Kujtesë
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 17 mars, në vitet nëntëdhjetë
Published
7 months agoon
By
UBTNews17 mars 1993
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti Xheremi Stounin;
Arsimi shqip ndërmjet realitetit dhe ardhmërisë;
Në Budapest u miratua një rezolutë për Kosovën;
Në Tiranë u mbajt një tubim komemorativ kushtuar Berit Bekerit;
Shkodra pret Papa Gjon Palin II;
Intensifikohet fushata kundër kryetarit të Republikës së Kosovës;
Sekretari i degës së LDK-së së Gjilanit në “bisedë informative”;
Edhe një anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Shtime u ftua në “bisedë informative”;
U thye depoja e fabrikës së municionit në Skënderaj;
“Die Velt”: CIA paralajmëron fundin e Jelcinit;
Në Prishtinë bandat e organizuara serbe provokojnë shqiptarët;
Ish-polici nga Peja u nxor me dhunë nga banesa;
“Trepça” vjet paskësh punuar me afarizëm pozitiv!;
U zu një grup shitës të drogës.
17 mars 1994
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova ia dorëzoi dekoratën e kryetarit Berisha motrës së Xheladin Hanës;
Në PEN Qendrën Daneze u bisedua për Kosovën;
Takim i disa përfaqësuesve të shqiptarëve me kongresistin amerikan Serrano;
Në Prishtinë u promovua revista “Kosova” në gjuhën angleze;
Në Lugano të Zvicrës filloi simpoziumi ndërkombëtar për aktorin Aleksandër Moisiu;
“Le courrier: Kosova mbetet një vatër krize e cila mund të shpërthejë në çdo kohë;
U mor me dhunë edhe objekti i SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë;
Policia serbe hyri në selinë e partisë së Unitetit Kombëtar;
Në tre muajt e fundit në komunën e Skënderajit u bastisën 56 familje;
Policia serbe arrestoi gjashtë shqiptarë për armë;
A do të hapen 250 mijë dosjet e sigurimit shtetëror serb.
Represioni i policisë serbe në Kosovë
Gllogovc: Më 14 mars, policia serbe kërkoi Ahmet Berishën nga Komorani, i cili u ftua që të mirret në pyetje nga ana e policisë serbe, pardje në stacionin e policisë në Gllogovc.
Më 15 mars, policia serbe ftoi nmë stacionin e policisë edhe Bajrush Krasniqin nga Negrovci. Meqë Bajrush Krasniqi nuk gjendej në shtëpi, atë e kërkuan sërish dje, por nën pretekst të kërkimit të armëve, me ç’rast ia bastisën shtëpinë duke thyer e demoluar shumë orendi.
Po këtë ditë, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi edhe familjen e Sefë Bytyçit në Arllat të Gllogovcit. Policët nga Sefë Bytyçi morën një pushkë gjuetie. Pas bastisjes Sefë Bytyçin e morën me vete në staci/nin e policisë në Gllogovc, i cili u rrah brutalisht.
Skënderaj: – Dje rreth orës 6 të mëngjesit, një ekspeditë e policsë serbe e përbërë prej afro 20 vetash, së bashku me një autoblindë dhe automjete të tjera, bastisën familjen e Nezir Hazirajt në Llaushë të Skënderajt, i cili është i punësuar përkohësisht në Zvicër. Gjatë bastisjes, policët gjetën një revole dhe një pushkë gjuetie për të cilat Neziri disponote lejen.
Policia serbe e mori me vete Nezir Hazirajn, i cili më vonë u dërgua në Mitrovicë. bëhet me dije se Nezir Haziraj po mbahet ende në arrest.
Pardje, policia serbe, kërkoi nga Salih Koca në fshatin Polac të Skënderajt që të dorëzoi një pushkë. Salih Koca pasi deklaroi se nuk disponon me kurrfarë arme, policët i thanë që të lajmërohet sot në stacionin e policisë në Skënderaj në orën 8.
Prizren: – Më 13 mars rreth orës 16 në Prizren polici serb, Bojan Josiq nga Nishi me detyrë në Prizren mori me dhunë banesën e qiftit Gani dhe Azemine Rama në Prizren.
Familja Rama në këtë banesë jetonte qe 6 vite.
Kaçanik: – Më 4 mars, në vendkalimin kufitar të Suboticës derisa po udhëtonte për në Gjermani, policia serbe arrestoi Emrush Mulakun nga Kaçaniku. Shkak për arrestimin e Emrush Mulakut është se ai ka shërbyer në ish-armatën jugosllave gjatë viteve 1987-88, i cili atë kohë edhe sëmuret dhe pas 10 muajsh lirohet nga ish-armata jugosllave.
Familja e Emrush Mulakut njofton se ai tashmë gjendet në burgun hetues në Nish. Merret vesh se Emrush Mulaku do të dal në gjyq më 4 prill të këtij viti.
Mitrovicë: – Sot rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Ramadan Sadikut në fshatin Zhabar të Mitrovicës, me pretekst se po e kërkonin Fadil Sadikun. Pasi Ramadan Sadiku shpjegoi se ajo nuk ishte shtëpia e Fadilit, policët morën me dhunë Ramadan Sadikun që t’ua tregoi shtëpinë e Murat Sadikut, djali i të cilit është Fadil Sadiku.
Policët arrestuan Fadil Sadikun, i cili në lokalet e policisë në Mitrovicë u mbajt deri në orën 11.30, nga i cili kërkuan që të dorëzoi një armë.
Dje, rreth orës 8, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Ajet Haxhiut në rr. “Isë Boletini” në Mitrovicë. Pas bastisjes, policët arrestuan Ajet Haxhiun (67) dhe djalin e tij Naim Haxhiun (20).
Gjatë kohës sa qëndruan në polici, Ajet dhe Naim Haxhiu u rrahën brutalisht nga ana e policisë serbe, me ç’rast edhe morën lëndime të rënda trupore.
17 mars 1995
Lajmet kryesore:
Konferencë për gazetarë e Kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova;
Demaçi u prit nga nënprefekti i Gjenevës;
Delegacioni i PLK-së u prit në Bundestangun Gjerman në Bonn;
Iu vazhdua paraburgimi rektorit të Universitetit të Tetovës dhe bashkëpunëtorëve të tij;
Për Kosovën liderët opozitarë serbë mendojnë njësoj si regjimi serb;
Dhuna e policisë serbe në komunën e Malishevës po merr përmasa shqetësuese;
Policia mbylli lokalet e ambulancës së SHHB “Nënë Tereza” në Junik;
Sot në lagjen “Tauk Bashçe” të Prishtinës u bastisën mbi dhjetë familje shqiptare;
Njësi të policisë në ndërmarrjen e “Elektroekonomisë” së Kosovës;
Në Klinë për kolonistët serbë jipen 1000 hektarë tokë;
Paralajmërohet një taksë prej 300 dinarësh për ujë për banorët e Prishtinës;
Policia financiare serbe e Pejës gjatë shkurtit plaçkiti mall në vlerë prej 456 mijë dinarësh;
Gjatë muajve janar – shkurt në komunën e Ferizajt u keqtrajtuan dhjetëra shqiptarë;
Plagosja e policit serb si pretekst për keqtrajtimin e shqiptarëve në Pejë;
Në Gjenevë mbahet një tubim kundër racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit dhe mostolerancës;
Në vend të fabrikave serbët në Kosovë ndërtojnë vetëm kisha.
17 mars 1997
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti delegacionin e shkollës “Pandeli Sotiri”;
Komisioni për të Drejtat e Njeriut të OKB-së përkrah të drejtën e Kosovës për vetëvendosje;
Demonstratë e shqiptarëve në Kiel të Shlesvig Holshtajnit të Gjermanisë;
Parlamentarë e Nord Vestfalisë u takuan me drejtuese të FR të LDK-së, UP-së dhe BSPK-së;
Gjendje më e qetë në Shqipëri;
Kadare do të bëhej president nëse në Shqipëri intervenojnë forcat e NATO-s;
Spekulime për fillimin e kontrabandës me armë ;
UE dërgon vetëm një mision këshilldhënës në Shqipëri;
Shqetësim në Maqedoni për gjendjen në Shqipëri;
Policia serbe keqtrajtoi rëndë një student me pretekst se është anëtar i të ashtuquajturës UÇK
Dhuna e përditshme në Kosovë;
Banorëve të Panorcit organet e instaluara serbe ua ndërprenë ujësjellësin.
Sulm i armatosur në autobusin e agjencisë “Tempo-turist” – 5 shqiptarë të plagosur
Dje rreth orës 12:00, në afërsi të fshatit Sllatinë të Fushë-Kosovës, në autobusin e agjencisë “Tempo-turist” nga Stambolli, dy civilë që flisnin në gjuhën serbe plagosën me armë zjarri Besim Vokshin (1960), Hydajete Hoxhën (1955) e Afërdita Xhafën (1957) nga Gjakova, shoferin Fazli Ballkan (1942) i lindur në Rozhajë me vendbanim në Stamboll, si dhe një qytetar nga komuna e Pejës, emri i të cilit nuk dihet, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Të plagosurit i deklaruan Komisionit për Informim se civilët që flisnin një shqipe të rëndë kanë hyrë në autobus në Gjakovë së bashku me udhëtarët tjerë që po udhëtonin për në Turqi në orën 10:30. Kur autobusi arrit në afërsi të fshatit Sllatinë, ata u ngritën nga ulëset dhe të armatosur me armë zjarri kërkuan nga udhëtarët që t’ua jipnin paratë.
Pasi nga tre pasagjerë i plaçkitën rreth 1.500 marka gjermane, ata hasën në rezistencë nga Besim Vokshi, i cili kundërshtoi t’ua jipte paratë dhe i cili u qëllua me dy plumba në këmbë. Nga të shtënat e tyre u plagosën edhe tre udhëtarë të tjerë dhe shoferi i autobusit.
Të plagosurve në fillim iu dha ndihma e parë në Prishtinë, ndërsa më vonë ata u transferuar në spitalit e Gjakovës, ku u operuan. Njoftohet se asnjëri prej tyre nuk e ka jeten në rrezik.
Mbrëmë dhe sot, të plagosurit janë vizituar nga përfaqësuesit e Degës së LDK-së në Gjakovë dhe nga përfaqësuesit e KMDLNj-së së Gjakovës, të cilët njoftojnë se gjendja e tyre shëndetësore po përmirësohet.
Lidhur me këtë sulm të armatosur njoftojnë sot edhe gazetat ditore serbe. Në njoftime thuhet se dy sulmuesit ishin të moshës 23-30 vjeçare dhe kondukterit që ua ka paguar biletën i janë prezentuar si Agim e Ekrem. Ata gjithashtu kanë thënë se nuk kanë pasaporta, por ato do t’ua sjellin të afërmit e tyre në stacionin e autobusëve në Prishtinë!
Në njoftime gjithashtu thuhet se në fshatin Krivovë në afërsi të Sllatinës ata urdhëruan shoferin që të lëshonte rrugën dhe ta fuste autobusin në një mal të afërm, por shoferi nuk arriti ta bënte këtë për shkak se autobusi ishte me rimorkio dhe ai u ngatërrua dhe bllokoi komunikacionin.
Dy sulmuesit, njëri me revole, ndërsa tjetri me revole dhe thikë, u prezentuan si policë dhe udhëtarëve iu drejtuan me fjalët “Nxirrni paratë – turqë!”.
Pasi plaçkitën rreth 1500 DM, 1300 dinarë, 1 milion e 350 mijë lira turke dhe dy byzylykë, sulmuesit ikën na mal.
Kjo është plaçkitja e dytë e armatosur e autobusëve të vijave ndërkombëtare që nga fillimi i këtij viti në Kosovë. Në fillim të vitit, në afërsi të Duhlës së Suharekës, pothuaj me skenar të njëjtë dhe nga dy persona të moshës përafërsisht të njëjtë, qe plaçkitur një autobus që qarkullonte për Stamboll. Me këtë rast disa udhëtarë qenë keqtrajtuar nga sulmuesit, ndërsa qenë plaçkitur mbi 16.000 marka gjermane.
17 mars 1999
Edicioni i orës 11:30:
Paris: Delegacioni i Kosovës vazhdon takimet me përfaqësues të OSBE-së – pasdite konferencë shtypi e negociatorëve;
Vushtrri: Forcat serbe edhe sot kanë filluar ofensivën kundër fshatit Beçuk;
Podujevë: Forca të reja serbe erdhën nga Serbia në Kosovë;
Fushë Kosovë: Forca serbe shkuan në drejtim të fshatrave Bellaqevc i Madh e Grabovc;
Mitrovicë: Brahim Zekaj nga Abria e Poshtme u dënua me 15 muaj burg;
Mitrovicë: Civilët e armatosur serb provokojnë banorët shqiptarë;
Forcat serbe kanë bllokuar dje spitalin e Mitrovicës;
Forcat serbe gjatë tërë natës kanë sulmuar tri fshatra të Mitrovicës;
Forumi i Gruas në Mitrovicë u bëri homazhe viktimave të 13 marsit;
“Tajms”: Delegacioni serb ka në disponim 48-72 orë që të pranojë marrëveshjen për Kosovën
Beatris Lakost më nuk është zëdhënëse e OSBE-së;
Patologët finlandezë u distancuan nga raporti për masakrën e Reçakut të cilin e botoi dje gazeta “Politika”;
- Gjingjiq: Serbia me Millosheviqin nuk ka kurrfarë gjasash të sundojnë në Kosovë;
Drashkoviqi është i bindur se Beogradi do ta mbrojë Kosovën në Paris “pranë tavolinës së gjelbër”;
Është rrëmbyer Sherafedin Ajeti, “koordinator kryesor” i ashtuquajturit “sigurim lokal” në Mitrovicë.
Edicioni i orës 12:30:
Në fshatin Tomoc të Istogut u gjetën të vrarë tre vëllezër: Brahim, Esat dhe Enver (Imer) Dervishaj
Sot në orët e mëngjesit, në rrugën Gjurakoc-Istog, në breg të rrugës afër varrezave të Shatrajve të fshatit Tomoc të Istogut, u gjetën të vrarë tre vëllezër: Brahim (30), Esat (20) dhe Enver Imer Dervishaj (16), nga fshati Zabllaq i komunës së Istogut.
