Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 15 qershor 1993-1998?
Published
5 months agoon
By
UBT NewsNë rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Rreth 60 të vrarë në Deçan e rrethinë gjatë sulmeve të fundit serbe në qershor 1998
15 qershor 1993
Regjimi serb ndaloi shfaqjen “Krushqit janë të ngrirë” të Ismail Kadaresë
Drejtori i dhunshëm i Teatrit Popullor të Kosovës, Aleksandër Xhaja, ndaloi shfaqjen “Krushqit janë të ngrirë”, të punuar sipas novelës së Ismail Kadaresë. Regjinë e shfaqjes e bëri Piro Mani, kurse asistent i regjisë ishte Selman Jusufi.
Gazeta “Bujku” merr vesh se Aleksandër Xhaja, urdhërin për ndalimin e shfaqjes e dha nga Beogradi me telefon, kurse përgjegjësit e Ansamblit të Dramës shqipe pranë Teatrit Popullor të Kosovës, kërkuan kot që udhëri të jepet me shkrim.
Kundër shfaqjes “Krushqit janë të ngrirë”, shtypi serb në Prishtinë dhe në Beograd ngriti akuza të shumta e të rënda, herë duke e vënë në dyshim përmbajtjen e shfaqjes me argumente ideologjike, herë duke e sulmuar vetë emrin e Ismail Kadaresë.
“Serbët dhe malazezët e Kosovës, shkruan “Borba” e sotme, kërkuan që të ndalohet kjo shfaqjes propogandistike politike, e cila inkuadrohet në ideologjinë e përgjishme në Kosovë”.
15 qershor 1994
Kryeushtaraku serb akuzon edhe njëherë shqiptarët dhe disa vende që kinse stërvisin ushtarakisht të rinjtë shqiptarë
Momçilo Perishiq, kryeshef i Shtatmadhorisë së Jugosllavisë së vetëshpallur, në një intervistë që i dha dje televizionit serb akuzoi edhe njëherë të rinjtë shqiptarë nga Kosova për kinse aftësim ushtarak në disa shtete të huaja me qëllim të ndezjes së luftës në Kosovë.
Ai tha se të rinjtë shqiptarë nga Kosova po refuzojnë të shërbejnë në ushtrinë e Jugosllavisë së vetëshpallur, por për shkak të iluzioneve për shkëputjen e dhunshme. “Ata i dërgojnë të rinjët përmes kanaleve në qendra të ndryshme në aftësim ushtarak në vende të ndryshme. Me rastin e provimit të aftësimit të tyre dhe për shkak të futjes masovike të armëve, ata hyjnë ilegalisht në vendin tonë. Ndërsa tash, pasi pjesëtarët e njësive kufitare i pengojnë në këtë, vie deri te incidentet. Gjatë hyrjes ilegale ata përdorin armët. Dhe për fat të keq, ato incidente përfundojnë me pasoja të rënda për kalimtarët ilegalë, e bota që nuk na përkrah fare e shfrytëzon me efikasitet në propogandën e mediumeve kundër vendit tonë”, tha ai.
Gjeneral-koloneli Perishiq tha se ushtria është faktor i stabiliteit në gjithë Jugosllavinë së vetëshpallur, duke përfshirë edhe Kosovën, duke iu falënderuar edhe subjekteve të tjera dhe popullit. “Por mendoj se shqiptari i zakonshëm kurrë nuk do të përkrahte opcionin luftarak, pasi shumë qartë e sheh se çka po ndodh në hapësirat ku po përpiqen që me dhunë të zgjidhin diçka. Së dyti ata e shohin qartë se çfarë është standardi i tyre në Kosovë dhe i bashkëkombasve të tyre në Shqipëri… Shqiptarët në Kosovë jetojnë sëpaku dhjetë herë më mirë se bashkëkombasit e tyre në Shqipëri”, tha ai.
Shpifjet e kryeushtarakut serb në funksion të vazhdimit të terrorit shtetëror serb në Kosovë
Akuzat e kryeushtarakut serb kundër shqiptarëve në Kosovë dhe kundër disa shteteve që kinse i stërvisin të rinjtë shqiptarë për luftë të armatosur në Kosovë nuk janë të reja.
Gjatë vjeshtës së vitit të kaluar Beogradi bëri zhurmë të madhe dhe të gjatë rreth arrestimit të pjesëtarëve të kinse Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Për krijimin e asaj farë ministrie Beogradi akuzonte drejtues të LDK-së dhe kryetarin Rugova. Gjatë asaj kohe akuzohej edhe Republika e Shqipërisë, me funksionarët ushtarakë të së cilës gjoja kishin bashkëpunuar me të arrestuarit që torturoheshin në burgjet serbe.
Pasi askush nuk e besoi ekzistimin e asaj ministrie, Beogradi shpiku gjatë muajit shkurt ushtarët e asaj ministrie të paqenë. Në disa vende të Kosovës u arrestuan të rinj që kishin ikur nga Kosova për shkak të dhunës serbe dhe ndjekjes së ushtrisë serbe.
Të rinjtë që ishin mbajtur në një kohë në një kamp refugjatësh në Shqipëri dhe të cilët ishin kthyer në Kosovë për shkak se nuk kihsin mundur të shkonin në perëndim, u arrestuan dhe u torturuan për shumë javë nën akuzë se gjoja kishin stërvitur në një kazermë ushtarake në Shqipëri dhe se pastaj ishin kthyer në Kosovë, gjoja me detyra të caktuara ushtarake.
Gjatë prillit, duke kundërshtuar paralajëmrimin e Qeverisë së Gjermanisë për kthimin e refugjatëve shqiptarë të Kosovës, Beogradi shpiku tezën se të rinjtë shqiptarë kishin stërvitur në një ish-qendër të NATO-s në Gjermani.
Mirëpo kjo tezë u harrua shpejt, pasi u hesht për një kohë rreziku i kthimit të refugjatëve në Kosovë.
Ndërsa proceset e montuara politike kundër kinse pjesëtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe kundër kinse ushtarëve të saj – të rinjëve që u arrestuan nën pretekst se kanë stërvitur në një kazermë ushtarake në Shqipëri, zhvillohen sipas një dinamike që i duhet politikës së Beogradit.
Si edhe deri më tash Beogradi synon me këto arrestime të justifikojë terrorin e përditshëm kundër popullit shqiptar në Kosovës dhe të kompremetojë lëvizjen demokratike shqiptare të Kosovës.
Implikimi i vendeve të ndryshme në fushatat e Beogradit bëhet me qëllim të neuralizimit të angazhimit të vendeve të caktuara veç e veç ose të bashkësisë ndërkombëtare në tërësi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ose të problemeve të veçanta.
Ndërsa aktualizimi më i ri i kësaj çështjeje të shpifur nga Beogradi po bëhet përmes kryeushtarakut të saj me qëllim që në kohën e paralajmërimit të fillimit të bisedimeve të demonstrohet edhe njëherë dëshira serbe për të mbajtur të okupuar Kosovën.
15 qershor 1995
Policia plaçkiti tregun e Malishevës
Sot rreth orës 8, tregun e Malishevës dhe lokalet përreth i bllokuan një numër i madh i policëve dhe i policëve financiarë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë.
Bëhet me dije se policia disa herë deri tash ka plaçkitur mallëra në tregun e Malishevës, porse sot ky aksion ishte mjaft i rreptë.
Veç plaçkitjes së mallit në treg, policët legjitimuan dhe kontrolluan edhe të gjithë kalimtarët e rastit, disa prej të cilëve i futën në lokalet e afërme, dhe u bënë kontroll detaje, duke ua hequr edhe rrobat e trupit.
Njoftohet se në lokalin “Foto Stili” policët plaçkitën 120 DM, ndërsa një shumë më të madhe devizash plaçkitën në lokalet “Mimoza”, “Dafina”, etj., ndërsa dyshohet se nga qytetarët është plaçkitur një sasi e madhe devizash, pasi sipas dëshmive të disave prej tyre, policët ua morën madje edhe devizat në apoena të vogla, gjë që deri tash nuk ka qenë karakteristikë e aksioneve të tilla.
15 qershor 1998
Lista e 58 të vrarëve në Deçan e rrethinë gjatë sulmeve të fundit serbe
Gjatë sulmeve të fundit të forcave sernë, në Deçan e rrethinë janë vrarë: Haxhi Metë Cacaj, Nexhat S. Iberhysaj, Xajë C. Kuçi, Shyhrete Jeftaj, Beqir R. Cacaj, Sabit Kasumaj, Shaban Kasumaj, Shaqir Dobraj, Ajmane Balaj, Besart Dautaj, Hate Lataj, Teuta Loshaj, Gale Dautaj, Hamdi Dautaj, Murat Dautaj, Ajshe Loshi, Muharrem Lataj, Faik Ukëhaxhaj, Besim Ukëhaxhaj, Lavdim Likaj, Bajram Ramosaj, Adem Ukëhaxhaj, Lush Binakaj, Ismet Ukaj, Arif Mahmutdemaj, Rexhep Pavataj, Ibrahim Demaliaj, Mehmet Mahmutdemaj, Beqir Krasniqi, Raze Krasniqi, Imer Ukaj, Halit Krasniqi, Ibrahim Hamzaj, Dërvish Hamzaj, Ymer Hamzaj, Bashkim Hamzaj, Zeqë Hamzaj, Gani Hamzaj, Rifat Hamzaj, Hysen Alimehaj, Hajdar Ukshinaj, Mehmet Ukshinaj, Shkurte Tolaj, Zize Tolaj, Osman Tolaj, mysafir nga Batusha, plak (80), mysafir nga Batusha, plakë (80), Çaush Çeskaj, Avni Përgjegjaj, Lule Selmanaj, Beqir Çufaj, Jeton Dabiçaj, Ahmet Zeqi (?), Selman Dukaj, Rexhep Mazrekaj, Zoje Selmanaj, Valdet Kuçi dhe Bajram Cacaj.
You may like
Lajmet
Trump është një histori e mbaruar, këta janë tre skenarët që e presin Amerikën dhe botën
Published
6 hours agoon
November 8, 2026
Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës
Edhe pse Donald Trump ka ende pak më shumë se dy vjet të mbetura në mandatin e tij si president, rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, ku republikanët pësuan debakël, kanë hapur çështjen e trashëgimisë së tij politike, të ardhmen e Partisë Republikane dhe drejtimin që SHBA mund të merr pas largimit të tij.
Në zgjedhjet e mbajtura më 3 nëntor, republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, dhe demokratët arritën fitore në shtetet federale që kishin qenë fortesa republikane për dekada.
Për republikanët, por edhe për Amerikën dhe pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme afatgjatë është se çfarë do të ndodhë pas largimit të Trump. Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës.
Ndryshe nga republikanët tradicionalë, të cilët mbështesnin tregtinë e lirë, aleancat e forta ndërkombëtare dhe lidershipin amerikan në botë, Trump iu drejtua proteksionizmit dhe politikave që shpesh vinin në pikëpyetje marrëdhëniet e mëparshme ndërkombëtare.
Sa shumë ka ndryshuar politika amerikane tregohet nga një video nga fushata presidenciale e vitit 2008, e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale për vite me radhë. Në të, kandidati republikan John McCain mbron kundërshtarin demokrat Barack Obama nga sulmet e mbështetësve të tij.
Hulumtimi tregon gjithashtu se sa larg janë larguar ideologjikisht të dy partitë. Sipas një analize të Gallup, pjesa e republikanëve që e konsiderojnë veten konservatorë është rritur nga 58 për qind në vitin 1994 në një rekord prej 77 për qind në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, pjesa e republikanëve të moderuar ka rënë nga 33 në vetëm 18 për qind.
Gallup arrin në përfundimin se polarizimi ideologjik i partive amerikane ka arritur nivelin e tij më të lartë në të paktën tri dekada. Ky proces filloi shumë kohë para mbërritjes së Trump në skenën politike, por ngritja e tij e ka thelluar më tej atë.
Një mundësi është që Partia Republikane të vazhdojë politikat e Trump edhe pas largimit të tij. Një kurs i tillë do të nënkuptonte vazhdimin e politikave kufizuese të imigracionit, proteksionizmin ekonomik dhe mosbesimin ndaj institucioneve ndërkombëtare.
Kjo është diskutuar brenda partisë për muaj të tërë. Në shtator, zyrtarët republikanë dhe analistët konservatorë vlerësuan se partia nuk ka gjasa të kthehet thjesht në politikat e Ronald Reagan. Pyetja kryesore është se sa radikal do të ishte një Trumpizëm i tillë.
Ndërsa disa republikanë mund të përpiqen të zbusin aspektet më të diskutueshme të politikave të Trump, të tjerët mund të nxjerrin përfundimin krejt të kundërt nga humbja zgjedhore.
Analisti politik Thomas Gift pranë Kolegjit Universitar Londër, në një analizë të publikuar në faqen e internetit të London School of Economics, paralajmëron për mundësinë që disa republikanë të arrijnë në përfundimin se Trump nuk ishte mjaftueshëm radikal. Ndër pasardhësit e mundshëm që mund të tërheqin votues të tillë, ai përmend sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.
Ndarjet brenda lëvizjes MAGA nuk janë aq të thjeshta. Ndër avokatët e Trumpizmit të linjës së ashpër, ka edhe ata që kundërshtojnë ndërhyrjet ushtarake amerikane. Njëri prej tyre është Steve Bannon, ish-strategu kryesor i Trump, i cili mbështet një politikë të fortë nacionaliste dhe proteksioniste, por është fuqimisht kundër një lufte kundër Iranit.
Përveç Bannon, ky krah i lëvizjes MAGA përfshin edhe komentatorin konservator Tucker Carlson, i cili mbështet një politikë “Amerika e Para”, por kundërshton ndërhyrjet ushtarake amerikane. Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili kritikoi hapur luftën kundër Iranit pas humbjes së republikanëve, ka filluar të pozicionohet në këtë drejtim.
“Arsyeja pse humbëm është lufta”, shkroi Vance në rrjetin social X. Duke vepruar kështu, ai u distancua publikisht nga vendimi i Trump për të sulmuar Iranin, megjithëse si zëvendëspresident më parë kishte mbrojtur operacionin ushtarak amerikan.
Pas zgjedhjeve, Vance veçoi katër kërkesa nga votuesit e pakënaqur të Trump: një fund të luftës, ulja e kostos së jetesës, kthimi në politikën “Amerika e Para” dhe ndryshimi i marrëdhënies së Amerikës me Izraelin. Analiza e tij u mbështet edhe nga Donald Trump Jr., gjë që tregon se mendime të tilla kanë mbështetje edhe në një pjesë të rrethit më të ngushtë politik të Trump.
Një mundësi e tretë është që pas largimit të Trump, republikanët të përpiqen të rivendosin konservatorizmin tradicional që ka karakterizuar partinë për dekada.
Megjithatë, një kthim te republikanizmi i vjetër do të ishte kompleks sepse Trump ka ndryshuar thellësisht bazën e partisë gjatë dekadës së fundit.
Për pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme është nëse largimi i Trump do të thotë gjithashtu një kthim në politikën e jashtme amerikane të parashikueshme. Përgjigja nuk është e thjeshtë sepse disa procese, mbi të gjitha distancimi gradual amerikan nga Evropa dhe rivaliteti gjithnjë e më i theksuar me Kinën, po zhvilloheshin edhe para se ai të vinte në pushtet.
Çështja e sigurisë është veçanërisht e rëndësishme për Evropën. Edhe kthimi i republikanëve më tradicionalë ose fitorja e demokratëve nuk do të thotë domosdo rivendosjen e rolit amerikan siç e njihte kontinenti para Trump. Kjo nuk do të thotë që qëndrimi ndaj Rusisë do të mbetet i njëjtë. Kongresi Demokratik mund të mbajë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Moskës.
Marrëdhëniet me Kinën nuk do të ndryshojnë domosdo ndjeshëm. Kundërshtimi i ndikimit në rritje ekonomik dhe ushtarak të Kinës është një nga fushat e pakta të politikës amerikane për të cilën ka një marrëveshje të gjerë ndërpartiake.
Megjithatë, ekziston një problem tjetër. Trump mbetet president deri në janar 2029, dhe një humbje politike nuk do të thotë domosdo se ai do të udhëheqë një politikë të jashtme më të moderuar gjatë mandatit të mbetur.
Burimi: Kosovapress
Lajmet
Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov
Published
17 hours agoon
November 7, 2026
Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.
Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.
Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online
Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.
Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.
Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.
Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.
Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.
Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.
Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?
Published
1 day agoon
November 7, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
7 nëntor 1992
Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase
Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.
Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.
Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.
Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.
Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.
Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.
Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.
Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.
Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.
Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.
Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.
7 nëntor 1994
Represioni gjatë nëntë muajve në Istog
Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.
Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.
7 nëntor 1995
Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale
Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.
7 nëntor 1996
Dhuna e përditshme në Kosovë
Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.
- Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.
Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.
7 nëntor 1997
Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar
Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.
Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.
7 nëntor 1998
Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit
Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.
Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së.
Foto: Shkupi
Lajmet
Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT
Published
2 days agoon
November 6, 2026By
UBTNews
Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.
Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.
Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.
Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.


Trump është një histori e mbaruar, këta janë tre skenarët që e presin Amerikën dhe botën
Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?
Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT
Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh
BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë
Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë
Franco Foda publikon listën për sfidat e nëntorit: Tre emra të rinj dhe rikthimi i Elvis Rexhbeçajt te Kosova
Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë
Të kërkuara
-
Sport3 months agoTrumpi mbron Infantinon: “Do të ishte gabim i tmerrshëm nëse FIFA e zëvendëson”
-
Aktualitet3 months agoTrump konfirmon ndërrimin e fshehtë të avionit në Turqi pas kërcënimit nga SHBA-ja
-
Sport3 months agoTronditet pozita e Infantinos, shumica e federatave kundër mandatit të katërt
-
Lajmet2 months agoThaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte
