Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Ilustrim: Adem Demaçi

 1 shtator 1993

Policia serbe pengoi me forcë fillimin e vitit shkollor në Kosovë

Sot, në orën 8 të mëngjesit, ashtu siç kishte paraparë Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, rreth 350.000 nxënës shqiptarë të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës dhe arsimtarët e tyre shkuan për të hyrë në shkollat e tyre. Të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe kishin caktuar përfaqësues që do të kërkonin me shkrim që t’u lejohej hyrja nëpër objekte shkollore. Por, ata kudo u pritën nga drejtorët e instaluar serbë rrethuar nga policë e punëtorë të sigurimit serb.

Informatat e para bëjnë me dije se, ngjashëm me vitin e kaluar, pjesa më e madhe e nxënësve dhe arsimtarëve të shkollave fillore u lejuan të hyjnë në objektet e tyre shkollore.

Mbi 60.000 nxënës shqiptarë të shkollave të mesme u penguan me polici që të hyjnë në objektet e tyre shkollore.

Nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë u përpoqën që të hynin nëpër shkolla, por kudo në hyrje të objekteve qëndronin forca të mëdha policore të sigurimit serb.

Policia serbe pengoi hyrjen e nxënësve në të gjitha shkollat e mesme të Mitrovicës. Policët pasi legjitimuan profesorët e t e Qendrës Shkollore Teknike i fyen ata e pastaj arrestuan drejtorin Shemsedin Koshi, si dhe profesorët dhe pedagogët e kësaj shkolle, Nysret Ibishi, Ali Topalli, Latif Hajrizi dhe Besim Xërxa.

Në Prishtinë, të gjitha shkollat e mesme ishin të bllokuara nga forca të shumta policore, të cilat penguan nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë të hyjnë në objektet e tyre.

Në Podujevë dy shkollat e mesme të qytetit, policët serbë penguan hyrjen e nxënësve dhe profesorëve shqiptarë. Bëhet e ditur se në këtë qytet gjendja është shumë e tendosur, pasi forca të mëdha të policisë kanë bllokuar dhe kontrollojnë qytetarët e shkollarët në rrugët kryesore.

Në Klinë, para orës 7 të mëngjesit, forca të mëdha të policisë serbe kishin bllokuar shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”. Pasi shpërndanë nxënësit, policët filluan të rrahnin qytetarët. Bëhet e ditur se profesorët Ramadan Krasniqi dhe Muhamet Maloku janë rrahur dhe arrestuar.

Në shkollën e mesme të Kijevës, komuna e Malishevës, policë serbë rrahën rëndë Sejdi Racin, mësimdhënës.

Në Lipjan, derisa po shkonin në shkollën e mesme, policia ndaloi mësimdhënësit Fatmir Sopën, Bahri Pllanën dhe Ali Sopën, të cilët u morën në pyetje, ndërsa u arrestuan drejtori Ruzhdi Hajdini dhe zëvendësdrejtori Adil Rashiti.

Merret vesh se edhe në qendrat e tjera të Kosovës situata është e njëjtë.

Regjimi serb ka kushtëzuar hyrjen e nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë në objektet shkollore me pranimin e planprogrameve shkollore dhe të shtetit serb.

Para shkollës së mesme “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri qysh në orën 8 nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë u tubuan dhe tentuan të hyjnë në shkollën e tyre. Policë të shumtë të armatosur i detyruan të kthehen.

 

1 shtator 1994

Filloi viti i ri shkollor

Sot filloi viti i ri shkollor në shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës.

Në bazë të njoftimeve të deritashme, procesi mësimor filloi ashtu siç ishte paraparë. Siç dihet nxënësit e shkollave fillore kryesisht ndjekin mësimet në lokalet e shkollave, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme në lokale private.

Ditëve të fundit janë dhënë njoftime se janë siguruar pjesa më e madhe e lokaleve dhe se lokalet për mësim janë meremetuar dhe përgatitur për proces mësimor.

Mirëpo edhe fillimi i këtij viti shkollor nuk kaloi pa ndërhyrje të policisë serbe.

Gjatë ditës pati njoftime për ndërhyrje të policisë serbe në shkollat e Mitrovicës dhe për vëzhgime policore të disa shkollave të tjera në vende të ndryshme të Kosovës.

 

Policia ndërhyri në disa shkolla në Mitrovicë

Në të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme në Mitrovicë filloi viti i ri shkollor 1994-1995. Por, fatkeqësisht, menjëherë në orët e para të mësimit policia shkoi në të gjitha shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Kështu, në shkollën fillore “Ibrahim Pervizi”, ku mësimet i zhvillon edhe shkolla e mesme e mjekësisë “Xheladin Deda”, sapo filloi mësimi në orën 7, shkuan tetë plicë të armatosur gjer në dhëmbë, të cilët i urdhëruan arsimtarët që t’i nxjerrin të gjithë nxënësit nga shkolla. Policia me këtë rast arrestoi drejtorin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, Shefqet Beqirin. Policët shkuan edhe në shkollën fillore “A.Shabani” ku legjitimuan drejtorin Shefqet Pllana nga i cili u interesuan kur duhet të fillojë mësimi në Shkollën e Mesme Ekonomike.

Policia ishte edhe në shkollën fillore “Migjeni” të Mitrovicës, në të mësojnë nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi”.

Në këto tri shkolla fillore të Mitrovicës i ndjekin mësimet të pesë shkollat e mesme që janë në Mitrovicë: shkolla e mjekësisë “Xheladin Deda”, gjimnazi “Frang Bardhi”, teknike “Arkitekt Sinani”, shkolla tjetër e mesme teknike “Trepça” dhe ajo ekonomike “Hasan Prishtina”.

 

 

 

1 shtator 1995

Serbët përballë konfrontimit total me NATO-n

Intervenimi ajror i NATO-s kundër serbëve të Bosnjës, në opinionin, në masmediat dhe në politikën zyrtare, ka hasur në mbështetje të plotë.

Lajmet për bombardimin e pozicioneve ushtarake të serbëve të Bosnjës u transmetuan në fillim të informacioneve ditore dhe u shoqëruan me vështrime e komente nga polikanë dhe ekspertë të ndryshëm gjerman dhe të jashtëm.

Të gjitha partitë politike të përfaqësura në Bundestag, përshëndetën intervenimin e NATO-s, me arsyetim se serbët duhet të kuptojnë se nuk ka zgjidhje të konflikteve përmes faktorit ushtarak, sepse me në fund, kjo do të shpiente serbët në konfrontim me forcën ushtarake të NATO-s, siç po ndodh në të vërtetë.

Ky është edhe mesazhi i kancelarit Kol, i cili gjatë këtyre ditëve shpesh e ka përsëritur formulën gjermane se nuk mund të pranohet në ish-Jugosllavi zgjidhja që diktohet nga forca ushtarake. Ai këtë dje e potencoi edhe në Mynster në një ceremoni me rastin e formimit të korpusit të përbashkët ushtarak gjermano-holandez.

Qeveria gjermane, në vlerësimin e saj zyrtar, intervenimin e NATO-s e quajti si “përgjegje adekuate ndaj masakrës barbare kundër popullsisë civile të Sarajevës”, njofton “Suddeutsche Zeitung”.

Zëdhënësi i Qeverisë Gjermane, Peter Hausman, duke e komentuar intervenimin e NATO-s kundër serbëve, deklaroi se ai që përpiqet që me terror të pengojë procesine  sapo mëkëmbur të bisedimeve për zgjidhjen paqësore në ish-Jugosllavi, duhet të llogarisë në reaksione adekuate të bashkësisë ndërkombëtare.

Vlerësimi i përgjithshëm i komentatorëve gjermanë është fakti se që nga themelimi i Aleancës Perëndimore, për herë të parë NATO ka marrë pjesë në një intervenim serioz ushtarak.

“Die Welt” në komentin e faqes së parë, vlerëson se pas rënies së Krainës dhe intervenimit të djeshëm të NATO-s, në Ballkan është krijuar një situatë e re, në të cilën serbët janë duke humbur rolin e tyre mbretërues.

NATO dhe OKB-ja i kanë bërë me dije kreut të Pales përmes aksionit të djeshëm luftarak se lufta po u ofrohet të dyert e shtëpisë së tyre, ku vitkima nuk do të ketë më vetëm në Sarajevë por edhe te serbët e Palës, shkruan kjo gazetë.

“Frankfurter Allgemeine” duke komentuar ngjarjet e djeshme në Bosnjë, shkruan se intervenimi ushtarak i NATO-s në Bosnjë mund të ndikonte te Millosheviqi, për t’i bërë atij të qartë se nuk do të pranohen rezultatet e politikës së tij pushtuese për Serbinë e Madhe dhe se nëse Millosheviqi vazhdon të furnizojë si deri më tash serbët e Bosnjës me material ushtarak, në Perëndim do të rritet mosdurimi ndaj Serbisë.

Analitikët e këtushëm, të cilët mbrojnë pikëpamjen se NATO ka hyrë në luftë për t’i bindur me dhunë ushtarake serbët për t’u kthyer në bisedime paqësore. Citohet deklarata e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Vili Klas se “sulmet do të përfundojnë vetëm kur serbët do të ndryshojnë”.

Disa analitikë gjermanë, në vështrimet e tyre nuk përjashtojnë mundësinë e implikimit të NATO-s në luftë të përgjithshme me serbët. Eksperti për çështje të Lindjes, ish-këshilltari i kancelarit Brant, Egon Bahr, duke komentuar bombardimin e serbëve nga ana e NATO-s, ka theksuar se “gjatë dy-tre ditëve të ardhshme, Perëndimi gjendet në afërsi të linjës së implikimit në një luftë të vërtetë”.

Përpos Rusisë edhe Greqisë, asnjë vend tjetër nuk ka kundërshtuar bombardimin e pozicioneve serbe në Bosnjë, ku ishin të angazhuar 60 aeroplanë luftarak, të cilët goditën 90 pika ushtarake të serbëve.

 

 

1 shtator 1997

Fillim i mirë i vitit të ri shkollor

Rreth 270 mijë nxënës të shkollave fillore dhe 60 mijë të shkollave të mesme dhe arsimtarët të tyre filluan sot vitin e ri shkollor në Republikën e Kosovës. Për herë të parë në bankat e shkollës fillore sivjet mësojnë rreth 40 mijë nxënës, kurse në klasën e parë të shkollës së mesme janë regjistruar rreth 21 mijë nxënës.

Procesi mësimor, ashtu siç ishte paraparë filloi në lokalet shkollore dhe në shtëpitë private të shndërruara në shkolla. Përfaqësuesit e institucioneve të arsimit në Kosovë kanë deklaruar se janë bërë përgatitje të mira për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Policia serbe mbajti nën mbikëqyrje sot disa shkolla fillore e të mesme.

Kështu, policia ishte e pranishme në zyrat e shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë.

Nga Deçani bëhet me dije se sot në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, para se të fillonte mësimi, policia serbe u interesua për fillimin e mësimit në këtë shkollë. Policia pyeti se a ka filluar mësimi në shkollën e mesme të kësaj komune.

Po sot drejtori i dhunshëm serb i kësasj shkolle, të cilës administrata okupuese serbe i ka vënë emrin “Stefan Deçanksi” vendosi një tabelë me këtë emërtim edhe në shkollën fillore “Minatorët e Trepçës” në Rastavicë. Kjo shkollë nga pushteti serb konsiderohet paralele e ndarë e shkollës fillore të Deçanit.

Në Vushtrri, në orën 7 të mëngjesit, policia ishte në lokalet e dy shkollave fillore, në SHF “Ali Kelmendi” dhe në atë “Zija Prishtina”.

Dr. Zejnullah Rrahmani, këshilltar për arsim i kryetarit Rugova vlerësoi se viti i ri shkollor në shkollat fillore e të mesme filloi ashtu siç ishte paraparë.

Në një deklaratë për QIK-un ai çmoi punën e madhe të shkollave, arsimtarëve, nxënësve, prindërve e institucioneve të Kosovës për organizimin sa më të mirë me qëllim që ky vit shkollor të fillojë së më mirë. Në emër të presidencës së Republikës, ai u uroi nxënësve e arsimtarëve vitin e ri shkollor dhe kthim në lokalet shkollore.

Duke komentuar nismat e ndryshme për kthimin e procesit të mësimit në lokalin shkollor, dr. Rrahmani shfaqi shpresën se ky kthim do të bëhet në kuadër të marrëveshjes Rugova – Millosheviq të vitit të kaluar. Mirëpo, në rast se pala serbe vazhdon me obstruksione, do të përdoren edhe mënyra të tjera të presionit për të realizuar të drejtën e ligjshme të shkollës shqipe për t’u kthyer në lokalet e hapësirën e vet.

Dr. Agim Hyseni, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Shkencës e Kulturës i tha QIK-ut se, duke u bazuar në informacionet e deritashme, viti i ri shkollor filloi mbarë.

Edhe ky fillim në kushtet e okupimit e diskriminimit shtetëror serb flet për mbajtjen e sistemit të pavarur të arsimit shqip në Kosovë për shtatë vite shkollore me radhë duke u bërë kështu sistemi më i madh i pavarur në Kosovë. Ky është një shembull unik i mbijetesës së arsimit në botë.

Fakti se arsimin e mbajnë arsimtarët, përkujton ndërgjegjen e secilit dhe të gjithëve së bashku që të pyetemi se ç’kemi bërë ne për arsimin?! Dr. Hyseni tha se duhet të përpiqemi të bëjmë atë që duhet bërë në bazë të marrëveshjes, deklarimit e vendimit dhe që që këto përpjekje tona t’i artikullojmë e realizojmë në mënyrë sa më të organizuar kudo që kemi mundësi.

Duke komentuar situatën në arsimin e Kosovës, dr. Hyseni tha se për zgjidhjen funksionale të problemeve të çështjeve të arsimit në Kosovë çështje madhore mbetet marrja e vendimeve të institucionit kompetent për ardhjen e ministrit të arsimit të Republikës së Kosovës në vend apo emërimin e kompletimin e ministrisë këtu si dhe të marrjes së qëndrimeve për problemet e tjera të arsimit. Në këtë drejtim duhet të angazhohen me një përkushtim dhe vendosmëri të gjitha subjektet arsimore si dhe të gjitha institucionet politike e shtetërore që punonjësve të arsimit t’u sigurohet së paku minimumi ekzistencial dhe ky minimum së paku t’u ipet me kohë.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës e Kulturës tha se rikthimi i pa kusht i nxënësve dhe studentëve në objektet tona shkollore e universitare dhe koordinimi i tij, nëse marrëveshja për arsim nuk realizohet, është obligim i përbashkët i të gjitha subjekteve e asociacioneve tona politike dhe jopolitike.

 

1 shtator 1998

Shpërthime në Tusus të Prizrenit, nën bllokadë rrugët Prizren -kufi, Zhur – Prizren dhe Dragash – Prizren

Policia u ka dhënë ultimatum banorëve që t’i dorëzojnë armët deri në orën 12 dhe është kërcënuar se pas kësaj kohe do të sulmojë

Sot rreth orës 7:30, janë dëgjuar dy shpërthime të fuqishme dhe pastaj gjuatje me armë afër lagjes Tusus të Prizrenit dhe nga fshtatrat e Vërrinit, që gjenden në anën e majtë të rrugës Prizren – Shqipëri, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Menjëherë pas shpërthimeve, në lagjen Tusus kanë shkuar 30 automjete të policisë serbe, ndërsa po mbahet nën bllokadë rruga Prizren – Zhur dhe spitali i qytetit.

Nga Zhuri njoftohet se forcat serbe kanë ndaluar qarkullimet e autobusëve e të veturave prej Opojës në drejtim të Prizrenit.

Nga Dega e LDK-së në Prizren, duke iu referuar disa dëshmitarëve, njoftohet se policia ka kërkuar nga pjesa ku janë dëgjuar sot shpërthimet që të dorëzojnë armët deri në orën 12:00. Forcat serbe janë kërcënuar se në rast se kjo pjesë nuk i dorëzon armët, policia do të sulmojë. Nga frika prej sulmit, një pjesë e popullsisë ka filluar të largohet nga shtëpitë.

 

Konferencë për shtyp e përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçi

Adem Demaçi, përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbajti një konferencë për gazetarë në Presidencën e Republikës së Kosovës.

Ai falënderoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe presidentin Rugova për mirëkuptimin e treguar që takimet me gazetarë t’i mbajë në këtë ndërtesë.

Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije të gjithë atyre që kanë shpresë e iluzione se ne jemi në njëfarë lufte me presidentin, se ne nuk jemi në luftë as nuk do të luftojmë me presidentin, por me regjimin serb, tha në fillim z. Demaçi.

Në vazhdim ai tha se dallimet me presidentin Rugova do të tejkalohen me kalimin e kohës. Do të gjejmë mënyra për të vepruar në të mirë të të gjithëve në Kosovë dhe në të mirën e popujve që i kemi përreth dhe kudo në botë.

Në vazhdim z. Demaçi foli për rastin e Kleçkës. Disa të dhëna të reja dëshmojnë se regjimi serb u përpoq të inskenojë diçka në mënyrë që ta kthejë opinionin publik kundër shqiptarëve. Mirëpo djali i axhës së “dëshmitarëve” që pohojnë se gjoja pjesëtarët e UÇK-së kanë bërë krim, Mevludin Mazreku, pohon se ata nuk kanë qenë kurrë ushtarë të askujt dhe se në asnjë mënyrë nuk ishin të lidhur me ngjarjet që propagandohen nga hegjemonizmi serb.

Gjithë këtë regjimi serb e ka bërë me qëllim që ta mashtrojë opinionin e vet publik, popullin e ndershëm, popullin mik serb, i cili për çdo ditë e më shumë po e sheh se lufta që po bëhet në Kosovë nuk është luftë e tij, konstatoi Demaçi.

  1. Demaçi tha në konferencën për gazetarë se lufta në Kosovë nuk ka karakter ndëretnik dhe nuk është luftë e shqiptarëve kundër serbëve, por është luftë kundër një regjimi, i cili edhe popullit të vet i solli vetëm fatkeqësi, duke u përpjekur që mbi gjithë popujt joserbë të vendosë hegjemoninë serbe.

Mënyra se si është plasuar njoftimi për gjoja rastin e Kleçkës dëshmon se regjimi serb është përpjekur që edhe opinionin ndërkombëtar ta kthejë kundër shqiptarëve, në mënyrë që të ndërmarrë një ofensivë edhe më shkatërruese kundër popullit shqiptar të Kosovës, me motivacion se po lufton UÇK-në. Ne jemi të bindur se këto përpjekje janë të kota, sikundër që ishin të këtilla edhe përpjekjet e po këtij regjimi në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci. Pavarësisht se jemi të bindur se ky nuk është krim që e kanë bërë shqiptarët, ne i thërrasim ekspertët ndërkombëtarë, të cilët i kemi ftuar edhe më parë, që të vijnë dhe të hulumtojnë rastet që nga Prekazi, Likoshani, Pokleku, Qirezi e shumë të tjera, në mënyrë që të ndriçohet e gjithë e vërteta materiale për krimet në Kosovë.

  1. Demaçi shprehu bindjen se me këtë hap regjimi serb ka bërë përpjekje për të dalë nga kurthi, të cilin e ka ngritur vet, mirëpo e ka futur veten në një rrugë të parrugëdalje, sepse askush në botë nuk është i gatshëm që të hulumtojë vetëm rastin e Kleçkës, por edhe të gjitha pikat tjera ku janë bërë krime.

Në vazhdim Demaçi i njoftoi gazetarët për takimin e tij me përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe për bisedën që kishte patur me z. Krasniqi për njerëzit që konsiderohen të humbur dhe të kidnapuar, si serbë, ashtu edhe shqiptarë. Ai tha se ka insistuar që Shtabi i Përgjithshëm të bëjë inspektime e hulumtime nëpër shtabe lokale mos ndoshta ndonjë individ i përfshirë nga mllefi, nga dëshprimi apo nga dhimbja për vrasjet e humbjen e të afërmëve të vet ka bërë diçka që është në kundërshtim me qëndrimin bazë dhe me frymën e luftës së UÇK-së, e cila nuk dëshiron të krijojë armiqë dhe të përdorë metoda të ndyera, siç përdorë regjimi serb. Përmes zotit Krasniqi më është premtuar se do të bëjmë gjithë ç’është e mundur dhe do të më kthejnë pas një kohe përgjigje lidhur me këtë.

Z.Demaçi nuk deshi të fliste më gjerësisht për viktimat e shumta të dhunës të forcave policore serbe, për të cilat, siç tha ai, nuk bëri askush asgjë por kaluan në heshtje, por përmendi shifrat e KMDLNJ-së sipas të cilave deri sot ka prova për vrasjen e 702 shqiptarëve dhe për mbi 600 njerëz që konsiderohen të zhdukur.

Në vazhdim gazetarët shtruan disa pyetje.

– A mund të jetë hapi i ardhshëm i afrimit me Rugovën krijimi i institucioneve të Kosovës ku do të përfshiheshit edhe ju si i autorizuar i UÇK-së, pyeti korrespondenti i ATSH-së?

  1. Demaçi tha se gjërat që janë ngatërruar një kohë të gjatë nuk mund të rrafshohen për një kohë të shkurtër. Ai tha se ka disa dallime vetëm deri në atë shkallë, sa që ne nuk besojmë se vetëm me mjete paqësore, sikurse është vepruar deri tash, është e mundur të detyrohet regjimi serb që të heqë dorë nga qëllimi i tij për të dominuar, për të diskriminuar dhe për të shkatërruar popullin shqiptar. Nëse zoti Rugova me stafin dhe ithtarët e tij do të jetë në gjendje ta bindë regjimin serb që të heqë dorë nga dëshira e tij që edhe më tutje ta mbajë nën robëri popullin shqiptar dhe të pajtohet me faktin se populli shqiptar duhet të vendosë vetë për fatin e tij, dhe nëse zoti Rugova do të jetë në gjendje t’i bindë edhe miqtë tanë amerikanë dhe evropianë që ta përkrahin dhe ndihmojnë efektivisht e jo vetëm duke shprehur brengosje dhe ta përkrahin popullin shqiptar, duke e detyruar regjimin serb të marrë parasysh vullnetin politik të popullit shqiptar i cili është deklaruar për pavarësi në Referendumin e vitit 1991, ne do ta përshëndesim zotin Rugova, do të jemi prapa tij dhe nuk do ta kundërshtojmë atë. Por, në qoftë se do të tregohet se kjo rrugë është e pasuksesshme, ne nuk do të mund të pajtohemi. Por, këtu jemi që të ndihmojmë që duke përdorur të dyja metodat të arrijmë deri në fitore.
  2. Demaçi shprehu keqradhje pse bota nuk na shpërbleu për politikën paqësore, por përkundrazi, po përpiqet të na çojë në njëfarë autonomie, e cila nuk mund të pranohet më nga populli shqiptar.

Vullneti i popullit tonë për liri e pavarësi dhe për të qenë pjesë e botës së civilizuar shprehet tash në dy forma: në gatishmërinë që me mjete paqësore e demokratike dhe me negociata të gjendet zgjidhje adekuate që do të ishte në të mirën e shqiptarëve, por edhe të serbëve e malazezve e të popujve tjerë që jetojnë në Kosovë, si dhe të popullit serb dhe të popujve tjerë; dhe në formën të cilën ne nuk e dëshirojmë, por vjen si përgjigje ndaj dhunës së vazhdueshme të regjimit serb. Demaçi tha se populli shqiptar ka dhënë prova të shumta se është i vendosur të qëndrojë prapa vullnetit të vet politik për liri e pavarësi. Ai shtoi se nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk flasin me një zë, sepse të gjithë i njohin rezultatet e Referendumit të vitit 1991.

Në pyetjen se a mund të pritet që argumentet tuaja t’i paraqitni edhe në ekipin negociator për bisedime me Beogradin, z.Demaçi tha se derisa të vazhdojë dhuna dhe terrori serb mbi shqiptarët në Kosovë dhe derisa regjimi serb të mos i tërheqë të gjitha forcat që kanë bërë gjithë këtë plojë e gjithë këto mizori, derisa të mos i thërrasë në përgjegjësi penale të gjithë ata që janë involvuar në këtë gjakderdhje të madhe dhe të jetë i gatshëm t’ua kompensojë shqiptarëve të gjitha dëmet e shkaktuara materiale gjatë aksioneve të veta, dhe derisa të mos e pranojë gatishmërinë për negociata brenda suazave të deklarimit të popullit të Kosovës në Referendumin e shtatorit të vitit 1991, ne mendojmë se negociatat shkojnë në favor të zgjatjes së agonisë së popullit shqiptar dhe të agonisë së popullit serb, si dhe në favor të jetës së vet regjimit serb, i cili është shkaktar i krizës dhe thellues i saj.

Ne mendojmë se nuk është mirë që të hyjmë në bisedime në këto rrethana, sepse do ta shfajësonim regjimin serb dhe Milosheviqin, si dhe do t’i jepeshin atij mundësi që para botës të deklarojë se gjoja është për negociata, ndërsa në të njëjtën kohë të vazhdojë shkatërrimin e shqiptarëve dhe të pasurisë së tyre. Ky do të ishte një gabim i njëjtë të cilin e bënë boshnjakët.

Për këtë arsye ne nuk mendojmë që të marrim pjesë në këtë ekip, ashtu si është sajuar dhe as në përpjekjet që të gjendet një zgjidhje jo e drejtë, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet tjera të gazetarëve, z. Demaçi tha se deklaratat e UÇK-së për bashkimn kombëtar janë dhënë në kohën ajo ka qenë një organizatë e vogël dhe shprehnin më shumë dëshirën sesa politikën reale. Ai tha se forcat politike në Kosovë janë të gjitha të angazhuara e të bashkuara, si ata që përpiqen në mënyrë paqësore, ashtu edhe ata që përpiqen me mjete të tjera dhe kjo do të çojë patjetër deri në fitore. Kjo është ardhmëria jonë dhe ajo mbështetet nga populli shqiptar, i gatshëm që metodën e dhunës ta lërë mënjanë, sepse metoda e jodhunës është gjithmonë më e mirë.

I lutur që të shpjegojë një deklaratë të tij të mëhershme se UÇK-ja do ta ndërrojë strategjinë e veprimit, z.Demaçi u përgjigj:

– Për fat të keq, për shkak të kësaj deklarate kanë dalë disa avokatë dhe kanë kërkuar arrestimin tim, në vend se të më merrnin në mbrojtje. Pasi përshkroi rrugën e zhvillimit të deritashëm të UÇK-së, z. Demaçi tha se për UÇK-në nuk ka rrugë tjetër përveç kalimit përsëri në një luftë guerile.

Unë nuk komandoj me UÇK-në, as ata nuk komandojnë me veprimin tim politik. Ne kemi një bashkëpunim sikurse dy anët e një vullneti të shprehur politik të popullit që përpiqet për realizimin e vullnetit të tij. Ata e bëjnë punën e tyre, unë punën time. Kemi marrëveshjen që lufta jonë nuk guxon të jetë luftë shoviniste, as luftë ndëretnike. Lufta jonë është luftë për liri e për barazi, theksoi mes tjerash z. Demaçi në këtë konferencë për gazetarë.

 

Mbrëmë në Rusinoc të Lipjanit forcat serbe vranë 4 dhe plagosën 7 shqiptarë

Mbrëmë në orën 20:45, forcat serbe granatuan fshatin Rusinoc të Lipjanit dhe vranë 4 shqiptarë dhe plagosën 7 të tjerë, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.

Njoftohet se forcat serbe kanë vrarë Besim Ahmet Osmanin (20) e Hajrije Ahmet Osmanin (64) nga Fushtica e Ulët e Gllogocit dhe Abdyl Rexhep Sinanin (37) dhe Ganimet Rexhep Sinanin (27) nga Rusinoci i Lipjanit.

Bëhet e ditur se forcat serbe kanë plagosur Lutfi Osman Nezirin (17) nga Fushtica e Ulët e Gllogocit, Liman Rexhep Sinanin (60) nga Rusinoci, Afrim Liman Sinanin (33) nga Rusinoci, Mentor Liman Sinanin (18) nga Rusinoci, Fatime Sinanin (60) nga Rusinoci, Lumnije Sinanin (24) nga Rusinoci dhe Halit Hysen Shurdiqin (23) nga Rusinoci.

 

Gllogoc: Një i vrarë, një i plagosur dhe disa të vdekur për shkak të kushteve të rënda të jetës në male

Më 27 gusht forcat serbe kanë vrarë Saratishe Mulakun (23) nga Komorani, ndërsa më 29 gusht, në Nekoc është plagosur Sabit Halil Zogu (22) nga Komorani, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.

Njoftohet edhe për disa të plagosur, por emrat e as numri i tyre nuk dihen për shkak të lëvizjeve të mëdha të popullsisë nga një vend në tjetrin.

Më 28 gusht forcat serbe kanë djegur disa shtëpi në Fushticë të Ulët, në lagjen Bahtiari dhe Mehaj, ndërsa policia ka djegur edhe mullirin elektrik në Komoran.

Në malet rreth Nekocit tash më shumë se dhjetë ditë janë një numër i madh banorësh, të cilët jetojnë në kushte shumë të rënda. Atyre u nevojitet ndihmë urgjente në ushqim dhe në medikamante, pasi në mesin e tyre ka fëmijë të sëmurë dhe gra shtatzëna.

Si pasojë e kushteve të rënda të jetës dhe në mungesë të ilaçeve vdiqën Zelë Murseli (70) nga Nekoci dhe Naile Haradini (9) nga Fushtica e Epërme e Gllogocit. Po kështu, ka vdekur edhe foshnja tremuajshe Ismet Izet Rrusta nga Nekoci.

KI i Degës së LDK-së në Gllogoc njofotn se dje forcat serbe kanë shtirë me armë në drejtim të Nekocit dhe Kizharekës, ndërkohë që Fushtica e Ulët u dogj tërësisht gjatë natës, sikur dhe lagjja Zogu e Komoranit nga e cila ka dalë tym e flakë tërë kohën.

 

Tre trupa të pajetë tash një muaj nuk kanë mundur të identifikohen e të varrosen

Që nga 25 korriku, në livadhet në afërsi të Arllatit ndodhen trupat e pajetë të tre shqiptarëve, të cilët nuk kanë mundur të tërhiqen nga aty për shkak të rrethimit të plotë nga forcat serbe. Supozohet se këta trupa të pajetë janë të Hysen Ahmet Bujupit, i moshës 60-65 vjeç, Hysen Met Bujupit, i moshës 30-35 vjeç dhe të Mujë Alush Bujupi, 65 vjeç, të gjithë nga Arllati i Gllogocit.

Përpjekjet për t’i nxjerrë nga ai vend nuk kanë pasur sukses deri tani, për shkak se në afërsi ka edhe shumë kafshë të vrara, që janë bërë pre e qenve, të cilët lehin sapo dikush tenton të afrohet, kështu që policët serbë shtijnë vazhdimisht.

I bëhet apel Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të mundësojë identifikimin e saktë dhe varrimin e këtyre trupave.

Po nga 25 korriku nuk dihet as për fatin e Sinan Ukë Morinës (40) nga Arllati.

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Kosova s’duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt BE-së

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik.

Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, duke thënë se kjo mund të inkurajojë, sipas tij, aktorët destabilizues në rajon.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti ka akuzuar Serbinë për mbrojtjen e personave të dyshuar apo dënuar për krime lufte, si dhe për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përmendur gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të të drejtave të tyre./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku në Banjskë

Published

on

Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës, në fshatin Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut për heroin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Para ceremonisë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të një grupi të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në kuadër të aktiviteteve për trevjetorin e rënies së tij, institucionet e Kosovës kanë nderuar kujtimin e Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

24 shtator 1993

 

Debat për Kosovën në Bundestagun Gjerman

 

Bashkëpunëtori ynë i rregullt nga Gjermania, Islam Spahiu, na njofton se mjetet gjermane të informimit njoftojnë për një debat që u zhvillua rreth Kosovës në Bundestagun Gjerman, që filloi dje pasdite. Në debatin për situatën në ish-Jugosllavi në mënyrë të veçantë u shqyrtua situata në Kraoci, Bosnjë dhe në Kosovë. Referues i parë në këtë debat ishte ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Klaus Kinkel, kurse në këtë seancë mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Volker Ryhe.

Ministri Kinkel theksoi se që nga fillimi i luftës në ish-Jugosllavi, Gjermania është përpjekur për të ndikuar në parandalimin e dhunës dhe ka kontribuuar në dhënien e një sasie të madhe të ndihmave financiare të karakterit humanitar për popullsinë e rrezikuar nga lufta.

Duke folur për Kosovën dhe gjendjen e rëndë të shqiptarëve, Klaus Kinkel tha se “Serbia nuk mund t’ua mohojë shqiptarëve në Kosovë atë që ajo e kërkon për serbët në Bosnjë dhe në Kroaci”. Zgjidhja e çështjes së Kosovës, sipas Kinkelit, po bëhet gjithnjë e më urgjente. Për të qenë paqësore kjo zgjidhje, duhet të bëhet rivendosja e autonomisë sa më të gjerë për Kosovën, tha Kinkel.

Njëherësh, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë u angazhua për kodifikimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Sanxhak dhe në Vojvodinë.

Klaus Kinkel tha se është në interes të të ardhmes së tërë rajonit të Ballkanit mënjanimi i potencialit ushtarak shumëdimensional të Serbisë, si faktor kërcënues në rajon.

Duke marrë pjesë në debatin në Bundestagun Gjerman për Kosovën, Peter Gloc theksoi se derisa ne po flasim për luftën në Bosnjë dhe në Kroaci, situata në Kosovë ka arritur në atë shkallë të ashpërsimit, saqë në çdo moment mund të pritet shpërthimi i një lufte të re, luftë kjo që do të kishte primesa të zgjerimit të saj në tërë Ballkanit. Po ashtu kjo luftë eventuale do ta sillte shkatërrimin e krahut jugor të NATO-s për shkak të mundësisë së pjesëmarrjes së Turqisë dhe të Greqisë. Peter Gloc u angazhua që Qeveria e Gjermanisë të intensifikojë përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e trupave të OKB-së në Kosovë dhe kjo t’i ofrohet Serbisë si kompromis për t’ia hequr embargon në barëra.

Deputeti Peter Gloc po ashtu u angazhua që Qeveria Gjermane ta ftojë për vizitë zyrtare në Bon presidentin e Kosovës Rugova dhe me te të zhvillohen bisedime për hapa të mëtejmë rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Duke bërë fjalë për Rugovën, Peter Gloc shprehu konsiderata të larta për personalitetin e tij dhe për politikën që po udhëheq presidenti Rugova.

Dr.Ibrahim Rugova, theksoi përfaqësuesi i SPD-së në Bundestagun Gjerman, Peter Gloc, është politikani dhe demokrati më autentik i shqiptarëve të Kosovës. Ai ishte i mendimit se me qëllim të evitimit të luftës në Kosovë, asaj duhet t’i kthehet gjendja e mëparshme kushtetuese.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagun Gjerman, Hans Shterken, duke u përgjigjur në kërkesën e Glocit për vendosjen e helmetkaltërve në Kosovë, dhe për ftesën drejtuar Rugovës që të vizitojë zyrtarisht Bonin, theksoi se gjatë takimit me Butros Galin kemi kërkuar vendosjen e forcave të OKB-së në Kosovë dhe këtë do ta kërkojmë prapë. Mirëpo, sipas Shterkenit, Gali e ka kundërshtuar këtë kërkesë gjermane, duke u arsyetuar me faktin se kinse Serbia nuk pranon një gjë të tillë, sepse Kosovën e trajton si çështje të saj të brendshme. Për këtë çështje jemi duke biseduar edhe me francezët, pohoi Franc Shterken, i cili me këtë rast i njoftoi parlamentarët gjermanë se presidenti Rugova është pritur të vij në Gjermani javën e ardhshme. Shterken i njoftoi parlamentarët se për situatën në Kosovë dhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në Bundestagun Gjerman do të organizohen edhe seanca të veçanta, kurse diskutimi i mbrëmshëm ishte vetëm fillimi i asaj që së shpejti do të konkretizohet me propozime konkrete.

Deputeti i CDU-së, parti kjo në pushtet, Kristian Shmit, vlerësoi se nuk ka paqe në Kosovë pa intervenimin ndërkombëtar kundër Serbisë dhe, sipas tij, heqja e autonomisë së Kosovës, e cila u bë me dhunë, shënon kapitullin më të errët në Evropën e sotme.

Një raport të gjerë rreth punimeve të Bundestagut Gjerman dhe diskutimeve përkitazi me Kosovën mbrëmë e transmetoi edhe “Dojçe Vele” në gjuhën shqipe.

 

 

24 shtator 1994

 

Jugosllavia e vetëshpallur akuzon shqiptarët për destabilizim të rajonit

 

Qeveria e Jugosllavisë së vetëshpallur, njofton Tanjugu, shpalli dje një komunikatë, në të cilën akuzon Shqipërinë dhe popullin shqiptar, duke i cilësuar këta si faktor të destabilizimit të rajonit.

Jugosllavia e vetëshpallur ia tërheq vërejtjen opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare përmes kësaj komunikate për inkuadrimin e Shqipërisë në fushatën kundër Beogradit. “Kjo sidomos u shpreh në letrën e Sali Berishës shefave të shteteve ose të qeverive të vendeve, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe UE-së, lidhur me ashpërsimin e marrëdhënieve greko – shqiptare. Presidenti shqiptar, në fjalimin e vet në Gjirokastër, më 18 shtator, përsëriti sulmet e pabaza, të konstuktuara kundër Serbisë dhe popullit serb. Në këtë mënyrë presidenti Berisha, edhe personalisht u kyq në fushatën e anëtarëve të qeverisë së vet, të cilët, po fabrikojnë akuza për gjoja strategjinë e koordinuar të Greqisë dhe Jugosllavisë për rritjen e tensioneve dhe për destabilizimin e jugut të Ballkanit”, thuhet në fillim të kumtesës.

Më tutje, Beogradi e akuzon Shqipërinë për përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë së vetëshpallur dhe se gjoja Shqipëria duke u konfrontuar me të gjithë fqinjët po i forcon tensionet në rajon dhe po e rrezikon paqen e stabilitetin në Ballkan.

“Shqipëria në mënyrë konstante po e nxit secesionizmin e pakicës shqiptare në Kosovë, me qëllim të shkëputjes së saj nga Republika e Serbisë. Lidhur me këtë flet përkrahja zyrtare dhe e hapur për ‘republikën e Kosovës’ së paqenë, përfaqësuesve të saj të vetëquajtur, hapjen e përfaqësisë së përhershme të udhëheqjes separatiste në Tiranë dhe shkaktimi i incidenteve kufitare. Strategjia e nacionalizmit shqiptaromadh dhe inkurajimi i separatizmit në Kosovë, i cili, sidomos gjeti shprehje në fjalimin e presidentit Berisha në Gjirokastër, është në kundërshtim direkt me parimet e kartës së OKB-së dhe të KSBE-së dhe si, e tillë paraqet kërcënim jashtëzakonisht serioz për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, thuhet më tutje në kumtesë.

 

 

24 shtator 1995

 

Drejtorët e shkollave të mesme të Prishtinës vlerësuan fillimin e vitit shkollor

 

Dje në Prishtinë u mbajt një mbledhje e drejtorëve të shkollave të mesme të komunës së Prishtinës. Në një kumtesë të nënshkruar nga Zijadin Gashi, kryetar i Këshillit të Arsimit të komunës së Prishtinës, thuhet se në mbledhje u vlerësua se përkundër kushteve të vështira në të cilat punohet, viti shkollor 1995/96 filloi me kohë, përveç në SHMM “Dr. Ali Sokoli”, në të cilën mësimi në tërësi filloi më 18 shtator.

Në mbledhje u theksua se mosrespektimi i vendimit të Ministrit të Arsimit të Republikës së Kosovë për emërimin e drejtorëve në gjimanzin “Xhevdet Dota” dhe SHMM “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë atakon në mënyrë të drejtpërdrejtë institucionalizimin e shkollës shqipe në Republikën e Kosovës, thuhet në kumtesë.

Në mbledhje u kërkua që të respektohet e tërë rregullativa ligjore dhe nënligjore me të cilën rregullohet veprimtaria edukative arsimore në Republikën e Kosovës.

Drejtorët e shkollave të mesme theksuan se gjendja materiale në arsim është shumë e vështirë. Ata kërkuan nga institucionet shtetërore që të angazhohen për sigurimin e rregullt të të ardhurave personale për arsimtarët dhe të mjeteve materiale për funksionimin e shkollës.

Drejtorët e shkollave të mesme mendojnë se është mirë që mjetet e informimit shqip të informojnë më shumë për të arriturat në arsim dhe institucionalizimin e tij, e jo të jenë “në funksion të destabilizimit të organizimit institucional të arsimit”, thuhet në fund të kumtesës nga mbledhja e drejtorëve të shkollave të mesme të Prishtinës.

 

 

24 shtator 1997

 

 

“Shqiptarët e Kosovës treguan mospërfillje ndaj zgjedhjeve serbe”

 

Është ky titulli i artikullit të së përditshmes më të madhe frankofone “24 Heureus” përmes të cilit opinioni zviceran informohet se shqiptarët në Kosovë nuk morën pjesë në zgjedhjet serbe.

Më tutje gazeta shkruan se “në malet e pluhurosura të Kosovës, këtij regjioni të popullzuar me 90 për qind shqiptarë, zgjedhjet e së dielës kaluan tërësisht të pavërejtura. Gjithandej, kolonat e dasmorëve pengonin komunikacionin, ndërsa në qytete banorët shëtisnin dhe bënin punën e tyre. Në fshatra (ara), bujqit i kullosnin lopët. Gati askush nuk shkoi për të votuar”.

Siç vë në pah artikulli, kështu ka ndodhur në të gjitha votimet e shpallura dhe të organizuara nga Serbia, që nga heqja e statutit të autonomisë së Kosovës, si shenjë e kundërvënies ndaj regjimit të Slobodan Milosheviqit dhe me qëllim të realizimit të aspiratave për pavarësi.

Gazeta pastaj sjell edhe një deklaratë të shkurtër të Fehmi Aganit i cili deklaron se “Parlamenti serb nuk është Parlament yni, dhe se këto zgjedhje nuk paraqesin asgjë për ne”.

Informacione të ngjashme kanë botuar edhe gazetat e tjera të vendit, një pjesë e të cilave i referohen AFP-së, ku theksohet pastaj se vetëm një vit pas aneksimit tragjik të Kosovës nga Serbia, 1,8 milionë shqiptarë kanë zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e vet dhe që nga kjo kohë ata janë të organizuar për të mbijetuar dhe realizuar pavarësinë e tyre me mjetet paqësore.

 

 

24 shtator 1998

 

Vushtrri: Digjet Pantina – njoftohet edhe për një të vrarë në Beçuk

 

U identifikuan dy të vrarit në Oshlan

 

Ofensiva e forcave serbe, e nisur të martën kundër fshatrave shqiptare rrënzë Qyqavicës po vazhdon edhe sot, ndërkohë që gjatë gjithë natës së kaluar në Vushtrri ka pasur të shtëna nga armë automatike të cilat shkatuan panik te popullata.

KI i Degës së LDK-së në Vushtrri njoftoi se rreth orës 11 forcat serbe po digjnin fshatin Pantinë, ndërkohë që të rrezikuara janë edhe fshatrat e afërta Okrashticë, Shtitaricë, Dolak, Bukosh etj.

I njëjti burim bën të ditur se nga granatimet serbe në fshatin Beçuk është vrarë Faton Syla (15), i cili edhe u varros në vendin ku u vra. Gjithashtu, është bërë identifikimi edhe i dy shqiptarëve të vrarë në Oshlan, emrat e të cilvë dje nuk diheshin. Fjala është për Hajrullah Gjakën (63) dhe Bislim Kamber Brahimin (32). Dyshohet se në afërsi të lumit Sitnica gjendet edhe një person i vrarë, por për shkak të prezencës së forcave serbe nuk ka mundësi të depërtohet dhe të mësohet më shumë për këtë rast.

Njoftohet se nga granatimet e forcave serbe, mbrëmë në Stanoc të Poshtëm u dogj shtëpia e Sylë Bajgorës, ndërkohë që paramilitarët serbë të Prilluzhës kanë plaçkitur shtëpitë e vëllezërve të Amrush Asllanit, të cilin të njëjtat forca e vranë para disa ditësh në oborrin e shtëpisë së tij.

Po dje, policia serbe arrestoi të rinjtë Hajriz M. Islami (24), Enver M. Islami (33) nga fshati Taraxhë dhe Safet Shalën nga Leqina e Skënderajt. Ata u dërguan në stacionin e policisë në Vushtrri ku u keqtrtajtuan fizikisht nën akuzën se kanë lidhje me UÇK-në. Enveri e Safeti u liruan më vonë nga policia, ndërsa Hajrizi vazhdon të mbahet në arrest.

Dje policia keqtrajtoi rëndë fizikisht Xhevdet Zhusgin (22) nga Mihaliqi.

 

Continue Reading

Lajmet

SHBA: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës

Published

on

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka ritheksuar thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës, në trevjetorin e sulmit.

Ambasada ka nderuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në shtator të vitit 2023.

“Bashkohemi me Kosovën për të nderuar zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator 2023. Ritheksojmë thirrjen tonë që autorët të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara