Lajmet

Ditari: lajmet kryesore që shënuan datën 20 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Foto: Pallati i Mediave, sot ndërtesë qeveritare)

 20 maj 1993

U bllokuan xhirollogaritë e ndërmarrjeve të “Rilindjes”

Sot, organet e dhunshme serbe të organizatës “Panorama”, të cilat u emëruan javën e kaluar nga qeveria e Serbisë, sot bllokuan xhirollogaritë e të gjitha ndërmarrjeve të “Rilindjes”.

“Panorama” u themelua me qëllim të shkatërrimit dhe të plaçkitjes së ndërmarrjes “Rilindja”, kurse llokimi i xhirollogarive është hapi përfundimtar i shkatërrimit të ndërmarrjes së vetme informative, botuese e grafike në gjuhën shqipe në Kosovë.

Udhëheqja e “Panoramës”, prej të hënës vendosi në hyrjet e Pallatit të shtypit civilë serbë të armatosur.

Punëtorët shqiptarë të “Rilindjës” dhe subjektet politike shqiptare në Kosovë deri tash reaguan disa herë rreth këtij veprimi të pushtetit serb. Ata po ashtu u bënë thirrje institucionet dhe asociacioneve të shumta ndërkombëtare që të angazhohen për shpëtuar informimin shqip në Kosovë nga bllokimi i plotë nga ana e pushtetit serb.

 

U urdhërua mosbotimi i “Zërit”

Organet e dhunshme serbe të “Panoramës”, sot urdhëruan organet e dhunshme serbe të shtypshkronjës që të mos e shtypin revistën e pavarur politike në gjuhën shqipe “Zëri”. Njoftohet se pa pëlqimin e udhëheqjes së “Panoramës” kjo shtypshkronjë nuk guxon të shtyp asnjë gazetë në gjuhën shqipe.

 

20 maj 1994

Forcat serbe plaçkitën shumë tregtarë në Prishtinë

Sot në orën 11, forca të mëdha serbe blokuan të gjitha hyrje-daljet në Tregun e Prishtinës.

Nuk lejohet hyrja në hapësirën ku bëhej tregëti dhe nuk lejohet ende as dalja e njerëzve që ishin në atë hapësirë në kohën e bllokimit.

Brenda në treg gjendeshin me mija njerëz që bënin tregtimin e rëndomtë dhe një shumicë që përgatiten për festën e Kurban Bajramit.

Mbi katër orë, sa zgjati aksioni i policisë së ashtuquajtur financiare dhe shumë civilë, sipas të dhënave të dëshmitarëve, e tregtarëve të pranishëm, u plaçkit mall në vlerë prej mbi 500 mijë markash gjermane.

Mall iu muar Safet Latifit, Bajram Krasniqit, Ismet Xhemailit, Ekrem Ibrahimit e shumë e qytetarëve të tjerë.

Përveç plaçkitjes, policia shumë të rinj shqiptarë i dërgoi në stacionin e policisë.

 

 

20 maj 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Kaçanik: – Më 18 maj rreth orës 18:00, policia serbe, nën pretekst të dorëzimit të armëve thirri që të paraqiten në stacionin e policisë në Kaçanik babë e bir Abdyl e Fatmir Imishtin, si dhe vëllain e Abdylit, Bajram Imishtin nga Kaçaniku.

Inspektorët serbe nga personat e lartëshënuar kërkoi që të dorëzonin dy revole. Ata u liruan me kusht që të paraqiten sërish të nesërmen në polici.

Pejë: – Më 17 maj policia ndali në rrugë Hajdin I.Kastratin nga Peja. Me që nuk e kishte me vete patent shoferin, policët e urdhëruan që t’ua sillte atë menjëherë. Kur e solli patentën, policët filluan ta provokojnë atë dhe pasi e rrahën aty, e dërguan në stacionin e policisë në Pejë ku vazhduan ta rrahin përsëri. Për shkak të lëndimeve të rënda ai u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore.

Malishevë: – Dje, policia arrestoi Xhemail, Shaip e Ilaz Zogajn Bellanica e Malishevës. Nuk ka njoftime për pretekstin e arrestimit të tyre.

Viti: – Më 11 maj, me pretekst të kërkimit të armëve, një patrullë policisë mori Afrim Xheladinin nga fshati Sadovinë e Çerkezëve. Policët atë e liruan rrugës për në Kllokot dhe e urdhëruan që të paraqitet të nesërmën në polici.

Më 15 maj, në pyetje u morën Qamil Neziri, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Tërpezë dhe veprimtarët e kësaj nëndege Isa Murati, Sejdi Sahiti e Mustafë Tafa.

Më 18 maj, sipas thirrjes së lënë më parë, në polici u paraqit Enver Shaqiri (1952), kryetar i Aktivit të LDK-së në Tërpezë të Vitisë. Ai në polici u mbajt rreth tri orë dhe kryesisht u pyet për aktivitetin e tij politik, për planprogramet me të cilat punon shkolla e këtushme, ku ai është mësimdhënës, për mënyrën e financimit, etj.

Po këtë ditë, me pretekst të kërkimit të armëve, stacionin e policisë në Gjilan u mor Azem Bajrami nga fshati Goshicë.

Gjithashtu policët, në orët e hershme të mëgjesit shkuan në shtëpinë e Isa Demirit (1929), nga i cili kërkuan që të dorëzojë një revole dhe një pushkë. Edhe pse ua dhe revolen, policët, në kërkim të pushkës, të cilën ai e kishte dorëzuar para 23 vjetësh, e morën me vete Isanë në stacion e policisë në Viti, ku e mbajtën rreth dy orë dhe e liruan me kusht që gjithësesi ta dorëzojë armën që i kërkohej.

Më 19 maj, me urdhër të policisë u mor në pyetje Kadrush Murtezi (1953), nënkryetar i Nëndegës së PRK-së në Tërpezë të Vitisë. Ai u pyet për aktivitetin politik të partisë së cilës i takon, për punën e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, etj.

Me pretekst të kërkimit të armëve, në polici janë marrë edhe Nazim e Qazim Rrahmani, Zijadin Hasani, Hajrullah Ferati( 14), i cili edhe është keqtrajtuar fizikisht, nga fshati Debëllde.

 

20 maj 1997

Të akuzuarit nuk e pranuan gjyqin serb

Dje në Prishtinë, në gjykatën e instaluar serbe të qarkut filloi gjykimi kundër 20 shqiptarëve, të akuzuar si pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Në pamundësi të përcjelljes së gjykimit nga gazetarët e QIK-ut, po sjellim pjesë nga raporti i gazetës “Bujku”.

Pasi përshkruan atmosferën para gjykatores, ku ishte kufizuar hapësira e qarkullimit dhe komunikacioni ishte i vështirësuar, madje edhe i ndërprerë për disa çaste, gazeta thekson se teka anëtarët e familjeve të të akuzuarve u prit me pezm lajmi se gjykimin do të mund ta përciellte vetëm një anëtar i familjes.

Më pas në bankën e të akuzuarve u sollën të lidhur në kllapa Avni Klinaku (1965), Mujë Prekupi (1959), Liburn Aliu (1975), Dylber Beka (1968), Gani Baliu (1958), Nebih Tahiri (1963), Shaban Beka (1967), Hajzer Bejtullahu (1969), Enver Dugolli (1963), Emin Sallahu (1967), Shukrije Rexha (1965), Naser Tahiri (1966), Dulah Sallahu (1953), Ragip Berisha (1965), Burhan Hasani (1971), Majlinda Sinani (1975), dhe Arsim e Beton Ratkoceri. Agim Kuleta dhe Fatmir Humolli, të përfshirë po ashtu në këtë aktakuzë, gjenden në arrati, ndaj gjykimi kundër tyre do të bëhet në mungesë të të pandehurve.

Kur jemi tek emrat e të akuzuarve, duhet theksuar se deri dje bëhej fjalë për 18 të akuzuar, ndërsa dje atyre iu shtuan edhe Arsim e Beton Ratkoceri nga Prishtina, për burgosjen e të cilëve opinioni nuk është njoftuar fare, respektivisht njoftime nuk kanë dhënë as familjet e tyre dhe as organet policore serbe. Jozyrtarisht, ndërkaq, mësohet se ata janë burgosur në fund të muajit të kaluar.

Gjykimi e udhëheqë trupi gjykues i përbërë prej tre gjyqtarëve serbë, i kryesuar nga Dragolub Zdravkoviqi, ndërsa përfaqësues i aktakuzaës është prokurori serb i instaluar i qarkut Jovica Jovanoviqi. Për dallim nga gjykimet e tjera të mëhershme, në sallë dje ishin të pranishëm më shumë observues, si komesarja e lartë për të drejtat e njeriut e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zonja Ivon Terlingen, pastaj sekretari i dytë i Ambasadës Amerikane në Beograd, z. Nikollas Hill dhe përfaqësuesit e Fondit beogradas humanitar, avokati Branimir Pleshe dhe z. Ivanka Kostiqi.

Në fillim të seancës së parë gjyqësore, mbrojtësit e të pandehurve vunë në dukje një vag shkeljesh ligjore që janë bërë me rastin e marrjes në pyetje të klientëve të tyre. Ata theksuan se të pandehurit u morën në pyetje pas maltretimit të tyre permanent nga organet e sigurimit shtetëror, se gjyqtari hetues i mori në pyetje shpeshherë pa pjesëmarrjen e mbrojtësit, pastaj jashtë orarit të punës, e të ngjashme. Disa nga deklaratat, shtuan mbrojtësit, nuk përmbajnë elementet e parapara me Ligjin e procedurës penale, madje në disa sosh mungon edhe nënshkrimi i të pandehurit.

