Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 23 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Përmasa shkatërruese të luftës në fshatrat e Klinës)

23 maj 1993

Edhe sot gjendje e tensionuar në Gllogovc

Pas incidentit të parmbrëmshëm në Gllogovc, në këtë qytezë dhe fshatrat përreth gjendja ende është e tensionuar. Nëpër shumë vendkalime dhe rrugë patrullojnë policët serbë.

Sipas informatave të sotshme mbrëmë u liruan të gjithë të arrestuarit, përveç dy vetave.

Anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Gllogovc vizituan fshatrat që i bastisi dhe i keqtrajtoi policia serbe gjatë dy netëve të kaluara. Shumë persona janë të rrahur dhe të keqtrajtuar. Janë bërë edhe dëme të konsiderueshme nëpër shtëpitë e bastisura.

Gjendja më e vështirë ishte në fshatrat Çikatovë e Re, Shtrubullovë dhe Krajkovë, ku edhe u organizuan ekspeditat më të ashpëra të policisë serbe. Krahas dëmeve të shkaktuara gjatë bastisjes së shtëpive të shqiptarëve u bënë edhe plaçkitje të ndryshme posaçërisht mjeteve devizore.

Gjatë natës së kaluar policia mjaft ashpër sillej ndaj udhëtarëve të cilët kalonin në rrugën Prishtinë-Pejë, pasi kishin një posbllok në Komoran.

Sipas informatave më të reja në stacionin e policisë në Gllogovc që nga parmbrëmë u arrestuan mbi 100 shqiptarë, mbi 100 të tjerë u rrahën, nga të cilët 14 morën lëndime trupore dhe kërkuan ndihmën mjekësore. Ndër të rrahur ishin edhe dy gra dhe dy fëmijë nën moshën 14 vjeçare. Ndër të arrestuarit kishte edhe fëmijë, gra dhe pleq.

Përkundër dhunës së madhe, ndër qytetarët e komunës së Gllogovcit nuk ka pasur panik. Policia serbe përkundër provokimeve të shumta nuk arriti që të nxisë veprime të cilat do të çonin në ashpërsimin e mëtejmë të gjendjes.

 

 

Dy të vrarë dhe pesë policë serbë të plagosur

Siç është bërë e ditur parmbrëmë rreth orës 23 në Gllogovc ka pasur të shtëna nga armët. Ndërkohë, janë vërejtur disa autoambulanca, të cilat kanë udhëtuar nga Gllogovci për në Prishtinë. Pas të shtënave të shumta, të cilat qytetarët i dëgjuan thuaja në qendër të Gllogovcit, në këtë qytezë arritën forca të mëdha të policisë që bllokuan hyrjet-daljet e Gllogovcit dhe filluan keqtrajtimet e qytetarëve.

Gllogovci dje ishte nënshtuar një represioni të madh të policisë serbe, si hakmarrje për gjoja vrasjen e dy dhe plagosjen e pesë policëve serbë, siç thonë burimet serbe, që u bë nga një pusi në periferi të Gllogovcit.

Incidenti i cili ndodhi në rrethana ende të pandriçuara, u mor si pretekst nga policia serbe për të terrorizuar Gllogovcin dhe fshatrat përreth.

Dje në drejtim të Gllogovcit shkuan edhe njësi të ushtrisë serbe, të cilat u stacionuan në fshatrat përreth e veçanërisht afër fshatit Shtrubullovë.

Po ashtu dje në Skënderaj u bënë kontrollime të mëdha të qytetarëve nga policët serbë, të cilët ishin vendosur në të gjitha hyrjet-daljet e kësaj qyteze.

Burimet nga Gllogovci theksojnë se disa nga qytetarët, të cilët ishin marrë në stacionin e policisë në Gllogovc u rrahën rëndë. Ndërkohë atyre po iu jipet ndihma shëndetësore.

Ndërkohë po tubohen fakte për represionin dhe pasojat e dhunës së djeshme në komunë e Gllogovcit.

 

 

 

23 maj 1994

Represioni në Kosovë

Podujevë: – Më 18 maj, policia serbe bastisi shtëpinë e Sylejman Latifit, anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Pollatë të Podujevës. Sylejman Latifit iu la thirrja që të paraqitet në stacionin e policisë në Podujevë.

Më 19 maj, Xhafer Hoti, kryetar i Aktivit të LDK-së në Bradash të Podujevës u paraqit sipas thirrjes në stacionin e policisë në Podujevë, me ç’rast u mbajt rreth dy orë dhe është rrahur brutalisht.

Më 20 maj, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Muhamet Latifit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Pollatë. Muhamet Latifit iu la thirrja që të paraqitet sot në stacionin e policisë në Podujevë.

Më 19 maj, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Ismet Hysenit, anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Gllamnik.

Po këtë ditë në fshatin Konushevc, policia bastisi shtëpinë e Zeqir Berishës, i cili nuk gjendej në shtëpi.

Më 19 maj, policia bastisi shtëpinë e Abdullah Muçollit në Hërticë. Gjatë bastisjes, policia gjeti një pushkë dhe një revole.

Mitrovicë: – Më 19 maj rreth orës 7 të mëngjesit, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Ramadan Selimit në Mitrovicë, tek i cili u gjet një revole. Policia pas bastisjes, mori me vete djalin e Ramadanit, Ismail Selimin, i cili u mbajt në polici deri rreth orës 14.

Më 20 maj, rreth orës 8 të mëngjesit, policia ishte në fshatin Shipol stë Mitrovicës dhe kërkoi Behram, Lah dhe Nezir Miftarin. Meqë personat e lartëshënuar nuk gjendeshin në shtëpi, policia ua la thirrjet që të paraqiten nesër dhe pasnesër në stacionin e policisë në Stantërg.

Skënderaj: – Sot rreth orës 4 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Zenun Rexhepit në Izbicë të Skënderajt. Pas bastisjes, policia mori me vete djalin e Rexhepit, Enver Rexhepin, i cili ende po mbahet në arrest.

Gjithashtu sot, forca të mëdha të policisë serbe me autoblinda dhe mjete të tjera bllokun të gjitha hyrje-daljet në Skënderaj dhe po i legjitimojnë qytetarët.

Istog: – Më 19 maj, policia mori në pyetje Ejup Kamberajn, kryetar i Degës së KMDLNJ në Istog. Ai u lirua me kusht që të lajmërohet sërish në stacionin e policisë në Istog.

Vushtrri: – Më 21 maj, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Lutfi Shutit në Oshlan të Vushtrrisë. Pas bastisjes, policia mori me vet Lutfiun, i cili në stacionin e policisë në Vushtri u rrah brutalisht. Lutfi Shuti u lirua me kusht që të paraqitet sërish më 22 maj.

Po këtë ditë, e njëjta ekspeditë e policisë, në fshatin Oshlan bastisi edhe shtëpinë e Ali Shutit, tek i cili gjet një revole, si dhe iu la ftesa që të paraqitet më 23 maj në stacionin e policisë në Vushtrri.

Më 19 maj, rreth orës 9 të mëngjesit, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Fadil, Nazmi, Abdullah dhe Mustafë Maxhunit në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë. Policia gjatë bastisjes keqtrajtoi fizikisht Fadil, Fikret dhe Mustafë Maxhunin, të cilët nga rrahjet morën lëndime trupore.

Gjilan: -Më 21 maj rreth orës 14, policia arrestoi Abdyl Hasanin, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Cërnicë të Gjilanit. Bëhet me dije se Abdyl Hasani ende po mbahet në arrest.

Malishevë: – Më 19 maj rreth orës 14, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e vëllezërve Ali, Izahir, dhe Shaqir Paçarizit në Dragobil të Malishevës.

Prishtinë: – Pardje, policia bastisi shtëpinë e Haki Abazit në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Bëhet me dije se policia shtëpinë e Haki Abazit e bastisi për herë të tretë, ndërsa shkaku i bastisjes ende nuk dihet.

Suharekë: – Më 19 maj rreth orës 9 të mëngjesit, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Azem, Vesel dhe Rrahim Kadriajt në Krushicë të Epërme të Suharekës. Pas bastisjes, policia mori me vete Azem e Vesel Kadriajn, të cilët u mbajtën disa orë në polici.

Klinë: – Më 19 maj, policia nën pretekst të kërkimit të armëve thirri për t’u lajmëruar në stacionin e policisë në Klinë, gjashtë anëtarë të Aktivit të LDK-së në Jagodë të Klinës: Zef e Gjon Saliçunin, Ndue e Pashk Mirditën, Anton Lleshin (17), i cili u ftua katër herë në polici), Mark Berishën dhe Mikel Lleshin, i cili punon përkohësisht në Zvicër.

 

 

23 maj 1995

Serbia harxhoi 13 milionë dollarë për destabilizimin e Shqipërisë

Gazeta serbe “Nasha Borba” citonte dje gazetën shqiptare “Dita”, e cila kishte shkruar ditë më parë se shërbimet sekrete të Jugosllavisë së vetëshpallur kanë shpenzuar 13 milionë dollarë për destabilizimin e Republikës së Shqipërisë.

Ky informacion publikohej në kontekst të njoftimeve serbe për një shpërthim në shtëpinë e kryetarit të shoqatës së ashtuquajtur serbo-malazeze në Shqipëri.

Javëve të fundit Beogradi është përpjekur të krijoj problemin e paqenë të gjoja pakicës sllave në Republikën e Shqipërisë.

 

Bastisje në Prishtinë dhe Vushtrri

 Prishtinë: – Mbrëmë, rreth orës 22, policia ndali në rrugë dhe rrahu plakun Asllan Hasimi (1934) nga Prishtina.

Sipas njoftimit që e dha djali i tij, Florimi, Asllan Hasimi është rrahur rëndë nga dy policë dhe për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore.

Vushtrri: – Më 19 maj, me pretekst të kërkimit të armëve, policia ishte në shtëpinë e Lutfi Manit nga Vushtrria, ndërsa në familjen e Fetah Ramës kërkuan vëllaun e tij, i cili para katër vjetësh është larguar nga vendi.

Më 20 maj, një patrullë e policisë, po me pretekst të armës, ishte në shtëpinë e Nebih Jonuzit në fshatin Pasomë.

Policët armë kërkuan edhe nga Latif, Sejdi, Izet e Arif Vatovci, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Vushtrri.

 

 

23 maj 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Prishtinë, 23 maj (QIK)

Viti: – Më 19 maj, një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve ishte në shtëpinë e Jonuz Ahmetit në Drobesh.

Njoftohet se z. Ahmeti u dërgua në stacionin e policisë serbe në Viti dhe u mbajt disa orë. Meqë Jonuzi nuk pranojë se ka armë, policia serbe me të njëjtin pretekst mori edhe djalin e tij Rrahim Ahmetin (17), të cilin e keqtrajtuan rëndë. Jonuz Ahmeti u lirua me kusht që të dorëzojë armën.

Malishevë: – Këto ditë, policia serbe ia la thirrjen Alush O. Krasniqit, drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në Drenoc të Malishevës, që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Pejë.

Shkaku i thirrjes në polici të Alush Krasniqit nuk dihet.

Këto ditë, në stacionin e policisë serbe në Rahovec dhe në Prizren u morën në pyetje vëllezërit Tahir, Brahim e Qerim Berisha nga Gurbardhi.

 

Dëbohen shqiptarët – punësohen kolonët

Që nga vendosja e masave të dhunshme në vitin 1992, nga Shtëpia e Shëndetit në Lipjan janë larguar nga puna 16 punëtorë shqiptarë. Kohët e fundit nga ky institucion u përjashtua edhe Isuf Marevci, pneumoftiziolog i vetëm në këtë trevë, njofton KI i Degës së LDK-së në Lipjan.

Punëtorët shqiptarë të larguar nga puna janë zëvendësuar me individë pa përgatitje të duhur profesionale, kryesisht serb të ikur nga Kroacia dhe Bosnja, të cilët jo vetëm që punojnë në këtë institucion por edhe kanë adaptuar një kat të Shtëpisë së Shëndetit dhe banojnë në të.

 

 

23 maj 1998

Përmasa shkatërruese të sulmit të djeshëm serb në fshatrat e Klinës

Prishtinë, 23 maj (QIK)

Shumë shtëpi të rrënuara, të demoluara e të plaçkitura, dy persona të zhdukur dhe mijëra të tjerë të ikur nga shtëpitë e tyre, paraqesin pamjen e sulmit të djeshëm serb mbi fshatrat Grabanicë, Dellovë e Zajm të Klinës.

KI i Degës së LDK-së në Klinë njofton se tash për tash nuk ka informacione për të plagosur a viktima eventuale, përveç faktit se nuk dihet për fatin e Brahim Ukajt (75) dhe të Bajram Kastratit.

I njëjti burim bën me dije se në Zajm u dogjën shtëpitë e Haxhi, Abdyl e Miftar Dragidellës, shtëpia e Haki Veselajt, e Rrustem Salihajt, si dhe një shtallë e Sali Dragidellës.

Po në këtë fshat është demoluara tërësisht shtëpia e Beqir Dragidellës, si dhe janë dëmtuar shumë shtëpi të tjera.

Gjatë gjithë kohës sa zgjati sulmi, fshati ishte në shënjestër të snajperistëve të shumtë, të cilët shinin në çdo gjë që lëvizte.

Banorët e Zajmit, përmes plumbave dhe në kohë me shi, arritën të largohen nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në Klinë.

Njoftohet se sot një numër i banorëve të Zajmit kanë filluar të kthehen në fshat.

Gjendje e rëndë ishte gjatë ditës së djeshme edhe në Grabanicë. Në lagjen e Mullirit të këtin fshati, forcat serbe dogjën së paku 8 shtëpi. Dëmtime të rënda ka edhe në shumë shtëpi të tjera të këtij fshati.

Thuhet se shumë shtëpi janë djegur edhe në Dellovë.

Por, për përmasat e sulmit në Grabanicë e Dellovë tash për tash nuk mund të dihet, pasi këto dy fshatra ende vazhdojnë të mbahen të kontrolluara e të rrethuara nga forcat serbe.

Policia konfiskoi 35 tonë ndihma

23 maj 1998

 Forcat serbe dhe civilët po u vënë zjarrin shtëpive të shqiptarëve në Dollovë e në Zajm

Sot prej orës 12:00 policia me fshatarët serbë po u vejnë zjarrin shtëpive të shqiptarëve në fshatin Zajm e Dollovë.

Dollova po digjet flakë! – i tha QIK-ut një dëshmitar që po vështronte fshatin nga një distancë 1 km.

Nga Klina mirret vesh se forcat policore ushtarake po qëndrojnë në mes fshatit Këpuz e Dollovë. Pjesëtarë të forcave serbe po qëndrojnë aty të gatshëm për sulm me autoblinda, kamion me top, tre kombi dhe shumë picgauerë.

 

Forcat serbe granatuan Gexhën e Malësinë e Vogël të Rahovecit

Sot në orët e para të mëngjesit, në anën e fshatrave të Anëdrinit, Gexhë e Malësi e Vogël ka pasur granatime dhe shpërthime të fuqishme, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Granatimet kanë zgjatur disa orë por për pasojat e tyre nuk dihet.

 

 Klinë: Fshati Grabanicë i përngjan gërmadhave të Vukovarit

Pasojat e sulmeve të djeshme (më 22 maj) barbare të makinerisë ushtarako-policore serbe në disa fshatra të komunës së Klinës janë tepër të rënda. Njësitë speciale dhe civilë të armatosur serbë, në fshatin Zajm, që është vetëm tri kilometa larg nga qyteti i Klinës, ia vunë zjarrin dhe dogjën shtëpitë e Haxhi Dragidellës, Avdyl Dragidellës, Miftar Dragidellës, Haki Veselajt, shtallën e Sali Dragidellës si dhe demoluan totalisht shtëpinë e Beqir Dragidellës.

Banorët e fshatit Zajm gjatë ditës së djeshme, që nga ora 12 e gjer në orën 15, u gjendën nën dhunën e terrorin e vërtetë.

I tërë fshati mbahej në shënjestër të snajperistëve dhe shtihej në çdo gjë që lëvizte. Përkundër gjendjes dramatike, nëpër breshëri plumbash, popullata doli nga shtëpitë e veta, kush si diti e mundi për t’u strehuar në qytetin e Klinës.

Në Zajm nuk dihet për fatin e plakut 75-vjeçar Brahim Ukaj dhe të Bajram Kastratit.

Po ashtu edhe Grabanica, Dellova, Bokshiqi, Kpuzi e Qeskova qe disa ditë rresht gejnden nën sulmet e granatimet e parreshtura nga artileria serbe. Pas sulmeve fillon dhe djegia ose demolimimi i shtëpive. Në njoftimet e Komisionit për Infiormim të Degës së LDK-së në Klinë thuhet se në bazë të informatave të pakta, por të sigurta gjer më tani dihet që në Grabanicë, përveç vrasjes së Isuf Rexhë Morinës dhe plagosjes së katër të tjerëve, u dogjën 8 – 9 shtëpi të Krasniqëve në lagjen e mullirit. U dogj shtëpia e Rrustem Salihajt, depoja e Ramë Sejdiut, u thyen dhe u plaçkitën shitorja e Rexhë Sejdiut dhe ajo e Demë Sejdiut. U demoluan dhe u plaçkitën shtëpitë e Ukë Sahitit, Ramë Sejdiut. Në lagjen Sejdijaj, sidomos në shtëpinë e Enver Sejdiut dhe Hajdin Sejdiut tani janë vendosur forcat ushtarako-policore me tërë arsenalin e armatimit të rëndë e të lehtë. Policia është vendosur edhe në shtëpi tjera të boshatisura të shqiptarëve. Në Grabanicë është granatuar edhe shkolla fillore “Azem Bejta” dhe shumë shtëpi të tjera.

Nga dëshmitarë okularë ka njoftime se qendra e fshatit Grabanicë i përngjan gërmadhave të Vukovarit.

Po ashtu në fshatin Dellovë pothuaj se nuk ka shtëpi shqiptare që nuk është përfshirë nga flaka.

Njoftohet se dje, në fshatin Bokshiq, nga granatimet e ushtrisë jugosllave është vrarë Haxhi Sut Fazlija (62-vjeçar) nga Bokshiqi e mund të ketë edhe shumë të tjerë të vrarë apo të plagosur, por tash për tash vështirë të konfiromohet kjo.

Në tërë këtë zonë ka njoftime se djegiet e shtëpive dhe demolimet e tyre po vazhdojnë edhe sot dhe kjo si duket nuk ka të ndalur.

Këto fshatrat janë plotësisht të bllokuarasepse forcag serbe nuk lejojnë që të hyjë askush në ato zona, prandaj nuk dihet për pasojat dhe viktimat eventuale. Nuk dihet as ç’është bërë me të vrarin e para dy ditëve në Grabanicë, as për fatin e katër të plagosurve.

Sot rreth orës 0,30 është gjuajtur me breshëri armësh automatike shtëpia e Selim Rugovës dhe Brahim e Selim Dallaverit nga fshati Shtupel.

 

 Dy të vrarë në Zajm

Pleqt Brahim Ukaj e Bajram Kastrati janë gjetur sot të vrarë në shtëpitë e veta në fshatin Zajm të komunës së Klinës. Të dy pleqt konsideroheshin të humbur prej ditës së djeshme kur kishte filluar një sulm masiv i forcave serbe. Mirëpo ata u gjetën sot të varrë e të masakruar në shtëpitë e veta.

Këtë lajm ia dha Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Klinë një dëshmitar nga fshati Zajm. Ai kishte thënë se trupat e dy pleqve ishin masakruar.

Fshati Zajm bashk me fshatrat Grabanicë, Dollovë e Bokshiq kanë qenë në shënjestër të sulmeve të forcave serbe në ditët e fundit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara