, si dhe ndërveprimet e mundshme me barna të tjera. Për këtë arsye, i njëjti bar mund të ketë efektin e dëshiruar terapeutik te një pacient, ndërsa te një tjetër mund të shkaktojë reaksione të padëshiruara që kërkojnë vlerësim dhe ndërhyrje mjekësore.

Një rëndësi të veçantë ka dallimi ndërmjet efekteve anësore të njohura dhe reaksioneve të padëshiruara serioze. Disa reaksione janë të lehta dhe kalimtare, si shqetësimet gastrointestinale, marramendja apo përgjumja. Në raste të tjera, mund të shfaqen reaksione alergjike të rënda, çrregullime të funksionit të organeve, gjakderdhje ose komplikime të tjera që mund të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e pacientit. Prandaj, çdo simptomë e re që shfaqet pas fillimit ose ndryshimit të një terapie duhet të vlerësohet me kujdes, pa supozuar automatikisht se është shkaktuar nga bari.

Në praktikën klinike, një ndër sfidat më të mëdha mbetet përdorimi i barnave pa këshillim profesional. Vetëmjekimi, përdorimi i antibiotikëve pa indikacion të qartë, ndryshimi i dozave sipas vlerësimit personal dhe ndërprerja e parakohshme e terapisë janë dukuri që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e trajtimit. Veçanërisht shqetësues është përdorimi i njëkohshëm i disa barnave pa një vlerësim të plotë të ndërveprimeve të mundshme ndërmjet tyre.

Pacientët e moshuar, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike kërkojnë kujdes të shtuar gjatë përshkrimit dhe administrimit të barnave. Te këto kategori, ndryshimet fiziologjike dhe patologjike mund të ndikojnë në përthithjen, shpërndarjen, metabolizmin dhe eliminimin e substancave aktive. Kjo nënkupton se trajtimi medikamentoz duhet të individualizohet dhe të mbështetet në vlerësimin e përfitimeve dhe rreziqeve për secilin pacient.

Një tjetër aspekt që meriton vëmendje është përdorimi i barnave pa recetë, preparateve bimore dhe suplementeve ushqimore. Ekziston një perceptim i gabuar se produktet që merren pa recetë ose kanë origjinë natyrore janë domosdoshmërisht të sigurta. Në të vërtetë, edhe këto produkte mund të shkaktojnë reaksione të padëshiruara ose të ndërveprojnë me terapinë e përshkruar nga mjeku.

Në këtë kontekst, farmakovigjilenca përbën një mekanizëm të domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik. Ajo përfshin aktivitetet që lidhen me zbulimin, vlerësimin, kuptimin dhe parandalimin e reaksioneve të padëshiruara dhe problemeve të tjera që lidhen me përdorimin e barnave. Rëndësia e saj shtrihet përtej identifikimit të një reaksioni individual, pasi të dhënat e mbledhura nga raportimet mund të ndihmojnë në zbulimin e rreziqeve që nuk janë evidentuar plotësisht gjatë studimeve klinike.

Është e rëndësishme të kuptohet se raportimi i një reaksioni të dyshuar nuk nënkupton domosdoshmërisht se bari është shkaktari i tij. Raportimi shërben si pikënisje për vlerësimin shkencor të lidhjes së mundshme ndërmjet përdorimit të barit dhe ngjarjes së vërejtur. Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet të pritet konfirmimi përfundimtar i shkakësisë përpara raportimit të një reaksioni të dyshuar.

Në këtë proces, mjekët, farmacistët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë kanë përgjegjësi të veçantë. Përshkrimi racional i barnave, informimi i pacientit, monitorimi i trajtimit dhe dokumentimi i reaksioneve të dyshuara janë pjesë përbërëse e praktikës profesionale. Njëkohësisht, edhe pacienti duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në trajtimin e tij, duke informuar profesionistët shëndetësorë për barnat që përdor dhe për çdo ndryshim të pazakontë të gjendjes shëndetësore.

Si profesor i farmakologjisë, konsideroj se edukimi mbi sigurinë e barnave duhet të jetë pjesë e pandashme e formimit të profesionistëve të ardhshëm shëndetësorë. Njohja e mekanizmave të veprimit të barnave është themelore, por po aq e rëndësishme është aftësia për të identifikuar faktorët që rrisin rrezikun e reaksioneve të padëshiruara, për të vlerësuar ndërveprimet medikamentoze dhe për të marrë vendime të argumentuara në praktikën klinike.

Siguria e barnave nuk duhet të trajtohet si një çështje që merr vëmendje vetëm gjatë fushatave ndërkombëtare. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e kulturës së kujdesit shëndetësor, duke filluar nga momenti i përshkrimit të terapisë, vazhduar me përdorimin dhe monitorimin e saj, deri te vlerësimi i rezultateve klinike.

Këshilla të rëndësishme për përdorimin e sigurt të barnave

  1. Mos përdorni barna pa këshillim profesional. Edhe barnat që merren pa recetë mund të kenë kundërindikacione, efekte të padëshiruara dhe ndërveprime me terapi të tjera.
  2. Respektoni dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit. Mos e rrisni, zvogëloni ose ndërprisni dozën e përshkruar pa u konsultuar me mjekun ose farmacistin. Mos merrni dozë të dyfishtë për të kompensuar një dozë të harruar pa udhëzim profesional.
  3. Informoni mjekun dhe farmacistin për të gjitha produktet që përdorni. Përfshini barnat me recetë, barnat pa recetë, suplementet ushqimore dhe preparatet bimore.
  4. Mos përdorni antibiotikë pa indikacion mjekësor. Antibiotikët nuk trajtojnë infeksionet virale, ndërsa përdorimi i panevojshëm i tyre kontribuon në zhvillimin e rezistencës antimikrobike.
  5. Kushtojini vëmendje simptomave të reja gjatë trajtimit. Nëse shfaqen skuqje të lëkurës, marramendje, shqetësime të pazakonta ose ndryshime të tjera pas marrjes së një bari, kërkoni këshillim profesional. Vështirësia në frymëmarrje, ënjtja e fytyrës ose e gjuhës dhe humbja e vetëdijes kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore.
  6. Mos përdorni barna të përshkruara për persona të tjerë. Një trajtim që ka qenë i përshtatshëm për një pacient mund të jetë i papërshtatshëm ose i rrezikshëm për një tjetër.
  7. Kontrolloni afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes. Barnat duhet të ruhen sipas udhëzimeve të prodhuesit, larg lagështisë, temperaturave të papërshtatshme dhe vendeve të arritshme për fëmijët.
  8. Kërkoni rishikim periodik të terapisë nëse përdorni disa barna. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për pacientët e moshuar dhe personat me sëmundje kronike, për të identifikuar ndërveprimet, dyfishimet terapeutike dhe barnat që mund të mos jenë më të nevojshme.
  9. Mos i neglizhoni reaksionet e dyshuara të padëshiruara. Njoftoni mjekun ose farmacistin dhe kërkoni informacion për raportimin përmes mekanizmave përkatës të farmakovigjilencës. Edhe një dyshim i arsyeshëm meriton të dokumentohet.
  10. Informohuni për barnat që merrni. Para fillimit të një trajtimi, kërkoni të dini për çfarë shërben bari, si duhet përdorur, cilat janë reaksionet e mundshme të padëshiruara dhe në cilat raste duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Mesazhi përmbyllës

Java Botërore e Sigurisë së Barnave është një mundësi për të rikujtuar se trajtimi i suksesshëm nuk varet vetëm nga zgjedhja e barit të duhur, por edhe nga mënyra se si ai përdoret, monitorohet dhe vlerësohet gjatë gjithë procesit terapeutik.

Çdo raportim i një reaksioni të dyshuar të padëshiruar mund të kontribuojë në njohjen më të mirë të profilit të sigurisë së një bari dhe në parandalimin e dëmeve të mundshme te pacientët e tjerë.

Përdorimi racional i barnave është përgjegjësi profesionale, ndërsa siguria e tyre është interes i përbashkët i gjithë shoqërisë.

(Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UBT. Shkrimi i dedikohet Javës Botërore të Sigurisë së Barnave, e cila shënohet nga 2 deri më 8 nëntor)

Continue Reading

Të kërkuara