Live

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 16 mars, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

16 mars 1993

 Lajmet kryesore:

Delegacioni i LDK-së vizitoi familjet strugane që pësuan në fatkeqësisë ajrore;

U mbajt seanca e parë e kontestit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Kishës ortodokse serbe;

“Novi Vjesnik”: Dr.Rugova u pranua si bashkëbisedues serioz;

Radikalët serbë të Kosovës kërkojnë gjykimin e Rugovës;

Kërcënimet në funksion të krijimit të pasigurisë;

Mark Krasniqi: Në Ballkan nuk ka paqe pa vetëvendosjen e shqiptarëve;

Shtypi gjerman për demonstratat e shqiptarëve në Bon;

Dr.Zekeria Cana ende mbahet në arrest;

Në Mitrovicë vazhdon represioni policor serb;

Tribunë në shenjë të 90-vjetorit të vdekjes së Jeronim de Radës;

Policia financiare serbe plaçkit shqiptarët.

 

Disa të dhëna rreth vrasjes së Bajram Çakajt

Dje, përfaqësuesit e Degës së LDK-së në dhe të KMLDNJ në Klinë, ishin në fshatin Poterq i Ulët, për të ndriçuar rastin e vrasjes së Bajram Çakajt, i cili u vra në Istog më 13 mars, rreth orës 22.

Anëtarët e Kryesisë së LDK-së së Klinës, u informuan se Bajram Çakaj, ka punuar më parë në Maqedoni dhe shtatë vjetëve të fundit në Kroaci, prej nga është kthyer para nëntë muajsh. Ditën që është vrarë në Istog, nga polici serb, Dragosllav Piskuliq, nga dokumentet që i kishte me vete ai dispononte librezën e LDK-së, si dhe një emblemë kroate, ndërsa policia serbe lajmin për vrasjen e Bajramit, familjes së tij ia kumtoi të nesërmen, në ora 16.

Më 15 shkurt, policia kishte bastisur shtëpinë e tij dhe aty paskësh gjetur një revole të markës “Shtajer 7.65” dhe me atë rast, policët serbë e patën rrahur rëndë të vëllanë e tij, Agimin.

Shërbimi profesional i KMLDNJ së Klinës, bëri fotografimin dhe plumbat, prej të cilëve është goditur me dy plumba, njëri është në kokë, në pjesën e përparme dhe tjetri në anën e majtë, gjithashtu në pjesën e përparme në kraharor.

 

 

16 mars 1994

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova i dërgoi telegram Këshillit të manifestimit kushtuar Aleksandër Moisiut;

LDK-ja në Beneluks bën thirrje për pjesëmarrje në tubimin e protestës më 19 mars;

Vazhdojnë lëvizjet e ushtrisë serbe;

Represioni i policisë serbe në Kosovë;

Ministri maqedonas i Mbrojtjes paralajmëron arritjen e 700 ushtarëve të rinj amerikanë;

Si u plaçkit “Ereniku” i Gjakovës nga “Bambi” i Krushevcit.

 

 

16 mars 1995

 Lajmet kryesore:

Presidenti Berisha ngushëlloi kryetarin Rugova për vdekjen e akademik Zajmit;

Policia serbe nuk lejoi për pesë orë hyrjen e kufomës së të ndjerit Zajmi në Kosovë;

Doris Pak foli për Kosovën në Parlamentin Evropian;

Presionet e forcave serbe në fshatin kufitar shqiptar Vërmicë;

Gratë shqiptare reagojnë kundër dhunës;

Në Gjenevë u mbajt tribuna publike “Evropa përballë Kosovës”;

Policia ndërhyri në ambulancën e SHHB “Nëna Terezë” në Deçan;

Ushtria serbe keqtrajtoi dy të rinj shqiptarë;

BSPK kërkon eliminimin e diskriminimit serb në Kosovë;

Në Toronto u mbajt një manifestim për përvjetorin e demonstratave të vitit 1981;

Edhe organizata e rinisë serbe ndan troje për kolonistë;

Beogradi deklaron se shqiptarët i paskan të gjitha të drejtat;

Kërkesat e serbëve të Kosovës për shkatërrimin e lëvizjes shqiptare;

Uoren Zimerman: Shpërthimi i nacionalizmit në ish-Jugosllavi.

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

Podujevë: – Pardje policia serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Besim dhe Rasim Selmanit, si dhe ato të Shaban, Idriz dhe Feriz Ademit në fshatin Zhiti. Policia gjatë bastisjes nuk gjeti kurrfarë armësh, ndërsa njoftohet se Besim Selmani është keqtrajtuar rëndë.

Pardje, rreth orës 12:00 në Podujevë, policia serbe ishte në shtëpinë e Bajram Ymerit dhe konfiskoi rreth 400 litra benzinë. Më pas policia nga Bajram Ymeri kërkoi edhe një pushkë, të cilën kinse ia paskësh lënë babai i tij trashëgim.

Po ashtu pardje, policia ishte në shtëpinë e Sylejman dhe Tahir Ymerit në Podujevë. Sylejman Ymeri u rrah në prani të anëtarëve të familjes.

Pardje në Podujevë, policia ishte edhe në shtëpitë e Halit Beqirit dhe Enver Hetemit, me ç’rast konfiskoi rreth 450 litra benzinë. Nga ata policia kërkoi edhe armë, ndërsa Enver Hetemi, në stacionin e policisë në Podujevë u keqtrajtua fizikisht.

Kaçanik: – Më 24 shkurt, në fshatin Begracë të Kaçanikut, policia arrestoi vëllezërit Ramiz dhe Rafiz Gashi, me pretekst të kërkimit të armëve. Ata në stacionin e policisë në Ferizaj janë maltretuar fizikisht nga inspektorët Branko nga Shtërpca, Zllatko nga Zaskoku dhe një tjetër nga Talinovci i Ferizajt. Nga Ramizi dhe Rafizi inspektorët kërkonin një pushkë automatike dhe dy revole, të cilëve edhe iu kërcënuan se duhet të “shpërngulen nga këtu!” Ramizi u dënua me 30 ditë burg, ndërsa Rafizi u lirua dhe u detyrua të paraqitet në polici edhe më 28 shkurt, më 6 dhe 10 mars.

Më 5 mars, në stacionin e trenit në fshatin Starovë, patrulla përcjellëse e trenit Shkup – Fushë-Kosovë, rreth gjysmë ore keqtrajtoi fizikisht Rufki R. Brahën (60) dhe Afet Sh. Bajramin (34).

Suharekë: – Sot policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, për herë të tretë ishte në shtëpinë e Demir Kabashit në fshatin Mohlan. Ndaj tij njoftohet se është përdorur dhuna.

Dje, rreth orës 10, një ekspeditë e policisë serbe ishte edhe në fshatin Grejçec dhe bastisi shtëpinë e Nezir Lubovcit. Pas bastisjes policia mori me vete Nezirin në stacionin e policisë në Suharekë.

Vlen të theksohet se gjatë dy javëve të fundit banorët shqiptarë të fshatit Grejçec janë në shënjestër të policisë serbe.

 

16 mars 1999

Edicioni i orës 11:00:

Lajmet kryesore:

Paris: Pas Po-së së shqiptarëve, vazhdon presioni ndërkombëtar mbi palën serbe;

U granatuan disa fshatra të Hanit të Elezit;

Rreth 70 të arrestuar në Paldenik;

Po granatohen fshatrat shumë fshatra të Vushtrrisë;

Granatohen edhe disa fshatra të Mitrovicës;

Zhur: Forcat serbe rrethuan dhe bastisën fshatin Murademë;

Në Viti mobilizohen dhe armatosen serbët lokalë.

 

Edicioni i orës 1:00:

Lajmet kryesore:

Forcat serbe granatuan disa fshatra të Llapit;

Forcat serbe po djegin shtëpitë e shqiptarëve në disa fshatra të Vushtrrisë;

Forcat serbe po i granatojnë edhe disa fshatra të komunës së Obiliqit;

Arrestime në fshatrat e Ferizajt;

Verifikuesit e armatosur lehtë – kompromis për palën serbe në implementimin e marrëveshjes për Kosovën;

Krerët e tri konfesioneve fetare nga Kosova do të takohen sot në Vjenë;

Gënjeshtra “ekskluzive” e gazetës “Politika” se në Reçak nuk ka pasur masakër;

Nesër në Prishtinë prezentohet raporti i ekipit të patologëve finlandezë për masakrën e Reçakut;

Koshtunica akuzoi SHBA-të për “imponimin” e planeve paqësore “totalitare dhe utopike”;

Hetimet kundër 8 personave për organizimin ilegal të kalimit të kufirit jugosllavo-hungarez për shqiptarët e Kosovës.

 

Edicioni i orës 14:30:

Lajmi kryesor:  Thaçi: I themi “Po” marrëveshjes Marrëveshjes së Rambujesë;

 Hashim Thaçi i njoftoi dje, me një letër, kryesuesit e Konferencës paqësore për Kosovën, ministrat Vedrin dhe Kuk, se delegacioni shqiptar i thanë “po” Marrëveshjes së Rambujesë.

Në letrën e z. Thaçi, të cilën e transmetoi agjencia Rojter, thuhet:

 

“Të nderuar zotërinj Vedrin dhe Kuk,

Pas konsultimeve të delegacionit kosovar me faktorët politikë dhe ushtarakë, si edhe me popullin e Kosovës, rreth Marrëveshjes Paqësore të Rambujesë, të datës 23 shkurt 1999, ky delegacion dhe unë personalisht i themi “po” kësaj marrëveshjeje.

Do të kemi nderin që këtë marrëveshje ta nënshkruajmë në praninë Tuaj, në cilindo kohë dhe vend që e caktoni Ju.

Marrëveshja krijon një shans dhe perspektivë për Kosovën dhe popullin e saj. Konsultimet tona në Kosovë ishin të nevojshme dhe shumë të rëndësishme. Tash, kur brenda strukturave politike dhe ushtarake të Kosovës është krijuar nëj disponim i mirë për këtë marrëveshje, delegacioni kosovar është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen. Në këtë sukses Tuajin, kontributi Juaj si dhe i administratave të vendeve Tuaja është shumë i madh.

Fati i popullit të Kosovës është para një kthese historike dhe delegacioni kosovar ka një përgjegjësi të madhe. Ju keni treguar vëmendje dhe durim lidhur me këtë fakt. Delegacioni ynë dhe unë u jemi shumë mirënjohës për këtë gjë. Ne do të presim ndihmën Tuaj dhe të vendeve Tuaja në të ardhmen.

Populli i Kosovës ka qenë aleat i vendeve Tuaja dhe Ju mund të llogaritni në këtë. Kosovës i nevojitet paqja dhe demokracia. Kontributet Tuaja personale, si dhe ato të vendeve Tuaja, janë qenësore dhe të respektueshme.

Me respekt, kryetari i delegacionit të Kosovës, Hashim Thaçi”.

 

Lajmet kryesore:

Vedrin: Jugosllavia duhet të zgjedhë mes izolimit e paqes;

Klinton: Jam shumë i kënaqur me vendimin e delegacionit të Kosovës;

Fisher: Tash duhet të nënshkruajë Beogradi;

Kohen: NATO-ja është e gatshme t’i sulmojë caqet serbe;

Gjilan: Subjektet politike shqiptare kërkojnë vendosjen e forcave të NATO-s në Kosovë;

Prishtinë: Mbledhje përkujtimore për dëshmorin Selim Bislimi;

Kaçanik: Nga kërcënimet e ushtarakëve serbë banorët e Kërbliqit i kanë braktisur shtëpitë e tyre;

Mbrëmë në Rahovec ndodhën tri shpërthime të fuqishme;

Nëpër Rahovec kaluan forca të mëdha të ushtrisë e policisë serbe;

Pejë: Një shqiptar nga Juniku u dënua me 1 vit burg;

Kamenicë: Forca të reja të policisë serbe kanë hyrë në Kosovë;

Hani i Elezit: Policia arrestoi 12 banorë të Paldenikut;

Dy të arrestuar shqiptarë nga komuna e Kaçanikut u dërguan në burgun e Prishtinës;

Kaçanik: Policia serbe arrestoi një shqiptar nga Runjeva;

Podujevë: Forca të reja të ushtrisë serbe erdhën mbrëmë nga Serbia në Kosovë;

Drejtoria e dhunshme serbe në SHF të Cërnicës pengon mbajtjen e mësimit për nxënësit shqiptarë;

Gjilan: Eprorë të ushtrisë serbe kanë inspektuar fshatin Stançiq;

Policia serbe ia konfiskoi letërnjoftimin një shqiptari nga Koliçi i Prishtinës;

Policia financiare serbe ndalon shtypjen e “Gazetës së re Shqiptare”;

Persona të panjohur thyen disa lokale të shqiptarëve në Mitrovicë.

 

Edicioni i orës 16:00:

Paris: Shqiptarët bisedojnë për zbatim të marrëveshjes – serbët paraqesin plan të rishkruar rrënjësisht;

Intervistë e kryetarit Rugova dhënë “Zërit të Amerikës”;

Deklaratat e anëtarëve të delegacionit të Kosovës lidhur me konfirmimin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë;

Akademik Mark Krasniqi pati takime në Bundestagun gjerman;

Dr. A. Gashi: “Po”-ja në Paris është rezultat i raportit të forcave;

Organet serbe kanë paralajmëruar për nesër konfiskimin e pasurisë së shtypshkronjës së firmës “Interpress R. Company”;

Obiliq: Rreth 3 mijë banorë shqiptarë janë zhvendosur nga fshatrat rrëzë Qyqavicës;

Një shqiptar i plagosur vdiq në spitalin e Novi Sadit;

Malishevë: Defilime të vazhdueshme të forcave serbe.

Continue Reading

Lajmet

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Aktualitet

Macron paralajmëron masa të rrepta ndaj protestave të paautorizuara, ndalohen tubimet në Lion

Published

on

By

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar vendosmëri absolute për parandalimin e trazirave në vend, duke njoftuar një qasje të rreptë dhe shumëplanëshe pas valës së fundit të dhunës në rrugë.

Pas takimit të Këshillit të Sigurisë, Macron bëri të ditur se protestat legjitime të organizuara nga sindikatat do të lejohen dhe do të garantohen sipas ligjit, ndërsa çdo tubim tjetër i paautorizuar do të ndalohet plotësisht kurdo që të jetë e mundur. Në kuadër të përpjekjeve për të qetësuar situatën, Kryeministri Sebastien Lecornu do të takohet javën e ardhshme me organizatat studentore për të adresuar kërkesat e tyre.

Ndërkohë, autoritetet kanë ndaluar të gjitha protestat e planifikuara për këtë të shtunë në qytetin e Lionit, pas përleshjeve të ashpra dhe plaçkitjeve të javës së kaluar gjatë tubimeve kundër inflacionit të lartë.

 

Continue Reading

Aktualitet

SHBA-ja urdhëron një pjesë të personelit të largohet nga Arabia Saudite

Published

on

By

Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar largimin e stafit jo-thelbësor dhe anëtarëve të familjes në ambasadën e tij në Riad, një veprim që vjen mes sulmeve intensifikuese ndaj Arabisë Saudite nga rebelët Houthi, aleatë të Iranit, në Jemen.

“Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një urdhër largimi për punonjësit e qeverisë amerikane që nuk janë emergjentë dhe anëtarët e familjeve të tyre në Arabinë Saudite”, ka shkruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, në X.

“Houthit e mbështetur nga Irani janë angazhuar gjithnjë e më shumë në armiqësi kundër Arabisë Saudite, duke përfshirë sulme ndaj aeroporteve civile dhe infrastrukturës tjetër kritike që rezulton në viktima civile dhe ndërprerje të rënda të udhëtimit”, thuhet më tej në njoftimin e tij.

Ndërsa Departamenti i Shtetit po zvogëlon gjurmën e tij në Arabinë Saudite mes rreziqeve në rritje, disa poste të tjera diplomatike amerikane në rajon po përshtatin gjithashtu stafin e tyre në përgjigje të kërcënimit të Houthit, ka thënë një burim për CNN.

Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar gjithashtu në një alarm sigurie të mërkurën se qytetarët amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për sulmet e mundshme ndaj aeroporteve dhe ndërprerjet e përgjithshme të udhëtimit.

Ky mesazh për amerikanët erdhi pas një serie sulmesh vdekjeprurëse të Houthit në javët e fundit që kanë synuar Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid në Riad, objektet ushtarake saudite, infrastrukturën e naftës dhe trafikun detar.

Forcat e mbështetura nga Arabia Saudite, të lidhura me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, kanë zgjeruar operacionet kundër pozicioneve të Houthi-t në shumë vija fronti, ndërsa fuqia ajrore saudite vazhdon të ofrojë mbulim ushtarak.

Të mërkurën, Arabia Saudite ka thënë se ka kapur të paktën shtatë dronë, përfshirë një që synonte fushën e naftës Shaybah në Provincën Lindore të mbretërisë, në një sulm që vrau dy punëtorë emigrantë dhe plagosi dy të tjerë. /CNN/

 

Continue Reading

Lajmet

Merz: Evropa po e nënvlerëson kërcënimin që vjen nga Rusia

Published

on

Friedrich Merz thotë se Evropa mund të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën pa para nga SHBA-ja. Ai paralajmëron se Rusia jo vetëm që dëshiron territore në Ukrainë, por po përpiqet të destabilizojë edhe shoqëritë evropiane.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Bloomberg-ut, Francine Laqua, Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) foli, ndër të tjera, për luftën në Ukrainë, ndryshimet në politikën amerikane nën Donald Trumpin dhe kërcënimin e nënvlerësuar që Rusia paraqet për shoqëritë evropiane.

I pyetur nëse ishte i përgatitur për një botë në të cilën Shtetet e Bashkuara do të ishin aleate të Rusisë kundër Ukrainës, Merz theksoi se SHBA-ja ka ndërprerë plotësisht financimin për Ukrainën që nga fillimi i vitit 2025. Sipas tij, për gati dy vjet, mbështetja financiare është siguruar nga Koalicioni i të Gatshmëve, i përbërë nga vende evropiane dhe disa vende joevropiane.

“Kjo tregon se ne mund t’ia dalim vetë”, tha Merz, duke shtuar: “Është një barrë e madhe për buxhetet shtetërore dhe një sfidë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, por ne po e përballojmë dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën derisa kjo luftë e tmerrshme të përfundojë.”

Merz tha se në çdo takim përpiqet ta bindë Presidentin amerikan Donald Trump se një Evropë e qëndrueshme dhe një Bashkim Evropian i fortë janë gjithashtu në interes të Shteteve të Bashkuara. “Është në interes edhe të amerikanëve”, theksoi Kancelari.

Ndryshimi i qasjes amerikane

I pyetur pse administrata amerikane po ndjek këtë qasje, Merz tha se nën drejtimin e Trumpit, SHBA-ja ka ndryshuar mënyrën e saj të të vepruarit në politikën globale.

“Motoja ‘Ta bëjmë Amerikën Sërish të Madhe’ nuk do të thotë asgjë më shumë sesa: ne veprojmë në mënyrë të pavarur dhe të tjerët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Përgjigjja e Evropës është: ne e kuptojmë këtë. Edhe ne do të veprojmë në mënyrë të pavarur dhe në interesin tonë.”

Gazetarja e pyeti se si do të funksiononte mbështetja për Ukrainën nëse SHBA-ja nuk jep ndihmë financiare.

“Ne i kemi rritur shpenzimet për mbrojtjen në kuadër të NATO-s në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po e bëjmë këtë brenda Bashkimit Evropian dhe së bashku me aleatët tanë evropianë. Po ashtu, po bashkëpunojmë ngushtë me Kanadanë, e cila sot është më e orientuar drejt Evropës se kurrë më parë. Ne kemi aleatë të vërtetë në botë”, tha Merz.

Ai theksoi se Gjermania është ndër kontribuuesit më të mëdhenj në mbështetjen e Ukrainës për mbrojtjen e saj, gjë që e ka bërë vendin objektiv kritikash dhe sulmesh politike. Kur u pyet nëse qytetarët gjermanë vazhdojnë ta mbështesin këtë politikë, Merz u përgjigj: “Po, ende e mbështesin. Rreth 60 për qind e qytetarëve janë në favor të kësaj politike, ndonëse ka edhe kritikë.”

Merz nuk pret që mbështetja për Ukrainën të zbehet në të ardhmen e afërt, megjithëse një gjë e tillë mund të ndodhë në një moment. “Shpresoj shumë që të kontribuojmë në përfundimin e kësaj lufte. Ky është qëllimi ynë kryesor, jo zgjatja e saj”, tha ai.

 

Shqetësimi nga nënvlerësimi i kërcënimit rus

Kur Francine Laqua e pyeti nëse kjo nënkuptonte përfundimin e luftës sipas kushteve të Ukrainës dhe jo sipas atyre amerikane apo ruse, Merz u përgjigj: “Ukraina është një shtet sovran dhe kushti themelor është ruajtja e integritetit të saj territorial. Kjo nuk vihet në diskutim.”

Në fund të intervistës, i pyetur se çfarë e shqetëson më shumë, Merz tha se është “nënvlerësimi i kërcënimit që Rusia paraqet për shoqëritë evropiane”.

Ai theksoi se lufta në Ukrainë është vetëm një pjesë e një problemi shumë më të gjerë. “Panorama e përgjithshme tregon se Rusia po përpiqet të destabilizojë të gjithë rendin politik në kontinentin evropian. Është e qartë se shumë njerëz, përfshirë edhe në vendin tim, e nënvlerësojnë këtë rrezik.”

“Njerëzit nuk e kuptojnë se cili është qëllimi i vërtetë i Rusisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për pushtimin e territoreve në Ukrainë. Ambiciet e saj janë shumë më të gjera”, theksoi kancelari. “Njerëzit në Kremlin kanë frikë nga demokracia, nga shoqëritë e hapura dhe nga suksesi i integrimit evropian. Ata duan ta minojnë këtë sukses dhe tashmë po punojnë për ta arritur këtë.”

Sipas Merzit, shumë njerëz, edhe në Gjermani, vazhdojnë ta nënvlerësojnë këtë kërcënim, i cili shihet çdo ditë. I pyetur nëse sjellja e Shteteve të Bashkuara kontribuon në këtë situatë, Merz u përgjigj: “Shtetet e Bashkuara janë gjeografikisht shumë larg Rusisë. Ky është kontinenti ynë. Rusia është një fuqi evropiane dhe kontinenti evropian po kërcënohet. Kjo është ajo që më shqetëson më së shumti.”

Burimi: Deutsche Welle

Continue Reading

Të kërkuara