Deklaratat e të pandehurve u nxorën qëllimisht ashtu siç janë nxjerrë nga të akuzuarit në procedurën parapenale, vetëm e vetëm që nga ta të nxirren deklarata të dhunshme dhe vetakuzuese, u tha pos tjerash këtu. Për këto dhe për shkaqe të tjera, të gjithë avokatët thuaja njëzëri parashtruan kërkesën për përjashtimin nga lënda e gjykimit të të gjitha deklaratave të të pandehurve, ngase, siç theksuan ata, deklarata të tilla nuk mund të shërbejnë si material dëshmues në procesin gjygjësor, por një gjë të tillë kolegji i të treve e refuzoi.

Pas vërejtjeve të shumta që rreshtuan mbrojtësit, Jovica Jovanoviqi lexoi aktakuzën, ndërkaq menjëherë pas kësaj filloi paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarit të parë, Avni Klinaku, i cili deri dje është mbajtur në burg pa iu siguruar paraprakisht mbrojtësi! Sido që të jetë, pas një debati të shkurtër në këtë çështje, për mbrojtjen e Avni Klinakut u paraqit vullnetarisht avokati Xhafer Maliqi.

“Aktakuzën nuk e pranoj ngase u ndërtua në konstruksione të paqëndrueshme politike dhe përmban një varg gabimesh juridike. Është qenësore se me këtë aktakuzë, të gjithë të pandehurit akuzohen për bashkimin në veprimtari armiqësore dhe si anëtar të LKÇK, që do të thotë se edhe organizata trajtohet si armiqësore, gjë që nuk është aspak e vërtetë, sepse kundër vlerësimeve të tilla flasin si Programi i organizatës, ashtu edhe trakti, pastaj të gjitha gazetat “Çlirimi” deri në numrin 41, duke pëfshirë këtu edhe numrin e jashtëzakonshëm të tij. Në të gjitha këto shihet qartë se qëllimi i organizatës ka qenë çlirimi i trojeve shqiptare të pushtuara nga pushtuesit serbë, malazez e maqedonas, si dhe bashkimi i këtyre trojeve me shtetin amë Shqipërinë, e jo siç thotë prokurori në aktakuzë se fjala është për formimin e një shteti të veçantë. Këto çështje më bëjnë të kuptoj se prokurori nuk e ka lexuar fare programin, porse ai vetëm përpiqet të flasë për organizatën” – tha në fillim të fjalës së tij mbrojtëse i akuzuari i parë Avni Klinaku, i cili mbahet prapa grilave që nga 27 janari i sivjetmë, me arsyetim se më 1993 në Prishtinë formoi LKÇK-në.

Ai në vazhdim tha se trupi gjykues dhe gjykata në të cilën mbahet ky gjykim janë organe të ngritura nga pushtuesit e popullit shqiptar dhe të organizuara për të gjykuar kërkesat e ligjshme të shqiptarëve e me vetë këtë edhe Lëvizjen për Çlirimin e Trojeve Shqiptare. Meqenëse i konsideroj të tilla, po jua tërheq vërejtjen se nuk dëshiroj të përgjigjem në asnjë pyetje të kësaj gjykate, të trupit gjykues apo të përfaqësuesit të aktakuzës. Unë konsideroj se nuk kam kryer asnëj vepër penale, se veprimtaria ime e deritashme sikundër dhe ajo e organizatës sonë ishte veprimtari çlirimtare e kurrsesi veprimtari terroriste apo armiqësore.

Fundja, edhe në vetë Ligjin penal të Jugosllavisë shkruan se “sulmet” kundër rregulimit kushtetues janë lajmëruar dhe lajmërohen edhe sot si pjesë e çlirimit të vendit nga dominimi dhe eksploatimi, si dhe nga format e tjera të presionit të të tjerëve. “Sulmet” e tilla nuk janë vepër penale, janë aksione çlirimtare për realizimin e të drejtave themelore të njerëzve dhe të kombit dhe si të tilla qëndrojnë jashtë këtij shqyrtimi dhe nuk mund të sanksionohen si vepër penale. Lidhur me akuzën për veprimtari armiqësore dhe terrorizëm kërkoj që këtu të trajtohen programi, statuti dhe gazeta “Çlirimi”, nga përmbajtja e të cilave do të shihet më së miri qëllim i veprimtarisë, e cila, po theksoj sërish, nuk ishte armiqësore e terroriste, por ishte vepritmari çlirimtare”, theksoi në fund të fjalës së tij Avni Klinaku, i cili me të përfunduar të mbrojtjes edhe një herë ua përkujtoi të pranishëmve se nuk ka ndërmend t’i përgjigjet asnjërës pyetje të kësaj gjykate, përkatësisht para këtij organi të ngritur nga pushtuesit e popullit shqiptar.

Pas Avni Klinakut, në bankën e të akuzuarve doli Mujë Prekupi, i cili po ashtu refuzoi përmbajtjen e aktakuzës të cilën, siç theksoi, ky e konsideron të fryrë. “Në këtë organizatë unë u anëtarësova përmes Bahri Fazliut, i cili më premtoi se do të më ndihmojë në pikëpamje amteriale. Kureshtja për këtë organizatë si dhe ndihma e premtuar materiale kanë qenë elemente kryesore që më shtynë të anëtarësohem këtu. . . Më këtë rast unë shpërndaja “Çlirimin”, nja 4-5 numra. Kur këtë gazetë e lexova për herë të parë, t’ju them të drejtën nuk kam parë në të se organiazta është më e rrezikshme dhe se ka pikëpamje më ekstreme nga ato që shkruhen në shtypin e përditshëm. Me aktakuzë ngarkohem edhe për gjërat për të cilat nëse kanë ekzustuar kam pasur rast të njoftohem për to vetëm gjatë marrjes në pyetje. Sikur ta kisha ditur se unë kam një rol kaq të madh, se qenkam shumë i rrezikshëm, kam mundur të ik, ngase edhe para arrestimit tim unë kisha njohuri se njerëzit ishin arrestuar”, tha ndër të tjera i akuzuari i dytë Mujë Prekupi, i cili shtoi se gjendja materiale ka qenë motivi kryesor i anëtarësimit të tij në këtë organizatë.

Gjatë seancës së djeshme, pos të akuzuarit Mujë Prekupi (e mbron avokati dr. Hysni Bytyçi), i cili, thënë kushtimisht, e paraqiti mbrojtjen e vet, të tjerët – Avni Klinaku, Liburn Aliu, Dylber Beka, Gani Baliu, Nebi Tahiri dhe Shaban Beka nuk e paraqitën fare mbrojtjen e tyre. Bile, Liburn Aliu, student i mjekësisë nga Prishtina, duke iu drejtuar trupit gjykues të të treve, sidomos kryesuesit Dragolub Zdravkoviq, e tha troç: “Ky është gjyq i okupatorit, nuk kërkoj kurrfarë drejtësie prej tij. Nuk do të përgjigjem në pyetjet eventuale, ngase çdo gjë do të jetë alogjike. Unë do të flisja vetëm para gjyqit të popullit tim, popullit shqiptar”. Pra, deklarimi i tij ishte shumë i shkurtër, nuk zgjati as dy minuta.

Pasi e kreu deklaratën e vet, gjykatësi Dragolub Zdravkoviq ndërhyri, ku drejtua Liburn Aliut: “Ti je i ri, ende nuk i ke mbushur 21 vjet”, sikur deshi të thotë se përse deklarove kësisoj.

– Nuk e ndiej veten fajtor pra këtij gjyqi. Nuk kam çka të them më tepër, tha i akuzuari Dylber Beka, të cilin sipas detyrës zyrtare e mbron avokati Çedomir Nikoliq. Po ky mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, e mbron edhe të akuzuarin Fatmir Humolli. Për të dhe për Agim Kuletën u tha se edhe kundër këtyre do të bëhet gjyq në mungesë ngase, siç shkruan në shkresat e lëndës, ata “gjenden në arrati”.

I akuzuari rrëfimin e tij e nisi kësisoj: “Nja 106 ditë isha në qeli. Nuk më lejuan të lexoja as gazeta e as libra, isha i vetmuar. Ata (inspektorët) që më morën në pyejte më detyruan të flas sipas diktatit të tyre, unë flisja nën ndikimin e dhunës e të kërcënimit e ata fjalët e mia i shënonin në procesverbalin e tyre. Kjo është e tëra, nuk kam çka të mbrohem më tepër. Ky është proces politik”. Në pyetjen e Kryetarit të trupit gjykues se a dëshironi të përgjigjeni në pyetjet e këtij gjyqi dhe të tjerëve, ky i akuzuar ishte decidiv, tha thjesht: “Nuk dua të përgjigjem në asnjë pyetje”.

Më pas para gjysmëharkut doli i akuzuari Gani Baliu, ish-i burgosur politik. Ky i akuzuar, që mban syze dioptrike, dukej shumë i zbehtë, mezi ecte, linte përshtypjen se ishte i dërrmuar nga ata që patën punë me të. Fliste ngadalë. Ai tha se nuk dëshiron të paraqesë mbrojtjen e vet para këtij gjyqi. Megjithkëtë, gjykatësi Dragolub Zdravkoviq ndërhyri – “Çka keni dekaruar para gjykatëses hetuse (Danica Marinkoviq). Përgjigjja e këtij të panedhuri ishte: “Ju thashë më herët, nuk dua të paraqes mbrojtjen”. Mbrojtësi i këtij të akuzuari, avokati Mahmut Halimi, kërkoi nga kryetari i trupit gjykues që të shënojë në procesevbal se klienti i tij, Gani Baliu, në këto çaste nuk po e ndien veten mirë, se pak më parë ndaj tij u bë një intervenim mjekësor (jashtë sallës së gjykimit). Më pastaj ky mbrojtës kërkoi që ndaj këtij të pandehuri të ndërpritet paraburgimi për shkaqe shëndetësore.

Edhe i akuzuari Shaban Beka të pranishmit në gjykatore i njoftoi se në qeli ka qëndruar 110 ditë. Para inspektorëve të të ashtuquajturit sigurim shtetëror serb është marrë në pyejte nën përdorimin e torturës fizike dhe psikike. Sikundër të tjerëve, edhe këtij të akuzari inspektorët i janë kërcënuar që të mos e ndryshojë deklaratën, meqë, ndryshe, “do të kenë punë me të”. Inspektorët, tha ai, më morën sërish në pyejte, edhe pse isha deklaruar më parë para gjyktëses hetuese. Më pastaj Shaban Beka vuri në pah se kemi të bëjmë me një proces me prapavijë politike dhe se për këtë është ditur herët. Përsëriti referenin “Ky është proces i montuar”.

Gjykatësi Dragolub Zdravkoviq ndërhyri “A doni të jepni deklaratë ta bindni këtë gjyq se procesi nuk është i montuar?

– Do të kisha dhënë deklaratë, po qe se në të do të mbështetej aktgjykimi juaj. Por, megjithëkëtë konsideroj se ajo nuk bën punë tha i akuzuari Shaban Beka.

Gjykatësi Zdravkoviq deshi të lëshonte deklaratat e të pandehurve se çka kanë deklaruar ata më parë para gjykatëses hetuese Danica Marinkoviq, nisi me ca deklarata, por që në start reagoi mbrojtësi Xhafer Maliqi, duke thënë se të akuzuarit u deklaruarn qartë se nuk duan të paraqesin mbrojtjen e tyre, ndërsa leximi i deklaratave të tyre është paraparë në një fazë tjetër të procedurës, e jo tash.

Më pastaj gjykatësi Zdravkoviq tërthorazi shprehu përshtypjen e tij se dinamika e procesit “kishte një ritëm të shpejtuar”. Pasi kishte kaluar ora 14, avokati dr. Hysni Bytyçi këtij gjykatësi i tha: “Keni mundur t’i merrni në pyetje edhe nja dy të pandehur tjerë”. Si duket gjykatësi e kuptoi ironinë e këtij avokati, duke dhënë këtë përgjigje: “Ne nuk mund të qëndrojmë këtu deri në orët e mbrëmjes”. E, gjatë seancës së djeshme avokatët tërhoqën vëmendjen se pikërisht në këtë gjykatë, në fazën e hetuesisë, klinetët tanë janë marrë në pyetje pandërprerë, sidomos në orët e vona të natës deri në ora 11 të natës e tëhu.

Gjykimin e ndiqte edhe misionarja për mbrojtjen e të drejtave të OKB-së, Yvonne Terlingen. Në notesin e saj ajo shënonte atë çka thoshin të pandehurit. Asaj i përshpëriste, i përkthene në anglishte një përkthyer nga Beogradi. Në pyetjen tonë se kush jeni ju, çfarë funksioni keni, ky beogradas tregoi se quhet Mishko, mirëpo pasi e mori vesh se jemi gazetarë shqiptar nuk deshi të tregonte mbiemrin e tij. Ai dha vetëm këtë “sqarim” se “është personal teknik”!

Salla e gjykimit ishte e ngushtë për të zënë të interesuarit e shumtë, të cilët gjatë tërë kohës pritën rrjedhën e këtij procesi. Në gjykatore morën pjesë nja 15 anëtarë të familjeve të të akuzuarëve. Po kështu, në anën e majtë të sallës gjykimin e ndiqnin 15 gazetarë.

Në raportin e “Bujkut” përcillet edhe deklarata e sekretarit të dytë të Ambasadës Amerikane në Beograd, Nikollas Hill, i cili tha shkurt se “ky është gjykimi i parë politik që po e përcjell drejtpërdrejt në gjykatore”.

Në gjykatore ishin të pranishëm edhe dy inspektorë të sigurimit shtetëror serb. Kundër pranisë së tyre reaguan avokatët Nekibe Kelmendi e Hazër Susuri, por megjithatë trupi gjykues nuk ndërmorri asgjë për largimin e tyre dhe ata vazhduan të qëndrojnë në sallë.

Ashtu siç edhe u njoftua dje, gjykimi vazhdoi sot. Para gjykatës së instaluar serbe në Prishtinë masat e sigurisë ishin të njëjta. Mirret vesh se edhe sot ka vazhduar marrja në pyetje e të akuzuarve, shumica prej të cilëve ndoqën e shembullin e atë akuzuarve që u morën në pyetje dje, duke thënë se nuk dëshirojnë të përgjigjen në pyetjet e këtij trupi gjykues.

 

20 maj 1998

Rahovec: U gjet trupi i pajetë i Ymer Ali Delibeqës

Në të dalë të Rahovecit, jo larg pompës së benzinës “Jaha Petrol”, sot u gjet trupi i pajetë i Ymer Ali Delibeqës, rreth 40 vjeç, nga Rahoveci, babai i katër fëmijëve.

KI i Degës së LDK-së në Rahovec njofton se trupin e tij e gjetën kalimtarët e rastit.

Pranë trupit të tij u gjetën edhe një kazmë, një shati dhe një shishe plastike me ujë.

Ndonëse tash për tash nuk dihen rrethanat e vdekjes së tij, supozohet se ai po kthehej nga puna në fushë.

 

Focat serbe po granatojnë Ponoshecin, Morinën, Smolicën dhe Popocin

Njoftimet nga ana e Rekës së Keqe të brezit kufitar me Shqipërinë, Ponosheci, Morina, Smolica dhe Popoci, bëjnë të ditur se vazhdojnë edhe sot sulmet e ashpra dhe granatimet nga ushtria dhe policia serbe.

KI i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se edhe ato pak shtëpi të fshatit Ponoshec të cilat deri më sot i shpëtuan barbarisë serbe, sot po digjen flakë.

Banorët e këtyre fshatrave me një organizim të pashembullt po vtëmbrohen dhe po i kundërvihen këtij agresori barbar.

Pas kësaj gjendjeje shumë të rëndë dhe në këto rrethana është shumë vështirë të depërtohet për të ditur rreth viktimave të mundshme, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Vendi

Haxhiu liron nga detyra 18 gjyqtarët serbë të dorëhequr në vitin 2022

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje përgjatë vitit 2022. Vendimi vjen pas propozimit zyrtar të dërguar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Më 27 gusht, KGJK-ja kishte refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre dhe rikthimin në sistem, duke i rekomanduar presidencës lirimin e tyre përfundimtar nga detyra. Një vendim të ngjashëm më parë e ka marrë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ky hap ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, i cili shprehu “keqardhje të thellë” dhe kërkoi që riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr të trajtohet brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Rreth 130 pjesëtarë të sistemit të drejtësisë u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, si pjesë e braktisjes kolektive të funksioneve publike në katër komunat veriore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Çka pas 6 votave të LDK-së kundër Sejdiut?

Published

on

By

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës u refuzua nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje nëse ajo mund ta prodhojë kreun e ri të shtetit.

Pavarësisht kundërshtisë nga gjashtë deputetë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se marrëveshja me partinë e Lumir Abdixhikut qëndron dhe është e vlefshme.

Por, për Donika Eminin, ky konfigurim politik më nuk mjafton.

Emini, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos e mbështetur Bekim Sejdiun – kandidatin e përbashkët të LVV-së dhe LDK-së – për president, nënkupton se konfigurimi aktual s’i ka 80 deputetë që duhet të marrin pjesë në proces, duke bërë që të lindë nevoja për përfshirjen e partive të tjera në marrëveshjen për president.

LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja aktualisht, sipas Abdixhikut, ka vetëm 12 deputetë që e mbështesin Sejdiun për president. Nëse llogariten edhe pakicat joserbe – me të cilat Kurti bëri Qeverinë e kaluar – sërish nuk arrihet kuorumi që Sejdiu të bëhet presidenti i gjashtë i Kosovës që nga pavarësia.

Kurti ka kohë që refuzon votat e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit, e cila ka fituar nëntë mandate në zgjedhjet e qershorit.

Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ka 22 deputetë, ndërkaq Aleanca shtatë.

“Për ta bërë [marrëveshjen] funksionale, duhet të zgjerohet me një partner tjetër, qoftë Aleanca apo PDK-ja. Por, kjo do të ishte një konfigurim krejtësisht i ri politik dhe do të sillte edhe një sërë sfidash të reja”, thotë Emini.

Prej muajsh, Aleanca e Ardian Gjinit ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për institucionet, ndërkaq PDK-ja e Bedri Hamzës ka refuzuar që të bashkëpunojë me Kurtin, si për Qeverinë, ashtu edhe për presidentin, duke deklaruar se këtë mandat do të qëndrojë në opozitë.

Vetëm LDK-ja e Lumir Abdixhikut pranoi të negocionte me Kurtin, fillimisht për bashkëqeverisje – proces që dështoi pas kërkesës fillestare të LDK-së për të pasur presidentin – dhe më pas për presidentin, që rezultoi me marrëveshjen e 31 gushtit.

Atë ditë, LVV-ja dhe LDK-ja dolën me kandidatin e përbashkët për president, por vetëm një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër.

Kreu i LDK-së tha se me këtë vendim, pashmangshëm këta deputetë po e çojnë vendin në zgjedhje, ndërkaq Kurti më vonë e vlerësoi si “absurde”, “të dëmshme” dhe “të papërgjegjshme” sjelljen e tyre, duke shtuar se ata dëshirojnë zgjedhje të reja.

Emini thotë se paralajmërimi i Kurtit se do të takohet sërish me Abdixhikun dhe me kryesinë e LVV-së për marrëveshjen nuk nënkupton se ai domosdoshmërisht po planifikon zgjedhje, por është një “strategji që i jep atij kohë dhe hapësirë politike”.

“Ai mund të vazhdojë të negociojë me LDK-në, të presë nëse gjashtë deputetët ndryshojnë qëndrim, të shohë nëse Aleanca mund të jetë më fleksibile dhe, mbi të gjitha, të presë edhe zhvillimet në Hagë më 16 shtator”, thotë ajo, duke iu referuar shpalljes së aktgjykimit për rastin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndonëse thotë se jo domosdo Kurti po planifikon zgjedhje të reja, nëse nuk arrihet që Aleanca apo PDK-ja të futen në marrëveshje për president, atëherë “koha e fituar mund të funksionojë edhe në favor të një skenari zgjedhor”.

“Dhe, këtu kalendari bëhet politikisht i rëndësishëm. Dështimi për të zgjedhur presidentin do ta shtynte vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor në një kohë që mund t’i përshtatet Kurtit shumë më tepër sesa kundërshtarëve të tij”, shprehet ajo.

Sa i përket Aleancës, Emini thotë se ka hapësirë për fleksibilitet, pas paraqitjes së kushteve në këmbim të votës. Por, sipas saj, shtatë votat e partisë që drejtohej nga Ramush Haradinaj “nuk mund të merren automatikisht”.

PDK-ja e Hamzës, sipas saj, është në pozicion më kalkulues. Kjo parti, vlerëson Emini, nuk është e interesuar për zgjedhje, por është më e interesuar se çfarë do të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas saj, një vendim lirues për ish-presidentin Hashim Thaçi, njëherësh ish-drejtues i PDK-së, do t’i hapte rrugë rikthimit potencial të tij në politikë, dhe rrjedhimisht do të ndryshonte ndjeshëm dinamikat brenda kësaj partie dhe skenës politike në përgjithësi.

Emri i Thaçit është propozuar për president nga ish-kreu i Aleancës, Haradinaj. Ndonëse ka pasur përkrahje për këtë kandidaturë nga Arian Tahiri i PDK-së, sekretarja e përgjithshme e partisë, Vlora Çitaku, ka thënë se Thaçi nuk ka nevojë për poste, por “për liri”.

E, pikërisht për shkak të zhvillimeve në Hagë, në këtë moment, sipas Eminit, për PDK-në do të ishte shumë e vështirë që të angazhohej në një marrëveshje të re politike me Kurtin.

“Pas vendimit, në varësi të asaj se çfarë ndodh dhe si ndikon kjo në PDK, mund të kemi një situatë krejtësisht tjetër dhe një diskutim tjetër politik”, vlerëson ajo.

Megjithatë, duke folur për mundësinë e gjetjes së rrugdaljes, ajo vë theksin tek afatet kohore.

“Afatet për zgjedhjen e presidentit janë shumë të ngushta dhe zgjerimi i një koalicioni, negocimi me një partner të ri dhe gjetja e një formule që mund të pranohet nga të gjithë nuk është diçka që mund të bëhet lehtë në pak ditë”, shprehet ajo.

Rrjedhja e afatit 60-ditor për presidentin nis me konstituimin e Kuvendit – proces që nisi më 6 gusht, por nuk është përmbyllur pasi LVV-ja insiston që fillimisht të ketë pajtim për presidentin.

Por, Emini vlerëson se Kurti e menaxhoi politikisht mirë situatën pas zhvillimeve në LDK, që vetë kreu i LVV-së i vlerësoi si negative.

Sipas saj, ai po ndërton narrativin ku paraqitet si lider i gatshëm për kompromis, “që vazhdon të kërkojë dialog me LDK-në dhe që është i gatshëm të presë deri në fund për ta gjetur një zgjidhje”.

Në deklarimin në orët e vona të 1 shtatorit, Kurti insistoi se kandidati për president për LVV-në vazhdon të jetë Bekim Sejdiu – ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomat.

Sipas Eminit, Kurti po bën “një lëvizje shumë strategjike” duke ngulur këmbë se “Bekim Sejdiu është ‘kandidat i Republikës’ dhe jo thjesht kandidat i një marrëveshjeje partiake”.

“Në këtë mënyrë, ai e ngre kandidaturën mbi marrëveshjen LVV–LDK dhe e paraqet mbështetjen e tij si çështje të interesit institucional. Në mënyrë indirekte, kjo është edhe një kritikë ndaj mënyrës se si po sillet LDK-ja: nëse kandidati është i Republikës dhe nëse qëllimi është zhbllokimi i institucioneve, atëherë ata që e kundërshtojnë mund të paraqiten si ata që po e pengojnë këtë interes”, vlerëson ajo.

Pse Abdixhiku dhe Kurti po fajësojnë gjashtë deputetët?

Megjithatë, një gjë e përbashkët e Kurtit dhe Abdixhikut pas zhvillimeve më 1 gusht është fajësimi i gjashtë deputetëve të zgjedhur të LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen për president: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri.

Të gjithë janë arsyetuar se vota e tyre është kundër bashkëpunimit me LVV-në dhe “zgjatjen e pushtetit” të Kurtit.

Emini thotë se Kurti dhe Abdixhiku kanë arsye të ndryshme pse e zhvendosin fajin te ky grup deputetësh.

Kurti, sipas saj, fajëson këta deputetë për bllokadën, e jo udhëheqjen e LDK-së, sepse ajo “mund t’i duhet për marrëveshje në të ardhmen edhe nëse ka zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Abdixhiku, ndërkaq, e përdor fajësimin për një objektiv tjetër politik, thotë ajo. Ai “mund të distancohet nga përgjegjësia për rezultatin e ardhshëm të LDK-së”, vlerëson Emini.

“Nëse partia e tij dështon, ai tashmë ka krijuar një narrativ ku fajin e mbajnë ata gjashtë deputetë që bllokuan marrëveshjen, ndërsa përgjegjësia politike për performancën e partisë zhvendoset tek ata. Në këtë kuptim, gjashtë deputetët mund të bëhen edhe një lloj ‘scapegoat’ [v.j. dash kurbani] për problemet më të gjera të LDK-së”, vlerëson ajo.

Megjithatë, kundërshtimet brenda LDK-së, sipas Eminit, kanë të bëjnë me atë se procesi i negociatave për marrëveshjen nuk ishte transparent. Ajo thotë se ky rezultat ishte i pritshëm, pasi brenda partisë së Abdixhikut prej kohësh ka ndarje e rivalitete “që shkojnë përtej kësaj kandidature”.

Abdixhiku u sfidua nga një mocion mosbesimi në korrik, por i mbijetoi atij, duke vazhduar në krye të partisë. Edhe më herët, ai kishte kërkuar votëbesim për të udhëhequr partinë, pas rezultatit zgjedhor.

“Abdixhiku, si lider i partisë, mban përgjegjësinë kryesore për faktin që nuk ka arritur ta mbajë të bashkuar grupin e tij parlamentar dhe ta menaxhojë këtë konflikt brenda partisë. Ajo që po shohim sot është, mbi të gjitha, një krizë e lidershipit dhe e kohezionit të brendshëm të LDK-së, e cila tani po manifestohet përmes procesit presidencial”, vlerëson Emini.

Nëse skena politike e Kosovës dështon të zgjedhë një president të ri, qytetarët do t’iu drejtoheshin sërish kutive të votimit – për zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për çështjen e presidentit.

 

Continue Reading

Vendi

Aktakuzë ndaj dy mjekëve në Vushtrri dhe 9 qytetarëve për ryshfet

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë, V.R. dhe E.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”. Përmes të njëjtës aktakuzë, nëntë persona të tjerë (F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K.) po akuzohen për “Dhënie ryshfeti”.

Sipas dosjes së prokurorisë, mjeku V.R. akuzohet për gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. për tri raste ku në cilësinë e personave zyrtarë kanë kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt shuma të ndryshme parash për ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit mjekësor ndaj pacientëve.

Nga ana tjetër, nëntë të pandehurit e tjerë akuzohen se u kanë ofruar ose dhënë mjekëve të akuzuar shuma parash që variojnë nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për kryerjen e ndërhyrjeve operative ndaj familjarëve të tyre. Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjeve në fuqi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në KPK, raporton Blerim Isufaj

Published

on

By

Raportimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, para Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për punën e vitit 2025, është shoqëruar me tensione e debate me kryesuesin e këtij institucioni, Arian Gashi.

Përplasja nisi gjatë kohës kur anëtarët e Këshillit po i parashtronin pyetje Isufajt. Kryesuesi Arian Gashi ndërhyri duke i kërkuar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që vetëm t’u përgjigjet pyetjeve dhe të mos tentojë t’u bëjë pyetje apo të kërkojë llogari nga anëtarët e KPK-së.

Nga ana e tij, Isufaj — i cili ka mbajtur më parë postin e kryesuesit të KPK-së — u shpreh se po jepte argumentet e tij dhe se nuk po i bënte pyetje askujt. Megjithatë, Gashi u tregua i prerë duke deklaruar se rolet tashmë kanë ndryshuar dhe se është kryeprokurori ai që duhet të raportojë e të dëgjojë para Këshillit, e jo e kundërta. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara