Live
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 4 mars, në vitet e nëntëdhjeta
Published
4 weeks agoon
By
UBTNewsSot lajmet janë nga më të ndryshmet. Bota ka ndryshuar. Teknologjia ka ndryshuar shumëçka në jetën tonë, edhe në mënyrën tonë të informimit. Edhe ngjarjet janë të tjera. Të kohës. Por, cilat ishin lajmet që mund të lexonin kosovarët, dekada më herët. Ta zëmë, në kohën më të rëndë për shqiptarët e Kosovës (1990-1999), kur Serbia kishte bërë përpjekje ta instalojë terrin informativ.
Ishin gazetarët shqiptarë që nuk heshtën, edhe pse Serbia mbylli Radiotelevizionin e Prishtinës, gazetën “Rilindja” dhe të gjitha revistat e tjera.
Ishin edhe korrespondentët e mediave të huaja, që ndihmuan që, megjithatë, shqiptarët e Kosovës të mos mbesin në terr informativ.
4 mars 1993
Lajmet kryesore nga politika janë: Bukoshi dhe Serreqi u takuan me punëtorët shqiptarë në Keln; Rezolutë e Kongresit të Internacionales Demokristiane për Kosovën; Adem Demaçi priti delegacionin gjerman për të drejtat e njeriut; Vëllazërohen Prishtina dhe Gjeneva; Anëtarja e Misionit të KSBE-së qëndroi në Suharekë; Serbizimi i emrave dhe mbiemrave të personave joserbë në Serbi; ANSA: Rritet preokupimi i Tiranës për Kosovën; Rojter: Shqipëria mohon përgatitjet ushtarake për të ndihmuar Kosovën.
Lajmet nga terreni: Në Prishtinë provokime me të shtëna në ajër; Në komunën e Deçanit shtohet represioni policor; Në komunën e Istogut policia rrahu nxënësit.
4 mars 1994
Ngjarje ditore nga politika është konferenca e rregullt për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Më tutje jepet një kumtesë e Institutit Albanologjik të Prishtinës, i mbyllur arbitrarisht nga Serbia.
Lajmet të tjera: Adem Demaçi iu drejtua Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s; Në komunën e Podujevës në katër muajt e fundit u bastisën 195 familje; Në Gllogovc e rrethinë të rinjtë ftohen për rekrutim; Në Ferizaj me nga 30 ditë burg u dënuan 5 aktivistë.
Në rubrikën “Represioni i policisë serbe në Kosovë” jepen këto lajme:
Podujevë: – Pardje, rreth orës 14, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Sylejman Bllacës në Dyz të Podujevës. Meqë policët nuk gjetën kurrfarë arme, Sylejman Bllacën e rrahën brutalisht në prani të anëtarëve të familjes.
Dje, në stacionin e policisë në Podujevë, sipas ftesës së policisë u lajmërua Muhamet Bajoku, anëtar i Kryesisë së Nëndegës I-rë të LDK-së në Podujevë. Muhamet Bajoku në stacionin e policisë në Podujevë u mbajt deri në orën 17, kurse më vonë u dërgua në Prishtinë ku u mbajt deri rreth orës 23.
Muhamet Bajokut iu la ftesa që sërish të paraqitet në polici të nesërmen në orën 11.
Dje në Podujevë, policia bastisi familjen e Enver Kadriut. Policia pasi nuk gjeti armë, Enverit i la ftesën që të paraqitet në polici sot në orën 10.
Dje, rreth orës 15, policia bastisi familjen e Mustafë Musliut në Shtedim të Podujevës. Policët pas bastisjes morën me vete djemtë e Mustafës, Rexhep dhe Hazir Musliun, të cilët u rrahën brutalisht në stacionin e policisë në Podudjevë.
Dje në Dyz u bastis edhe familja e Mehdi Rafunës, me ç’rast u keqtrajtua fizikisht vëllau i Mehdiut, Shaban Rafuna. Atij iu la ftesa që të paraqitet në polici.
Dje, në Sibovc të Epërm, polici bastisi familjen e Shefqet Mujës, kryetar i Aktivit të LDK-së në këtë fshat. Policia pas bastisjes Shefqet Mujën e mori me vete në stacionin e policisë. Ai u lirua pasi u mor në pyetje.
Edhe në Konushevc të Podujevës, dje u bastis familja e Abdullah Berishës, të cilit iu la ftesa që të paraqitet sot në stacionin e policisë.
Ferizaj: Dje, rreth orës 5 të mëngjesit, forca të mëdha të policisë serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisën familjen e Muharrem A.Demirit në fshatin Zaskok të Ferizajt. Bastisja zgjati plot dy orë e gjysmë, me ç’rast policët shkaktuan dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar gjithçka që gjenin përpara.
Pas bastisjes, policët morën me vete djemtë e Muharremit, Rexhep e Hyzri Demirin, të cilët i dërguan në stacionin e policisë në Ferizaj.
Dje rreth orë 6 të mëngjesit në fshatin Zaskok, policia bastisi edhe familjen e Shyqri Hamitit. Meqë nuk u gjet kurrfarë arme, policët kërkuan djalin e Musli Hamitit, Besimin i cili nuk gjendej në shtëpi.
Pas bastisjes policia mori me vete Imri Hamitin në stacionin e policisë në Ferizaj.
Dje, rreth orës 8 të mëngjesit, policia serbe arrestoi Shefqet Lohajn në fshatin Babush dhe Shukri Hashanin në fshati Mirash të Ferizajt. Ata po mbahen ende në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa shkaku i arrestimeve të tyre tash për tash nuk dihet.
Vushtrri: – Sot rreth orës 9 të mëngjesit, policia serbe arrestoi Xheladin S.Shytin (1970) në fshatin Oshlan të Vushtrrisë. Tani për tani nuk dihet shkaku i arrestimit.
4 mars 1997
Lajmet kryesore nga politika: Kryetari Rugova uroi Presidentin Berisha; Kryesia e LDK-së: Me përpjekjet e përbashkëta gjendja në Shqipëri kalohet më shpejt; Në Fier u dorëzuan 1.500 armë zjarri; Vazhdoi dje situatë dramatike në Vlorë e në Sarandë; Iu vu zjarrin ndërtesës së gazetës “Koha jonë”; Deklaratë e Departamentit amerikan të shtetit për ngjarjet në Shqipëri; Komisioni i Helsinkit kritikon vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme; Kumtesë e Komisionit Evropian për gjendjen në Shqipëri; Italia evakuon të huajt nga Vlora;
Në rubrikën për dhunën e përditshme në Kosovës jeper lajmi se policia serbe me tortura po i detyron të arrestuarit të pranojnë çdo gjë. Gjithashtu, njoftohet për dhunë e bastisje ndaj shqiptarëve në Deçan, Suharekë e Mitrovicë.
4 mars 1998
Lajmi kryesor ka të bëjë me varrimin e trupave të masakruar të 24 shqiptarëve
Ja përmbajtja e lajmit:
Dje pasdite, në një kodrinë të zhveshur të fshatit Qirez, u varrosën 24 shqiptarë, viktima të terrorit të organizuar shtetëror serb. Të gjithë ata u vranë në shtëpitë, oborret e pronat e tyre më 28 shkurt dhe më 1 mars, gjatë ekspeditës së tmerrshme serbe.
Dje u varrosën: Beqir Sejdiu, Nazmi Sejdiu, Bekim Sejdiu, Bedri Sejdiu, Xhemshir Nebiu, Rukie Nebihu, Ilir Nebihu, Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjela, Naser Gjela, Ahmet Ahmeti (50), Gani Ahmeti (47), Ilmi Ahmeti (43), Hamëz Ahmeti (45), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Basri Ahmeti (20), Shemsi Ahmeti (16), Lumni Ahmeti (20), Elhami Ahmeti (20), Behram Fazliu (65), Ibish Rama dhe Ismail Behrami.
Trupat e të vrarëve kishin pamje të tmerrshme. Ata ishin masakruar në mënyrat më mizore. Kriminelët ua kishin hequr viktimave të tyre sytë dhe organet gjenitale. Disa prej viktimave i kishin djegur me cigare. Pos plagëve të shkaktuara me armë zjarri ata kishin edhe plagë të shkaktuara me thikë, shkruajnë gazetarët e “Bujkut” që dje patën rastin t’i shohin trupat e të vrarëve.
