Live

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 2 mars, në vitet 1993-1999

Published

on

Sot lajmet janë nga më të ndryshmet. Bota ka ndryshuar. Teknologjia ka ndryshuar shumëçka në jetën tonë, edhe në mënyrën tonë të informimit. Edhe ngjarjet janë të tjera. Të kohës. Por, cilat ishin lajmet që mund të lexonin kosovarët, dekada më herët. Ta zëmë, në kohën më të rëndë për shqiptarët e Kosovës (1990-1999), kur Serbia kishte bërë përpjekje ta instalojë terrin informativ.

Ishin gazetarët shqiptarë që nuk heshtën, edhe pse Serbia mbylli Radiotelevizionin e Prishtinës, gazetën “Rilindja” dhe të gjitha revistat e tjera.

Ishin edhe korrespondentët e mediave të huaja, që ndihmuan që, megjithatë, shqiptarët e Kosovës të mos mbesin në terr informativ.

 

2 mars 1993

Një nga lajmet kryesore ishte vazhdimi i grevës së refugjatëve shqiptarë në Norvegji. Greva e urisë, është organizuar në vendbanimin “Frostaveion”, në qytetin Trondhaim, që nga 11.02.1993, duke filluar nga ora 14.00. Kërkesat e grevistëve shqiptarë janë:

– rishqyrtimi dhe anulimi i vendimit për kthimin e refugjatëve shqiptarë nga Norvegjia dhe

– kërkesa që të gjithë kërkuesit e strehimit, të marrin statusin e refugjatit.

Titujt e tjerë ishin: Kongresi i Internacionales Demokristiane për Kosovën, në Bruksel; Konferencë për shtyp e Partisë Shqiptare Demokristiane e Kosovës.

Lajme të përditshme kishte për dhunën serbe në Kosovë. Në lajmin “Serbia ka intensifikuar aktivitetet ushtarake në Kosovë”, njoftohet edhe për sulme fizike ndaj shqiptarëve në anë të ndryshme të Kosovës.

Lajmi tjetër është se veprimtari i njohur i të drejtave të njeriut dhe i pajtimeve të gjaqeve, dr. Zekeria Cana u mor përsëri në polici. Pastaj se katër policë serbë sot rreth orës 13 arrestuan Mehmet Aliun, pronar i objektit ku mbajnë mësim nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës.

Titujt e tjerë: Plane për kolonizime të Prishtinës; Arsimtarët serbë në Istog bëjnë grevë; Presion i shtuar në komunën e Gjakovës; Në komunën e Klinës po intensifikohet dhuna; “Quotidien de Paris”: Në mbrojtje të një fuqie baruti; AFP: Kontakte sekrete greko-maqedonase të nivelit të lartë në kufi;

 

2 mars 1994

Lajmi kryesor: Kryetari Rugova organizoi pritje me rastin e 550-vjetorit të Kuvendit të Lezhës.

Lajme të tjera: Prizren: Policia financiare serbe konfiskoi mall në vlerë më se 5 milionë marka;

Gjashtë shqiptarë në Pejë akuzohen për armë; Në Petrovë të Shtimes serbët plaçkitën pajisjet e ambulancës; Lëvizje të ushtrisë serbe në Kosovë; “Evening standard”: Ëndrra për Serbinë e Madhe po shkapërderdhet.

Në kuadër të rubrikës “Represioni i policisë serbe në Kosovë” jepen këto lajme:

Lipjan: – Sot në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Ramiz Ajetit në fshatin Çollapek të Lipjanit. Policia në shtëpinë e Ramizit nuk gjeti kurrfarë arme, ndërsa të e mori me vete në stacionin e policisë në Lipjan dhe ende po mbahet në arrest.

Prizren: – Dje rreth orës 12, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Zeqir, Haki dhe Osman Qunajt në Dushanovë të Prizrenit.

Meqë asnjë nga kryefamiljarët nuk gjendeshin në shtëpi, policët gjatë bastisjes shkaktuan dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar shumë orendi.

