Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 15 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

15 prill 1993

Lajm i plotë:

Dr.Ibrahim Rugova: Unë jam gjysmë i burgosur

Gazeta gjermane “TAZ – Berlin” më 7 prill botoi një intervistë me kryetarin dr.Ibrahim Rugova, me titull: “Unë jam gjysmë i burgosur”. Dr. Rugova prezentohet kryetar i Republikës së Kosovës. Po japim pjesë nga intervista e kryetarit Rugova dhënë gazetës gjermane.

TAZ: Zotëri Rugova, Ju jeni zgjedhur në mënyrë demokratike, por ju mungon forca e vërtetë politike?…

Rugova: Unë kam forcën politike dhe morale në Kosovë, para se gjithash në shoqërinë shqiptare, por edhe më gjerë. Ne kemi shkollat tona paralele nëpër shtëpi private, jetën tonë kulturore, edhe pse e gjithë kjo është ndjekur. Ne, gjithashtu kemi një sistem të ndihmës së ndërsjellë në mesin e shqiptarëve. Në fakt, unë nuk kam forcë ekzekutive, policia mbështet regjimin serb. Dhe ne ende nuk jemi pranuar në shkallë ndërkombëtare, por kështu ndodh kur formohen shtetet e reja.

TAZ: Regjimi serb ka ofruar që të bisedojë për heqjen e ligjeve, të cilat para katër vjetëve kanë shënuar fundin e autonomisë së Kosovës. A jeni të gatshëm të bisedoni me regjimin në Beograd. Me çfarë qëllimi?

Rugova: Ky është një trik i ri i Serbisë. Ata duhet të bëjnë diçka, sepse Kosova tani është inkuadruar në bisedimet ndërkombëtare si dhe në bisedimet në Gjenevë. Por, terrori në jetën e përditshmë vazhdon edhe më tutje, aq më tepër ai është dukshëm edhe më i ashpër. Me ofertën e tanishme serbët dëshirojnë të përfitojnë në kohë.

TAZ: Deri ku ka arritur çështja e Kosovës në bisedimet e Gjenevës?

Rugova: Ekziston rreziku që atje të zgjidhet vetëm një pjesë e problemit. Në bisedimet në Gjenevë, ku isha ftuar edhe unë, është biseduar vetëm për shëndetësi dhe shkolla, por jo edhe për statusin politik të Kosovës.

TAZ: A e konsideroni si zgjedhje të mundshme kthimin në një autonomi të gjerë në kuadër të Serbisë, siç e garantonte Kushtetuta e vitit 1974?

Rugova: Jo. Për këtë tani është tepër vonë. Ne, pas një referendumi për pavarësi, kemi dalur nga federata jugosllave. Në kuadër të Jugosllavisë së madhe autonomia do të kishte pasur ndonjë kuptim. Tani ne, faktikisht, jemi vetëm me serbët dhe fatkeqësisht kemi përvojë shumë të hidhur me të gjitha regjimet serbe.

TAZ: A është qëllimi juaj që më vonë të bashkoheni me Shqipërinë në një shtet të vetëm?

Rugova: Ne përpiqemi për një Kosovë të pavarur dhe neutrale të garantuar në nivel ndërkombëtar. Kjo e përjashton tendencën për një bashkim me Shqipërinë.

TAZ: Regjimi serb do të mund ta mbyllë pa u hamendur barakën, në të cilën gjendet selia e LDK-së dhe e presidentit dhe Juve t’ju burgos nën çfarëdo akuze. Pse nuk e bënë këtë?

Rugova: Natyrisht se regjimi serb mund ta bëjë. LDK-ja është regjistruar zyrtarisht, por ekziston në gjysmë ilegalitet. Ne nuk guxojmë të mblidhemi në mënyrë të lirë. Çdo ditë aktivistët e Lidhjes, por edhe të partive të tjera keqtrajtohen, arrestohen ose dënohen. Por, ata marrin në konsiderim opinionin ndërkombëtar. Sa më përketë mua personalisht: unë jam gjysmë i burgosur. Që më tepër se dy vjet unë nuk kam shëtitur nëpër qytet. Unë lëvizi vetëm me veturë në relacionin shtëpi – zyre dhe anasjelltas, në përcjellje të së paku një personi. Edhe atëherë shpesh m’i kërkojnë dokumentet. Ata më kanë nën kontroll të vazhdueshëm.

 

Lajme të tjera:

Policia serbe rrethoi fshatin Çeskovë të Klinës

Revista “The European English Messinger” për Kosovën dhe arsimin shqip

“Le Quotiden De Paris”: Lufta psikologjike bën kërdinë

Në Prishtinë u arrestua Besnik Zymberi

Forca të shtuara të policisë serbe në Podujevë

Në Ferizaj u rrah rëndë Rashit Bytyçi

Anëtarët e organizatës “Equilibre” qëndruan “ilegalisht” në “Jugosllavi”

 

 15 prill 1994

Lajmet kryesore:

Konferenca Ballkanike në Stamboll kërkoi të njihet vullneti i shqiptarëve të Kosovës i shprehur me Referendum

Pëllumb Kulla: Sulmi terrorist grek hyri në procedurën e shqyrtimit të KS të OKB-së

Disa vende evropiane dënuan aktin terrorist grek në Shqipëri

Deputeti Imer Bala u dënua me 12 muaj burg

Represioni në Kosovë

Akademik Mark Krasniqi: Me Serbinë mund të bisedojmë vetëm si të ndahemi

Në Junik filloi ndërtimi i vendbanimit të kolonëve serbë

U shënua 30-vjetori i ansamblit kombëtar “Shota” në Prishtinë

 

 

Lajm i plotë:

Shaip Beqiri u keqtrajtua në polici

Në banesën e tij në Prishtinë, pardje në orën 7, policia serbe mori Shaip Beqirin, shkrimtar e publicist dhe drejtor i ndërmarrjes botuese “Forumi” dhe e dërgoi në polici, ku u mbajt deri në orën 10,30.

Shaip Beqiri i tha Qendrës për Informim të Kosovës se kur u mor nga policia nuk iu njoftua asnjë pretekst.

Në Qendrën e sigurimit shtetëror serb ai u pyet kryesisht për revistën javore “Forumi” dhe u keqtrajtua fizikisht.

Policia iu kërcënua Shaipit për shkak se në shkrimet e revistës “Forumi”, ku kryeredaktor është Adem Demaçi, sipas tyre nuk respektohet shteti i Serbisë.

Shaip Beqiri u lirua, por me kërcënim se do të mbahet nën mbikëqyrje të policisë dhe se do të thirret sërish.

Shaip Beqiri më 19 mars, për shkak të një padie të një serbi – fqi i tij, u dënua me 60 ditë burg. Më 19 mars ai u dërgua menjëherë në vuajtje të dënimit dhe u mbajt deri më 31 mars, kur një instancë gjyqësore më e lartë serbe e pezulloi përkohësisht dënimin.

 

Lajme të tjera:

Refugjatëve shqiptarë me familje iu lejohet qëndrimi në Suedi

U dogj Mulliri i Haxhi Zekës

Në Maqedoni arrijnë edhe 170 ushtarët amerikanë

Fillon sezoni pranveror i Ligës republikane të Kosovës në futboll

 

 15 prill 1995

Lajm i plotë:

Presidenti Berisha priti kryetarin Rugova

Presidenti i Republikës së Shqipërisë dr. Sali Berisha priti dje në Tiranë presidentin e Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

Në takim u bisedua mbi zhvillimin e reformave e ecurinë e tyre në Shqipëri dhe gjendjen tejet të vështirë në Kosovë, si dhe për krizën në rajon.

Të dy presidentët vlerësuan se është e domosdoshme që problemi i Kosovës të konsiderohet si një problem thelbësor, pa zgjidhjen e drejtë të të cilit nuk do të ketë zgjidhje të krizës ballkanike.

Ata nënvizuan se zhvillimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në prani të një pale të tretë, është imperativ për të shmangur keqësimin e mëtejshëm të situatës.

Presidenti Berisha theksoi se do ta konsideronte një hap pozitiv heqjen e vizave të daljes për në Shqipëri nga ana e autoriteteve të Beogradit.

Gjatë bisedës presidenti Rugova shprehu vlerësime pozitive për përmirësimin e marrëdhënieve dhe klimën e mirëkuptimit që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Presidenti Berisha gjatë takimit vlerësoi lart përpjekjet e presidentit Rugova dhe të forcave politike të Kosovës për një zgjidhje demkoratike të problemit të Kosovës dhe theksoi se Qeveria shqiptare ka insistuar dhe do të insistojë në respektimin e lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në tërësi në ish-Jugosllavi, njoftoi Radio-Tirana.

