Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 15 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

15 shtator 1993

Në Universitetin e Prishtinës përfundoi afati i paraqitjes për regjistrimin e brucoshëve

Gazeta “Bujku” në numrin e saj të sotëm njofton se dje në Fakultetet dhe në shkollat e larta të Universitetit të Prishtinës, përfundoi paraqitja e dokumentacionit për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 1993/94.

Marrë në përgjithësi fakultetet dhe shkollat e larta, e sidomos shërbimet e studentëve në këtë afat, ishin të organizuara mjaft mirë për kryerjen e një pune të tillë shumë të rëndësishme. Kontributin e tyre e dhanë edhe vetë studentët e viteve më të larta, të cilët ndihmonin shërbimet e studentëve, sidomos duke i informuar kolegët e rinj për vendin ku bëhej pranimi i dokumentacionit për regjistrim.

Të përkujtojmë se në këtë vit akademik në Universitetin e Prishtinës, është planifikuar të regjistrohen 5.680 studentë të rinj në vitin e parë të studimeve, nga të cilët 4.522 në studime të rregullta dhe 1.428 në studime me korrespondencë.

Për këtë afat janë të lira edhe rreth 2.600 vende.

 

 

15 shtator 1994

Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë vërteton ekzistimin e kolerës

Janë evidencuar 27 pacientë pozitiv nga 190 të ekzaminuar për sëmundjen epidemiologjike të kolerës në rrethin e Kuçovës, ndërkohë që deri më tani ka pasur katër të vdekur, njoftoi dje në konferencën për shtyp ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, Maksim Cikuli.

Pas sinjalizimeve të para për disa raste të sëmundjes së diarres në rrethin e Kupovës ekspertët e epidemiologjisë, klinicistë e bakteriologë shqiptarë konstatuan se kishin të bënin me fillimin e një epidemie. Pas masave të para të marra dhe kujdesit për të sëmurët, laboratori i Institutit të Higjienës dhe Epidemiologjisë e më pas nga Spitali Ushtarak u dyshua për praninë e një vatre të vibronit të kolerës. Specialistët e organizatës botërore të shëndetësisë që mbërritën më 12 shtator në Tiranë konfirmuan praninë e një epidemie që ka bazë vibronin e kolerës.

Të gjithë të sëmurët e derisotëm janë nga rrethi i Kuçovës dhe janë shtruar për mjekim në spitalin e Kuçovës, Beratit dhe Spitalin Ushtarak në Tiranë, tha ministri shqiptar.

Komunikata zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë njofton për katër të vdekur, midis të cilëve një foshnë katër vjeçe dhe një i moshuar 83-vjeçar. Shifra prej 27 vetëve të prekur nga virusi është e kufizuar për një grup prej 190 të ekzaminuarish.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi rrezikun e përhapjes masive në shkallë vendi të kësaj epidemie, ministri Cikuli vlerëson se rreziku është evident, por masat e marra japin garanci për kufizimin dhe shuarjen e vatrës së epidemisë. Sipas tij mikrobi është i importuar nga vendet e Azisë, qytetarë të së cilës janë shfaqur në atë trevë dhe shpërndarja e tij është bërë nëpërmjet një pjese të ujësjellësit të qytetit, i cili prej shumë kohësh nuk i është nënshtruar procesit të klorifikimit prej ndërmarrjes së ujësjellësit të qytetit. Ai mohoi të ketë shenja të përhapjes së sëmundjes në kryeqytet, por nuk përjashtoi rrzeikun e mundshëm po të kihet parasysh gjendja e keqe në të cilën është sot rrjeti i furnizimit me ujë të kryeqytetit, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

 

15 shtator 1995

Nga Zveçani u larguan për në Serbi 55 kolonë serbë

Nga Vitia njoftohet se numri i kolonëve serbë po ndryshon vazhdimisht.

Gjatë kësaj jave në këtë komunë janë vendosur edhe 80 kolonë të rinjë. Ata janë vendosur nëpër lokale shoqërore dhe nëpër disa familje serbe në Viti dhe Gërmovë. Së paku 15 prej tyre janë punësuar në ndërmarrje të Vitisë.

Deri më tash në këtë komunë janë vendosur rreth 215 kolonë.

Nga Mitrovica njoftohet se dje, tre policisë shkuan në lagjen Tavnik në shtëpinë e Skender Haxhikadriut (41) dhe kërkuan prej tij që ta lirojë një shtëpi për kolonistët serbë. Policët i thanë atij se gjoja i ka dy shtëpi dhe njërën duhet t’ua japë kolonëve.

Ndërsa sot, dy policë shkaun në shtëpinë e Skenderit dhe kërkuan nga ai një revole. Policia ka kërkuar nga ai që të paraqitet në stacion më 18 shtator.

Shtypi serb edhe sot sjellë shkrime për fushatën e vendosjes së kolonëve serbë në Kosovë.

Shihet qartë se aksioni i kolonizimit është në krizë për shkak se refugjatët serbë nuk pranojnë me dëshirë të vendosen në Kosovë, ndërsa edhe shumë të mashtruar ose të sjellur me dhunë në Kosovë, në rastin e parë po shkojnë për në Serbi.

Në numrin e sotëm të gazetës “Jedinstvo” botohen disa shkrime që kanë për qëllim të bindin refugjatët serbë se Kosova është një parajsë për ata.

Kështu, kjo gazetë shkruan se në komunën e Istogut deri më tash janë vendosur 444 kolonë, ndërsa për shumicën do të jipen troje e tokë.

Kolonët janë vendosur në objektet e Entit për rehabilitimin special në Gjurakovc dhe në hotelin “Gërmeç”.

Kolonëve që kanë shfaqur gatishmërinë për t’u vendosur përgjithmonë në Kosovë, do t’u ndahen 97 hektarë e 66 ari tokë. Në këtë hapësirë do të ndahen 250 troje për ndërtimin e shtëpive dhe oborre në madhësi 20 ari. Toka do t’u ipet atyre për shfrytëzim të përhershëm. Ndërsa afër këtyre vendbanimeve, kolonëve do t’u ndahen edhe nga 2 deri në 5 hektarë tokë varësisht nga madhësia e familjeve, njofton gazeta.

Vendimet për trojet, kolonëve do t’u ipen nesër në një solemnitet ku do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë serbë nga Beogradi.

Në këtë njoftim nga Istogu, thuhet se administrata e instaluar serbe miratoi planin urbanistik për banimet “Dushkajë” dhe “Rasatnik” ku do të ngriten 120 shtëpi, në një hapësirë prej 6 hektarëve e 20 ari.

Këto shtëpi do t’u jipen në përdorim kolonistëve serbë, në kuadër të planit të qeverisë së Jugosllavisë së vetëshpallur për të të ashtuquajturin “kthim” të serbëve në Kosovë.

Edhe kooperativa bujqësore në Llaplesellë të Prishtinës ka vendosur që kolonëve serbë t’u ndajë 60 hektarë tokë, që gjendet në mes Matiçanit dhe Ajvalisë dhe që deri më tash punohej rregullisht.

Në këtë kooperativë janë futur në punë 20 kolonë, ndërsa paralajmërohet se do të inkuadrohen edhe 100 të tjerë.

Ndërsa në Qendrën e pranimit në Banjskë të Zveçanit, deri më tash kanë arritur 270 kolonë, por siç njofton “Jedinstvo”, 55 kolonë u larguan nga Kosova dhe shkuan në Serbi, ku i kanë familjet e tyre.

Nga numri i përgjithshëm i kolonëve që janë vendosur në këtë komunë, 43 janë punësuar, dhe atë kryesisht në “Trepçë”.

Gazeta duke dashur të bëjë propagandë në favor të arritjes së më shumë kolonëve serbë në Kosovë shkruan se si gjoja në “Zveçan” numri i refugjatëve po ndryshon dita më ditë, pasi nuk ka ditë që mos të arrijnë edhe nga dhjetë refugjatë të rinjë!”.

Ndërkohë, mirret vesh se në institucionet mjekësore të udhëhequra nga serbët e instaluar, një numër i madh i kolonëve serbë kanë marrë çertifikatat mjekësore, të cilat u nevojiten për punësim.

Nga burime të informuara mirret vesh se në Teatrin Popullor të Prishtinës (ish-TPK), një kolon serb është punësuar në vendin e punës së rojes.

 

 

15 shtator 1998

Podujeva, Mitrovica e Vushtrria në shtetrrethim të plotë, sulmohen fshatrat e Shalës së Bajgorës

Forcat serbe kanë ndërmarrë ditëve të fundit një sulm të gjerë kundër fshatrave Mazhiq, Melenicë, Bare, e tjerë në Shalë të Bajgorës, të cilat gjenden në mes të komunave të Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Podujevës.

Njoftimet e sotme nga këto tri komuna bëjnë me dije se forcat serbe kanë vendosur një shtetrrethim të fortë në një rajon të gjerë të këtyre tri komunave, të cilat deri më tash nuk ishin objekt i sulmeve serbe.

Për shkak të pozitës së rëndësishme strategjike të këtyre tri komunave në zonën kufitare të Kosovës me Serbinë, druhet se tash mund të fillojë spastrimi i plotë etnik i Kosovës. Prej presionit të vazhdueshëm disamujor dhe sulmit të paralajmëruar, në mesin e popullsisë mbretëron një gjendje frike e paniku. Ditëve të fundit, ende pa filluar sulmi dhe pa u bërë koncentrime kaq të mëdha të forcave serbe, një pjesë e popullsisë nga fshatrat e qyteti i Podujevës ka kërkuar strehim në Prishtinë.

 

 

Filluan granatimet nga pozicioni mbi Bajçinë të Podujevës – në një lagje të Dobratinit duket tymi e flaka

Burimet e LDK-së në Podujevë njoftuan në orën 11:30 se forcat serbe që u stacionuan sot në mëngjes në bregun mbi fshatin Bajçinë filluan me granatime të fuqishme. Thuhet se nga ky pozicion po granatohen fshatrat e Shalës së Bajgorës.

Popullsia e fshatrave Bradash, Bajçinë, Dobratin, Dobërdol e tjerë po zhvendoset me të shpejtë në drejtim të Podujevës.

Në Podujevë dhe rrethinë kanë arritur sot forca të mëdha serbe.

Njoftohet se afër kazermës së ushtrisë serbe në fshatin Vranidoll është shkaktuar një aksident komunikacioni, prandaj duket se rruga është e mbyllur.

Ndërsa në hyrje të Prishtinës, në Kodër të Trimave, policia serbe po kontrollon secilin udhëtar që vjen nga Podujeva.

Ndërkohë, rreth orës 12.30 u njoftua se granatimet nga pozicioni i forcave serbe në drejtim të fshatrave të Shalës së Bajgorës po vazhdojnë.

Një dëshmitar i ka deklaruar KI të Degës së LDK-së në Podujevë se në lagjen e Vrellakëve në fshatin Dobratin po duket flakë e tym.

 

Deçan: Në Ratish e Irzniq u gjetën trupat e katër shqiptarëve të vrarë

Banorët e paktë që u kthyen në fshatrat Ratish e Irzniq të Deçanit njoftuan edhe për katër banorë të vrarë nga forcat serbe, trupat e të cilëve kanë mbetur të pavarrosur.

KI i Degës së LDK-së në Deçan njofton se në Ratish janë gjetur trupat pa jetë të vëllezërve Isuf (76), Sadri (73) dhe Azem (67) Ramadan Ukajt, të vrarë më 9 shtator në oborrin e shtëpisë së tyre.

Ndërsa, në Irzniq u gjet i vrarë Halil Sadik Berisha (57) nga ky fshat, i cili u vra nga forcat serbe më 11 shtator.

Continue Reading

Vendi

Kurti propozon për presidente ish-ministren e PDK-së, Justina Shiroka-Pulën

Published

on

By

Në orët e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje të re drejt PDK-së.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të votojë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – një kërkesë kjo e kahershme e PDK-së.  

Përmes kësaj oferte, Kurti i ka bërë thirrje PDK-së që të hyjë në seancë, duke propozuar si kandidate për presidente ish-deputeten dhe ish-ministren nga radhët e PDK-së, Justina Shiroka-Pula.  

Ky propozim vjen pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, refuzoi emrat e propozuar më parë, si Feride Rushiti dhe Glauk Konjufca. Kurti iu drejtua opozitës me thirrjen për bashkëpunim në Kuvend për të votuar së pari ligjin e kërkuar dhe më pas kandidaturën e Shiroka-Pulës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Continue Reading

Vendi

Rritet numri i protestuesve, protesta vazhdon në sheshin “Skënderbeu”

Published

on

By

Është shtuar numri i qytetarëve që po marrin pjesë në protestën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, ndërsa protesta po vijon përpara institucioneve të vendit.

Protesta e sotme është thirrur lidhur me kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë.

Continue Reading

lajme

Hamza e refuzon ofertën e dytë të Kurtit për presidentin dhe Specialen: Po tentohet të shndërrohet në pazar

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i është përgjigjur negativisht propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.

Në një konferencë për media, Hamza ka kritikuar qasjen e deritanishme, duke thënë se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.

Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen”, është shprehur Hamza.

Ai ka thënë se kjo çështje, sipas tij, po tentohet të përdoret për pazare politike në momentet e fundit.

“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar ai.

Hamza ka theksuar se pjesëtarë të UÇK-së janë të lidhur me subjekte të ndryshme politike, ndërsa ka akuzuar për tentim të përdorimit të kësaj çështjeje për arritjen e qëllimeve politike.

“UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se ka marrë pjesë në takime për tejkalimin e situatës, por ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike.

“Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, ka deklaruar Hamza.

Continue Reading

Lajmet

Kurti i bën propozim PDK-së: Votoni Konjufcën ose Rushitin për president, ne kalojmë ligjin për Specialen

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka shpalosur një propozim të ri politik drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me qëllim zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.

Sipas këtij propozimi, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të kalojë në lexim të dytë Projektligjin për Gjykatën Speciale, me kushtin që PDK-ja të zotohet publikisht dhe zyrtarisht se do të marrë pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në kuadër të kësaj oferte, Kurti ka përmendur dy emra konkretë si kandidatë potencialë për postin e Presidentit Glauk Konjufcen dhe Feride Rushiti

Tutje Kurti tha se i kërkon publikisht kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza që ti pergjigjet kesaj kërkese nëse duan që të shkojn tutje këto procese.

Continue Reading

Të kërkuara