Ferizaj: – Pardje rreth orës 10, dy policë serbe bastisën familjen e Shaip Sopës në Ferizaj. Meqë Shaipi nuk gjendej në shtëpi, policët i lanë ftesë që të paraqitet dje në stacionin e policisë në Ferizaj në orën 8.

Më 28 shkurt, rreth orës 11, dy policë serbë hynë në shkollën fillore “Skënderbeu” në Jezerc, të cilët i lanë ftesë Jakup Bibës, kryetar i Nëndegës VI-të të për të marrë në pyetje sot në orën 14 në stacionin e policisë në Nerodime.

Fushë-Kosovë: Më 28 shkurt, prej orës 10 deri rreth orës 13, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Hakif Sogojevës, Asllan Mëziut dhe Latif e Hatip Berishës.

 

2 mars 1995

Lajmi kryesor: Në Gjenevë u mbajt manifestimi për Kosovën i organizuar nga Amnesty International. Morën pjesë rreth dy mijë vetë, ndër të cilët edhe aktivistët të seksionit të Zvicrës dhe të seksionit të Gjenevës të organizatës Amnesty International, të huaj të tjerë, si dhe Z. Xhafer Shatri, ministër për Informim i Republikës së Kosovës, z. Adem Demaçi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut-Prishtinë, drejtues i shoqatës kulturore shqiptare “Ikballe Prishtina”.

Lajme të tjera: Mesazh i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me rastin e Bajramit të Madh; Në Belgjikë mërgimtarët shqiptarë falën Bajramin; Përfaqësuesi i UNESCO-s u takua me ministrin e qeverisë së Jugosllavisë së vetëshpallur; Gazeta daneze lidhur me zbulimin se veprimtari i kriminelit Arkan ishte angazhuar si avokat nga qeveria daneze; Muaji mars – muaj i solidaritetit në Kosovë; Në dy muajt e fundit në Kosovë policia serbe keqtrajtoi 781 persona;

U mor në pyetje drejtori i SHM “H.Tahsini” në Obiliq;  Kryetari e sekretari i LS u morën në biseda informative; Nga Fabrika e Mobiljeve në Deçan nga puna u përjashtuan 69 punëtorë shqiptarë;

Në rubrikën “Dhuna e përditshme në Kosovë” jepen këto lajme:

Vushtrri: – Më 28 shkurt rreth orës 17:00, një patrullë e policisë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve “vizitoi” shtëpinë e Ismail dhe Sabri Ismailit në fshatin Pasomë të Vushtrrisë.

Ismail Ismailit, policia ia mori letërnjoftimin dhe e urdhëroi që sërish të paraqitet në stacionin e policisë në Vushtrri.

Më 1 mars, nja patrullë e policisë serbe, nën të njëjtin pretekst “vizitoi” shtëpinë e Sabit Sheremetit në fshatin Gurbardh të Vushtrrisë. Policia e urdhëroi Sabit Sheremetin që të paraqitet në stacionin e policisë në Vushtrri.

Prizren: – Më 17 shkurt, policia serbe, nën të njëjtin pretekst ishte në shtëpinë e Arife Morinës me përkatësi myslimane në Prizren. Ajo u mor në pyetje rreth një orë, me ç’rast u fye në mënyrën më të ulët. Ditë më parë policia ka keqtrajtuar brutalisht bashkëshortin e saj Rifat Morinën.

Kamenicë: – Më 23 shkurt, dy inspektorë serbë, njëri nga të cilët quhej Momçillo Trajkoviq, ishin në shtëpinë e Hetem R.Latifajt në Hogosht të Kamenicës nga i cili konfiskuan një revole. Ata ia lanë thirrjen Hetemit që të paraqitet në stacionin e policisë në Kamenicë. Nga Hetem R.Latifaj kërkuan të dinë se kinse nga kush e ka blerë revolen.

 

2 mars 1997

Lajmi kryesor ka të bëjë me një deklaratë të Kryetarit Rugova për gjendjen kaotike në Shqipëri.

Lajmet në vijim trajtojnë gjendjen në Shqipëri: Gjendje dramatike në jug të Shqipërisë; Kopliku e Serreçi e vlerësojnë dorëheqjen e Meksit; Zëdhënësi i studentëve të Vlorës kërcënohet me sulm të armatosur mbi Tiranën.

Transmetohet një intervistë e Fehmi Aganit, i cili tha se përcaktim themelor i LDK-së është Republika e pavarur e sovrane e Kosovës, e cila do të realizohet me mjete paqësore politike.

Gjithashtu, një tekst nga shtypi norvegjez për gjendjen aktuale në Kosovë.

 

2 mars 1998

Titujt kryesorë: Dhjetëra mijëra shqiptarë protestojnë në Prishtinë ; Vlerësim pozitiv i organizatorit të protestës së sotme me 300 000 pjesëmarrës; Intervenim brutal i policisë serbe kundër protestuesve paqësorë në Prishtinë; Intervenim brutal i policisë te Qendra Sportive; Një kriminel serb shkeli me veturë dhe lëndoi rëndë katër protestues; Policia rrahu në banesa gra e fëmijë që solidarizoheshin me protestuesit; Studentët serbë provokuan me sharje dhe lënduan me gurë disa protestues; Ndërtesa e Presidencës dhe e QIK-ut nën kontroll të rreptë të policisë; U rrahën edhe I. Osmani, A. Spahiu, V. Surroi e Z. Cana; Të shtëna të pasqaruara me armë në Prishtinë; Helikopteri, shoqërues i aksioneve represive serbe edhe në Prishtinë; Shumë të lënduar pranë gjimnazit “Xhevdet Doda”; 320.000 protestues në Podujevë; Protestë e grave shqiptare para selisë së KKN-së në Prishtinë; Deklaratë e Qeverisë së Shqipërisë kundër dhunës e terrorit serb në Kosovë; Të shtëna me armë në disa vende të Podujevës; Policia serbe fortifikohet në Lumëmadh të Vushtrrisë; Përforcime të policisë speciale në Hajvali.

Lajme të tjera – të pasdites: Deklaratë për shtyp e z. Kinkel lidhur me situatën dhe tensionet në Kosovë; Dhjetëra të lënduar po kërkojnë ndihmë në ambulancat private; Intervenimi i policisë po vazhdon në Kodër të Trimave;  Kryetari Rugova dënoi dhunën kundër protestuesve paqësorë në Prishtinë; Kryetari Rugova priti diplomatë amerikanë dhe britanikë; Prishtinë;  Këshilli i Ministrave i UE-së diskuton nesër urgjentisht për Kosovën; Kryetari Rugova ngushëlloi familjet e viktimave të terrorit serb; Ditë zie në Kosovë më 3 mars 1998 (e martë); Shqiptarët protestojnë nesër në Bruksel; Rrahje edhe në stacionin e autobusëve në Prishtinë; U rrah fotoreporteri i QIK-ut; Studentët serbë ndihmuan policinë në rrahjen e protestuesve shqiptarë; Mbi 60 protestues të rrahur nga policia kërkuan ndihmë mjekësore; U mor në polici dhe u keqtrajtua rëndë dr. Jusuf Bajraktari; Policia arrestoi fotoreporterin e gazetës “Fjala Jonë” dhe B. Novosellën; Varrimi i të vrarëve në Qirez të Skënderajt bëhet nesër; Vdiq sepse nuk iu lejua t’i jipej ndihma mjekësore; BE paralajmëron presion më të madh mbi Millosheviqin; Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës; Gjatë javës së ardhshme në shkollat e Skënderajt nuk do të ketë mësim; Forca të mëdha kanë ardhur nga Serbia në Podujevë; Krisma e shpërthim në Dellofc të Klinës.

Në mbrëmje ishin edhe këto lajme: Një i plagosur me armë zjarri; Një gazetari gjerman iu konfiskua kamera; Shtohet numri i të lënduarve; Protesta edhe në Malishevë; Masmediat i bëjnë jehonë protestës së sotme në Prishtinë; Gënjeshtra të policisë e të mediumeve serbe për protestën e sotme; U rrah plaku 77 vjeçar; Shpërthime në komunën e Deçanit; Një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës u pengua të shkojë në fshatrat e Drenicës; Forca policore u stacionuan në Kërpimeh të Podujevës; Koncentrim i forcave ushtarake në brezin kufitar me Shqipëri; U varros viktima e parë e terrorit serb në Drenicë; Nuk dihet asgjë për Shaban Mujën nga Gradica; Policia keqtrajtoi Demaçin, disa gazetarë të “Bujkut” dhe ndërhyri në redaksinë e “Kohës”; Pas intervenimit në Kosovë, R. Gelbard kërcënon Beogradin me sanksione të reja; Reagime të ashpra në Shqipëri; Reagime të shumta në botë kundër dhunës serbe.

 

2 mars 1999

Lufta është në kulmin e saj. Përpjekjet diplomatike para dështimit.

Lajme nga politika vendore:

Hashim Thaçi u caktua mandatar për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës; Adem Demaçi tërhiqet nga pozita e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së.

Nga politika ndërkombëtare:

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana: Ekziston vetëm një marrëveshje të cilën duhet ta pranojnë në tërësi të dyja palët në Kosovë;  Në Maqedoni janë vendosur mbi 6000 trupa të NATO-s për Kosovën; Ministri i jashtëm britanik Robin Kuk sot shkon në Moskë.

Lajmet kryesore vinin nga terreni: 

Forcat serbe po granatojnë fshatrat shqiptare në kufi me Maqedoninë;  Vushtrri: Forcat serbe kanë shtënë drejt fshatrave të Qyqavicës; Policia serbe arrestoi tre shqiptarë nga Okrashtica e Vushtrrisë; Vazhdojnë sulmet ndaj fshatrave shqiptare të Kaçanikut e Hanit të Elezit;  Në Rahovec arritën forca të reja të policisë serbe; Në Rahovec policia serbe tentoi të kidnapojë një të ri shqiptar;  Rahovec: Policia serbe arrestoi një shqiptar nga Opterusha; Në fshatin Tupec të Prizrenit janë gjetur dy trupat e shqiptarëve të vrarë; Dje afër fshatit Koliç të Prishtinës është sulmuar një patrullë e policisë serbe; U identifikuan dy viktimat e gjetura në Tupec të Prizrenit; Rahovec: Në Brestoc u vra një shqiptar; Mitrovicë: Forcat serbe provokuan pjesëmarrësit e varrimit të dy pjesëtarëve të UÇK-së në Vaganicë; Klinë: Koncentrime të mëdha të forcave serbe në Sverkë; Prizren: Disa serbë sulmuan dy verifikues të OSBE-së; Prishtinë: Forcat serbe kaluan nëpër fshatrat Barilevë e Drenoc;

Pejë: Në gjykatën serbe një shqiptar u dënua me 2 vjet burg; Policia serbe keqtrajtoi rëndë një shqiptar nga Druari i Vushtrrisë; Suharekë: Persona të panjohur dogjën një shtëpi shqiptare në Mushtisht; Nga Suhareka në drejtim të Prizrenit shkoi një konvoj i forcave serbe; Suharekë: Nesër pritet të hapet një Zyrë e Misionit të OSBE-së edhe në fshatin Bllacë; Kërkohet Bashkim (Hashim) Hyseni; Gjakovë: U identifikua kufoma e Shani Thaçit nga Rogova e Hasit; Në Osek Hylë të Gjakovës sot varroset Sylejman Bajrami; Në Dobrosh të Gjakovës policia serbe bastisi tri familje shqiptare; Në Maqedoni kanë kaluar mbi 320 banorë të fshatrave Krivenik e Rezhancë të Hanit të Elezit; Mitrovicë: Granatimet drejt fshatrave shqiptare; Në Trakaniq u gjet kufoma e një personi të paidentifikuar; Policët serbë bastisin shtëpitë e shqiptarëve në Bair të Mitrovicës; U gjet kufoma e një personi të vrarë në Shtavicë të Rahovecit.

 

Foto: Llogaria në Facebook e publicistit Veton Surroi

Continue Reading

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara