Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Enver Maloku

 19 korrik 1993

Ndjekje e shqiptarëve nga fshatrat e Leposaviqit

Policia serbe, filloi një aksion dhune e presioni mbi shqiptarët e tri fshatrave etnike shqiptare: Bistricë e Shalës, Koshtovë e Vllahisë dhe Çabër të komunës së Leposaviqit.

Më 15 korrik, 100 policë serbë rrethuan fshatrat Koshtovë e Vllahisë dhe Bistricë e Shalës në orën 03 të mëngjesit. Deri në orën 13,00 policia bastisi 53 shtëpi (22 shtëpi në Bistricë e 31 në Koshtovë). Bastisjet u bënë nën pretekst të kërkimit të armëve dhe nën akuzë se gjoja dikush nga këto dy fshatra e ka vrarë një gjuetar serb, që ishte gjetur i vdekur në shkurt të vitit 1992.

Ndërsa sot u bastisën edhe pesë familje shqiptare në fshatin Çabër.

Komisioni i Degës së LDK-së për Informim, njofton se gjatë ekspeditës më 15 korrik, shumë persona janë lënduar rëndë nga rrahjet. Disa prej tyre kanë kërkuar ndihmën mjekësore në Mitrovicë, e shumë të tjerë po shërohen në shtëpitë e tyre. Njoftohet se janë rrahur së paku këta persona: Zeqir Hetemi, Beshir Hetemi, Nazif Musliu, Hamit, Bahri e Basri Imeri, Hajriz Aliu, Ukshin Hajdari, Behxhet e Agron Hetemi, Eset Zahiti, Halit, Sami, Abit, Afrim e Ilmi Imeri, Zenel e Rushit Aliu, Driton Hetemi, Shefki Musliu, Hamide Mustafa dhe Nezir Aliu, të gjithë nga Bistrica e Shalës, ndërsa në Koshtovë të Vllahisë u rrahën: Hasan Hasani, Islam Asllani, Avdi e Bekë Bekteshi, Bashki Fetahu, Behram Asllani, Ahmet Musa, Shukrie Asllani, Hasan e Rrustem Bekteshi, Sokol Fetahu, Naim Murseli, Zahir e Hazir Bekteshi, Ukshin Fetahu dhe Rifat Hasani.

Gjatë bastisjeve, policët u thanë shqiptarëve: “Ikni në Shqipëri, ose do t’u vrasim të gjithëve”!

Fshatrat shqiptare: Koshtovë e Vllahisë, Bistricë e Shalës dhe Çabër, bëjnë pjesë në komunën e Leposaviqit, ku shumica e popullsisë është serbe, mirëpo fshatrat nga drejtimi i Mitrovicës lidhen me fshatra shqiptare.

Përpos aksioneve të policisë serbe, patrullimit nëpër fshatra, të kontrollit të rreptë nëpër rrugët që shpiejnë në këto fshatra, njoftohet se në fshatin Komenicë që banohet me serbë dhe që gjendet përballë fshatit Koshtovë e Vllahisë, grupe serbësh po mblidhen e po lëvizin në drejtim të Koshtovës, duke shtënë me armë.

Nga fshati Çabër, njoftohet se shumë fshatarë i kanë larguar fëmijët, gratë e pleqt nga fshati, nga frika se mund të pasojnë aksione të forcave serbe kundër shqiptarëve.

 

19 korrik 1994

Nesër fillon një proces i ri i montuar politik në Prishtinë

Për nesër në orën dhjetë serbët e istaluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kanë paralajmëruar fillimin e një procesi të ri politik kundër:

Fehmi Lestranit (1973) nga fshati Baicë e Gllogovcit, Shkëlzen Bajramit (1973) nga Korretica e Ulët e Gllogovcit, Nexhmedin Sadriut (1963) nga Davidoci i Shtimjes, Luan Hetës (1971) nga Varoshi i Ferizajit, Beqir Mulecit (1956) nga Tërsteniku i Gllogovcit, Hysni Francës (1972) nga Tërsteniku i Gllogocvcit dhe Bajram Gallopenit (1972) nga Dobërçani i Lipjanit.

