Aktualitet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

19 tetor 1993

Policia serbe për një vit keqtrajtoi disa mijëra shqiptarë

Në një takim që patën dje përfaqësuesit e KMDLNJ-së në Prishtinë me Stefani Grant dhe Tatjana Termaçiç, përfaqësuese e Qendrës së OKB-së për të Drejta të Njeriut, me seli në Gjenevë, u prezantuan të dhëna mbi represionin serb në Kosovë.

Kështu, sipas të dhënave jo të plota që posedon KMDLNJ, gjatë periudhës gusht 92 – gusht 93 u shënuan 5.607 raste të ndryshme të trajtimit policor të shqiptarëve, u arrestuan 1.396, u rrahën 804, u dënuan me burg 161, kurse u keqtrajtuan 432 veprimtarë të partive politike e të shoqatave që tubojnë shqiptarët.

Po ashtu KMDLNJ informoi mysafirët se vetëm gjatë dy muajve të fundit të këtij viti (gusht – shtator), në forma të ndryshme nga policia serbe u trajtuan 1.224 veta, 334 u arrestuan, 94 u ftuan në polici, kurse 148 shqiptarë u rrahën.

 

19 tetor 1994

Edhe dy të rinj u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe

Këto ditë policia ushtarake serbe, solli në kazermën ushtarake serbe në Mitrovicë, Petrit Morinën nga fshati Loxhë i Pejës.

Ai u mbajt tri ditë në kazermë dhe më 11 tetor të këtij viti u dërgua në Gjyqin ushtarak në Nish, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Vlenë të theksohet se për dërgimin me dhunë në Gjyqin ushtarak në Nish, Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë u njoftua përmes dy shokëve të Petrit Morinës, të cilëve ai ua kishte dhënë një letër që t’ia dërgojnë familjes së tij në Logjë.

Ndërkaq, Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Lipjan, njofton se policia serbe arrestoi të riun Mehmet Hasani nga Gllogovci i Lipjanit dhe e dërgoi me dhunë në ushtrinë serbe në Beograd.

Bëhet me dije se Mehmeti kohë më parë ka shërbyer 13 muaj gjatë kohës së luftës në Vukovar.

19 tetor 1995

Plaçkitje e policisë në tregun e Podujevës

Në vargun e aksioneve të policisë serbe për plaçkitjen e mallit dhe parave nga tregtarët shqiptarë që u ndërmorrën nëpër disa qytete të Kosovës, më 14 tetor u ndërmor një aksion plaçkitjeje edhe në tregun e pemëve dhe perimeve në Podujevë.

KI i Degës së LDK-së në Podujevë njofton se në këtë aksion nga tregtarët shqiptarë u plaçkit një sasi e konsiderueshme e mallit.

 

20 tetor 1997

Prizren: Gjatë dy mbrëmjeve policia serbe ka keqtrajtuar mbi 20 shqiptarë

Mbrëmë dhe parmbrëmë, pas lëvizjes së qytetarëve shqiptarë në korzon e Prizrenit, policia serbe ka keqtrajtuar mbi 20 qytetarë shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Njoftohet se parmbrëmë, me të filluar shëtitja, policia serbe mori udhëheqjen e Këshillit Organizativ të UPS të Shkollës së Lartë “Xhevdet Doda” në Prizren, të cilët u dërguan në stacionin e policisë. Ata u liruan nën kërcënimin që t’i ndërprejnë protestat.

Njoftohet se fizikisht janë keqtrajtuar Feim Hoti, Shpëtim e Afrim Bytyçi, Ilir Balaj, Selami Mamaj, Bujar Basha, kryetari i Degës së FR të LDK-së në Prizren, Besim Kollari e të tjerë.

Mbrëmë janë legjitimuar dhe janë marrë në të ashtuquajturën bisedë informative edhe Hysen Krapi e Isa Morina, profesorë të Shkollës së Mesme Ekonomike, të cilët janë kërcënuar nga policët, ndërsa disa të rinjëve policia ua ka marrë letërnjoftimet dhe i ka urdhëruar që të paraqiten në polici.

Këshilli Organizativ i UPS të SHLP “Xhevdet Doda” i deklaroi Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Prizren se fton qytetarët që t’i vazhdojnë shëtitjet në “Shadërvan” në të njëjtën kohë, por në formë të shëtisë së lirë.

 

19 tetor 1998

Policia gjermane ua shpëtoi jetën 75 refugjatëve shqiptarë

Gazeta e djeshme gjermane “Main-Echo”, njofton se në mëngjesin e pardjeshëm, në njësinë federale të Bavarisë arriti të lirojë 75 refugjatë shqiptarë, të cilët ishin nënshtruar rrezikut akut të jetës, njofton “Bujku” i sotëm.

Shoferi dhe një anëtar tjetër i grupit të kontrabandistëve, me njerëz kishin mbyllur rimorkion e hermetizuar të kamionetës, që kishte një sipërfaqe prej vetëm tetë metrash katrore, 75 refugjatë shqiptarë. Në mesin e refugjatëve gjendeshin 61 burra, nëntë gra dhe pesë fëmijë. Nga pasojat e mbylljes së rimorkios, shumë udhëtarë kishin filluar të tregojnë shenja të alivanosjes nga kushtet e hipoksisë si pasojë e mbylljes hermetike të rimorkios së furgonit. Autoritetet policore theksuan se pak para orës 6:00 të mëngjesit, në lokalitetin Tirschentreuth, gjatë një kontrolli rutinor të automjeteve, rastisën kamionetën me udhëtarët e rrezikuar. Nëntëmbëdhjetë udhëtarë me simptomatologji me manifeste të alivanosjes, u dërguan menjëherë për trajtim në spitalin e këtij qyteti.

Sipas informatave të zëdhënësit të Presidiumit Policor të Reggensburgut, u arrit që një kontrabandist të arrestohet, ndërsa shoferi i kamionit iku në drejtim të panjohur. Ditëve të fundit, për shkak të ekspandimit akut të numrit të refugjatëve nga Kosova, është trefishuar kontrolli policor i zonave perikufitare të Gjermanisë.

Foto: Mitrovica

 

Continue Reading

lajme

SPAK i komunikon Belinda Ballukut akuzat përfundimtare, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave

Published

on

By

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar se i ka komunikuar ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, akuzat përfundimtare në kuadër të hetimeve ndaj saj.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, Balluku akuzohet për disa vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tenderë publikë, korrupsionin, mosdeklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Prokuroria e Posaçme bën të ditur se ish-zyrtarja e lartë akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste të ndryshme.

Ndaj saj rëndojnë gjithashtu akuzat për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Një tjetër akuzë lidhet me refuzimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë dhe interesave private, vepër për të cilën Balluku akuzohet në dy raste.

SPAK-u e akuzon gjithashtu për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se po vazhdon veprimet procedurale për komunikimin e akuzave edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale.

Komunikimi i akuzave përfundimtare përbën një hap procedural në këtë çështje dhe nuk nënkupton shpalljen e fajësisë së ish-zyrtares.

D.L

Continue Reading

Vendi

Tensione para Kryeministrisë në Shqipëri, protestuesit rrëzojnë karriget e vendosura nga Rama

Published

on

By

Situata para Kryeministrisë në Shqipëri është tensionuar, pasi protestuesit kanë thyer dhe rrëzuar karriget që kryeministri Edi Rama kishte vendosur në mënyrë simbolike si ftesë për dialog.

Në mbështetje të studentëve protestues kanë dalë edhe mësimdhënësit universitarë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e procesit mësimor në universitete.

Ata kanë theksuar se do të mbështesin çdo vendim të studentëve, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të dialogut me kryeministrin.

Sipas raportimit të A2 CNN, mësimdhënësit kanë paralajmëruar se do të mblidhen çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00, para korpusit universitar, ndërsa mësimi në universitete nuk do të zhvillohet.

Protesta po shoqërohet me kërkesa për përgjegjësi institucionale, ndërsa studentët dhe mësimdhënësit vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

D.L

Continue Reading

Vendi

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë — e akredituar me pikë të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional

Published

on

By

Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së do të jetë nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë, e cila do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore e profesionale u ofron stomatologëve, teknikëve dhe asistentëve dentarë mundësinë e avancimit profesional dhe njohjes me trendet më të fundit në fushën e shëndetësisë dentare.

Konferenca është akredituar zyrtarisht nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Pjesëmarrësit do të shpërblehen me pikë kredituese si vijon:

  • Pjesëmarrësit aktivë: 20 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)
  • Pjesëmarrësit pasivë: 15 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Në këtë ngjarje, profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shkëmbejnë përvojat, njohuritë dhe arritjet më të fundit teknologjike në stomatologji.

Për stomatologët: Regjistrimi bëhet përmes platformës digjitale të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK). Pas aplikimit, konfirmimi dhe udhëzimet e pagesës dërgohen me e-mail. Pagesa prej 40 € bëhet në xhirollogarinë e UBT-së në TEB Bank (2011000003927958).

Për asistentët dhe teknikët dentarë: Tarifa e pjesëmarrjes është po ashtu 40 €, ndërsa pagesa realizohet drejtpërdrejt në xhirollogarinë e UBT KNBT SHPK (1300 0015 0000 5275), duke shënuar në përshkrim: “Pjesëmarrje në konferencën e UBT”.

Pas përfundimit të pagesës, dëshmia bankare me të dhënat personale duhet të dërgohet në adresën zyrtare elektronike të konferencës: [email protected].

UBT fton të gjithë profesionistët e fushës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje madhore shkencore dhe të sigurojnë vendin e tyre nëpërmjet aplikimit me kohë.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT rangohet i pari në Kosovë nga GreenMetric 2026

Published

on

By

UBT është ranguar i pari në Kosovë nga UI GreenMetric World University Rankings 2026, duke konfirmuar sërish lidershipin në implementimin e praktikave të qëndrueshme institucionale dhe në zhvillimin e modelit universitar që ndërthur arsimin, inovacionin, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit.

Ky rezultat dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për të shndërruar qëndrueshmërinë nga një objektiv strategjik në praktika konkrete, të cilat reflektohen në infrastrukturën, menaxhimin e resurseve, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative për të ardhmen.

Në këtë edicion, UBT ka arritur 5,122 pikë nga 10,000 pikë të mundshme, duke u vlerësuar në disa kategori. Ndër rezultatet më të spikatura është kategoria Energjia dhe Ndryshimet Klimatike, ku UBT ka siguruar 80% të pikëve të mundshme, duke dëshmuar rëndësinë që këto fusha kanë në vlerësimin e performancës së tij institucionale. Rangimi vlerëson institucionet e arsimit të lartë përmes kritereve që përfshijnë infrastrukturën dhe hapësirat universitare, energjinë, menaxhimin e mbeturinave, burimet ujore, transportin, si dhe arsimin, kërkimin shkencor, qeverisjen dhe digjitalizimin.

Në përputhje me vizionin dhe misionin e tij për të avancuar arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, UBT ka ndërtuar një model universitar që ndërthur dijen, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit. Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit.

Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës. Kështu, qëndrueshmëria bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e kampuseve moderne dhe krijimin e zgjidhjeve inovative për sfidat e së ardhmes.

 

Continue Reading

Të kërkuara