Familja Ahmeti
Familja Ahmeti nga Likoshani, 43 anëtarëshe, brenda një dite humbi 10 anëtarë të saj.
Policia kishte hyrë në familje rreth orës 16,00.
Dinore Ahmeti, plakë 76 vjeçare, rrëfeu për rrëmbimin tragjik të fëmijëve të saj e të dy mysafirëve.
“U dëgjuan shumë të shtëna te porta e oborrit. Pastaj policët hynë me autoblindë në oborr. Isha brenda në shtëpi. Policët ia mësynë shtëpisë. Gjatë bastisjes, policët vodhën arin e shtëpisë. Po mos t’i mbaja unë paratë në gji, edhe ato do t’i merrnin. Mua më shqelmuan. Fëmijët dhe nipërit e mi nuk i kanë bërë askujt asnjë të keqe. Derisa i tubonin meshkujt e shtëpisë, policët i detyruan fëmijët dhe gratë që të shtriheshin përtoke. Askush nuk guxonte të lëvizte”, thotë plaka.
Shahe Ahmeti tregon: “Ne gratë dhe fëmijëve na detyruan të shtriheshim për tokë, kurse meshkujt filluan t’i rrihnin, duke filluar prej 16-vjeçarit, Elhamiut. Plot katër orë kemi qëndruar të shtrira në oborr, pa guxuar të ngremë kokën. Dritonit me një rast i ranë në kokë aq shumë sa e mbuloi gjaku. Rrahja ka zgjatur me orë të tëra, derisa ata nuk kanë mundur të lëshojnë zë. Pastaj i kanë tërhequr zvarrë, duke i rrahur me shqelma, derisa i kanë nxjerrë përtej dyerve. Ne, gratë dhe fëmijët, kemi vazhduar të qëndrojmë të rrethuar 28 orë, pa guxuar të hamë as të pimë në shtëpinë tonë, pa ditur për fatin e anëtarëve të familjes sonë.
Ata rreth orës 3 të mëngjesit policët na i morën atletet dhe filluan të luajnë me top në oborr. Na i morën edhe të gjitha rezervat e ushqimit që i kishim. Plaçkitja e tyre vazhdoi nëpër dhomat e katit të parë dhe të dytë, ku na i morën të gjitha gjërat e vlefshme. Aq afër i kemi pasur dhe nuk mund t’u ndihmonim fëmijëve e burrave tanë derisa torturoheshin nga policët”, thotë Shaha.
“Gjaku i kunatit, kur e rrëzuan për tokë, mbërriti deri tek unë. Nuk kisha mundësi të bëja asgjë, pasi fëmijët po çmendeshin. Po shihja se nuk i rrihnin që t’i linin të gjallë. Ishin aq të rinj!”
Plaka Dinore tregon se disa ditë nuk kishte pasur asnjë lajm për fatin e dhjetë pasardhësve të vet. “Një fqinj yni që kishte shkuar në morgun e Prishtinës, për t’i marrë dy kufoma të të afërmve të tij, i kishte parë djemtë e nipërit tanë të vrarë”. thotë ajo.
Me zemër të thyer ajo shqipton: “Në shtëpinë tonë mbetën bonjakë njëzet e pesë fëmijë. Në këtë familje nga tërë ata burra ka mbetur vetëm Xhevdeti”.
Familja Gjela
Rexhep Gjela i tha gazetës “Bujku” se i afërmi i tij Muhamet Gjelaj, bashkë me djalin e vet Naserin, u masakruan nga forcat serbe në prani të gruas së Naserit, Ganimetes dhe të fëmijës.
Haxhi Gjela, një dëshmitar, ka treguar se në kohën kur kishin hyrë policët në shtëpinë e tij, ai ishte fshehur në tavanin e shtëpisë, ku kishin qëndruar plot 27 orë.
“Nga vrimat e pullazit kam parë 29 autoblinda, shumë pizgauerë dhe qindra policë të armatosur”, tha ai.
Haxhiu tregoi se para se të hynin policët në shtëpi, ishin dëgjuar shumë krisma.
“Në shtëpinë time nuk kanë gjetur asnjë armë. Armë nuk janë gjetur as në terrenin ku kanë ndërhyrë policët. Armët që po i paraqet teklevizioni serb ishin armë të vet policisë”, tha ai. “Policët qëndruan gjatë në shtëpinë time dhe ushqeheshin me ushqimet e familjes”, thotë ai. “Derisa qëndronim të fshehur, një polic serb hipi në tavan, por për fatin e jetës sonë, nuk na hetoi”, tregon ai.
“Në tavan kemi qëndruar nga mesi i ditës së shtunë deri të dielën në 15,30. Kur u bindëm se policia ishte larguar, dolëm. Morëm vesh se policia i kishte vrarë fqinjët tanë. Derisa qëndronim në tavan kishim dëgjuar shumë krisma e klithje”, theksoi Haxhi Gjeli.
Familja Sejdiu
Kriminelët serbë ia vranë Sheremet Sejdiut nga fshati Qirez katër djem. Mehmet Berisha, dhëndër i kësaj familjeje, tregon se i ndjeri Beqiri ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë: Besnikun, dy vjet e gjysmë, dhe foshnjën dy muajshe.
Në oborrin e shtëpisë së Sheremet Sejdiut është futur një tank i policisë. Muret janë bërë shoshë nga predhat.
Nëna e tyre ishte në shtëpi. Në prezencë të saj policia vrau Nazmiun dhe Bekimin, ndërsa pak përtej oborrit policët vranë edhe Bedriun e Beqirin. Në oborr është vrarë edhe fqinji i tyre, Beqir B. Ajeti.
Sheremeti ka edhe një djalë, Shaqën, i cili gjendet në Gjermani si azilant.
Familja Nebiu
Në familjen Nebihu në Qirez janë vrarë Xhemshir Nebihu dhe kunata e tij, Rukie Nebihu, shtatzënë.
Zenel Ramadani tregon se policia kishte hyrë në oborrin e familjes Nebiu me autoblindë. Bashkëshorti i Rukies, Iliri konsiderohej disa orë si i humbur. Mirëpo, në pasditen e 28 shkurtit u vërtetua se edhe ai ishte në mesin e të vrarëve. Kufoma e tij u soll dje në Qirez bashkë me 15 kufomat tjera nga morgu i Prishtinës.
- Ramadani tregon se Rukia ishte vrarë në praninë e fëmijëve të saj, Valonit (4) dhe Valentinës (1- vjeçare). Ajo ishte shtatzënë.
Familja Rexhepi
Nga familja e Zeqir Rexhepit në lagjen e Prekazve të Qirezit janë vrarë Ajet Rexhepi dhe Beqir B. Rexhepi. Që të dytë u vranë në rrugë e sipër për te miqtë e tyre. Rexhepi është vrarë në Likoshan, kurse Beqiri ndërmjet Likoshanit e Qirezit.
Në trupin e tyre ka plagë nga tri lloj armësh.
Zeqiri thotë se policia serbe ka shtënë me armë edhe në shtëpinë e tij. Vetëm fati deshi që të mos kishte viktima të tjera në këtë familje, mirëpo viktimat u shkaktuan në rrugë.
“Derisa policia shtinte me armë në shtëpi, anëtarët e familjes u bashkuam në një dhomë, me përjashtim të fëmijës pesëvjeçar, Fikretit, i cili mbeti në një dhomë tjetër. Ai ishte strukur
nën shporet dhe kishte qëndruar me një shkop në dorë. Pas tetë orësh, sa zgjati ekspedita kriminele, fëmija u gjet thuajse pa vetëdije. Ai është tash shumë i frikësuar dhe i trishtuar nga ajo që ka parë dhe përjetuar.
Nga politika janë këto lajme: Ollbrajt bisedon me ministrat e jashtëm britanik dhe rus rreth Kosovës; Deklaratë e UE për Kosovën; Protesta të shqiptarëve në Bruksel; Robin Kuk udhëton në Beograd për të diskutuar çështjen e Kosovës; Toni Llojd kërkon një reagim urgjent të Evropës në Kosovë; OKB kërkon vetëpërmbajtje në Kosovë; MPJ e Suedisë dënon dhunën në Kosovë; Greqia shpreh keqardhje për Kosovën; Jim Hooper: NATO-ja duhet të ndalojë fluturimet mbi Kosovë.
Ndër lajme të tjera janë edhe: Persona të maskuar vranë në shtëpinë e saj Aze Dekajn nga Istogu; KMDLNJ: Në protestat e 2 marsit u lënduan 253 qytetarë; Të gjitha partitë politike serbe mbështesin aksionet e policisë serbe në Kosovë; Klinë: Dje u ushtrua dhunë e shfrenuar kundër qytetarëve; U keqtrajtua pse nuk dinte të fliste serbisht; Forca të mëdha serbe janë stacionuar në Klinë; Lëvizje të mëdha policore në fshatrat e Dushkajës; Policia shtiu me armë drejt gazetarëve të “Bujkut” e “Kombit”; Në Janovë policia shtiu në drejtim të disa qytetarëve; Vazhdon keqtrajtimi i qytetarëve në Komoran e Kijevë; Policia keqtrajtoi pardje një grua shqiptare në lagjen Kodra e trimave; Prizren: Policia bastisi një familje…
4 mars 1999
Ditë e rëndë, me lajme për terrorin serb gjithandej në Kosovë.
Lajmet e paradites: Podujevë: Koncentrim i madh i forcave serbe; Vushtrri: Një konvoj i madh i forcave serbe shkoi drejt fshatit Mihaliq; Të shtëna dhe granatime afër Llapushnikut; Në drejtim të Shtimes shkuan forca të mëdha të policisë serbe; Vushtrri: Drejt fshatit Mihaliq shkuan edhe 6 automjete të rënda serbe; Vushtrri: Disa civilë të armatosur serbë nga Graca e Babimofci shkuan në Prilluzhë; Policia serbe arrestoi një të ri shqiptar nga Druari i Vushtrrisë; Nuk dihet për fatin e Ramadan F. Dibranit fshati Shallc i Vushtrrisë; Ferizaj: Në Koshare policia serbe arrestoi dy shqiptarë; Lëvizje të forcave të lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.
Lajmet e pasdites: Gjatë natës forcat serbe granatuan 3 fshatra të Mitrovicës dhe 3 të Vushtrrisë; Në Mitrovicë policia serbe po keqtrajton civilët shqiptarë; Të shtëna armësh në Gjakovë dhe në fshatrat e brezit kufitar; Mitrovicë: Gjatë muajit shkurt u vranë 3 shqiptarë; Në Jellofc të Klinës forcat serbe dogjën dy shtëpi shqiptare; Në Klinë policia serbe ndërhyri në disa lokale dhe keqtrajtoi fizikisht disa shqiptarë; Malishevë: Forcat serbe shtinë drejt fshatrave shqiptare;
Nga politika: Presidenti Klinton emëroi emisar për Kosovën ish-senatorin Bob Dol; Lordi Rasëll Xhonston fton popullin e Kosovës ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë; Prishtinë: Përkrahet marrëveshja e përkohshme për Kosovën; Tiranë: Ferid Murati, Dritëro Agolli dhe Rexhep Qosja u nderuan me Urdhrin “Nderi i Kombit”; Solana mirëpriti veprimet e delegacionit të Kosovës; Administrata amerikane planifikon dërgimin e Riçard Hollbrukut në Beograd; Uesli Klark: Millosheviqi ndjek një strategji të rrezikshme rreth Kosovës; Afër Vushtrrisë u vranë dy civilë serbë, kurse në Podujevë një polic; Ushtarakët serbë kundër trupave të NATO-s në Kosovë;
Lajmet e mbrëmjes: Qindra banorë shqiptarë nga fshatrat e Vushtrrisë kanë mësyer drejt Obiliqit; Vazhdon gjendja e rëndë në komunën e Podujevës; Në Graçanicë persona të panjohur plaçkitën orenditë e shtëpisë së familjes Bajçinca; Civilët serbë kidnapuan katër shqiptarë nga Rahoveci; Pejë: Tre shqiptarë u dënuan me nga 2 vjet burg; Ferizaj: Policia arrestoi Jusuf Beqën; Sot nga morgu i spitalit të Prishtinës u mor kufoma e Hetem Asajt nga Gabrrica e Kaçanikut.
Foto: Gjashtë lisat e Likoshanit
You may like
Aktualitet
Kriza e re në NATO: Trump paralajmëron tërheqjen pas tensioneve për Iranin
Published
5 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Aleanca e NATO-s i ka mbijetuar viteve të fundit sfidave ekzistenciale – që nga lufta në Ukrainë e deri te presionet dhe fyerjet e shumta nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar me marrjen e Grenlandës.
Por është lufta SHBA-Izrael me Iranin, mijëra milje larg Evropës, ajo që pothuajse e ka shkatërruar bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta lërë atë në gjendjen më të dobët që nga krijimi, thonë analistët dhe diplomatët.
Trump, i tërbuar që vendet evropiane kanë refuzuar të dërgojnë flotat e tyre detare për të hapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.
“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trump në një intervistë për Reuters të mërkurën.
Në një fjalim të mërkurën mbrëma, Trump kritikoi aleatët e SHBA-së, por u ndal para dënimit të hapur të NATO-s, siç mendonin shumë ekspertë se mund të bënte.
Por, të kombinuara me thumbime të tjera drejtuar evropianëve javët e fundit, komentet e Trumpit kanë nxitur një shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni largohet zyrtarisht apo jo.
Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura bazë e sigurisë evropiane, po shpërbëhet dhe marrëveshja e mbrojtjes reciproke në bërthamën e saj nuk merret më si e mirëqenë.
“Kjo është gjendja më e keqe ku ka qenë (NATO) që nga themelimi i saj,” tha Max Bergmann, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani drejton Programin për Evropën, Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Është vërtet e vështirë të mendosh diçka që i afrohet kësaj.”
Ky realitet po bëhet i qartë për evropianët, të cilët janë mbështetur te NATO si një mburojë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.
Së fundmi, në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë idenë e mbrojtjes së Evropës pa SHBA-në si një “mendim budalla”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si pritshmërinë kryesore.
“NATO mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët,” tha Gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri në 2021. “Nëse duhet të vazhdojë të quhet ende NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – kjo është një pyetje e vlefshme.”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi Presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend’.”
Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./ Reuters/
Aktualitet
Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë
Published
1 day agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i është drejtuar Donald Trump-in, me tone jo shumë miqësore duke thënë se ai po minonte NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme mbi angazhimin e tij” ndaj aleancës.
Presidenti i SHBA-së, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente nënçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke kërcënuar se do të tërhiqte SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’u përfillur kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e liderëve evropianë.
Macron paralajmëroi se komentet e Trump-it që vënë në dyshim angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “dëmtojnë themelet e saj”, ndërsa u bëri thirrje liderëve “të jenë seriozë”.
“Besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike,” tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.
“Nëse hidhni dyshime mbi angazhimin tuaj çdo ditë, ju dëmtoni themelet e saj.”
Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse doni të jeni seriozë, nuk mund të deklaroni, duke thënë të kundërtën e asaj që keni thënë një ditë më parë.
Macron tha se ishte “jorealiste” rihapja e ngushticës së Hormuzit me forcë, duke u thënë gazetarëve se kjo do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve iraniane. Ai tha se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi. /The Guardian/
Aktualitet
Trump: Kemi arritur suksese në Iran, por lufta vazhdon
Published
1 day agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një fjalimi televiziv, deklaroi se ushtria amerikane pothuajse i ka përmbushur qëllimet e saj në Iran. Edhe pse lufta ka hyrë në javën e pestë, ai nuk dha një datë të saktë se kur do të përfundojë ajo, por u zotua se do ta kthejë këtë shtet në “Epokën e Gurit”, raporton Reuters.
Trump tha se forcat amerikane kanë shkatërruar marinën dhe aviacionin e Iranit, si dhe kanë dëmtuar rëndë programet e tyre raketore dhe bërthamore. “Ne i kemi të gjitha letrat në dorë, ata nuk kanë asgjë,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë.
Përkundër këtyre deklaratave, mbeten ende çështje të pazgjidhura si statusi i uranit të pasuruar dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, e cila është pikë kyçe për furnizimin global me naftë. Trump u shpreh se kjo rrugë detare do të hapet “natyrshëm” sapo të përfundojë lufta.
Paralajmërimet për sulme të reja Presidenti njoftoi se SHBA do të godasë fort Iranin edhe për dy apo tri javë të tjera. Nëse udhëheqësit e rinj iranianë nuk pranojnë të bisedojnë, ai paralajmëroi sulme mbi rrjetin elektrik dhe infrastrukturën e naftës.
Rritja e çmimeve dhe presioni ndërkombëtar Fjalimi i Trump nuk dha shumë shpresë për qytetarët amerikanë dhe aleatët, të cilët po përballen me rritjen e çmimit të derivateve. Trump ia hodhi fajin Iranit për shtrenjtimin e naftës dhe kërkoi nga vendet e tjera që varen nga ky furnizim të marrin drejtimin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Edhe pse u raportua se Trump mund të fliste për raportet me NATO-n, ai nuk e përmendi aleancën në fjalimin e tij 19-minutësh. Ndërkohë, tregjet financiare reaguan me rënie, duke reflektuar frikën se ky konflikt mund të zgjasë ende. /Reuters/
Aktualitet
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
Published
2 days agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, deklaroi këtë të mërkurë se destabilizimi global i shkaktuar nga lufta në Iran e detyron Britaninë të rreshtohet më ngushtë me aleatët evropianë në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë. Ky qëndrim vjen pas kritikave të përsëritura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, raporton mediumi britanik Reuters.
Në një konferencë për media, të thirrur për të zbutur shqetësimet e publikut mbi rritjen e kostove të jetesës, Starmer tha se ndikimi i kësaj lufte do të “na përcaktojë për një gjeneratë” dhe mund të krahasohet me krizën e çmimeve të energjisë të viteve ’70.
Partneritet më i ngushtë me BE-në
Starmer shpalosi planet për një samit të ri me Bashkimin Evropian në javët e ardhshme, me shpresën për të riparuar disa nga “dëmet e thella” të shkaktuara nga Brexit.
“Është gjithnjë e më e qartë se derisa bota vazhdon në këtë rrugë të paqëndrueshme, interesi ynë afatgjatë kombëtar kërkon partneritet më të ngushtë me aleatët tanë në Evropë,” tha Starmer para gazetarëve në “Downing Street”.
Përplasja me Trump
Presidenti Trump kritikoi sërish të martën vendet evropiane që refuzuan t’i bashkohen luftës kundër Iranit, duke veçuar Britaninë dhe Francën. Kjo ka çuar në përkeqësimin e raporteve transatlantike, në një kohë kur konflikti ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë.
Trump i paralajmëroi këto vende të “mësojnë si të luftojnë për veten”, sepse SHBA-ja “nuk do të jetë më aty për t’i ndihmuar”.
Edhe pse pas zgjedhjes së Trump në vitin 2024, Starmer u përpoq të pozicionohej si një urë lidhëse mes Evropës dhe SHBA-së, raportet mes tyre janë krisur publikisht për shkak të refuzimit të Londrës për t’u bërë pjesë e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Interesi Kombëtar mbi Presionin
Ndonëse fillimisht Starmer refuzoi kërkesën e SHBA-së për të përdorur bazat britanike për sulme ndaj Iranit, ai më vonë lejoi ato që i quajti “misione mbrojtëse” për mbrojtjen e qytetarëve në rajon.
I pyetur për kritikat e Trump, Starmer u përgjigj: “SHBA-ja dhe Britania janë aleatë të ngushtë prej një kohe shumë të gjatë. Unë do të veproj në interesin kombëtar britanik, pavarësisht presionit mbi mua.”
Lidhur me krizën energjetike, Starmer nuk njoftoi masa të reja për familjet, por konfirmoi se Britania do të jetë nikoqire e takimeve këtë javë me 35 shtete, me qëllim rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. /Reuters/
Arijanet Muric: “Kemi rikthyer shpresën, koha jonë do të vijë”
45 vjet nga demonstratat e vitit 1981, përkujtohet roli i tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës
Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist
Prokuroria nis hetimet ndaj KEDS-it për njehsorët elektrikë: Dyshime për mashtrim me faturat
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 3 prill, në vitet nëntëdhjetë
Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, hapet rruga për organizimin e ngjarjes madhore
Qeveria miraton Projektligjin për Çmimet Tavan
Shqiptarët “pushtojnë” NBA-n, valle dhe muzikë tradicionale në parketin e Chicago Bulls
Premiera globale e filmit të ri të Malick më 26 maj
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
