Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
26 tetor 1993
U dogj Hamami i Prishtinës
Mbrëmë në Prishtinë, rreth orës 19,40, nga shkaqe të panjohura, u dogj Hamami i Prishtinës.
Dëshmitarët thonë se zjarri përfshiu me të shpejtë gjithë godinën e Hamamit të Prishtinës, ku ishin vendosur zyrat e shoqatave dhe firmave të ndryshme.
Hamami i Prishtinës ishte njëri prej objekteve më të bukura dhe më interesante të vjetërsisë në Kosovë.
Arkeologët shqiptarë për shumë vite ishin përpjekur t’ia siguronin këtij objekti mbrojtjen institucionale por, me instalimin e udhëheqjes serbe në Entin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe të Historisë së Kosovës, ky objekt u përdor për destinime të tjera. Udhëheqjet serbe, si edhe në rastet tjera, kanë shfrytëzuar çdo hapësirë për fitimin e padjersë të parave.
Ndonëse është absurde, Hamami i Prishtinës iu dha shoqatave e firmave të ndryshme për shfrytëzim.
Ekspertët e krijuesit shqiptarë kishin planifikuar pas restaurimit të Hamamit, krijimin e një hapësire të përshtatshme për galeri artesh. Hamami kishte ndriçim natyral, përmes kupollave, ndërsa gjendej në një ambient të mbushur me objekte të vjetra dhe të bukura.
Këto plane i dogji zjarri, që megjithëse duket i rastësishëm, ishte, në esencë, i qëllimtë.
Djegia e Hamamit të Prishtinës është një paralajmërim serioz se një fat i këtillë i pret edhe të gjitha objektet tjera të vjetra e të rëndësishme të Kosovës, që nuk u shërbejnë qëllimeve e miteve serbe. Këto objekte që nuk i ka rrënuar dhëmbi i kohës, do t’i rrënojë zjarri e fatkeqësi të tjera, në dukje të parë të rastësishme, por esencialisht të planifikuara.
26 tetor 1994
Doli nga shtypi libri anglisht “Dimensionet e çështjes së Kosovës në Ballkan”
Në botim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Qendrës për Informim të Kosovës doli nga shtypi në anglisht libri i akademik Gazmend Zajmit “Dimensions of the question of Kosova in the Balkans” (“Dimesionet e çështjes së Kosovës në Ballkan”).
Në libër përfshihen 10 njësi tematike, të cilat i referohen temës bosht të individualitetit politik të Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës, të vështruar në rend të parë si çështje e vetëvendosjes së popullatës së Kosovës me shumicë dominante demografike – etnike shqiptare.
Librit i paraprin parathënia e autorit me titull: “Identifikimi i bërthamës së individualitetit dhe i çështjes së Kosovës”, ndërsa më tutje renditen këto njësi tematike: “Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare si sfidë e kohës dhe ndaj kohës”; “Subjektet e suksesionit në raport me ish-Federatën jugosllave – Kosova si subjekt i suksesionit”; “Çështja e Kosovës dhe Evropa Juglindore”; “Etniciteti, Kosova, dehumanizmi dhe humanizmi”; “Indikime metodologjike mbi etikën dhe oplitikën në raport me strukturën shoqërore dhe osaçërisht në raport me strukturën etnike si një nga trajtat e saj – përshkimi i politikës dhe i joetikës në Kosovë dhe ndaj Kosovës si rast ekzemplar (key-case); “Ndrydhja e çështjes shqiptare si faktor i degradimit dhe i zhbërjes së Jugosllavisë”; “Qasja ndaj çështjes shqiptare dhe çështjes së Kosovës mbi bazën e principit demokratik të vetëvendosjes”; “Rrjedhat e konfliktësisë shqiptaro-srebe të ish-federatës multinacionale të Jugosllavisë”, dhe “Dimensionet e çështjes së Kosovës në Ballkan”.
Siç shihet emërtimi i librit “Dimensionet e çështjes së Kosovës në Ballkan” mbështetet në titullin e punimit të fundit në dorëshkrimin e librit, i cili për kah përmbajtja e tij në esencë paraqet pjesën konkludive të librit dhe e pozicionon çështjen e Kosovës në kornizë ballkanike.
Të gjitha këto punime dhe studime i lidh një qasje e përbashkët metodologjike, një fill i përbashkët tematik mbi bërthamën e individualitetit dhe të çështjes së Kosovës si dhe një sfond i përbashkët shoqëror dhe politik kohor dhe hapësinor, në të cilën sajohet dhe shpalohet çështja e Kosovës si çështje madhore në Ballkan. Kështu të gjitha këto studime përbëjnë një tërësi organike në kuadër të temës bosht.
Botimi anglisht i këtij libri është përgatitur nga Skënder Hyseni dhe Avni Spahiu.
Libri ka 190 faqe.
26 tetor 1995
Tre veprimtarë nga Gllogoci u dënuan me nga 30 ditë burg
Një mbledhje e aktivit të LDK-së në Zabel të Poshtëm të Gllogocit, e mbajtur më 25 maj 1994, ishte pretekst i mjaftueshëm për gjykatën e instaluar serbe në Prishtinë që tre veprimtarëve politikë t’ua shqiptojë dënimet me nga 30 ditë burg, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.
Kështu, me pretekst se kanë mbajtur tubim me qytetarë pa e lajmëruar mbajtjen e tij tek organet serbe, gjykata serbe dënimet ua shqiptoi Izet Ibrahimit (1962), kryetar i KKF dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Gllogoc, Jakup Krasniqit (1951), kryetar i Këshillit Komunal të arsimit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe deputet i Parlamentit të Kosovës dhe Tahir Zenelit (1955), kryetar i aktivit të LDK-së në Zabel të Poshtëm.
Në vendimin e lëshuar nga gjykata serbe thuhet se ata duhet të paraqiten në vuajtjen e dënimit 15 ditë pas marrjes së vendimit.
26 tetor 1997
Gelbard vjen në Kosovë
Gazeta serbe “Nasha borba” njoftonte dje se të hënën pritet të arrijë në Beograd Robert Gelbard, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Bill Klinton për ish-Jugosllavinë.
Në njoftim thuhej se diplomati amerikan do të vizitojë së pari Prishtinës, e pastaj do të qëndrojë në Beograd.
Pavarësisht prej këtij njoftimi dhe paralajmërimeve të mëparshme jozyrtare se vizita do të realizohet më 29 tetor, ende nuk dihet data e saktë e arritjes së z. Gelbard në Prishtinë.
26 tetor 1998
19 kosovarë u mbytën në ujërat e detit Adriatik
Roja bregdetare e Shqipërisë bëri të ditur se, natën mes të shtunës e të dielës, në ujërat e Detit Adriatik, në afërsi të ishullit të Sazanit, janë mbytur 19 shqiptarë nga Kosova. Ata ishin nisur me një motoskaf në drejtim të Vlorës, prej nga duhet të vazhdonin lundrimin për në Itali. Por, për shkak të prishjeje në motor, motoskafi kishte shpërthyer.
Bëhet e ditur se roja bregdetare e Shqipërisë ka ndaluar edhe një motoskaf tjetër me 250 veta. 180 prej tyre ishin shqiptarë nga Kosova.
Foto: Hamami i Prishtinës