Këta persona janë arrestuar gjatë shkurtit, marsit dhe prillit të këtij viti, nën akuzën e rrejshme se gjoja kanë stërvitur ushtarakisht në një kazermë ushtarake të Shqipërisë.

Njëri prej mbrojtësve, Fazli Balaj, tha se këta persona, shumica prej tyre të rinj, akuzohen rrejshëm se:”Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1992 dhe gjatë vitit 1993, në Republikën e Shqipërisë, bashk me persona të tjerë kanë përgatitur dhe ndërmarrë veprime me qëllim të ushtrimit që me përdorimin e forcës të shkëpusin krahinën e Kosovës dhe pjesë të tjera të territorit të RF të Jugosllavisë të banuara me shqiptarë dhe të formojnë shtet të veçantë ose që ato t’ia bashkojnë Shqipërisë… ashtu që me iniciativën dhe në organizimin e qeverisë ilegale të Republikës së Kosovës, të kreysuar nga Bujar Bukoshi. pastaj nga Ali Aliu, Mehmet Kraja dhe Zymber Berisha – përfaqësues në Përfaqësinë e Republikës së Kosovës në Tiranë, kanë marrë pjesë në ushtrime për kundërspiunazh në Laç, kanë bërë ushtrime shumëmuajshe nën udhëheqjen e oficerëve të Shqipërisë në kazermën Labinot Fushë afër Elbasanit…prandaj kanë bërë veprën penale rrezikimi i tërësisë territoriale, nga neni 116, paragrafi 1 që ndëshkohet sipas nenit 138 të LP të Jugosllavisë”.

Pra, siç shihet kjo është një akuzë e stërpërsëritur e serbëve të instaluar në prokuroritë e gjykatat e Kosovës.

Mbrojtësit e këtyre shtatë të akuzuarëve gjatë muajve të kaluar kanë njoftuar opinionin për torturat që i kanë bërë inspektorët e sigurimit serb ndaj këtyre shqiptarëve, me qëllim të nxjerrjes prej tyre të deklaratave të rrejshme që do të provonin aktakuzën e parapërgatitur.

Mbrojtësit dhe anëtarët e familjeve të të arrestuarëve kanë njoftuar shumë herë deri më tash se këta të rinj ishin gjendur në Shqipëri duke ikur nga fati i luftës në ish-republikat jugosllave, ose duke ikur nga rekrutimi në ushtrinë serbe, e edhe në rrugë për në vendet e perëndimit për të siguruar kafshatën e bukës.

Pas bredhjeve nëpër Shqipëri, disa prej tyre ishin strehuar përkohësisht në kamp, ndërsa më vonë u kthyen në Kosovë, pasi nuk mundën të udhëtonin nëpër vendet e perëndimit.

Pas kthimit në Kosovë, ata u arrestuan dhe u torturuan një kohë të gjatë.

 

19 korrik 1995

Agjencitë e huaja rreth procesit të montuar politik kundër 72 ish-policëve të Kosovës

Shqiptimit të dënimeve në procesin e montuar politik kundër 72 ish-policëve shqiptarë të Kosovës, rëndësi të veçantë i kushtuan edhe agjencitë e huaja të lajmeve.

Kështu, agjencia gjermane DPA, lidhur me këtë proces të montuar politik, në raportin e saj thekson: “Të hënën, gjykata serbe dënoi 72 ish-policë shqiptarë me 230 vjet burg. Të dënuarit janë akuzuar për përpjekje të formimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovën e sunduar nga serbët”. DPA më tej thekson se “me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga ana e Millosheviqit, Beogradi në Kosovë sundon me ligje të jashtëzakonshme dhe me forca të shtuara policore e ushtarake.

Ndërkaq, agjencia amerikane e lajmeve, lidhur me procesin e montuar politik dhe dënimin e 72 ish-policëve njofton se “në vitin 1991 u larguan nga puna 3.500 policë shqiptarë dhe se ndaj shqiptarëve po udhëhiqet një politikë e ndjekjes dhe represionit të përditshëm”.

Agjencia franceze AFP, në raportin e saj lidhur me gjykimin e ish-policëve shqiptarë, thekson se “11 policët që janë arratisur, gjyqi serb i dënoi me burg në mungesë”. Duke iu referuar të dhënave të KMDLNJ-së, AFP shton se gjatë pesë vjetëve të fundit, nga gjyqet serbe janë dënuar qindra shqiptarë nën akuzën për veprimtari seperatiste dhe në këtë mënyrë qeveria serbe që nga viti 1989, është duke shtypur lëvizjen për pavarësi të Kosovës”, përfundon AFP raportin e saj.

Rëndësi të veçantë këtij procesi të montuar politik i kushtoi edhe agjencia angleze “Rojter”, e cila në raportin e saj thekson se “ish-policët shqiptarë kanë formuar organizatën e tyre sindikale, por nuk kanë formuar kurrfarë njësiti policor, ndërsa ish-policët shqiptarë u janë nënshtruar torturave gjatë procesit të hetimeve”.

 

 

 

 

19 korrik 1997

Ambasada Amerikane i quan jobindëse faktet në gjykimin e Prishtinës

Ambasada amerikane në Beograd lëshoi dje këtë kumtesë për shtyp, në të cilën thuhet: “Ambasada amerikane ka përcjellur gjykimin e grupit të 15 shqiptarëve të Kosovës të akuzuar për aksionet terroriste, i cili përfundoi më 11 korrik në Prishitnë. Gjatë këtij gjykimi u vunë re shumë parregullsi: duket se gjykata serbe nuk respektoi procedurën e saj gjyqësore, faktet nuk ishin bindëse, të akuzuarve iu pamundësua të kenë kontakte me avokatët. Neve më së shumti na shqetëson thënia se në fazat që i paraprinë gjykimit, të akuzuarit përjetuan torturë dhe se këto thënie gjyqi nuk i shqyrtoi me kujdes.

Qeverinë amerikane edhe më tutje e shqetëson problemi i terrorizimit, si dhe kërcënimi që ai e paraqet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pajitmi në Kosovë mund të arrihet vetëm në bazë të respektimit të plotë të të drejtave të njeriut. Standardet e gyjqit janë pjesë e këtyre të drejtave dhe ne i bëjmë thirrje pushtetit serb që t’i respektojë deri në maksimum standardet e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të cysë procesin e pajtimit – thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane në Beograd.

 

 

19 korrik 1998

Përpjekje për atentat kundër përgjegjësit të Qendrës për Informim të Kosovës

Mbrëmë në orën 21:00 u bë një tentim atentati kundër shefit të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), Enver Malokut. Atentatori, pa thënë asnjë fjalë, shtiu me revole dhe shkrehu një plumb në drejtim të z. Maloku derisa ky po hynte në banesën e tij në Kodër të Diellit në Prishtinë, mirëpo për fat të mirë, plumbi nuk e qëlloi.

  1. Maloku tha se derisa po ecte drejt hyrjes së banesës kishte parë tek po zbrisnin shkallëve të korridorit nga katet e epërme dy persona, njëri prej të cilëve tentoi të bënte atentat. Kur arriti në hyrje të banesës, atentatori shtiu me revole në drejtim të z. Maloku, i cili po zbriste shkallëve drejt banesës së vet që gjendet në pozicion përdhes të ndërtesës. Z. Maloku tha se atentatori shtiu me armën e maskuar në një thes apo qese ngjyrë të bardhë.

Mirëpo, edhepse distanca ishte vetëm dy metra, për fat të mirë plumbi huqi cakun, pasi qëlloi grilën e hekurt të parmakut të shkallëve.

Atentatori u bë gati të shtinte edhe një herë, por reagimi me fjalë i z. Maloku, rrethanat që instiktivisht mund t’i jenë dukur atentatorit të disfavorshme për të vazhduar me krimin, apo diç krejt e tretë e pashpjegueshme, mund të kenë bërë që atentatori të largohet nga blloku i banesave dhe të ikën në drejtim të panjohur.

  1. Maloku tha se në vendin ku u tentua të bëhej atentati, u gjet gëzhoja e plumbit 7,65 mm. Një gjurmë e plumbit ka mbetur në shufrën e parmakut dhe në murin e betontë të shkallëve.
  2. Maloku tha se atentatori kishte trup mesatar. Në pjesën e epërme kishte të veshur një bluzë të gjerë ngjyrë të mbyllur. Në kokë kishte një kapelë.

Krisma e revoles u dëgjua në banesë dhe në ndërtesat përreth, duke shkaktuar shqetësim në mesin e banorëve.

Në këtë pjesë të Bregut të Diellit janë kryer deri më tash disa krime serbe, duke përfshirë edhe vrasjen kriminale të studentit Armend Daci. Duket se atentatori kishte planifikuar ta kryente krimin në hyrje të banesës me qëllim të tmerrimit të familjes Maloku dhe rrethinës.

Një dëshmitar tha se kishte parë më herët së paku dy persona që e mbanin nën vëzhgim dhe nën kontroll pjesën përreth banesës ku u tentua të bëhej atentati. Njëri prej tyre ishte serb.

 

Dy rë vrarë në Budakovë të Suharekës

Mbrëmë dhe parmbrëmë forcat serbe granatuan fshatrat Budakovë e Krushicë të Suharekës.

KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se parmbrëmë, gjatë granatimit të fshatit Budakovë, rreth orës 23 u vra vajza 12- vjeçe Raza Reshat Palushi, e cila u qëllua në oborrin e shtëpisë së saj.

Ndërsa mbrëmë, forcat serbe granatuan fshatin Krushicë dhe lagjet e Hoxhëve dhe të Buzhalëve në Budakovë, me ç’rast u vra Bujar Jahir Buzhala (19).

Sot që nga orët e paradites ka të shtëna të shumta nga snajperistët serbë.

 

Dihet për tre shqiptarë të vrarë në Rahovec

Në Rahovec janë vrarë së paku tre qytetarë shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë, duke cituar burime të sigurta nga Rahoveci.

Është vrarë Ibrahim Cena, i cili edhe është varrosur, dhe dy qytetarë të tjerë emrat e të cilëve nuk dihen.

 

Në fshatin Vërshec është vrarë djali 17 vjeçar i Habib Vuniqit

Për shkak të bllokimit të plotë të fshatit Vërshevc të Lipjanit nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe në edicionin e tretë të QIK-ut duke u mbështetur në një dëshmitar të asaj ane kemi publikuar se dje nga granatimet serbe është vrarë një djalosh 16 vjeçar i familjes Dulahu dhe është plagosur babai i tij.

Mirëpo, në një informacion tjetër që morëm më vonë nga Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Lipjan nuk verifikohej lajmi se është vrarë ndonjë anëtar i familjes Dulahu, por megjithatë thuhej se nga granatimet e forcave serbe është dëmtuar rëndë shitorja e Muharrem Dulahut.

Në të vërtetë Komisioni për Informim i kësaj dege njofton se nga granatimet e djeshme në fshatin Vërshec është vrarë djali 17 vjeçar i Habib Vuniqit dhe dyshohet të jetë plagosur rëndë edhe një vajzë. Po ky njoftim mbështetet në dëshmitë e disa banorëve të Vërshecit të cilët kanë arritur të depërtojnë disi në Lipjan, ndonëse edhe ata nuk kanë mundur t’i thonë emrat e plotë të të vrarit dhe të vajzës së plagosur.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Policia sekuestron katër armë zjarri në Prizren, dyshohet se u përdorën në gazmende familjare

Published

on

Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit ka sekuestruar katër armë zjarri gjatë javës së fundit, në kuadër të disa operacioneve të ndara që synojnë parandalimin e përdorimit të armëve dhe garantimin e sigurisë publike.

Sipas Policisë, gjatë javës së kaluar në Prizren dhe Suharekë janë sekuestruar tri pistoleta dhe një armë automatike AK-47. Në dy raste, armët janë konfiskuar pas informacioneve të pranuara nga qytetarë anonimë, të cilët kishin raportuar për të shtëna me armë në gazmende familjare.

Në tre nga katër rastet, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se të shtënat me armë në ahengje dhe gazmende familjare nuk do të tolerohen dhe se do të vazhdojë veprimet për parandalimin e posedimit të paligjshëm të armëve, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeprokurori Gashi: Hetim të pakompromis ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar

Published

on

By

Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka mbajtur fjalimin e tij të parë zyrtar gjatë takimit të 299-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke shpalosur vizionin e tij për udhëheqjen e institucionit të akuzës. Gashi e cilësoi marrjen e kësaj detyre si një përgjegjësi të lartë institucionale dhe obligim kushtetues e moral ndaj qytetarëve, të cilët presin një prokurori më efikase, të pavarur dhe me integritet.

Ai porositi që çdo vendim prokurorial duhet të bazohet ekskluzivisht në Kushtetutë, ligj dhe prova të siguruara në mënyrë të ligjshme, pa u ndikuar nga presionet politike, ekonomike apo mediatike.

“Për ata që më njohin, e dinë se qasja ime si prokuror dhe kryeprokuror ka qenë dhe mbetet e njëjtë: Prokurori duhet të flasë vetëm përmes punës. Besueshmëria në institucionin tonë nuk ndërtohet me deklarata apo retorikë, por me profesionalizëm, integritet dhe rezultate konkrete”, deklaroi Gashi.

Kryeprokurori i Shtetit u dërgoi një mesazh të qartë të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës, duke u zotuar se do të mbështesë fuqishëm secilin prej tyre që ushtron detyrën me guxim dhe paanshmëri. Ai porositi që çdo vendim prokurorial duhet të bazohet ekskluzivisht në ligj, pa u ndikuar nga presionet politike, ekonomike apo mediatike. Megjithatë, ai ua bëri të qartë se askush nuk do të jetë i paprekshëm.

“Pavarësia funksionale që e keni si prokurorë është një garanci kushtetuese dhe një nga vlerat më të rëndësishme të sistemit tonë. Megjithatë, kjo pavarësi nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë mburojë për arbitraritet, papërgjegjësi apo mosllogaridhënie”, nënvizoi ai, duke shtuar se “lufta ndaj çdo forme të abuzimit të detyrës do të jetë e pakompromis. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk do të gëzojë imunitet”.

Gashi vuri në dukje se pavarësia funksionale nuk do të shërbejë asnjëherë si mburojë për arbitraritet apo mosllogaridhënie, duke premtuar një luftë të pakompromis ndaj çdo forme të abuzimit të detyrës zyrtare.

Në mbyllje të fjalimit, Gashi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë institucional me Këshillin Prokurorial, si dhe me partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur reformat në drejtësi.

Ai gjithashtu u shpreh i hapur për një marrëdhënie transparente me mediat dhe shoqërinë civile, duke i vlerësuar kritikat dhe rekomandimet konstruktive si një kontribut të rëndësishëm për rritjen e llogaridhënies dhe avancimin e mëtejshëm të të gjithë sistemit prokurorial në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Andy Burnham merr zyrtarisht detyrën si Kryeministër i ri i Britanisë së Madhe: Premton një model të ri politik dhe plan 10-vjeçar

Published

on

By

Andy Burnham ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kryeministër i Britanisë së Madhe përpara një turme të madhe në Downing Street, duke shënuar fillimin e një epoke të re politike. Pa pasur nevojë për një foltore dhe i rrethuar nga mbështetësit, kryeministri i ri e cilësoi emërimin e tij si një moment reflektimi dhe rezolute të re, duke thënë se gjenerata e tij e politikanëve duhet të ngrejë nivelin e angazhimit për të rikthyer stabilitetin e vendit.

Burnham pranoi se qytetarët janë të lodhur nga politika aktuale dhe premtoi se ky moment do të shërbejë si një ndryshues i madh kursesh, duke u zotuar për një model të ri që bazohet në bashkëpunim dhe zgjidhje të problemeve, larg pikëve politike. Ai kritikoi vendimet e gabuara të viteve të 80-ta, përfshirë privatizimin dhe de-industrializimin, duke thënë se shumë zona ende nuk janë rimëkëmbur nga ato politika.

Në planin e tij qeverisës, Burnham premtoi se që nga e nesërmja do të shpalosë planet për t’u dhënë njerëzve më shumë hapësirë sa i përket kostos së jetesës, duke treguar edhe si do të financohen ato.

Ai u zotua për ndryshime në sistemin e arsimit për të ndihmuar të rinjtë të futen në tregun e punës, rritje të mbështetjes për shëndetin mendor, si dhe ndërtimin e më shumë shtëpive sociale si një mënyrë e drejtë dhe e qëndrueshme për të ulur shpenzimet e asistencës sociale.

Ndër vendimet e tij të para të prera, kryeministri i ri njoftoi se do të nxjerrë urdhrin e parë për t’i dhënë fund fenomenit të njerëzve që flenë në rrugë.

Për më tepër, Burnham bëri të ditur se do të largojë pushtetin nga Westminsteri për ta shtrirë atë në çdo cep të vendit. Ai u zotua të ndërtojë një ekonomi të re, duke kthyer shërbimet dhe mallrat jetike nën kontrollin publik për t’i bërë ato të përballueshme, si dhe të ri-industrializojë Britaninë duke mbështetur industrinë vendase.

Kryeministri njoftoi se më vonë gjatë këtij viti do të prezantojë një plan 10-vjeçar që do të përcaktojë qartë rrugën se ku dëshiron ta dërgojë vendin. Duke theksuar se kujdesi për njerëzit do të jetë në qendër të çdo vendimi të tij, Burnham i bëri thirrje publikut dhe mbështetësve që t’i qëndrojnë pranë për të ndërtuar një ndjenjë të re të unitetit kombëtar, duke e përmbyllur fjalimin mes duartrokitjeve të shumta, para se të futej në rezidencën e famshme numër 10. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Studio Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment: Programi që të bën lider në industrinë e re të muzikës

Published

on

By

Industria moderne e muzikës sot kërkon diçka më shumë se thjesht talent; ajo kërkon profesionistë që zotërojnë teknologjinë dhe njohin biznesin. Programi, Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe MenaxhmentUBT është ndërtuar pikërisht për të formuar këta liderë të rinj të industrisë kreative, duke bashkuar në një vend artin, teknologjinë dhe menaxhimin.

Ky program u ofron studentëve një përgatitje të plotë praktike dhe teorike përmes tri shtyllave kryesore;

Krijim dhe Produksion Digjital: Zhvillimi i aftësive profesionale në prodhimin e muzikës, dizajnin e tingullit dhe performancën vokale apo instrumentale.

Menaxhim dhe Biznes: Trajnimi i studentëve për menaxhimin e artistëve, organizimin e ngjarjeve dhe menaxhimin e projekteve në industrinë kreative.

Inovacion dhe Teknologji: Nxitja e ideve të reja dhe përdorimi i teknologjive të fundit të zërit për të krijuar platforma dhe qasje të reja artistike.

Synimi kryesor është përgatitja e drejtpërdrejtë për tregun e punës. Gjatë studimeve, studentët do të punojnë në projekte reale, do të marrin pjesë në masterklasa dhe do të krijojnë kontakte të rëndësishme me kompani muzikore, shtëpi botuese dhe organizata kulturore.

Kjo i orienton ata drejt karrierave të suksesshme si producentë, menaxherë, interpretues apo edukatorë të muzikës moderne.

Regjistrimet kanë filluar, këtu gjeni linkun për aplikim!

Continue Reading

Të kërkuara