Në vendin e ngjarjes doli policia sebe, e cila bllokoi rrugën për afër tri orë, si dhe vëzhguesit e Misionit Verifikues të OSBE-së me seli në Istog dhe në Pejë.
Bëhet e ditur se rreth orës 10:30 policia serbe i ka marrë trupat e tyre dhe i ka dërguar në spitalin e Prishtinës për obduksion.
Njoftohet gjithashtu se njëri nga viktimat ishte i prerë në fyt, kurse një tjetër ishte me duar të lidhura prapa me pranga.
Edicioni i orës 14:30:
Lajmet kryesore:
Konferenca për Kosovën në Paris i afrohet fundit;
LDK në thirrje për ndërhyrje urgjente të NATO-s në Kosovë;
Ndërhyrje serbe në Bobaj të Bokës të Gjakovës – një i vrarë e 30 të plagosur;
Gjakovë: Të shtëna në fshatrat e brezit kufitar dhe arrestime të shumta;
Ardhje të reja të forcave serbe në Kosovë;
Prizren: Forcat serbe kanë rrethuar fshatin Kabash;
Varrosen nëntë luftëtarët e vrarë më 12 mars në luftimet në fshatrat e Vërrinit;
Kaçanik: Mbrëmë forcat e ushtrisë serbe rrethuan fshatin Laç;
Forcat serbe kanë demoluar objektin e SHF në Kërbliq të Kaçanikut;
Katër shqiptarë u dënuan nga gjykata serbe në Pejë;
- Thaçi: “Qeveria e re do t’u përgjigjet të gjitha situatave që do të krijohen edhe pas 15 marsit në Kosovë”;
“RFJ”-ja kërkoi nga Interpoli francez arrestimin e Hashim Thaçin;
Solana: “Vetëm forcat e NATO-s mund të garantojnë që në Kosovë mos të përsëritet BH-ja”;
Vedrin: “Çasti i të vërtetës nuk është larg”;
Ishinger: Beogradi ka afat deri në fund të javës;
Janovski: 9.000 vetë braktisën shtëpitë prej të hënës;
“Cap Anamur”: Ushtria serbe ka bërë shrumb e hi fshatin Jeshkovë;
“Gazeta e re Shqiptare” u dënua me 1 milion e 600 mijë dinarë;
Misioni i OSBE-së në Kosovë dënon represionin ndaj gazetave shqipe në Kosovë;
PSHDK dënon fushatën e egër ndaj gazetave të pavarura shqipe;
PVD vlerëson lart gatishmërinë e delegacionit të Kosovës në Paris për të nënshkruar marrëveshjen paqësore.
Edicioni i orës 16:30:
Lajmet kryesore:
Paris: Negociatat për Kosovën mund të përfundojnë shpejt;
Suharekë: Forcat serbe po e granatojnë fshatin Grejkoc;
Katër viktimat e familjes Tafaj u varrosën nën breshërinë e granatave serbe;
Helena Ranta e vlerësoi “krim kundër njerëzimit” masakrën e Reçakut;
Vollebek dënon mizorinë e Reçakut kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë;
Prizren: Katër shqiptarë u dënuan me 22 vjet e 6 muaj burg;
Në Korishë vazhdojnë të shtëna sporadike dhe zhvendosje të popullatës shqiptare;
Istog: Tre civilë serbë tentuan ta kidnapojnë një të ri shqiptar;
Prizren: Policia serbe ia ofroi një nxënësi 5.000 DM për të vënë eksploziv në shkollën e tij;
Prizren: Procesi mësimor u ndërpre deri më 21 mars.
Edicioni i orës 18:00:
Lajmet kryesore:
Paris: Megjithatë, negociatat për Kosovën mund zgjasin deri të premten;
Vushtrri: Ushtarët dhe policët serbë po djegin fshatrat: Beçuk, Pantinë e Oshlan;
Ndërpritet botimi i gazetës “Kosova sot”.
You may like
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 15 tetor 1993-1998
Published
3 days agoon
October 15, 2026By
UBT News
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
15 tetor 1993
Policia serbe shtoi represionin në komunën e Pejës
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së së Pejës, njofton se gjatë javës së fundit në këtë komunë, keqtrajtimet dhe represioni policor serb ndaj popullatës shqiptare, po rritet gjithnjë e më tepër.
Pardje, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, kërkoi në shtëpinë e tij në Dobërdol të Pejës, Din Kastratin, kryetar i Forumit Rinor të LDK-së së Pejës. Pasi që Dini nuk ishte në shtëpi, policët i lanë ftesën që të paraqitet për dje në organet e policisë në Pejë.
Merret vesh se Din Kastrati, shkoi në stacionin e policisë dhe aty u keqtrajtua fizikisht.
Ftesë për t’u lajmëruar në organet e policisë në Pejë, mori dje edhe Sadik Morina nga fshati Logjë i Pejës. Nga Sadiku, policia serbe kërkoi një pushkë dhe një revole. Pas deklarimit të tij se nuk disponon armë, policët e keqtrajtuan fizikisht.
Me pretekst të dorëzimit të armëve, policia serbe arrestoi në shtëpinë e tij edhe Kamber Bytyçin nga Poqesta e Pejës dhe e keqtrajtoi fizikisht.
Po ashtu pardje, në rrugën Poqestë-Dobërdol të Pejës, policët serbë rrahën Ukë dhe Malush Bytyçin nga fshati Poqestë, nga të cilët aty për aty kërkuan armë. Ukë Bytyçi u keqtrajtua për të pestën herë nga ana e policisë serbe, të cilit herën e fundit iu kërcënuan edhe të shpërngulet.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së së Pejës, gjithashtu njofton se nga fshati Poqestë u shpërngulën familjet e Rrahim dhe Mustafë Bytyçit, për shkak të represionit të vazhdueshëm të policisë serbe mbi to.
Në Dobërdol, një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Brahim Novajt dhe kërkuan armë nga vëllai i tij, Mehmeti. Policët u sollën me vandalizëm, rrahën nënën e Brahimit dhe djalin e tij, Malushin. Gjatë bastisjes policia demoloi orenditë, dyshemetë dhe gjtihçka që gjetën në këtë familje. Merret vesh se pas torturave të vazhdueshme, Brahim Novaj dhe anëtarët e familjes së tij, u detyruan që ta braktisin shtëpinë.
15 tetor 1994
Në Mitrovicë inspektorët serbë plaçkitën dhe mbyllën disa firma private të shqiptarëve
Dje, inspektorët serbë, plaçkitën dhe mbyllën disa firma private shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Firmës “Holidaj”, pronar i së cilës është Eset Shaqiri, në emër të tatim-qarkullimit, inspektorët serbë ia konfiskuan mall në vlerë prej 3.150 markash gjermane dhe 1.000 dinarë.
Krundet e konfiskuara në këtë firmë u transportuan me dy kamionë dhe u dërguan në depot e ndërmarrjes “Lux” në Mitrovicë.
Ndërsa firmës “Xhafi”, pronar i së cilës është Shefqet Muharremi, iu plaçkit mall me vlerë prej 6.800 marka gjermane.
Agim Habibit, pronar i një dyqani tregtar në Mitrovicë, inspektorët ia kërkuan në emër të tatim-qarkullimit 4.140 DM dhe 1.380 dinarë kamatë. Pasi ai nuk mundi të paguante, iu mbyll dyqani.
Merret vesh se ka propozime që për shkak të plaçkitjeve të mëdha, pronarët e firmave dhe dyqaneve private t’i mbyllin lokalet e tyre.
15 tetor 1997
Aksion dhune e terrori i forcave policore serbe në Bardhaniq e Zhabel të Gjakovës
Një ekspeditë e madhe ndëshkimore e forcave policore serbe dje që nga orët e mëngjesit ushtroi dhunë e terror në fshatrat Bardhaniq dhe Zhabel, me pretekst të kërkimit të armëve dhe të gjoja përgjegjësve për një sulm në stacionin e policisë serbe ne Çollopek, rreth 7 km. larg këtyre dy fshatrave.
Banorët e Bardhaniqit dhe Zhabelit thanë se në aksionin e terrorit të forcave serbe kundër tyre merrnin pjesë mbi 100 policë të armatosur dhe të shoqëruar me autoblinda, autovetura e me helikopterë.
Aksioni kishte filluar herët në mëngjes me bllokimin e hyrje- daljeve nga fshtrat. Pastaj filloi operacioni i torturimit dhe i bastisjes së shtëpive e oborreve.
Policia serbe së pari aksionin e filloi në fshatin Bardhaniq, ku u bastisën 22 shtëpi. Gjatë bastisjeve të egra e brutale policët demoluan çdo gjë para vetes. Pastaj ata filluan në mënyrë barbare të rrahin dhe të maltretojnë të gjithë burrat e këtyre familjeve dhe në prani të grave e fëmijëve. Burrat i lidhën në pranga dy nga dy dhe i detyruan të shtriheshin përtokë. Pastaj policët filluan t’i rrahin në prani të grave e fëmijëve.
Njoftohet se lëndime të rënda kanë pësuar 8 veta, kurse 10 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Policia serbe disa persona i ka marrë dhe i ka dërguar në stacionet e policisë në Deçan e në Pejë.
Një tmerr të vërtetë gjatë aksionit të djeshëm të forcave serbe e përjetuan banorët e fshatit Zhabel, ku u bastisën 33 familje. Madje në këtë fshat janë maltretuar edhe gratë e fëmijët që ishin dëshmitarë të skenave trishtuese. Lan Ibrahimin, 37 vjeçar, baba të 12 fëmijëve, policia e vuri pesë herë me kokë ose me duar në cung, duke iu kërcënuar në prani të fëmijëve se do t’ia prente kokën e duart. Në momentet e këitj tmerri fëmijët u dolën policëve përpara me vaj e bërtima, në përpjekje që të shpëtonin prindërit e të afërmit e tyre. Gjatë torturimit të Lanit, është keqtrajtuar edhe e shoqja e tij Ajmanja.
Mal Delinë, inxhinier të bujqësisë, policia e ka qëlluar në kokë me makinën e tij të shkrimit dhe pastaj e ka hedhur me dhunë lumë. Policia e ka detyruar atë të notojë, duke shtënë në drejtim të tij me revole. Një plumb i ka kaluar afër trupit.
Burim Ukajt, 27 vjeçar ia kanë thyer këmbët e duart. Ai gjendet në mjekim në Pejë.
Njoftohet se në këtë fshat janë torturuar rëndë 56 veta, kurse 18 të tjerë kanë lëndime më të lehta.
Banorët e këtyre dy fshatrave i thanë Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Gjakovë se policët kërkonin armë dhe pyetnin: “Kush ka shtënë me armë në stacionin e policisë në Çollopek?; ku i keni fshehur terroristët?; pse keni lindur kaq shumë fëmijë?”, e tjera.
Thuhet se policët që morën pjesë në këtë aksion nuk ishin nga stacioni i policisë serbe në Gjakovë, por nga stacioni në Pejë e në Deçan.
Ekspedita e forcave serbe u tërhoq nga fshati Zhabel pa gjetur armë e “terroristë”, por duke lënë pas vete vajin e fëmijëve e të shumë nënave, dhe banorët e këtyre fshatrave me lëndime të rënda trupore. Të lënduarve u ndihmoi mjeku i SHBH “Nëna Tereze” të Gjakovës, Pal Leka, kurse disa të lënduar janë dërguar për kurim në Gjakovë.
Dje pasdreke, fshatrat Bardhaniq dhe Zhabel i vizituan mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe mr. Abdyl Ramaj, anëtar i Kryesisë, si edhe udhëheqja e Degës së LDK-së në Gjakovë.
Me qëllim që të njoftonin për përmasat e këtij aksioni të dhunës së politikës serbe dhe për situatën e tensionuar në Gjakovë e rrethinë, funksionarët e lartë të LDK-së – z. Sejdiu e Ramaj – u takuan sot në Zyrën Amerikane në Prishtinë me drejtorin e saj Riçard Hëkëbi.
Njoftohet se në Bardhaniq e Zhabel janë torturuar e keqtrajtuar: Elez Rexhepi, Malë Rexhepi, Mujë Rexhepi, Sadri Ismaili, Shkëlzen Berisha (mysafir), Feim Panxha, Fatlind Alia, Smajl Thaçi, Canë Delia, Qerim Ramadani (mysafir), Vesel Neziri, Naim Neziri, Mustafë Neziri, Hajdin Neziri, Fatmir Neziri, Fatmir Haxha (mysafir), Binak Maliqi, Ali Haziri, Rrustem Haziri, Ukë Haziri, Ramiz Haziri, Musa Delia, Ali Delia, Malë Delia, Rrustem Delia, Hasan Delia, Burim Ukaj, Ahmet Ukaj, Rremë Musaj (mysafir), Gëzim Rrahimaj, Talë Brahimaj, Aziz Brahimaj, Lanë Brahimaj (i maltretuar me 12 fëmijë dhe bashkëshorten), Fatime Qelija, Brahim Brahimaj, Bajram Brahimaj, Rasim Haziri (i sëmurë psikikisht), Mujë Haziri, Lush Marku, Hysen Ibrahimi, Xhevdet Alia (Gërgoc), Agron Plava (Cërmjan), Rasim Brahimi (Jabllanicë – është marrë në stacionin policor).
Në këtë listë nuk përfshihen personat që kanë “shpëtuar” me ndonjë shuplakë apo nga ndonjë goditje me shkop gome e druri.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së njofton se në sigurimin serb në Gjakovë sot është marrë Lanë Brahimi nga Zhabeli.
Ndonëse disa njoftime nga Gjakova shprehnin dje drojën se aksioni i forcave serbe kishte përfshirë edhe fshatin Jabllanicë, për fat kjo nuk kishte ndodhur.
Ndërsa nga Peja njoftohet se pas shpërthimit të pasqaruar në postkomandën e policisë serbe në Çallapek, policia serbe ka keqtrajtuar disa kalimtarë shqiptarë në këtë lokalitet. Ndër të keqtrajtuarit është edhe Vahid D. Kelmendi (19) nga Kosuriçi, i cili u keqtrajtua derisa po udhëtonte me traktorin e tij.
15 tetor 1998
Mitrovicë: Në Rashan, nga shpërthimi i një granate vdiqën dy të rinj shqiptarë
Pardje në vendin e quajtur “Livadhi i Rrudhanëve” në fshatin Rashan, të rinjët Rifat Faik Smakolli (18) dhe Driton Abit Smakolli (20), nga i njëjti fshat, hasën në një granatë të paeksploduar të armatës serbe dhe mbetën në vend, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Njoftohet se kufomat e këtyre dy të rinjëve u varrosën në vendlindjen e tyre në Rashan.
Foto: Peja
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 tetor 1993-1998
Published
5 days agoon
October 13, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
13 tetor 1993
“Amnesty International” proteston rreth pengimit të hyrjes së delegacionit të saj në Kosovë
Agjensia “Rojter” bënë të ditur se më 13 tetor të këtij viti, autoritetet serbe nuk i lejuan hyrjen në Kosovë një delegacioni të organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesty international”. Lidhur me këtë incident “Amnesti International” lëshoi një kumtesë ne të cilën thuhet se ky veprim i autoriteteve serbe është mjaft shqetësues. “Druajmë shumë se autoritetet serbe e benë një hap të ketillë për të fshehur shkeljen e të drëjtave të njerit të cilat janë dukuri e përditëshme në Kosovë, në vend që të ndërmirret diç për të penguar një gjë të tillë.
Ne jemi të vetëdishëm se në mungesë të monitorëve në këtë rajon, shkelja e të drejtave të njeriut bëhet pandërprerë. Policia serbe ushtron një represion të madh kundër shqiptarëve të Kosovës. Shkelja e të drejtave të njeriut bëhet pothuajse e papenguar. Policët serbë janë të lirë t’i sulmojnë qytetarët në stacionet policore, në rrugë apo kudoqoftë tjetër dhe fare pak frigohen nga reagimet zyrtarëve.”
“Tensioni gjithnjë është duke u ngritur në Kosovë”, thuhet më poshtë në komunikatën e “Amnesty Internationa-it”, duke shtuar se “tensionet ndëretnike, hidhërimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut me vite të tëra, të cilave tani u shtohet edhe gjendja e mjerueshme ekononike, i kërcënohen Kosovës me një shpërthim. Autoritetet jugosllave dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrin diç menjëherë për ta penguar konfliktin e hapur”, thuhet në komunikatën e “Amnesty International-it”.
13 tetor 1994
Vozitësi i pandërgjegjshëm lëndoi dy arsimtare të shkollës “Asim Vokshi”
Sot, rreth orës 10,15, në rrugën “Jabllanica” të lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, ndodhi një fatkeqësi komunikacioni, me ç’rast një person i paidentifikuar, me automjetin e tij “Fiat 101” me regjistrim të Prishtinës, shkeli dy arsimtare të shkollës fillore “Asim Vokshi” të kësaj lagjeje.
Derisa ishin duke ecur trotuarit, automjeti me targë të Prishtinës shkeli Sevdie Krasniqin, arsimtare e artit dhe Safete Shalën, arsimtare e matematikës, të cilat menjëherë u dërguan në spitalin e përgjithshëm të Prishtinës. Meqenëse pësoi plagë të rënda Sevdija gjendet në shok-dhomë, ndërsa Safetja është jashtë rrezikut.
Supozohet se shkaktare e kësaj fatkeqësie ishte shpejtësia e madhe e automobilit.
13 tetor 1995
Kriminelët e luftës edhe para drejtësisë zvicerane
Gjykimit të kriminelëve të luftës, në masmediat zvicerane i është krijuar hapësirë që nga koha kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi që të sendërtojë dy gjykata internacionale të cilat do të merren me gjykimin e kriminelëve të luftës nga ish-Jugosllavia dhe Ruanda. Në ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim nuk ka ngelur prapa as Zvicra, e cila, sipas të përditshmes “Le noueveau quotidien”, që bazohet në deklaratën e Jurg van Winjkoop, i ngakur për zhvillim të hetimeve për këso rastesh, ka filluar ndjekjen kundër gjashtë personave të pandehur për të cilët dyshohet se kanë kryer akte të këtilla, e identiteti i të cilave tani për tani nuk ipet publikisht për shkaqe të sigurisë në rrjedhën e hetimeve të cilat mund të japin fillin edhe për të implikuar të tjerë në këto akte.
Lidhur me këtë, Parlamenti i ardhshëm i Zvicrës shumë shpejt do të aprovojë një urdhëresë urgjente për judikaturën zvicerane, sipas të cilës do t’i qesë para drejtësisë ndërkombëtare – në Gjyqin e Hagës, të gjithë ata të cilët do të kapen në territorin e këtij shteti dhe për të cilët ka të dhëna se kanë bërë krime lufte në ish-Jugosllavi dhe Ruandë.
Tashmë dihet se Gjykata Penale Internacionale e ngakuar për gjykimin e krimeve të luftës të kryera gjatë tri vjetëve të fundit në Bosnjë, dje mbajti seancën e parë publike në të cilën dëshminë e vet e paraqiti boshnjaku Munib Ahmetoviq.
Siç bëhet e ditur, Gjykata u thellua në mënyrë të veçantë në rastin e Dragan Nikoliqit, serb nga Bosnja dhe ish-komandant i një kampi të përqëndrimit afër Vlasonicës, i cili fajësohet për krime të rënda kundër njerëzimit.
13 tetor 1997
Në Vushtrri një inkasant i KKF-së u thirr për herë të tetë në gjykatën serbe
Më 9 tetor të këtij viti, Halim Morina, inkasant i KKF-së në Vushtrri mori sërish thirrje për t’u paraqitur në gjykatën e instaluar serbe për kundërvajtje në Vushtrri, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.
Siç dihet, gjykata e instaluar serbe në Vushtrri e akuzon z. Morina për shkak se më 17 shkurt të këtij viti, policia serbe e ka arrestuar atë, derisa po ua shpërndante vendimet e KKF-së disa firmave private në Vushtrri.
Të përkujtojmë se Halim Morina u urdhërua që të paraqitet në këtë gjykatë për herë të tetë.
13 tetor 1998
Në Carrabreg të Deçanit u gjetën 4 të vrarë
Në Carrabreg të Deçanit u gjetën trupat e katër shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit në këtë fshat.
KI i Degës së LDK-së në Gjakovë, duke u mbështetur në burime nga Carrabregu, njofton se u gjetën të vrarë Cufë Balaj (78), Mone Balaj (75), Ajmane Dautaj (70) dhe një i ri i moshës rreth 18 vjeç, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.
Ndërsa i riu Arben Tahir Hajdari (22) nga fshati Shaptej, vdiq të dielën në mungesë të ndihmës mjekësore për shërimin e plagëve të marra kohë më parë gjatë sulmit serb.
Njoftimet nga komuna e Deçanit bëjnë me dije se forcat serbe nuk janë tërhequr dhe ato vazhdojnë të jenë të pozicionuara në Sukë të Biteshit, në Baballoq dhe në regjionin e fshatit Voksh. Këto fshatra vazhdojnë të mbahen në rrethim të hekurt dhe popullata nuk lejohet të lëvizë.
Edhe në komunën e Gjakovës ushtria dhe policia serbe po i maskojnë pozicionet e veta. Kështu jo vetëm që nuk ka tërheqje, por pothuaj në çdo objekt industrial po hapen llogore për maskimin e mjeteve të blinduara dhe në objekte po vendoset ushtria. Përgjatë rrugës që të shpie në anën e brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, vazhdimisht po shkojnë mjete të motorizuara të mbushura me ushtarë dhe armatim.
Ndërkohë, banorëve të Dujakës së Gjakovës ushtria dhe policia serbe u kanë dhënë një ultimatum të ri për dorëzim të armëve, edhe pse ky fshat para ca kohe dorëzoi sasi të konsiderueshme të armatimit.
Rahovec: Në Bellacerkë u gjetën dy të vrarë
Të dielën, në Bellacërkë të Rahovecit, në vendin ku që nga fillimi i ofensivës ishte vendosur piostblloku policor, u gjet trupi i karbonizuar i Agim Kelmendit (22) dhe i një të vrari tjetër të paidentifikuar.
KMDLNJ njofton se Agimi është vrarë më 18 korrik, ndërsa trupi tij dhe i të vrarit të paidentifikuar kanë mundur të tërhiqen dhe të varrosen vetëm pas largimit të policisë nga postblloku në Bellacerkë.
Foto: “Amnesty International”
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 tetor 1993-1998
Published
6 days agoon
October 12, 2026By
UBTNewsNë rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
12 tetor 1993
Amnesty International i brengosur për situatën në Kosovë
Represioni masiv i policisë serbe kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe në tërësi gjendja e rëndë ekonomike dhe politike e shqiptarëve të Kosovës, është preokupim i përhershëm i Amnesty International.
Kështu, në një raport për gjendjen aktuale në Kosovë të organizatës së lartëpërmendur ndërkombëtare, pasqyrohet në mënyrë shumë të plotë dhe reale pozita tejet e rëndë e shqiptarëve në Kosovë dhe njëkohësisht, siç njofton gazeta gjermane “Frankfurter Allgemaine”, Amnesty International (AI), në mënyrë ultimative u bënë thirrje OKB-së, BE-së, KSBE-së, Organizatës së Shteteve Islamike, që të ndërmarrin masa për angazhim të përbashkët në kthimin e misionit vëzhgues të KSBE-së në Kosovë dhe për të evituar shkallëzimin e hapjes së konfliktit me përmasa ballkanike, ku do të jetë e pashmangshme përfshirja edhe e vendeve fqinje.
Në raportin e AI që u botua në gazetat kryesore gjermane, thuhet se në Kosovë gjendja është tejet e tensionuar për shkak të sulmeve të parreshtura të policisë serbe kundër popullatës shqiptare. Organet zyrtare serbe kanë larguar misionin e vëzhguesve të KSBE-së dhe nuk kanë pranuar vizitën e një delegacioni të Amnesty International në Kosovë. Çdo ditë AI-së i vijnë informacione për sulmet e vazhdueshme të policisë serbe ndaj shqiptarëve, të cilët e përbëjnë popullin shumicë në Kosovë.
Që nga viti i kaluar kemi pasur informacione për keqtrajtimin e fëmijëve, pleqve dhe grave shqiptare në Kosovë si dhe të aktivistëve politikë dhe atyre të të drejtave të njeriut. Kështu ngjau edhe me një aktivist, i cili u torturua në polici për shkak të angazhimit në detyrat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut. Që nga largimi i misionarëve vëzhgues të KSBE-së, represioni serb ka marrë përmasa të shtuara, prandaj Amnesty International nga instancat ndërkombëtare kërkon shtimin e vëzhgimit ndërkombëtar në Kosovë për të ndalur shkallëzimin e situatës. Kosova, sipas AI, është e rrezikuar jo vetëm nga represioni policor, por edhe nga ashpërsimi i gjendjes ekonomike të shqiptarëve.
Gjatë raportit të AI-së janë dhënë disa raste të rrahjeve dhe torturimit të shqiptarëve edhe në rrugë, si dhe deklarata të policëve serbë, të cilët nuk kanë frikë nga kërcënimi me sanksione.
Së këndejmi Amnesty Internatioal e thirrë bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrë masa konkrete në rastin e Kosovës, sepse vetëm brenda javës së kaluar janë burgosur mëse 34 shqiptarë, kurse gjatë muajit shtator janë burgosur 83 shqiptarë, të cilëve organet zyrtare serbe u mveshin epitete të terroristëve, etj.
12 tetor 1994
Represioni në Kosovë
Rahovec: – Ditëve të fundit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve ka shtuar represionin ndaj banorëve të fshatit Dabidol të Rahovecit. Para pak ditësh policia serbe mori në stacionin e policisë tetë veta si, Ramadan e Shpend Krasniqin, Zef, Gjokë, Gjergj e Muharrem Gashin, Haxhi Isakajn dhe Ramiz Morinën.
Njoftohet se personat e lartëshënuar janë keqtrajtuar brutalisht në stacionin e policisë në Rahovec.
Ndërkaq, nën pretekst të kërkimit të armëve në polici u morën edhe Ruzhdi Krasniqi e Lulzim Morina nga Ratkoci i Rahovecit.
Prizren: – Këto ditë në fshatin Lutogllavë të Prizrenit, policia serbe bastisi shtëpinë e Aliriza Metajt, tek i cili u gjetën armë.
Nga Prizreni bëhet me dije se ditëve të fundit, policia serbe në këtë komunë po i bastis, plaçkitë dhe keqtrajton fizikisht shumë qytetarë shqiptarë, ndërsa pronarët e dyqaneve dhe firmave private po i gjobitë me sasi të mëdha parash.
Skënderaj: – Në fshatin Açarevë, nën pretekst të kërkimit të armëve, u bastisën shtëpitë e Mahmut Selimit, Fadil Shabanit, Brahim Rrahmanit, Cenë Nurës dhe Islam Miftarit.
Më 9 tetor, në fshatin Rezallë, një ekspeditë e policisë serbe rreth dhjetë orë, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Besim e Hamdi Deliut.
Lipjan: – Sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Fitim Selimit, sekretar i Degës së LDK-së në Lipjan që të paraqitet nesër në stacionin e policisë.
Gjakovë: – Dje, rreth orës 8, me pretekst të kërkimit të armëve, në dyqanin e tij privat, në fshatin Junik, policia mori Ali Isuf Zeqirin, kryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Gjakovë. Ali Zeqiri në lokalet e policisë në Gjakovë u mbajt deri në orën 13:00 dhe u rrah aq rëndë sa u detyrua të shtrihet në spitalin e Gjakovës.
12 tetor 1995
Karl Bilt: Kosova është përfshirë në planin global për zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi
Në një tekst të gazetës “Flaka” të Shkupit me titull “Gjendja alarmante e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë” konstatohet se çështja e Kosovës dhe ajo mbarëshqiptare në ish-Jugosllavi, këtyre ditëve në Kombet e Bashkuara në Gjenevë ishte në qendër të debatit. Në dy konferencat e fundit për shtyp, organizuar nga zyrtarë të OKB-së dhe të Evropës, të angazhuar drejtpërsëdrejti në krizën e ish-Jugosllavisë, Kosova u shqyrtua si një temë serioze dhe si çështje, e cila dita më ditë po e preokupon bashkësinë ndërkombëtare.
Siç kemi informuar, të mërkurën e kaluar, mediatori ndërkombëtar i Unionit Evropian, Karl Bilt, para gazetarëve deklaroi se “Kosova është përfshirë në planin global për zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi…”, ndërsa dje në selinë e OKB-së, mbajti një konferencë për shtyp, po ashtu me temë për Kosovën, edhe raportuesja e posaemëruar për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, finlandezja Elizabeth Rehn, e cila tash e tutje do të vazhdojë misionin e z.Mazovjeckit, i cili në qershorin e këtij viti dha dorëheqje nga ky post, për shkaqe tashmë të njohura.
Duke folur për krizën në ish-Jugosllavi dhe pasojat e konfliktit mes palëve të konfrontuara, ajo deklaroi se kriza më së tepërmi ka goditur popullatën civile, me ç’rast janë shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante dhe kanë dalur jashtë kontrollit. Këso situatash fatkeqësisht sot kemi në Bosnjë, Kroaci, Kosovë e gjetiu.
Po ashtu emisarja e OKB-së, për gazetarët deklaroi se detyrën e saj mbi të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi do ta fillojë nga zeroja edhe atë që nga dita e hënë e javës së ardhshme, kur do të gjendet në teren për të kontaktuar me masën dhe palët ndërluftuese. Dhe, mu për këtë, nënvizoi ajo, “mua nuk më intereson cilët janë lule e cilët gjemba, për mua të gjithë udhëheqësit e palëve në luftë janë fajtorë për tragjedinë trivjeçare në ish-Jugosllavi, viktima të së cilës janë gratë, fëmijët, pleqët, etj…”, theksoi ajo.
Në pyetjen tonë, se cili është opinioni i saj mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, ajo për deklaroi: “Gjendja e shqiptarëve në Kosovë është fatkeqësisht tejet e vështirë dhe dramatike, situatë kjo vërtetë që na brengos. Të folësh sot për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, e të mos përmendësh Kosovën, është një gabim i madh, sepse atje shkelen të drejtat e shqiptarëve në mënyrë flagrante. Situatën e kemi parasysh dhe e përcjellim vazhdimisht. Edhe pse aktualisht komuniteti ndërkombëtar është i preokupuar me ndërprerjen e gjakderdhjes në Bosnjë-Hercegovinë, ne kurrsesi nuk guxojmë ta harrojmë Kosovën, gjendja e së cilës do përmirësohet gjithsesi…”, përfundoi z.Elizabeth Rehn.
12 tetor 1998
Suharekë: Prani e madhe e forcave policore në qytet
Burimet e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Suharekë bëjnë të ditur se prania e forcave ushtrake e policore serbe në këtë komunë nuk është zvogëluar aspak. Përkundrazi, prania e tyre duket tashti edhe më e madhe.
Të hënën paradite në Suharekë ishte një gjendje e tensionuar. Nëpër qytet pati lëvizje të mëdha të forcave ushtarake e policore, ndërsa patrullat e policisë ndaluan e legjitimuan pothuaj të gjithë kalimtarët dhe automjetet.
Rreth orës 10.00 në fushën sportive afër hotelit “Ballkan” dhe shkollës fillore aterruan dy helikopterë. Oborri i shkollës u vërshua nga një nunmër i madh policësh e atumjetesh policore. Në këtë gjendje ishte i pamundur vazhdimi i procesit mësimor, prandaj nxënësit u liruan në shtëpi.
Lëvizja e banorëve të fshatrave Reshtan e Samadraxhë është shumë e vështirë për shkak të stacionimit të forcave policore serbe. Në këto fshatra ka pasur edhe raste të keqtrajtimit të banorëve, me motivacion se ata nuk janë vendës, por kanë ardhur për të vejdhur. Ndër të keqtrajtuar ditët e fundit ishin edhe Halit Demiraj (55) e Agim Demiraj (25), të dy nga Samadraxha.
I njëjti burim njofton se në fshatin Mohlan, i cili vazhdon të mbahet nën rrethimin e plotë të forcave policore serbe prej para tri javësh, janë kidnapuar 22 shqiptarë, kryesisht të rinj. Deri tash është konfirmuar se më 9 e 10 tetor, në shtëpitë e tyre, janë kindapuar: Jusuf Gashi, kryetar i Aktivit të LDK-së, vëllezërit Ahmet, Fadil, Haxhi, Elmi e Safet Gashi, pastaj vëllezërit: Asllan, Hysni e Bafti Gashi, si dhe Reshat Gashi, Alush Kabashi, Besim Kabashi, Jetish Kabashi, Liman Kabashi dhe Rushit Kabashi, të gjithë nga Mohlani.
Njoftohet se këto ditë u bë identifikimi i trupit pa jetë të Lulzim Shaip Gutajt (18) nga Suhareka, i cili është vrarë gjatë aksioneve të forcave serbe në fshatin Jezerc, ku kishte shkuar për të punuar në pronën familjare.
Foto: Karl Bilt
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 tetor 1993-1998
Published
6 days agoon
October 12, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
11 tetor 1993
Gjashtë veprimtarëve në Gjakovë iu caktua paraburgimi prej një muaji
Gjykatësit e instaluar serbë në Gjykatën e Qarkut në Pejë, me aktvendimin nr.84/93, caktuan paraburgimin në kohëzgjatje prej një muaji për 6 veprimtarë të Gjakovës. Në paraburgim gjenden: mr.Mazllom Kumnova, kryetar i Forumit Demokratik dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës; Murteza Nura, shkrimtar, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së; Shefqet Vokshi, nënkretar i Degës së Partisë Fshatare të Kosovës; ing.Naser Zeka, ish-oficer në armatën e ish-Jugosllavisë; Ruzhdi Shehu, ish-punëtor i Mbrojtjes Popullore dhe Teki Dobroshi, ish-punëtor i PTT-së. Me të njëjtin aktvendim, njoftohet se iu është caktuar paraburgimi edhe Bajram Mahmutit, Lulzim Shasivarit, dhe Ilir Bytyçit, të cilët gjenden në arrati.
Të gjithë këta akuzohen se gjoja prej vitit 1992 deri në shtator të vitit 1993, “kanë bërë vepër penale të cenimit të tërësisë territoriale të RF të Jugosllavisë nga neni 116, paragrafi 1 i Ligjit Penal të Jugosllavisë”, duke iu qasur punës në formimin e organeve ilegale paraushtarake dhe formacioneve paraushtarake në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”.
11 tetor 1994
Arrestohen e dënohen drejtorët e shkollave në Mitrovicë
Dje u dërgua në vuajtjen e një dënimi prej 20 ditësh Brahim Bala, drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Ai është dënuar kohë më parë nën akuzë se nuk i ka respektuar ligjet e Serbisë në arsim.
Policia serbe arrestoi sot Murteza Berishën, drejtoi i shkollës fillore “Migjeni” në Mitrovicë.
Nuk dihet shkasi i këtij arrestimi. Dje, dy inspektorë serbë kishin shkuar në shkollën “Migjeni” dhe kishin kontrolluar të gjitha klasët, me pretekst se në hapësirën e saj ndjekin mësimin edhe nxënës të shkollës së mesme.
11 tetor 1995
Dhuna e përditshme në Kosovë
Mitrovicë: – Më 5 tetor, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Feriz P. Ademit (52) në lagjen Bair të Mitrovicës. Meqë nuk gjeti armë, policia ia mori atij pasaportën dhe letërnjoftimin dhe e urdhëroi që më 7 tetor të paraqitet në polici.
Pas paraqitjes në polici më 7 tetor, ai është urdhëruar që të paraqitet sërish më 12 tetor.
Më 9 tetor, policia për herë të pestë ishte në shtëpinë e Sahit Mujës dhe kërkoi djalin e tij, Hasanin, i cili momentalisht ndodhet në Gjermani dhe e urdhëroi atë që brenda dy orëve të paraqitet në polici së bashku me djalin e tij. Sahiti u paraqit në polici në kohën e caktuar dhe u mbajt aty rreth dy orë. Ai ishte i detyrua të paraqitet në polici edhe më 10 tetor.
Dje, rreth orës 9.30, dy policë shqetësuan familjen e Jakup N. Fazliut na lagjen Ura e Gjakut, në kohën kur ai nuk ishte në shtëpi.
Viti: – Dje, policia serbe ia la thirrjen në shtëpinë e tij, Sadik Haxhiut që të paraqitet sot në stacionin e policisë serbe në Viti.
Ai u mor në pyetje nga inspektorët serbë nga ora 10:00 deri rreth orës 14:00, me ç’rast u pyet rreth angazhimit të tij në LDK. Inspektorët serbë u interesuan në veçanti rreth funksionimit të komisioneve të LDK-së në nivel komunal.
Vushtrri: – Më 9 tetor, komandanti i policisë serbe në Vushtrri, takoi në rrugë Daut Jasharin nga Vushtrrija, të cilin e urdhëroi që me pretekst të dorëzimit të armëve, së bashku me dy djemtë e tij, Fatmir e Fadil Jasharin të paraqiten në stacionin e policisë në Vushtrri.
Ai në polici është paraqitur vetëm, me ç’rast u rrah rëndë dhe u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici me dy djemtë e tij. Dje në polici u paraqit Dauti së bashku me Fatmirin, ndërsa këtë të fundit e rrahën.
Dauti dhe dy djemtë e tij janë urdhëruar që edhe sot të paraqiten dhe ata ende po mbahen në polici.
11 tetor 1997
Ismail Kadaresë iu dha çmimi “Honoris Causa”
Pardje, pikërisht në ora dhjetë, në praninë e anëtarëve të Senatit, të profesorëve universitarë të Saint-Etienit, personalitete të shquara të kulturës franceze dhe të gazetarëve të shumtë, shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kakdare, iu dha çmimi i nderit, Doktor Honoris Causa. Në këtë solemnitet madhështor ishin të pranishëm edhe bashkëshortja dhe shkrimtarja, Elena Kadare, delegacioni i Universitetit të ri shqiptar të Tetovës, i kryesuar nga rektori dr. Fadil Sulejmani, prof. Murat Bejta, dr. Xhemail Xhemaili, Astrit Leka, si dhe mysafirë dhe bashkatdhetarë të shumtë nga qytete të ndryshme të Francës, por pati edhe të tillë që kishin ardhur nga Zvicra.
Atmosferën edhe më madhështore e bëri pjesëmarrja dhe paraqitja e ansamblit kombëtar “Shota” nga Prishtina, i cili herë pas herë u paraqit me këngë dhe valle burimore shqiptare.
Lidhur me veprën letrare e artistike të shkrimtarit me famë botërore, kandidat për Çmimin Nobël, Ismail Kadare, në fillim foli profesori i letërsisë në Universitetin e Saint-Etiene, Aleksandër Zotos, i cili veçoi se Kadare është shkrimtar i përmasave botërore. Kadare në veprën e tij gërsheton rrethana shoqërore, historike e politike gjatë shekujve.
E ka për nder Universiteti i Saint-Etiene që sot i ndan çmimin e nderit Doktor Honoris Causa shkrimtarit shqiptar nga Gjirokastra, Ismail Kadare, tha në fillim të fjalës së tij rektori i Universitetit Saint-Etiene. Ky shkrimtar dhe humanist i madh në veprën e tij paraqet në mënyrë artistike fatin e popullit të tij të lashtë prej antikës e deri në ditët e sotme.
Pas referimit të rektorit, në foltore doli shkrimtari Ismail Kadare, së bashku me rektorin Mris Venësan, dhe në një atmosferë solemne e me duartrokitje të gjata të të pranishmëve, mori çmimin e nderit, Honoris Causa. Të theksojmë, me të njëjtin çmim, nga Universiteti Paris 8, vitin e kaluar, më 16 dhjetor, u nderua edhe kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ismail Kadare tha se këtë titull e shikoj si një vlerësim për popullin tim. Dëshiroj t’ju kujtoj – tha Kadare, se vetëm disa ditë më parë studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës u keqtrajtuan vetëm pse kërkuan të futen në objektet e tyre universitare, nga të cilat u dëbuan para shtatë vjetëve. Këtë mirënjohje e vlerësoj si shenjë kurajimi të studentëve të Universitetit të Prishtinës, u shpreh ai.
Manifestimet kulturore treditore në Saint-Etien vazhdojnë nesër me programin artistik të ansamblit “Shota’, i cili do të paraqitet para publikut shqiptaro-francez, njofton “Bujku”.
11 tetor 1998
Malishevë: 83 shqiptarë të vrarë gjatë aksioneve të muajve të fundit të forcave serbe
Gjatë ofensivave të forcave të ushtrisë e policisë serbe muajve të fundit në fshatrat e Malishevës, janë vrarë së paku 83 shqiptarë, përfshirë këtu 8 fëmijë të mitur e 13 femra, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Gjatë këtyre muajve forcat serbe kanë plagosur 73 shqiptarë, prej tyre 31 femra dhe 20 fëmijë e të mitur, ndërsa të zhdukur konsiderohen 17 shqiptarë e 5 familje të tëra.
Po ashtu forcat serbe gjatë kësaj kohe i kanë zhvarrosur edhe 8 kufoma të shqiptarëve, nga të cilat 4 nuk dihet ku janë dërguar.
Që nga 28 korriku e deri në fund të shtatorit, forcat serbe kanë plaçkitur, djegë e shkatërruar 23 fshatra shqiptare, pastaj 1 mulli në Banjë shumë hambarë e grunaja, 9 objekte shkollore, 2 ambulanca, 3 xhami dhe shumë objekte zejtare.
Ofensivat serbe për pasojë patën edhe zhvendosjen e mijëra familjeve shqiptare. Për mungesë të kushteve elementare për jetë nën qiellin e hapur kanë vdekur së paku 23 fëmijë dhe 17 gra e pleq.
Agresori serb gjatë këtyre muajve ka vrarë edhe mijëra krerë bagëti.
Foto: Ismail Kadare
UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë
UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve
Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri
Fundjavë e pasur me futboll në Evropë, përballje interesante në pesë ligat kryesore
127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste
KRU “Prishtina” zhvillon aksion për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe në Lipjan
KRU “Prishtina” nis aksion për shkyçjen e bizneseve me borxhe në Tophane
FIFA dënon Spanjën për thirrjet diskriminuese të tifozëve ndaj myslimanëve
Rama: Rrezikojmë t’i humbim Lojërat Mesdhetare 2030, ICMG ka paralajmëruar për vonesat
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport3 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet2 months agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet2 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
