Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

21 gusht 1993

Serbët e Vitisë mobilizohen për ushtrime ushtarake

Koncentrimi i madh i forcave ushtarake dhe policore në Kosovë, po shoqërohet me mobilizime të reja të qytetarëve serbë e malazez. Burimet e LDK-së në Viti bëjnë me dije se sot, që nga mëngjesi, qytetarët serbë e malazez i janë përgjigjur ftesës së autoriteteve ushtarake serbe, për ushtrime ushtarake. Në vendtakimin, që ishte caktuar në shkollën fillore “Kuvendi i Lezhës” në Viti, qytetarët serbë e malazez u panë të ngarkuar me gjithë pajisjen ushtarake.

Pas kontrollimit të pajisjes nga ana e eprorëve ushtarakë serbë, civilët serbë e malazez, që u tubuan në këtë shkollë, u kthyen nëpër shtëpitë e tyre bashkë me armatim.

 

21 gusht 1995

Në afërsi të Sarajevës vdiq diplomati Robert Frejzhër dhe dy funksionar të lartë amerikanë

Të shtunën, pas një aksidenti në afërsi të Sarajevës, vdiq Robert Frejzhër dhe dy funksionarë të lartë amerikanë, që ishin në një mision paqësor në Ballkan, njofton “Bujku”.

Të shtunën, më 19 gusht, në orën 10 e 36 minuta, automjeti i blinduar i helmektkaltërve francezë rrëshqiti nga rruga në malet e Igmanit, gjashtë kilometra pa hyrë në Sarajevë, ra në një greminë të thellë 100 metra dhe u përplas në dy mina, eksplodimi i të cilave e kalli flakë këtë automjet. Shkak i fatkeqësisë është gjendja e keqe e rrugës – thuhet në raportin zyrtar të përfaqësuesit për shtyp të komandës së forcave paqësore të OKB-së në Sarajevë.

Sipas të dhënave nga Pentagoni në këtë aksident vdiqën Robert Frejzhër, emisar special i presidentit ameikan Bill Klinton në Grupin e Kontaktit e zëvendës i nënsekretarit amerikan të shtetit për çështje të Evropës, Xhozef Kruzel, zëvendës i nënsekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, i angazhuar për Evropë, për Kanada e për paktin NATO dhe Semjuel Nelson Dru, kolonel i aviacionit amerikan dhe zëvendës i Enthoni Lejkut, këshilltar i presidentit amerikan për siguri kombëtare.

Këto të dhëna i konfirmoi Stejt-Departamenti amerikan dhe precizoi se Robert Frejzhër vdiq nga plagët, rrugës për në spitalin e Splitit.

Presidenti amerikan, Bill Klinton, me të marrë vesh lajmin tragjik, u tha gazetarëve se pas kontaktit me Riçard Holbrukun, shef i delegacionit amerikan që qëndroi në ish-Jugosllavi, mund të konstatojë se të gjitha faktet flasin për fatkeqësi të zakonshme komunikacioni me pasoja të dhimbshme e tragjike.

Edhe Stejt Departamenti amerikan kumtoi se nuk ka të dhëna që automjeti ku ishin funksionarët e tjerë amerikanë të jetë sulmuar para se të rrokullisej në greminë.

 

21 gusht 1997

Pjetër Arbnori në grevë urie

Parmbrëmë, ish-kryetari i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, tani deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar i Kryesisë së kësaj partie, deklaroi futjen e tij në grevë urie. Në një konferencë shtypi që dha dje në një dhomë të vogël të selisë së Kuvendit Popullor, vendi ku ai do të bëjë grevë, deklaroi se greva e tij do të ishte pa afat. Arsyet që e kanë shtyrë në këtë grevë, sipas Arbnorit janë censura e medias shtetërore ndaj opozitës në përgjithësi dhe Partisë Demokratike në veçanti. Greva zuri fill pas një debati parlamentar të zhvilluar pardje lidhur me disa ndryshime në ligjin për genocidin. Grupi parlamenar i Partisë Demokratike ishte kundër këtyre ndryshimeve, ndërsa përkundër rregullores së Parlamentit kryesia e tij kishte vendosur që punimet e kësaj seance të mos jepeshin në televizion. Menjëherë pas kësaj Arbnori ka marrë vendimin e tij për t’u mbyllur në ambientet e Kuvendit Popullor duke refuzuar çdo ushqim. I pyetur nga gazetarët Arbnori ka thënë se greva do të vazhdojë derisa të rivendosen plotësisht ato të drejta që i janë shkelur opozitës, e cila megjithse e vogël, është e madhe për nga bindjet dhe vendosmëria që ka, njofton “Bujku”.

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

Rahovec: – Nahit Thaçi, kryetar i NKMDLNJ-së në Rahovec u mor dje në bisedë informative në stacionin e policisë në Rahovec.

Për rreth një orë një inspektor i sigurimit serb e mori atë në pyetje rreth punës së Nënkëshillit, punës në arsim dhe rreth informimit në përgjithësi.

Mitrovicë: – Pardje, rreth orës 10,30, katër inspektorë serbë ndaluan në rrugë Ilmi T. Feratin (42) dhe duke ia vënë revolen pas koke e futën në veturë dhe e dërguan në lokalet e policisë. Prej tij policët kërkuan një revole dhe me këtë pretekst e keqtrajtuan fizikisht rreth dy orë, pastaj e liruan me kusht që të paraqitet të njëjtën ditë në orën 16 dhe të dorëzojë armën që i kërkohet.

Meqë ai nuk u paraqit në polici, policia shkoi sot në shtëpinë e tij në fshatin Zhabar dhe nga vëllai tij Bedriu kërkoi të mësojë ku është Ilmiu, si dhe kërcënoi Bedriun.

Me të njëjtin pretekst policia pat bastisur familjen e Ilmiut në janar të vitit 1995, me ç’rast në polici qenë marrë edhe tre vëllezërit tjerë të tij. Vetë Ilmiu është marrë në polici dhe është keqtrajtuar disa herë me këtë pretekst.

Sot, për herë të gjashtë, me pretekst të kërkimit të armëve, në pyetje në polici u mor Dervish H. Veseli (54) nga fshati Lushtë. Ai u urdhërua që të paraqitet në polici edhe më 25 gusht.

 

21 gusht 1998

Vushtrri: Dyshohet se policia serbe vrau një qytetar shqiptar

Sot rreth orës 9:00, në afërsi të Urës së Gurit në Vushtrri, një patrullë e policisë serbe derisa po legjitimonte kalimtarët e rastit, u konfrontua me një qytetari shqiptar, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Njoftohet se gjatë përleshjes me policinë serbe, qytetari shqiptar, të cilit nuk i dihet emri, ia rrëmbeu automatikun njërit nga policët dhe iku në drejtim të panjohur.

Dëshmitarët kanë theksuar se policia serbe ka shtënë me armë në drejtim të tij dhe thuhet se është vrarë një qytetar i pafajshëm.

Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë dhjetëra policë serbë, të cilët gjatë kësaj kohe kanë keqtrajtuar fizikisht shumë qytetarë shqiptarë, të cilët ishin nisur për në Vushtrri, pasi sot është ditë tregu.

 

Vushtrri: Policia vrau Avni Saraçin nga Bivolaku

Sot rreth orës 9:00, në afërsi të Urës së Gurit në Vushtrri, policia vrau Avni Saraçin (29) nga Bivolaku i Vushtrrisë.

KI i Degës së LDK-së në Vushtrri njofton se Avniu, që ishte kalimtar rasti, u qëllua nga policia e cila po shtinte me armë në drejtim të një qytetari tjetër, i cili po ikte pas një kacafytjeje me policinë, e cila ndalte dhe legjitimonte qytetarët.

Më pas në vendin e ngjarjes dolën dhjetëra policë, të cilët ndaluan e keqtrajtuan shumë kalimtarë rasti. Në Vushtrri sto ishte fluks i madh i qytetarëve, pasi ishte ditë tregu.

Merret vesh se policia ndërhyri në një mulli dhe arrestoi pronarin dhe disa shqiptarë të tjerë.

 

Klinë: Njoftohet për tre të vrarë nga Sverka, më 21 korrik

Nga Nënkëshilli në Klinë sot më 21 gusht u informuam se janë identifikuar edhe tre shqiptarë të vrarë në sulmet e forcave ushtarako-policore serbe mbi fshatrat e Klinës më 21 korrik.

Ata janë: Nazmi Nebi Gashi (27) e Ramiz Januz Gashi (27) dhe Xhafer Latif Gashi (27) nga Sferka. Dihet se Xhaferi është varë në fshaitn Përqevë dhe se në luftime janë plagosur rëndë edhe 7 shqiptarë tjerë, emrat e të cilëve nuk dihen.

Continue Reading

Vendi

Inspektorati Qendror i Punës ndalon punimet në 12 vendpunishte në pesë komuna

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka ndërprerë punimet në 12 vendpunishte në komunat Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri, Prizren dhe Ferizaj, pas kontrolleve të kryera për zbatimin e legjislacionit të punës dhe sigurisë në punë.

Gjatë inspektimeve, zyrtarët konstatuan shkelje të rënda ligjore që vinin në rrezik të drejtpërdrejtë jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Për këtë arsye, punimet janë bllokuar deri në eliminimin e plotë të parregullsive dhe plotësimin e standardeve të sigurisë.

Sipas njoftimit, ky aksion synon parandalimin e aksidenteve në punë, ndërsa rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pas verifikimit të ri nga inspektorët. Inspektorati paralajmëroi se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë vendin./E.A/

Continue Reading

Kronikë e zezë

Gjashtë muaj burgim për kanosjen e Albin Kurtit, Xhemaili pranon fajësinë

Published

on

Kadri Xhemaili është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të premten, Xhemaili e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje. Gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur mes Prokurorisë dhe mbrojtjes.

Prokurori Bekim Kodraliu tha se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë dhe pa presion, ndërsa mbrojtësi i të pandehurit, avokati Rinor Arifi, konfirmoi se mbrojtja qëndron prapa marrëveshjes.

Në seancë ka munguar i dëmtuari Albin Kurti. Sipas gjyqtarit Rrahman Beqiri, Kurti e kishte pranuar ftesën, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Sipas aktakuzës, më 22 tetor 2025, Xhemaili, me qëllim të frikësimit të Kurtit lidhur me pozitën e tij zyrtare si kryeministër, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke i thënë se do ta privonte nga jeta./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy të dyshuar për “Vrasje në tentativë” dorëzohen në polici, njëri me pistoletë në dorë

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, dy persona të dyshuar janë vetëdorëzuar në polici lidhur me një rast të “Vrasjes në tentativë” të raportuar më 9 gusht në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Vetëdorëzimi i tyre është bërë më 20 gusht, ndërsa njëri prej të dyshuarve ka dorëzuar edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Vendi

Plagoset një grua nga plumbi qorr në Lipjan, dërgohet në QKUK

Published

on

By

Një grua është plagosur nga një plumb qorr mbrëmjen e së enjtes në Lipjan.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, ku e dëmtuara është qëlluar në trup.

Për shkak të lëndimeve të marra, ajo është dërguar menjëherë për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Policia e ka cilësuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara