Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Suhareka

1 korrik 1993

Përmes Rumanisë emigruan 80 mijë shqiptarë nga Kosova

Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” transmeton një informatë të agjencisë “Rojter” për numrin e refugjatëve shqiptarë që kaluan nëpër Rumani. Një udhëheqës i rojës kufitare rumune i deklaroi agjencisë Rojter se “gjatë vitit të fundit rreth 80 mijë shqiptarë nga ish-Jugosllavia kaluan vendin kufitar Kalafat në Rumani dhe jam i sigurt se ata tashmë janë diku në vendet e Perëndimit”.

 

1 korrik 1994

Vërshime me pasoja tragjike në Suharekë dhe rrethinë

Një i vdekur, disa të lënduar dhe dëme të mëdha materiale, ky është epilogu i vërshimeve që gjatë natës së kaluar e përfshinë Suharekën.

Vërshimet filluan diku rreth orës 00,40 në qytetin e Suharekës. Nga reshjet e mëdha lumi dhe përrenjtë e rrjedhat tjera vërshuan nga të gjitha drejtimet.

Nga vërshimet vdiq plaku 75-vjeç Salih Shala, kurse së paku 10 persona të tjerë janë lënduar. Katër prej tyre gjenden të shtrirë në Spitalin e Prizrenit.

Njoftohet për shumë shtëpi të rrënuara dhe rrëzim të rrethojave. Automjete të ndryshme, traktorë dhe multikultivatorë e aparate të ndryshme gjenden të shpërndarë nëpër ara.

Njoftohet se Xhavit Berisha i sëmurë kronik, nën gërmadhat e shtëpisë së rrënuar, u nxor i gjallë pas pesë orësh.

Thuhet se janë shkaktuar dëme të mëdha nga vërshimet dhe breshëri edhe në fshatrat përreth.

Shumë bagëti u përmbytën nga uji, po ashtu ka dëme të mëdha në shumë shitore dhe shtëpi private, sidomos në inventar dhe mobile. Nata që shkoi ishte e rëndë dhe e rrezikshme për banorët e Suharekës. Shumë njerëz kaluan natën në kulme të shtëpive, ndërsa aty ku pati mundësi u bë që gjatë natës evakuimi i qytetarëve. Dega e LDK-së në Suharekë njofton se një numër i madh familjesh kanë mbetur pa kulm mbi krye, pa mbuloja që janë përfshirë nga uji dhe pa bukë për shkak të dëmtimit të sasive të mëdha të miellit dhe të gjërave ushqimore.

Nga Suhareka bëhet thirrje për dërgim të ndihmave ushqimore dhe veshmbathje.

 

 

1 korrik 1995

Klintoni ndau 50 milionë dollarë për forcat për intervenim të shpejtë në Bosnjë

Presidenti i SHBA-ve Bill Klinton pa lejen e Kongresit shfrytëzoi mundësinë ligjore që nga buxheti ushtarak i Pentagonit të ndajë 50 milionë dollarë për financimin e forcave për intervenim të shpejtë në Bosnjë.

Ky vendim vlerësohet si manovër me qëllim që forcat e NATO-s për interevenim të shpejtë të arrijnë edhe në Ballkan, sepse, siç shkruan gazeta “Nasha borba”, vehet në dyshim jo vetëm misioni paqësor i OKB-së në Bosnjë, por edhe situata më e gjerë e sigurisë në Ballkan. Gazeta shton se ekziston rreziku që konflikti i tashëm të zgjerohet edhe në Kosovë e Maqedoni, por ekziston edhe mundësia që në fazën përfundimtare të këtij varianti të ndodhë konfrontimi midis Turqisë dhe Greqisë, dy aleatëve të rëndësishëm të krahut juglindor të aleancës së Atlantikut.

 

 

1 korrik 1997

Serbët e instaluar plaçkisin në komunën e Malishevës

Ditë më parë, persona të panjohur nga Rahoveci, në emër të udhëheqësve të instaluar të Ndërmarrjeve shoqërore, si “Një Maji” etj. kanë zhvendosur dhe dërguar për në Rahovec trafostacionin e gatshëm, të vendosur tash e disa vite në lagjen “Gërmiza” të Malishevës. njofton KI i Degës së LDK-së në këtë lokalitet.

Ky trafostacion u zhvendos pa paralajmërimin e asnjë organi përgjegjës në Malishevë, madje as të udhëheqjes së Njësisë së “Elektrokosovës”.

Ndërsa, persona të punësuar në ndërmarrjet që i udhëheqin serbët në Rahovec, tentuan para dy ditësh të zhvendosin edhe trafostacionin tjetër të vendosur në oborrin e Gjimnazit “Avdyl Frashëri”, nga i cili, me energji elektrike furnizohet kjo shkollë e mesme, Shtëpia e Shëndetit dhe Qendra për punë Sociale në Malishevë. Vetëm këmbëngulësia e udhëheqjes së këtyre institucioneve bëri që punëtorët e “Një Majit” nga Rahoveci të kthehen mbrapa pa kryer punë.

Është e çuditshme se si organet serbe në komunën e Rahovecit, pas suprimimit të dhunshëm të Kuvendit të Komunës së Malishevës, më 1991, synojnë shkatërrimin e çdo gjëje. Ata së pari me forcë patën plaçkitur tërë inventarin nga objektet shoqërore, nuk lejuan as rojet e objekteve ta kryejnë detyrën, duke i lënë ato në mëshirë të fatit, dhe më pas synuan mbylljen e shkollave të mesme, plaçkitjen dhe konfiskimin e inventarit nga objekti i Gjimnazit të Malishevës.

Punëtorët nga Ndërmarrja ndërtimore “Elan” nga Prizreni, po ashtu gjatë këtyre viteve të okupimit, kanë zhvendosur nga muret e Shtëpisë së Shëndetit në Malishevë edhe radiatorë e pjesë të tjera, të cilat i kishin rregulluar vetë, por që më vonë kishin deklaruar se investuesi, KK i Malishevës, u ka mbetur borxh për kryerjen e këtij objekti të bukur, thuhet në fund të njoftimit.

 

 

1 korrik 1998

Në Drenoc të Klinës është vrarë Skender I. Ademi

Skender Imer Ademi (51) nga Drenoci i Klinës u vra më 28 qershor gjatë sulmit serb në këtë fshat. Ai u varros parmbrëmë.

Po këtë ditë, në këtë fshat u plagosën Fidan Rasim Agushi (12), Arben Hamzë Fejza (17) dhe Labinot Ismet Fejza (10).

Në njoftimin e parë për sulmin në Drenoc u tha se janë vrarë dy shqiptarë të tjerë, por lajmi më vonë u tërhoq si i pakonfirmuar.

 

Sulm i armatosur në Ministrinë e Informimit të Kosovës në Gjenevë

Sot në orën 15:00 dy persona të maskuar e të armatosur me revole zëmbytës kanë tentuar të hyjnë në lokalet e Ministrisë për Informim të Republikës së Kosovës në Gjenevë, në 4 Ruelle des Templiers.

Zoti Naser Berisha, bashkëpunëtor në këtë ministri ka penguar agresorët që të hyjnë në lokale dhe pas një përleshje me ta është plagosur në anën e majtë të belit. Me t’u dëgjuar zhurma, në korridor kanë dalur bashkëpunëtorët e tjerë të ministrisë dhe fqinjët, kështu që agresorët kanë ikur në drejtim të panjohur. Zoti Berisha është dërguar me urgjencë në spitalin kantonal të Gjenevës. Mjekët kanë pohuar se i plagosuri gjendet jashtë rrezikut.

Në njoftimin e Qendrës për Informim të Republikës së Kosovës në Gjenevë thuhet se ky sulm duhet parë në kontekst të situatës së rëndë në Kosovë, si pasojë e operacioneve policore e ushtarake të soldateskës serbe. Shërbimet sekrete serbe kanë një përvojë të gjatë në likuidimin e personaliteteve politike shqiptare në botën e jashtme, siç ka ndodhur në Gjermani dhe në Belgjikë.

Sipas pohimeve të të plagusorit, ky sulm është ndërmarrë me qëllim të likuidimit të Ministrit Shatri, i cili në këtë kohë ishte në vendin e punës.

Zoti Shatri ka qenë në shënjestër të policisë sekrete serbe edhe gjatë vitit 1989, kur në banesën e tij në Gjenevë është hedhur një bombë, thuhet në kumtesën e Qendrës për Informim të Republikës së Kosovës në Gjenevë.

 

Trupi pa jetë i Ajet Dedincës nuk mund të tërhiqet e të varroset

Trupi pa jetë i Ajet Dedincës (43) nga fshati Lajthishtë i komunës së Obiliqit nuk mund të tërhiqet nga vendi ku është vrarë dhe të varroset, për shkak se në vendin ku gjendet ai nuk mund të depërtohet për shkak të snajperistëve serbë.

Ajet Dedinca, punëtor i Mihjes Sipërfaqësore të thëngjillit në Dobrosellë, u vra të hënën, më 29 qershor, në orët e hershme të mëgjesit, në mes të fshatrave Janovodë dhe Lajthishtë. Në atë kohë ai po kthehej nga vendi i tij i punës, ku atë natë kishte qenë në ndërrimin e natës.

Banorët e fshatit Lajthishtë kërkojnë nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare humanitare që gjenden në Kosovë që të ndihmojnë për tërheqjen e trupit pa jetë të Ajetit dhe për varrosjen e tij.

Burimet e informimit në Obiliq njoftojnë se Ajeti është vrarë nga snajperistët e vendosur në kompleksin e termocentralit “Kosova B”. Snajperistët që kanë zënë pozicione në këtë kompleks udhëhiqen nga ushëheqësi i mirëmbajtjes së termocentralit, Rade Popara dhe një refugjat i ardhur nga Knini i Kroacisë me mbiemrin Basara.

Aksionet e forcave serbe në fshatrat e komunës së Obiliqit, të cilat janë sulmuar ditët e fundit, ndihmohen edhe nga serbët e armatosur lokalë nga fshatrat Vodicë e Janovodë dhe nga Obiliqi.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara