Kujtesë

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 25 mars, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

25 mars 1993

Lajmet kryesore:

Bill Klintoni i dërgoi letër Sali Berishës;

U aprovua dorëheqja e akademik Mark Krasniqit nga kryetari i Akademisë;

Kosova është thesari më i madh që uzurpoi Serbia;

Shtohen prania dhe lëvizjet e policisë dhe të ushtrisë serbe në Kosovë;

Radioja “Evropa e lirë” paralajmëron program të posaçëm për shqiptarët;

BSPK merr pjesë në Konferencën Sindikale Ndërkombëtare në Romë;

Gligorovi: Shqiptarët në Maqedoni nuk kërkojnë autonomi;

Spekulimet serbe lidhur me burimet e informimit;

Policia dhe ushtria serbe provokuan banorët e Komogllavës;

Në Obiliq plaçkitje e policisë financiare serbe;

Sot në Prishtinë u bastis familja e Adil M.Gashit;

Në komunën e Istogut dhe të Kamenicës ndërrohen emrat e rrugëve;

Gjendje alarmante ekologjike në Prishtinë.

 

 

25 mars 1994

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova;

Projektligji për Kosovën në Kongresin Amerikan;

Kongresistë amerikanë i shkruajnë letër Klintonit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës;

Në burgun e Motrovicës po torturohen katër të burgosur shqiptarë;

Zyrtarët e Beogradit prapë u kërcënohen refugjatëve shqiptarë;

Nuk lejohet ardhja e misioneve të përhershme në Kosovë;

Policia serbe hyri në lokalet e Qendrës për Informim të Kosovës ;

Në Kamenicë u burgos kryetari i Kuvendit Komunal Zija Rudhani;

Turqia dërgon 2.700 ushtarë në Bosnjë;

Policia serbe mori në pyetje përfaqësuesit e KL “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë;

Në fshatrat Beçuk dhe Strofc të Vushtrrisë policia serbe bastisi 22 familje;

Represioni i policisë serbe në Kosovë;

Pesë familje u nxorën nga banesat e tyre në Lipjan;

Kërkohen Tahir Morina dhe Zymer Kadriaj.

 

 

25 mars 1995

Tubim madhështor i shqiptarëve në Bon të Gjermanisë;

Tubim për pavarësinë e Kosovës edhe në Helsinki;

Stejt Departamenti mbështet hapjen e zyrës së SHBA-ve në Prishtinë;

Tubim në kuadër të aksionit “Java e luftës kundër racizmit, nacionalizmit e fashizmit”;

Jens Rojter: Perëndimi duhet ta imponojë vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës;

Një i ri nga Skënderaji u dërgua me dhunë në ushtrinë serbe;

Lëvizje të forcave serbe në Prishtinë;

Njoftohet se ushtarakë të lartë serbë qëndruan në Kosovë;

Shtypi serb për ndihmat japoneze shkollave serbe të Prizrenit;

Policia ndërhyri në lokalet e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

Mitrovicë: – Më 23 mars, dy policë kërkuan në lokalet e Bashkësisë Islame kryetarin e saj bashkësie, mulla Asllan Muratin (52).

Ai nuk gjendej aty dhe policia i la porosinë që të paraqitej në stacionin e policisë.

Kur u paraqit në polici, ai u mor në pyetje për një orë rreth mbledhjeve të partive politike shqiptare në lokalet e Bashkësisë Islame dhe e kërcënuan se nëse lejojnë një gjë të tillë, do të ndiqet penalisht.

Inspektorët gjithashtu u interesuan se mos kanë pasur kontakte me ndonjë delegacion të huaj e me Qeverinë e Bukoshit dhe e urdhëruan atë që ta porosisë imamin e xhamisë “Haxhi Veseli”, mulla Asllan Fazliun që të paraqitet në polici më 27 mars.

Më 25 mars rreth orës 7.30 minuta tetë policë serbë bastisën shtëpinë e Hajriz Bajraktarit (52) në lagjen “Ura e gjakut”. Policët kërkonin një revole, të cilën gjoja Hajrizi e mbante pa leje. Gjatë bastisjes nuk gjetën armë, mirëpo në stacionin e policisë u morën Hajrizi dhe dy djemtë e tij Rrustemi e Ramadani. Ata në stacionin e policisë u mbajtën rreth tri orë dhe u maltretuan fizikisht.

Po këta policë në këtë lagje bastisën edhe familjen e Mursel Vocës (56). Policët as në këtë familje nuk gjetën armë. Ata me vete morrën Ilir Vocën (16), të cilit ia morrën edhe pasaportën.

Policia ishte edhe në shtëpinë e Nezir Islamit (56). Ata e pytën Nezirin se ku e ka shtëpinë familja Durmishi. Me që ky nuk diti t’iu jap përgjegje, policia hyri në shtëpinë e tij dhe i konfiskuan cigare me vlerë prej 1300 DM. Policët arrestuan djalin e Nezirit, Naimin (24).

Policët në shtëpinë e Gani Durmishit kërkuan djalin e tij Kadriun (17). Meqë Kadriu nuk ndodhej në shtëpi policët e urdhëruan Ganiun që të gjejë atë gjithsesi dhe ta dërgojë në polici deri në orën 14:00.

Malishevë: – Më 24 mars, në lokalet e policisë në Rahovec, u mbajtën më shumë se tri orë Osman R. Mazreku nga Malisheva, pronar i NT “Pajtimi”, Halit, Milaim e Naim Robaj dhe Agim Krasniqi nga Ostrozubi i Malishevës. Prej tyre policia kërkonte armë, ndërsa Halit Robaj u mor në polici në vend të djalit të tij Rexhepit, i cili gjendet në botën e jashtme.

Në polici, me pretekst të kërkimit të armëve, u mor Musli Mazreku nga Malisheva. Në fshatin Gajrak policia arrestoi Hasan Gajrakun, prej të cilit policët kërkojnë një revole dhe të birin e tij Mehmetin, të cilit policia i kërkojnë një pushkëmitraloz. Po në këtë fshat policia ka marrë Daut Gajrakun.

Për herë të tretë policia serbe nga Rahoveci mori dhe mbajti për disa orë Fetah Kastratin nga Maxharra dhe Sali Ollurin nga Marolia, të cilët ditë më parë janë keqtrajtuar fizikisht. Pretekst për marrjen e tyre në polici, ku u morën në pyetje nga inspektori Hasan Rrustemaj, ishte tentimi eventual për të nxjerrë prej tyre të dhëna për dhënien e ryshfetit policëve dhe ndërmjetësuesve të tyre në emër të kompromisit për t’i shpëtuar ndjekjes policore. Dhënia e ryshfetit tashmë është institucionalizuar nga përgjegjësit e policisë në Rahovec.

Suharekë:- Më 23 mars, në stacionin e policisë në Lubizhdë u mor Azem Smajli nga fshati Gelancë. Njoftohet se ai është maltretuar fizikisht dhe po mbahet ende në lokalet e policisë.

Më 24 mars policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, arrestoi Hilmi Gashin, sekretar i Aktivit të LDK-së në Gelancë, të cilin për rreth dy orë e maltretuan fizikisht në stacionin e policisë në Lubizhdë. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish në polici.

Po me këtë pretekst në polici u mor edhe Shefki Kurtishaj nga ky fshat.

 

25 mars 1997

Lajmet kryesore:

Hans Van Mirlo: UE i kushton rëndësi të madhe Kosovës;

Turqia është e gatshme për të dërguar trupa ushtarake në Shqipëri;

Arrihet marrëveshja për patrullimin e Adriatikut;

Më pak të plagosur në spitalin ushtarak të Tiranës;

Vlorë: Rebelët e armatosur vranë tre policë;

Norvegjia ndihmoi Shqipërinë me dy milionë kruna;

Tubim i bashkatdhetarëve në Musingen;

U dënuan përfaqësuesit e OEK-ut;

Postera të Radovan Karaxhiqit në Prishtinë;

Gjilan: Reagim kundër ngritjes së qendrës tregtare në lokacionin e stadiumit të qytetit.

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

12 shtator 1994

 

Në Nekoc e Kishnarekë vazhdon represioni i policisë serbe

 

Tash disa ditë, policia serbe vazhdon t’i keqtrajtoi banorët e fshatrave Nekoc e Kishnarekë të Gllogovcit, nën pretekst të vrasjes së paradoditshme të rojes së pyllit, Milaim Gashi në rrethana ende të panjohura, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.

Më 9 shtator, prej orës 11:00 deri në mbrëmje rreth orës 18:00, një ekspeditë e policisë serbe defiloi tërë ditën nëpër fshatrat e lartëshënuara. Policia ishte e pajisur me një llandrover dhe dy vetura.

Njoftohet se gjatë tërë ditës mbi fshatrat Nekoc e Kishnarekë fluturoi edhe një helikopter i policisë serbe.

Në fshatin Nekoc, policia kërkoi Bajram A.Rukiqin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Bajram A.Rukiqi gjendet i shtrirë në spital, pasi ai ditë më parë është keqtrajtur brutalisht nga ana e policisë serbe, me ç’rast mori plagë të rënda trupore.

Ndërkaq, në fshatin Kishnarekë, policia serbe i provokoi nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “7 Marsi” duke i “përshëndetur” me dy gishtat lart.

E njëjta ekspeditë e policisë serbe, vazhdoi rrugën për në fshatin Llapushnik, me ç’rast morën Ferat Sopin dhe djalin e tij (emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë, si dhe veturën e tyre të markës “Reno 4”).

Pardje, në fshatin Kishnarekë, policia kërkoi Rexhep A.Hykollin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas, policia legjitimoi çdo kalimtar të rastit, i cili kalonte nëpër fshatin Kishnarekë.

 

 

12 shtator 1995

 

 

Tragjedi e rëndë e pasagjerëve në një barkë shqiptare

 

Në një barkë që transportonte refugjatë nga Shqipëria për në Itali, ndodhi një tragjedi e rëndë në të cilën humbën jetën së paku 3 udhëtarë, ndërsa 12 konsiderohen të humbur.

Barka u përmbys për shkak të valëve të larta të shkaktuara nga një trajekt që kaloi fare pranë barkës.

Korrespondenti i BBC-së nga Roma, Ilir Gurakuqi, tha se edhe 10 pasagjerë të tjerë janë të lënduar.

Kjo ngjarje do të ishte edhe më tragjike sikur mos të ndërhynte një anije amerikane që patrullon në ujërat e Adriatikut, në kuadër të embargos ndaj ish-Jugosllavisë.

 

 

12 shtator 1997

 

Vatikani: Nënë Tereza mund të shpallet e shenjtë në kohë rekorde

 

Sekretari i Shtetit i Vatikanit Angjelo Sodano deklaroi sot se Papa Gjon Pali e donte shumë Nënën Tereze dhe se të gjithë në Kishën Katolike shpresojnë se ajo mund të kanonizohet shumë shpejt. “Procesi i shndërrimit të nënës Tereze në shenjtore mund të realizohet brenda një kohe rekorde – deklaroi ai.

Me rastin e mëparshme të shenjtërimit, zakonisht afati ka qenë i gjatë deri në 30 vjet. Sipas praktikës së deritashme së pari të caktohet një komision nga Vatikani i cili e vlerëson deri në hollësi veprën dhe shëmbëlltyrën e kandidatit për të shenjtë, e pastaj ai vlerësim i dorëzohet Papës. Pikërisht pse shëmbëlltyra dhe vepra e Nënës Tereze është tejet humane, dhe e pastër, mund të pritet që ajo të shpallet e shenjtë në kohë rekorde, thuhet në njoftimin e “Bujkut”.

 

12 shtator 1998

 

Gjatë sulmeve të djeshme në fshatrat e Skënderajt janë vrarë 3 dhe janë plagosur 16 shqiptarë

 

Dje, që në orët e hershme të mëngjesit, një konvoj i madh i forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe i përbërë nga 58 tanksa, 38 kamionë dhe automjete të tjera të motorizuara nga Mitrovica arritën në Llaushë, ndërsa menjëherë nga këto forca filluan të granatohen fshatrat Rezallë, Ticë, Plluzhinë, Likoc e Makërmal, i tha sot QIK-ut Fadil Ymeri, përgjegjës i Këshillit për Informim në fshatin Qirez të Skënderajt.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj ofensive, janë zhvendosur shumë banorë, të cilët e kaluan natën nën qiellin e hapur dhe gjendja e tyre është shumë e rëndë.

Edhe sot, që në orët e hershme të mëngjesit, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, filluan t’i granatojnë fshatrat e lartpërmendura dhe fshatrat tjerë si Vërbovcin, Abrinë, Açarevën, Polluzhën e Kryshecin. Këto fshatra po sulmohen me artileri të rëndë, duke filluar nga minahedhësit deri te raketat e tipit tokë-tokë.

Gjatë këtrye dy ditëve, forcat e UÇK-së kanë bërë një rezistencë të fuqishme dhe me heroizëm po u kundërvihen forcave armike.

Si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri tash janë vrarë tre shqiptarë, në mesin e të cilëve dy fëmijë dhe kanë plagosur 16 civilë të tjerë.

Bëhet e ditur se forcat serbe kanë vrarë, Leutrim Ahmetin (9), Xufë Ahmetin (8) dhe Ramë Ahmetin (42), ndërsa kanë plagosur Fatmire Malush Ahmetin (18), Gjyle Racin (30), Brahim Ahmetin (29), Makfirete Ahmetin (14), Bajram Ahmetin (11), Shpresa Ahmetin (9), Naser Gashin (15), Feti Musliun (22), Nuredin Bacajn (39), Xheladin Behramin (53), Rifat Smakiqin (34), Fatmire Ahmetin (35), Arben Makollin (24), Tahir Lladrovcin (22), Jahir Dërgutin (44) dhe Skënder Ahmetin (39).

Gjithashtu, si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri në Bëhet e ditur se nga pasojat e bombardimeve serbe deri tash janë shkatërruar e djegur qindra shtëpi shqiptare dhe objekte të tjera ndihmëse.

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

11 shtator 1993

 

 

Në Prishtinë pritet në radhë për bukë

 

Furnizimi i Prishtinës dhe i qyteteve të tjera të Kosovës është vështirësuar dukshëm kohët e fundit, si pasojë e masave më të reja të qeverisë serbe.

Shumë dyqane private të pronarëve shqiptarë tashmë janë mbyllur, qoftë për shkak të kërcënimeve e shantazheve të policisë serbe, qoftë për shkak të vështirësive të tjera rreth furnizimit dhe të çmimeve jostabile.

Gjendje tejet e rëndë është veçmas sa i përket furnizimit me bukë. Kështu në Prishtinë qytetarët detyrohen që të presin në radhë edhe për bukë, e cila në sasi të kufizuara shitet që në orët e hershme të mëngjesit.

Furnizimi është tejet i vështirë edhe me artikuj të tjerë ushqimorë, në radhë të parë me sheqer, krip, vaj, deterxhent etj.

 

 

 

11 shtator 1995

 

Në Universitetin e Tetovës studiojnë 1.200 studentë

 

Shkup, 11 shtator (QIK)

Në vitin e parë dhe të dytë të studimeve në Universitetin e Tetovës do të studiojnë 1.200 studentë. Për ligjërimin e mësimeve momentalisht janë të inkuadruar 150 profesorë dhe ky numër mjafton për rrjedhën normale të punës.

Preokupim momental është sigurimi i kuadrit për mësimin e gjuhës maqedonishte, e cila me planprogramin e punës së Universitetit të Tetovës është paraparë të mësohet si lëndë në degët e fakultetit filologjik.

Në momentin e pikërisht, UT ka 17 mësonjtore dhe pesë zyra administrate, të cilat janë të mjaftueshme për punë normale. Ditëve të fundit, në Universitet rrjedh aksioni “libri për Universitetin”, të cilin e kanë përkrahur shumë qytetarë të republikës dhe më gjerë. Po ashtu, një grup punonjësish të këtij institucioni të lartë edukativo arsimor, vizitojnë komunat dhe bashkësitë lokale, dhe me këtë rast njoftojnë popullin për punën e universitetit dhe kushtet materiale të tij pasi që ky universitet tani për tani financohet nga vetë populli, derisa të hyjë në sistemin e financimit të republikës.

Lidhur me yçjen e Universitetit të Tetovës në sistemin edukativo-arsimor dhe financiar të Republikës së Maqedonisë, rektori i UT prof.dr.Fadil Sulejmani, thotë: “Ne të gjithë në Universitet vazhdojmë punën tonë si pedagog për çka edhe jemi të obliguar, kurse inkuadrimin e Universitetit të Tetovës në sistem ia kemi lënë subjektit politik shqiptar. Universiteti ynë nuk është hapur për qëllime politike, por për nevoja reale arsimore të popullit shqiptar”.

 

 

11 shtator 1997

 

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

Skenderaj: – Driton Imeri (20) dhe Asllan Seferi (25), nga Prekazi i Epërm, u ndaluan në Shipol nga policia më 31 gusht dhe u keqtrajtuan fizikisht pa kurrfarë preteksti. Gjatë kontrollit të veturës së tyre, policia gjeti një shqiponjë dhe e dogji atë, duke fyer në baza kombëtare këta dy të rinj dhe duke i keqtrajtuar ata publikisht.

Më 5 shtator, dy autoblinda, të përcjellura nga një helikopter “shetitën” nëpër Prekaz të Poshtëm, respektivisht nëpër lagjet Jasharaj, Kodraj dhe Lushtakët, duke mos u ndalur dhe vazhduan në drejtim të Polacit.

Hamdi Osmani, Mujë e Habib Salihu, Aziz Sejdiu, Sadik e Nezir Neziri dhe Rexhep Musliu, nga fshati Krasmiroc, me pretekst të kërkimit të armëve u morën ose u detyruan të paraqiten në polici disa herë me radhë. Ata, më 29 gusht, u morën dhe u mbajtën në polici disa orë, pastaj u urdhëruan që të paraqiten në polici më 2 shtator dhe disa ditë me radhë.

Gjatë muajit gusht, në komunën e Skenderajt ndodhi një vrasje, dy plagosje, 25 veta u morën në arrest në polici, 39 u morën në bisedë informative, 1 u keqtrajtua fizikisht, 36 psiqikisht, 18 veta u dënuan për kundërvajtje, 5 veta u kërcënuan, ndërsa policia “vizitoi” 38 familje shqiptare.

Mitrovicë: – Dje, në orët e paradites, gjashtë policë të stacionuar në afërsi të ujësjellësit, që gjendet në Shipol, ndaluan dhe legjitimuan të gjithë kalimtarët, si dhe autobusët që vinin nga drejtimi i Pejës dhe Skenderajt. Disa nga udhëtarët madje u bastisën dhe u fyen.

Kamenicë: – Më 3 shtator, dy policë shkuan në shtëpinë e Jakup Hashanit në Muqivërc dhe i lanë thirrjen që të paraqitet më 6 shtator në stacionin e policisë në Kamenicë. Ditën e caktuar ai u paraqit në polici, ku prej tij u kërkua një revole dhe u lirua me porosinë se do ta vërtetojnë rastin dhe do ta thërrasin prap.

Me të njejtin pretekst z. Hashani është marrë edhe disa herë më parë në polici.

Dje, për të tretën herë, me pretekst të kërkimit të armëve, u mor në pyetje në polici Hajrush Vokshi nga Poliçka. Vlen të theksohet se ai u mor në pyetje në lokalet e kooperativës bujqësore “Bujku” në Rrogoçicë, objekt ky të cilin policia e shfrytëzon vazhdimisht për marrje në pyetje të qytetarëve shqiptarë.

Sot, po me pretekst të armës, në policinë e Kamenicës u mor në pyetje rreth një orë Hasan Rapuca, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Korretin. Ai që nga e diela është i detyruar të paraqitet çdo ditë në polici.

 

 

11 shtator 1998

 

Dy të vrarë e 6 të plagosur në Rezallë

 

Gjatë sulmit serb në Rrezallë të Skënderajt janë vrarë Xufë Ahmeti (1990) dhe Leutrim Ahmeti (1969), ndërsa janë plagosur Brahim Ahmeti (1969), Bajram Ahmeti (1987), Makfire Ahmeti (1987), Fatmir Ahmeti (30), Fatmire Malush Ahmeti (17) dhe Tahir Lladrofci (1976) nga Gllanasella e Gllogocit, që ishte mysafir.

Sipas dëshmisë së z. Lladrofci dyshohet të ketë mbetur i vrarë edhe Ramë Ahmeti (35).

Granatimet kanë qenë të fuqishme. Njoftohet për një rezistencë heroike të UÇK-së kundër sulmeve serbe.

Sulmi i filluar në mëngjes kundër fshatrave Rezallë, Ticë e Pluzhinë u zgjerua në orët e pasdites edhe në fshatrat Makërmal e Obri.

Nga këto fshatra, pas sulmit të sotëm u zhvendosën mbi 15 mijë banorë.

 

 

Në Kosovë janë shkatërruar e djegur 41.447 objekte

 

Sindikata e Pavarur e Veprimtarive Komunale e Banesore e Kosovës publoki raportin për pasojat e operacioneve të forcave serbe në Kosovë, në periudhën ndëmjet 28 shkurtit e 10 shtatorit, dhe propozoi disa masa për zbutjen e këtyre pasojave.

Në fillim të raportit thuhet se në Kosovë, në këtë periudhë, janë vrarë së paku 881, janë zhdukur pa gjurmë (e konsiderohen të vdekur) mbi 900, kurse janë keqtrajtuar rreth 10.000 shqiptarë, shumica e të cilëve ishin gra, pleq e fëmijë.

Sipas evidencës së deritashme të kësaj sindikate, në këto aksione, në të cilat janë përfshirë 320 vendbanime të 15 komunave të Kosovës (Skënderajt, Gllogocit, Deçanit, Gjakovës, Klinës, Rahovecit, Malishevës, Pejës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Suharekës, Ferizajt, Shtimes, Lipjanit, Prishtinës, Prizrenit dhe Istogut), janë plaçkitur, djegur ose dëmtuar 41.447 objekte të ndryshme (39.622 shtëpi banimi, 1.755 lokale tregtare dhe mbi 60 objekte shkollore). Kështu, më shumë se 445.033 banorë kanë qenë të detyruar të braktisin shtëpitë e veta, ndërsa rreth 274.311 vetë kanë mbetur pa kulm mbi krye.

Sindikata e Pavarur e Veprimtarive Komunale e Banesore, duke tërheq vërejtjen për gjendjen tepër të rëndë të popullsisë që ka braktisur shtëpitë për të shpëtuar jetën, thekson se kjo situatë nuk mund të tejkalohet pa tërheqjen e forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, duke përfshirë edhe heqjen e rreth 100 postblloqeve policore, të cilat e bëjnë të pamundur lëvizjen e njerëzve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.

Kjo sindikatë vlerëson se popullsia e zhvendosur nuk mund të kthehet në trojet e veta, në qoftë se nuk jepet ndihmë për ndërtimin e shtëpive të reja ose për sanimin e shtëpive të dëmtuara. Për këtë arsye, ajo vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të hartojë një program për krijimin e kushteve minimale për kthimin e të larguarve nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojë mjete për kthim sa më të shpejt të tyre. Gjithashtu, ajo e vlerëson të nevojshëm edhe formimin e një agjencie profesionale për vlerësimin e dëmeve matriale dhe për hartimin e realizimin e programeve për sanimin e gjendjes në të gjitha vendbanimet e dëmtuara.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 10 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

10 shtator 1993

 

Perfekti i Nju-Jorkut kërkon angazhim të OKB-së në Kosovë

 

Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Butros Gali, Prefekti i Nju-Jorkut Dejvid Dinkins shkruan se Kombet e bashkuara duhet të kërkojnë rikthimin e forcave neutrale vëzhguese në Kosovë.

“Një krizë me përmasa të papara po i kanoset Ballkanit”, thotë Dinkinsi, duke shtuar se ai dhe komuniteti shqiptar i Nju-Jorkut janë thellë të brengosur për problemin e Kosovës.

“Dy milion shqiptarët e Kosovës të cilët edhepse përbëjnë mbi 92 për qind të popullësisë së saj, janë të nënshtruar nga regjimi ushtarak i beogradit. Me përzërjën e Misionit të KSBE-se nga regjimi i Milosheviqi, shqiptarët e humben edhe mbështetjen e tyre të fundit për t’i dëshmuar shkëljet që po u behen atyre.

Prandaj, ju lus që të përdorni autoritetin tuaj moral të bëni atë që është e mundur t’a pengoni një konflikt të ri në Ballkan”, thuhet mes tjerash në lëtrën që i dërgoi Prefekti i Nju-Jorkut, Sekretarit të Përgjithsjën të OKB-së Butros Butros Galit.

 

 

10 shtator 1994

 

Në Bruksel shfaqen shtatë filma shqiptarë

 

Organizatorët e Festivalit Mesdhetar të Filmit, organizuan një konferencë shtypi, në të cilën zyrtarisht paraqitën titujt e filmave që do të merrnin pjesë në Festivalin e sivjetshëm si dhe emrat e mysafirëve të ftuar.

Brukseli është djepi i civilizimit perëndimor dhe ven dorigjine për shumë emigrues, pellgu meshdetar që nga agimi i kohëve, çerdhe e kreativiteteve të ndryshme dhe është vendkryq në mes veriut dhe jugut, një zonë osmoze mes civilizimit evropian dhe Lindjes, – janë fjalët e ministrit Didier Gosuin .

Rëndësia e kulturës mesdhetare në një qytet kosmopolit siç është Brukseli, na ka shtyrë që të organizojmë Festivalin Mesdhetar të Filmit. Filmi është mjet i shprehjeve të mendimit të lirë, tejet i rëndësishëm në epokën tonë, por nuk është i veti dhe për këtë arsye Festivalit ia kemi shtuar edhe ekspozitën e pikturave, të fotografisë, muzikën dhe kuzhinën me qëllim që të krijojmë një festë të madhe që do t’i përfshijë Deti Mesdhe” të gjithë ata fëmijë të afërt e të largët, tha në konferencën e djeshme Filip Pre (Filippe preux), organizator i Festivalit Mesdhetar.

Në këtë Festival marrin pjesë 54 filma nga 14 shtete mesdhetare, kurse kinematografia shqiptaer do të prezentohet me pesë filma nga Shqipëria dhe me dy filma nga Kosova. Prilli i Thyer i Lirie Begesjës, Qind për qind i Artan Minarollit dhe Petrit Rukës, Zemra e detit i Besnik Bishës, Nekrologji i Fatmir Koçit, Proka i Isa Qosës dhe filmi dokumentar – artistik Kosova është gjaku ynë që nuk falet i Alma Sahitajt.

Duke pasur parasysh se filmi Kosova është gjaku ynë që nuk falet është realizuar nga regjisorja më e re e këtij Festivali, Filip Pre bëri veçmas një vështrim special për regjisoren dhe filmin e saj.

Alma Sahitaj, e pasionuar për film, karrierën e saj e filloi si asistente në filmin Kosovë, shqiponjë e robëruar dhe me vullnetin e saj të hekurt ajo nënshkroi më 1994 filmin e vet “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”, Alma është një regjisore e re përplot talent, për të cilën Festivali ynë hapi perdet. Filip Pre, gazetarëve të pranishëm, ua sqaroi në pika të shkurtra edhe sinopsisin e filmit të Almës.

Bruksel. Në një njeri vritet në timonin e veturës së tij. Një aksident i thjeshtë? Jo, është një atentat! Ky njeri është Enver Hadri. Viktimë e angazhimit politik e kulturor, Enver Hadri simbolizon luftën e popullit shqiptar të Kosovës për të fituar të drejtat dhe lirinë. Një trashëgim prej gjenerate në gjeneratë i përcjellë në gjakun e çdo shqiptari, cilido qoftë brenda në Kosovë apo i mërguar duhet të veprojë për atdheun e tij. Fragmente nga historia, nga biografia, intervfista, takime dhe dëshmitarë, Kosova është gjaku ynë që nuk falet, kalon suazat e një filmi të thjeshtë dokumentar, andaj ky është një film politiko-artistik mbi jetën dhe kushtet dhe tragjedinë e një populli. Filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falet” u bë në bashkëpunim me ne, me Festivalin Meshetar dhe me sa di unë, ky është filmi i parë nga Kosova në kooproduksion me një shtet evropian, njofton “Bujku”.

 

 

10 shtator 1995

 

 

Vazhduan punimet në heqjen e eksponateve nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit

 

Menjëherë pas skadimit të afatit të dhënë nga organet e instaluara serbe në Prizren, për heqjen e fotografive dhe eksponateve nga kompleksi memorial i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, filloi puna në largimin e eksponateve dhe në përgatitjen e objektit për vendosjen e kolonëve serbë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Prizren njofton se edhe gjatë ditës së shtunë këto punime vazhduan me intensitet të shtuar, gjë që tregon qartë se organet e instaluara serbe, përkundër reagimeve të shumta, nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga qëllimi i tyre.

 

 

 

10 shtator 1997

 

 

“Frakfurter Algemajne Cajtung”: Kthimi masiv keqëson gjendjen në Kosovë

 

 

Dje në gazetën gjermane “Frakfurter Algemajne Cajtung”, u botua artikulli me titull: “A janë vërtetë të sigurtë në vendlindjen e tyre shqiptarët e Kosovës të kthyer nga Gjemania”.

Në këtë shkrim theksohet se “ndër azilkërkuesit që ndodhen në Gjemrani, gjenden shumë shqiptarë nga ish-republika federative e Jugosllavisë. Megjithëse ata përbëjnë reth 90 për qind të popullsisë që shtypen nga serbët sundues, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti, vetëm turqit dhe irakianët kanë kërkuar më shpesh azil se sa shqiptarët nga Kosova, ndërsa nami i shqiptarëve nga Kosova është i keq, ndërsa kanë shkaktuar incidente me armë zjarri, tregti droge, vjedhje, etj. , mirëpo, vetëm pasi Boni dhe Beogradi në fund të vitit të kaluar ranë dakord për nkë marrëveshje kthimi të rreth 120 mijë shqiptarë nga Kosova. “RFJ” u zotua se do t’i merrte në mbikëqyrje nënshtetasit e tyre me banim në Gjermani. Meqë nga Beogradi nuk mund të kërkohej kthimi i të gjihtë shqiptarëve nga Kosova, ranë dakord që kthimi të bëhej proporcionalisht brenda një afati prej 3 vjetësh dhe siç theksohet në nenet 1 dhe 2 të marrëveshjes, duke i respektuar plotësisht të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e personave që kthehen. Deri tash ekspertët e Komisionit që do të kontrollonin mbarëvajtjen e marrëveshjes është mbledhur dy herë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, deri më 1 gusht janë kthyer 1. 794 shtetas jugosllavë. Veçanërisht konsekuent në kthimin e shqiptarëve janë zyrtarët e Bavarisë dhe Badenvytenbergut. Në fund të gushtit në Shtutgard me avionë për në Prishtinë u dërguan 72 shqiptarë nga Kosova, ndër ta edhe 4 keqbërës, ndërsa avioni, piloti dhe personeli shoqërues ishin serbë. Me asnjë grup tjetër azilkërkuesish nuk veprohet në mënyrë kaq konsekuente. as me grupin tjetër, atë të boshnjakëve nga ish-Jugosllavia. Në Shtutgard janë të kënaqur, pasi gjatë kësaj kohe janë kthyer 490 shqiptarë nga Kosova ndër ta edhe 45 keqbërës. Ministri i Brenshëm, Shojble deklaroi se edhe më tej do të veprojë kështu. “Ne duhet t’i kthejmë dhe do të këmbulim që kthimi të bëhet vullnetarisht. Aksionet tona të kthimit duhet ta bëjnë të qartë se Badenvurtenbergu në rast nevoje do të vërë në jetë me detyrim kthimin, ndërsa aksionet tjera janë të paevitueshme”, tha ai.

Megjithatë, Shojble tha se gjendja në Kosovë është e vështirë, mirëpo konfliktet mes autoriteteve serbe e shqiptare nuk kanë të bëjën krejtësisht me azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania. Edhe në Ministrinë e Brendshme në Bon janë të kënaqur me kthimin. “RFJ”, përpiqet të ndjekë marrëveshjen dhe t’i respektojë të drejtat njerëzore të atyre që kthehen. Ka raste kur ka pasur shkelje të të drejtave njeërzore, ndërsa Boni nuk e quan të vlefshme kritikën, pasi autoritetet jugoslalve e shtynë kthimin për t’i mbajtur sa më gjatë jashtë vendit shqiptarët e Kosovës të urryer prej tyre. Në Minsitrinë e Brendshme, merret vesh se në Beograd do të hapen vende të tjera për të bërë përpunimin e kërkesave për kthim nga Boni. Megjigjatë është në pikëpyetje nëse një kohë e parashikuar prej tre vjetësh vërtetë do të kthehen të gjithë azilkërkuesit e refuzuar nga Kosova. Regjimi serb që sillet si pushtues në Kosovë po i shkon për shtati ikja e sa më shumë shqiptarëve. Shumë kanë ikur në vitin 1989, 1990, ku Beogradi nën udhëheqjen e Milosheviqit shpërndau faktikisht institucionet e Kosovës, i largoi nga institucionet drejtuese shqiptarët etnikë dhe zhvilloi mësimin sipas planeve mësimore serbe. Nga forcat politike udhëheqëse të Kosovës, si Lidhja Demokratike e Kosovës, dëgjohet se nuk janë dakord që refugjatët të paguajnë 5. 000 deri 6000 marka për të ardhur në Gjermani dhe pastaj këtu t’i kalojnë ditët kot dhe pa punë, meqë ata i nevojiten vendlindjes. Gjermania duhet të ushtrojë presion mbi Beogradin me qëllim që të zgjidhë shpejtë çështjen e Kosovës.

Jo vetëm përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, por edhe shumë organizata për të drejtat e njeriut, theksojnë se refugjatët e kthyer nga Gjermania merren hollësisht në pyetje nga autoritetet serbe, pastaj vidhen, fyhen dhe disa herë edhe maltretohen. Që në aeroportin e Prishtinës, një pjesë e madhe pyeten për aktivitetet politike në Gjermani, ndërsa u mbahen pasaportat dhe dokumentet e lëshuara. Të kthyerit lirohen me kusht që pas disa ditësh të paraqiten sërish në policinë lokale, ndërsa atje i presin rrahjet dhe maltretimet. Shumë të kthyer, menjëherë pas kthimit fshihen te të afërimt e tyre, ndërsa deri tash janë regjistruar dhjetëra raste torturash e maltretimesh disa ditë pas kthimit.

Për të garantuar sigurinë dhe dinjitetin e personave të kthyer, kërkohet ngritja e një zyreje me vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë në Prishtinë. Komesariati i lartë për refugjatë UNHCR, ka konstatuar para pak kohësh se shtypja policore në Kosovë është arbitrare dhe mund të prekë parimisht çdo shqiptar. Kthimi masiv i azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar sipas organizatave mund të çojë në keqësimin e gjendjes në Kosovë, andaj për UNHCR mekanizmat për kontrollin e të kthyerëve janë shumë të dëshirueshme, thuhet në fund të artikullit të gazetës gjermane “Frakfurter Algemajne Cajtung”.

 

 

10 shtator 1998

 

Në komunën e Rahovecit u gjetën trupat e pajetë të 5 burrave dhe 4 foshnjave shqiptare

 

Nazmi Muçaj, sekretar i KKNE, i tha KI për Informim të Degës së LDK-së në Prizren se në komunën e Rahovecit forcat serbe kanë vrarë edhe 5 burra dhe një foshnjë, ndërsa nga pasojat e katastrofës humanitare kanë vdekur edhe tri foshnja të tjera shqiptare.

Njoftohet se forcat serbe kanë vrarë Isuf Berishën (25) nga Polluzha, Mark Sopjanin (42) nga Dobidoli dhe foshnjën dymuajshe të Hysen Kabashit.

Në fshatin Postosel, forcat serbe kanë mbytur me torturë e pastaj i kanë hedhur në puse edhe trupat e pajetë të Himë Krasniqit (58), Ismet Krasniqit (41) dhe atë të Beqir Krasniqit (80).

I njëjti burim bën të ditur se gjatë qëndrimit nën qiellin e hapur, kanë vdekur edhe tri foshnje të tjera shqiptare, emrat e të cilave ende nuk dihen.

Dyshohet se numri i shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në komunën e Rahovecit është i madh.

 

Prizren: Në Kushtendil u gjetën dhe u varrosën trupat e pajetë të tre shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

 

Dje në fshatin Kushtendil të Vërrinit, u gjetën trupat e pajetë të Refki Gani Shalës (35), Milaim Xhemajli Thaçit (28) dhe Tamil Beqir Shalës (43), të cilët janë vrarë gjatë ofensivës së fundit serbe më 1 shtator të këtij viti.

KI i Degës së LDK-së në Prizren njofton se trupat pa jetë të tre shqiptarëve të vrarë janë varrosur në vendlinjen e tyre në Kushtendil.

 

Sulm i ri mbi refugjatët – tre të vrarë e 26 të plagosur

 

Zëdhënësi i Zyrës së Komesariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë Del Mundo i tha gazetares së “Dojçe Veles” në Prishtinë se sipas fjalëve të një mjeku, forcat serbe kishin vrarë tre refugjatë dhe kishin plagosur 26 të tjerë gjatë një sulmi mbi ta derisa po largoheshin nga fshati Prapaçan i Deçanit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 9 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Ilustrim: Deçani

 

 

9 shtator 1993

 

Ushtria serbe vrau Banush Sadikun nga Firaja e Shtërrpcës

 

Ushtria serbe, dje rreth mesditës, siç kemi informuar, qëlloi me armë zjarri në Banush (Selim) Sadikun (20) dhe Fakir Fejzën (19) nga fshati Firajë i komunës së Shtërrpcës.

Në një njoftim të nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Shtërpcës, të cilin e boton gazeta e sotme “Bujku”, thuhet se nga plagët e rënda vdiq në vend Banush (Selim) Sadiku, kurse Fekir Fejza gjendet në spitalin e përgjithshëm të Prishtinës, ku iu nënshtrua trajtimit intensiv mjekësor.

 

 

9 shtator 1994

 

 

Në Deçan policia serbe vrau Violetë Dervishajn

 

Siç kemi informuar, dje, në Deçan, gjatë një ndërhyrjeje masive të policisë serbe, një polic serb vrau Violetë Kastrati –   Dervishajn (23), nënë e dy fëmijëve, e cila po qëndronte në     teracën e shtëpisë së vet.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së vërteoi sot faktin se disa shqiptarë të tjerë janë arrestuar dhe se vrasës i zonjës Dervishaj mund të jetë komandanti i policisë serbe në Deçan, Zoran Nekiq. Dëshmitarët thonë se ai ka shtënë me automatik.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së sot njoftoi se forcat serbe e kishin tensionuar situiatën në Deçan që nga mëngjesi i ditës së djeshme që është ditë tregu.

Në mëngjes pati lëvizje të mëdha të forcave serbe. Forca të mëdha patrolonin nëpër qytet dhe në treg.

Në orën 11;30  në tregun e Deçanit një grup refugjatësh me prejardhje serebe nga Shqipëria që janë vendosur me dhunë në pushimoret e Deçanit, rrahën rëndë vëllezërit Ukë dhe Xheladin Ferizajin nga fshati Kodrali.

Ndërsa në orën 13:30 dy policë serbë, njëri i quajtur Fakiq, afër kafeterisë “Malësori”, pasi provokoi rëndë, rrahu Bashkim Shalën, Zymer Gashin nga fshati Broliq dhe Halil Shalën nga fshati Prapaçan. Të fyer e të revoltuar ata në përleshje e sipër e çarmatosën njërin polic serb, por tjetri e mbajti njërin para tytës derisa në vendin e ngjarjes arritën forca të mëdha të policisë, të udhëhequra në fillim nga polici famëkeq Zharko Millosheviq. Ata filluan të godasin me grushta, shufra gome e tyta armësh të tre të rinjët shqiptarë deri sa i rrëzuan dhe i lanë në gjendje të alivanosur. Në ndërkohë aty aritën edhe forca të tjera, të cilat bllokuan rugën kryesore të Deçanit. Policia shtinte me armë pa shkas e pa cak, ndërsa nga një predhë e automatikut të komandantit të policisë, u qëllua për vdekje zonja Violetë Dervishaj në teracën e shtëpisë së saj.

Thuhet se në mesin e qytetarëve shqiptarë ka shumë të rrahur e të arrestuar, ndër ta edhe të rinjt Bashkim e Halil Shala dhje Zymer Gashi. Buk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të plagosur.

Nga Deçani dje pati njoftime të vështirësuara për shkak se policia serbe bllokoi lidhjet telefonike.

Njoftohet se gjendja dje dhe sot në Deçan është shumë e tensionuar.

 

 

9 shtator 1995

 

Vendosja e kolonëve serbë në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit provokim gjithëkombëtar

 

Urdhëresa ultimative e drejtoreshës së dhunshme Natasha Shutakoviq-Andriq, që të tërhiqen të gjitha pikturat, eksponatet dhe dokumentacioni tjetër nga lokalet e kompleksit memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit filloi të realizohet dje në orën 13.

Një grup punues e filloi tërheqjen e të gjitha materialeve nga lokalet përkatëse të kompleksit duke i grumbulluar në një depo të papërshtatshme dhe të pasigurtë.

Ndërsa lokalet ku deri tash ishin këto eksponate dhe këto dokumente me rëndësi të madhe për historinë dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve, do të rregullohen dhe do të shërbejnë për vendosjen e disa kolonëve serbë.

Uzurpimi i objekteve të këtij kompleksi memorial nga ana e pushtetmbajtësve serbë e indinjoi popullatën shqiptare të kësaj ane dhe më gjerë. Mirëpo, në pamundësi që këto objekte të mbrohen ndryshe pakënaqësia e popullatës po shprehet përmes indinjatës dhe protestave të heshtura që po bëhen në kuadër të partive politike dhe të subjekteve tjera shqiptare, thuhet në njoftimin e “Bujkut”.

Në reagimin e FR të LDK-së – Dega në Prizren dënohet ky akt barbar i pushtetmbajtësve serbë dhë kërkohet nga institucionet ndërkomëtare që të bëjnë presion mbi këtë pushtet okupues në Kosovë për ndalimin e një veprimi të tillë skandaloz dhe që paraqet provokim direkt të popullit shqiptar.

Kundër veprimit të pushtetit serb për vendosjen e kolonëve serbë në ndërtesën e Lidhjes së Prizrenit, reagoi edhe Kryesia e Degës së LDK-së në Viti.

 

9 shtator 1997

 

Nëna Tereze do të varroset në “Shtëpinë e Nënës”

 

Varrimi i Nënës Tereze, i parashikuar për të shtunën, do të ketë një karaker shumëbesimesh, – theksoi një zyrtar i Bashkisë. Qyteti i Kalkutës dhe përgjegjësit e Urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, filluan dje përgatitjet për organizimin e varrimit, i cili do të bëhet në një stadium me një kapacitet prej 15. 000 vendesh.

Trupi i nënës Tereze, i cili ndodhet prej së dielës në kishën Shën Thoma të Kalkutës, do të largohet nga kisha në orën 9:00 mbi shtratin e një topi, – theksoi Bemvinda Pereira, përgjegjëse e kësaj ngjarjeje në Bashki. Kortezhi do të përshkojë një rrugë 7,5 km.

Ceremonia funebre do të zhvillohet në stadiumin e qytetit, e cila do të zgjasë 2 orë. Do të lexohen tri tekste: testamenti i vjetër dhe i ri, si dhe një psalm. “Në ceremoni do të marrin pjesë nga të gjitha fetë dhe do të bëhen lutje në të gjitha fetë”, – theksoi Pereira. Nëna Terezë do të varroset pastaj në “Shtëpinë e Nënës”, të cilën ajo e ka themeluar në vitin 1950.

40000 veta i bënë homazhe Nënës Tereze gjatë uikendit. Homazhet do të vazhdojnë nga ora 10:00-19:00 në kishën Shën Thoma deri në ditën që do të varroset, njofton ATSH, duke iu referuar agjencisë AFP.

 

9 shtator 1998

 

Deçan: Rreth 70 mijë banorë natën e kaluan nën qiellin e hapur

 

Mbrëmë në fshatrat Isniq e Strellc, mbi 70 mijë qytetarë nga 40 fshatra të komunës së Deçanit, të Rekës së Keqe e Dushkajës së Gjakovës, Lugut të Baranit dhe të disa fshatrave të komunës së Klinës, e kaluan natën nën qiell të hapur, të përcjellë vazhdimisht me rrebeshe shiu, njofton Osman Cacaj, kryetar i KI të Degës së LDK-së në Deçan.

Rreth 10 mijë banorë shqiptarë, kryesisht gra, fëmijë dhe pleqë kanë mësyre bjeshkën e Strellcit. Për fatin e tyre ende nuk dihet asgjë.

Popullata shqiptare e komunës së Deçanit i bën edhe një herë apel Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, që t’i dalin në ndihmë këtij populli, i cili po përjeton katastrofë.

 

 

Në Kodrali u gjet trupi i masakruar i Halil H. Alisë

 

Dje pasdite se në afërsi të fshatit Kodrali, u gjet trupi i pajetë dhe i masakruar i të riut Halil Haxhi Alija (23) i vrarë nga forcat serbe më 3 shtator të këtij viti, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Bëhet e ditur se të njëjtën ditë kur është masakruar i ndjeri Halil Alija, forcat serbe kanë keqtrajtuar brutalisht edhe babain e tij Haxhi Alinëa (73), i cili nga torturat e policisë serbe ka vdekur të nesërmen më 4 shtator.

I nbjëjti burim bën të ditur se forcat serbe kanë arrestuar edhe 12 shqiptarë të të njëjtit fshat, të cilët janë dërguar të zhveshur lakuriq në stacionin e policisë serbe në Gjakovë dhe ata janë: Zenel Alija (29), Hajdin Alija (24), Riza Alija (18), Isa Alija (28), Agron Alija (14), Bekim Kalimashi (17), Naser Kalimashi (25), Arben Alija (20), Ismail Taraku (30), Enver Taraku (15), Gani Çeku (48) dhe Selim Çeku (18). Ata janë torturuar plot pesë ditë në organet e policisë serbe dhe më pas janë dërguar në burgun e Pejës.

Continue Reading

Të kërkuara