 

Lajme të tjera:

“Bujku”: Prishtina s’e ka mbyllur dialogun

U arrestuan kryetari dhe një anëtar i Qeverisë komunale në Kamenicë

Mbahen ende në arrest së paku 19 veprimtarë politikë në Kaçanik

Një grup huliganësh shqiptarë sulmuan fizikisht drejtorin e SHM “Gjin Gazuli” në Prishtinë

Policia serbe mori sërish në pyetje gazetarin Curr Mazrekaj

Pesë mësimdhënës të SHMT “Marin Beçikemi” në Vushtrri u dënuan me burg

Dhuna e përditshme në Kosovë

Tre ushtarë serbë keqtrajtuan dy atletë nga Deçani

Breogradi i quan “absurde” përpjekjet që sanksionet të kushtëzohen me Kosovën

Dolën nga shtypi tetë ilustracione

Doli nga shtypi libri publicistik i Mehmet Krajës “Vite të humbura”

 

 

15 prill 1997

Lajm i plotë:

Vrasje e pacientit në spitalin e Shkodrës

ATSH njoftonte dje se në mesditë, në spitalin civil të qytetit të Shkodrës, persona të armatosur u futën në sallën e operacionit të repartit të kirurgjisë, duke vrarë një pacient, të cilët mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e shpejtë. Pacienti, i cili ndodhej duke u mjekuar nga ekipi i mjekëve në sallën e operacionit, ishte plagosur më parë me armë zjarri.

Në kohën që mjekët ishin duke operuar pacientin e plagosur, në sallë futet një person me maskë dhe i armatosur, i cili qëlloi mbi të plagosurin, duke e vrarë atë.

Gjatë ditës së djeshme janë shtruar edhe pesë të plagosur të tjerë me armë zjarri, tre nga të cilët ishin fëmijë.

 

Lajme të tjera:

Përfaqësuesit e partive të Kosovës u takuan me zëvendëssekretarin e shtetit Rudolf Perina

“Le Courrier”: Të drejtat e njeriut në Kosovë janë vetëm fiksion

“Uashington Tajms” për mundësitë që Millosheviqi të vehet në listën e kriminelëve të luftës

Zyrtarët gjermanë përkrahën Maqedoninë, por u interesuan edhe për Shqipërinë dhe Kosovën

Delegacioni i Federatës Internacionale të Helsinkit vizitoi Universitetin e Tetovës

Nesër fillon festivali “Takimet poetike të Karadakut”

Në Gjakovë dy qytetarë shqiptarë po mbahen në arrest

Dhuna e përditshme në Kosovë

“Rilindja” botoi kompletin në katër vëllime të Gjergj Fishtës

Në oborrin e fabrikës “Napredak” serbët ngrejnë komplekse për t’ua shitur shqiptarëve

Plaçkitje të mëdha të duhanxhinjve

 

15 prill 1998

Edicioni i parë (15:00)

Lajmet kryesore:

Mijëra qytetarë shetitën edhe sot në rrugën “Nënë Tereze” të Prishtinës dhe në qytetet tjera

Këshilli organizativ i vlerëson lart shetitjet e qytetarëve të Kosovës

Propaganda paralajmëron një sulm të ri serb

Forcat serbe përditë gjuajnë me granata fshatrat e Skënderajt

  1. Rubin: “Nuk mund të arsyetohet me asgjë granatimi i fshatrave dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm”

Në fshatrat e izoluara të Drenicës të parandalohen epidemitë

Serbët shpërngulen nga fshatrat e Deçanit: “Nuk ka më jetë këtu. . . ”

SHBA përkrahin një dialog politik me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën

Bejtush Maçani u keqtrajtua rëndë parmbrëmë nga policia

Nga të shtënat e policisë parmbrëmë u qëllua shtëpia e Milazim Ademit

Patrollat e policisë parakalojnë para Presidencës së Kosovës

Ndërhyrje e policisë në shtëpinë e M. Musliut në Stanofc të Ulët

Dhuna e përditshme në Kosovë

Të burgosurit në Smrekovnicë detyrohen të bëjnë punë në postblloqe të policisë

Serbët deklarojnë “suksesin” në vaksinim, kundruall neglizhencës së subjekteve të shëndetësisë shqiptare

Mbi 500 studentë e intelektualë shkodranë nënshkruan një peticion për Kosovën

Sipas Gjukanoviqit – Milosheviqi po u ofron serbëve vetëvrasje kolektive

Dëmtime në SHF “Aziz Sylejmani”

Në rrugën Prishtinë – Mitrovicë u plagos një polic serb

 

Edicioni i dytë (19:00)

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti të deleguarin e posaçëm të ministrit të jashtëm polak

Diplomatët gjermanë e austriakë në KMDLNJ

Gjatë bastisjes së shtëpisë nga policia, vdiq plaka Fatime Shigjeqi nga Planeja

Situatë e rëndë në Kodrën e Trimave

Fatmir e Gëzim Makolli u keqtrajtuan në polici pa kurrfarë preteksti

Prezencë e shtuar e forcave ushtarake në Prizren

Mbi 45 mijë qytetarë morën pjesë në protestën shetitore në Prizren

Shëtitje masovike në Ferizaj

Shëtitje protestuese në Malishevë, Suharekë e Vushtrri

Policia serbe në Vushtrri keqtrajton drejtorët dhe arsimtarët e shkollave shqipe

Foto: Gazetari- Shaip Beqiri

Continue Reading

Rajoni

Sorensen sot në Kosovë për takim me Kurtin

Published

on

By

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të qëndrojë më 15 prill në Prishtinë, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha një burim në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.

REL i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetje lidhur me këtë takim, për temat që pritet të diskutohen dhe është në pritje të përgjigjeve.

Vizita e Sorensenit në Prishtinë vjen pasi ai vizitoi Beogradin më 9 prill, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Emisari evropian tha se me Vuçiqin zhvilloi diskutime për avancimin e diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe analizimin e përparimit për Ligjit për të huajt në Kosovë.

Sipas burimeve jozyrtare po punohet intensivisht për organizimin e një rundi të ri të dialogut në nivel udhëheqësish. Kjo është arsyeja kryesore pse Sorenseni kohët e fundit ka intensifikuar bisedimet me faktorë të ndryshëm relevantë, përfshirë edhe me palën amerikane.

Siç kanë bërë të ditur burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur gatishmëri për të shkuar në Bruksel për t’u takuar në kuadër të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por për momentin nuk ka konfirmim se sa është i gatshëm për këtë udhëheqësi kosovar.

Takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte zhvilluar disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Gjatë sulmit të kryer nga një grup i serbëve të armatosur, mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Ndërkaq, gjatë këmbimeve të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ky sulm e përkeqësoi edhe më tej situatën, ndërsa dialogu në nivelin politik që nga ai moment ka mbetur i ngrirë.

Pala evropiane, sipas burimeve diplomatike të REL-it, do të dëshironte në mënyrë të organizonte një rund dialogu në javët në vijim, gjithsesi para kësaj vere.

Nëse kjo ndodh, do të ishte takimi i parë pas tre vjetësh, por edhe i pari i këtij lloji për Kaja Kallas, shefen e diplomacisë evropiane.

Ajo mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri në dhjetor 2024. Kallas, në disa raste ka deklaruar se dialogu në nivelin më të lartë politik nuk ka ndodhur për shkak të situatës së ndërlikuar politike si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Pas zgjedhjeve në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ajo ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një takim të liderëve “sapo ta lejojnë rrethanat”. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Turqi: Katër të vrarë nga të shtënat me armë në një shkollë

Published

on

By

Një sulm i përgjakshëm ka tronditur sot qytetin e Kahramanmarashit në Turqi, ku të shtëna armësh në një shkollë të mesme të ulët kanë lënë të paktën katër viktima dhe 20 të plagosur.

Guvernatori i rajonit njoftoi se motivet e këtij sulmi mbeten ende të panjohura, ndërsa Ministri i Arsimit dhe ai i Brendshëm janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes.

Kjo ngjarje e rëndë pason një tjetër sulm të ngjashëm që ndodhi ditën e martë në juglindje të Turqisë.

Atje, një ish-nxënës hapi zjarr duke plagosur 16 persona para se të vriste veten, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në institucionet arsimore të vendit.

Continue Reading

Vendi

Aksident fatal me traktor në Istog: Humb jetën një person nga Klina

Published

on

By

Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Polanë të Istogut, ku një person ka humbur jetën pasi është rrokullisur me traktor.

Sipas raportit të Policisë, viktima nga fshati Leskoc i Klinës kishte shkuar në pyll për dru, kur mjeti i tij u rrotullua duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Rreth orës 11:20, trupi i viktimës është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet kompetente policore, të cilat po merren me hetimin e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë.

Continue Reading

Lajmet

Distria Krasniqi kërkon titullin e katërt të Evropës në kryeqendrën gjeorgjiane

Published

on

By

Kosova nis nesër rrugëtimin në Kampionatin e 75-të Evropian të xhudos, ku sytë janë kthyer nga kampionia jonë olimpike, Distria Krasniqi.

Si bartësja e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë, Distria konsiderohet favoritja kryesore për të mbrojtur titullin dhe për të fituar medaljen e saj të katërt të artë në kontinent.

Përveç saj, në ditën e parë të garave në Gjeorgji, në tatam do të zbresin edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Fatjona Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë, të cilat synojnë të befasojnë pas rikthimit nga lëndimet.

Ethet e garës do të vazhdojnë edhe të premten, ku në kërkim të medaljeve do të jenë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena.

Laura vjen si bartësja e katërt dhe pretendente serioze për podium, ndërsa Akil Gjakova do të përballet me konkurrencën më të fortë të mundshme në mesin e 41 xhudistëve në kategorinë deri 73 kilogramë.

Në këtë kampionat madhështor marrin pjesë mbi 400 sportistë nga 46 shtete të ndryshme, ndërsa ekipi i Kosovës udhëton me synime të qarta për të vazhduar dominimin në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara