Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 13 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

13 prill 1993

Lajm i plotë:

Qëndrimi i delegacionit kongresist amerikan në Kosovë

Ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, delegacioni kongresist amerikan i përbërë nga katër kongresistë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, Suzan Molinari, Eliot Ingëll, Pitër King dhe Bill Pakson me bashkëpunëtorë, pati shumë takime dhe biseda me përfaqësues të partive politike dhe asoaciacioneve humanitare të Kosovës. Delegacioni vizitoi edhe Mitrovicën.

Përfaqësuesit e Kongresit amerikan në Prishtinë u takuan dje me Lazër Krasniqin, kryetar i Partisë Demokristiane të Kosovës, me ç’rast mysafirët u njoftuan me pikëpamjet e kësaj partie për gjendjen dhe zgjidhjen e problemit të Kosovës. Përfaqësuesit e kësaj partie, e cila është e përfaqësuar në legjislacionin e ri të Parlamentit të Kosovës, u falënderua për angazhimin e Kongresit, të qeverisë dhe të institucioneve amerikane rreth zgjidhjes së problemit të Kosovës. Lazër Krasniqi, posaçërisht falënderoi kongresistët amerikanë për projekt-rezolutën e paraqitur për miratim në Kongresin amerikan që ka të bëjë me Kosovën.

Më pastaj, delegacioni amerikan u takua me përfaqësuesit e shoqatës humanitare “Nëna Terezë”. Jak Mita, kryetar i kësaj shoqate bëmirëse i njoftoi mysafirët me gjendjen e rëndë sociale-ekonomike në Kosovë dhe me punën që po bën kjo shoqatë për të zbutur pasojat e kësaj gjendje të shkaktuar nga veprimet e institucionalizuara nga autoritetet serbe në Kosovë për varfërimin e plotë të shqiptarëve dhe detyrimin e tyre për t’u larguar nga Kosova. Me këtë rast, u bisedua për mundësitë e shoqatat dhe institucionet bëmirëse dhe humanitare amerikane të dërgojnë ndihma për popullsinë e varfëruar të Kosovës. U tha gjithashtu se ndihma e lejuar nga Kongresi amerikan prej 6.5 milionë dollarësh, do të arrijë sa më parë në Kosovë përmes lidhjes së shoqatave humanitare amerikane me ato në Kosovë.

Delegacioni i Kongresit amerikan dje në Prishtinë vizitoi edhe objektin privat të shkollës së mesme ekonomike. Pasi sot ishte ditë pushimi për shkollat me rastin e kremtes së Pashkëve, objekti ishte i zbrazët, por kongresistët amerikanë panë me sy të vet kushtet në të cilat mësojnë nxënësit shqiptarë nëpër punkte private. Ata theksuan admirimin e tyre për vullnetin e madh të nxënësve, arsimtarëve dhe të gjithë shqiptarëve për të pasur shkollën e tyre dhe njëkohësisht theksuan se do të vazhdojnë angazhimin e tyre, duke alarmuar administratën e vet për të ushtruar presion për kthimin e nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve në objektet e institucioneve të tyre shkollore dhe universitare.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë, shtroi një drekë zyrtare për përfaqësuesit e misionit të KSBE-së në Prishtinë, të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Komesiariatit të Lartë për Refugjatë. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve ndërkombëtare njoftuan delegacionin amerikan me gjendjen në Kosovë. Derisa ndodheshin në drekë, arritën dy francezët e burgosur të shoqatës humanitare frënge “Ekuilibre”, të cilët u liruan në saje të presionit të institucioneve ndërkombëtare, të Ambasadës frënge në Beograd, por edhe në saje të angazhimit të drejtpërdrejtë dje dhe sot të kongresistëve amerikanë. Në të vërtetë, delegacioni amerikan me insistimin e vet vizitoi edhe burgun në Prishtinë, me ç’rast bisedoi me njërin nga të burgosurit francez.

Pas dite, delegacioni i kongresistëve të SHBA-ve, bëri një vizitë pune në Mitrovicë. Delegacioni vizitoi një klinikë private në Tavnik, ku mjekët dhe inferemierët shqiptarë punojnë vullnetarisht dhe në kushte të vështira për t’u kujdesur për shëndetin e popullit. Me këtë rast, kongresistët biseduan edhe me pacientë. Ishte prekës një moment kur kongresisten Suzan Molinari e përqafoi një plakë shqiptare, e cila po priste për mjekim dhe e cila mësoi se kishte të bënte me delegacionin amerikan. Pas përshëndetjes me te, dhe e emocionuar me të gjitha ato që shihte në këtë klinikë private, kongresistes Molinari i rrëshqitën lotët.

Kongresistët pasi biseduan me mjekët e kësaj klinike u takuan me udhëheqësit e partive dhe të shoqatave humanitare të Mitrovicës. Dr. Latif Berisha, kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë, njoftoi mysafirët me gjendjen në këtë komunë minatorësh, e cila për shkak të përjashtimeve masive nga puna të shqiptarëve, është një nga zonat më të rrezikuara social-ekonomike të Kosovës. Ai e njoftoi delegacionin edhe me format e ndryshme të presionit të policisë serbe kundër popullsisë së këtushme, e cila po përpiqet me durim dhe sakrifica mbinjerëzore dhe me metoda paqësore të punojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës, sipas opsionit politik të kryetarit të Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, i cili siç tha ai, gëzon një autoritet të madh në Kosovë.

Delegacionit për punën e qeverisë pluraliste të përkohshme të Mitrovicës i foli Agim Hajrizi, kryetar i qeverisë së Mitrovicës. Në bisedë morën pjesë edhe Mustafë Pllana, kryetar i Këshillit Qendror për Financim në Mitrovicë, Ismail Smakiqi, anëtar i KMDLNJ në Mitrovicë, dhe Xhafer Nuli, përfaqësues i Sindikatave të pavarura të Minatorëve të “Trepçës”.

Pas bisedës që u zhvillua, për mysafirët amerikanë u shfaqën disa sekuenca të filmit dokumentar për raste të shkeljeve më drastike të të drejtave të njeriut në këtë komunë. Delegacioni vizitoi edhe një familje minatori në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës.

Në fund të vizitës në Mitrovicë, kongresisti Eliot Ingël, tha se është tepër i shqetësuar me të gjitha ato që ka parë për dy ditë në Kosovë dhe se ai këtë do t’ia paraqesë Kongresit amerikan, si dhe do t’i referojë edhe vetë presidentit Klinton për të ndërmarrë masa të tjera ndaj gjendjes në Kosovë. Duke iu drejtuar të pranishmëve ai tha: “Jam i mahnitur me unitetin dhe afërsinë e solidaritetin tuaj dhe jam i bindur se në saje të kësaj ju do të fitoni. Natyrisht, ne do t’u ndihmojmë pa kursim”.

Delegacioni amerikan pasi u kthye në Prishtinë, pati një takim të shkurtër në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe vizituan Qendrën për Informim të Kosovës, duke u njoftuar me kushtet në të cilat punon kjo Qendër. Në ndarje, për vizitën i falënderoi Dr.Shaqir Shaqiri, sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i LDK-së. Delegacioni mbrëmë udhëtoi për në Shkup.

 

Lajme të tjera:

Serbët e vlerësojnë negativisht vizitën e delegacionit të Kongresit Amerikan në Kosovë

Burgosjet e personaliteteve të njohura si shtytje për spastrim etnik të Kosovës

U arrestua deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Hani i Elezit

Policët serbë kërkuan Ramë Bujën deputet i Kuvendit të Kosovës

Bastisje të reja në Junik

Vajzat e Tahir Mehës më nuk kanë nevojë për ndihma

U liruan përfaqësuesit e organizatës “Equilibre”

 

13 prill 1994

Lajmet kryesore:

U mbajt mbledhja e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës

Presidenti Berisha kërkoi kundërvënie terrorit

Ministri Serreqi njoftoi për masakrën KS të OKB-së

Për masakrën u njoftua dje edhe kryetari i Këshillit Evropian

Konsulli grek në Gjirokastër u shpall person i padëshiruar

Greqia dëboi sekretarin e parë të Ambasadës së Shqipërisë në Athinë

Qeveria e Kosovës aktin terrorist grek e vlerëson shkelje flagrante të integritetit territorial

Represioni në Kosovë

Me rastin e 30-vjetorit të vënies së flamurit kombëtar në Kosovë

Në Prizren katër veta u dënuan për drogë

Në fillim të majit mbahet “Pranvera poetike studentore ’94”

 

 

13 prill 1995

Lajmet kryesore:

Udhëheqësit e LDK-së priten përfaqësuesit e Ambasadës Ruse në Beograd

Në Kongresin e Partisë Radikale Transnacionale mori pjesë një delegacion nga Kosova

Vazhdon vala e arrestimeve në Kaçanik

Lajm i plotë:

 

Në procesin e Pejës informatat për dhunën merren si “prova”

Gjatë seancës së djeshme kundër nëntë të pandehurve që akuzohen për “veprimtari armiqësore” në Pejë, përfundoi e ashtuquajtura procedurë e provave.

Kryetari i trupit gjykues Dragolub Zdravkoviqi, kumtoi se nesër pritet që të paraqitet fjala përfundimtare e prokurorit publik Miladin Popoviq e shtatë mbrojtësve dhe e të akuzuarve Vllaznim Shehu, Gani Hajdaraj, Sherif Shala, Shaban Shala, Sefer Hasanaj, Xhevat Ibraj, Idriz Elezaj, Skënder Krasniqi dhe Dërgut Bibaj, njofton “Bujku”.

Njëra ndër “provat vendimtare” që prokurori propozoi të shqyrtohet ishin edhe informatat e SP të SPB të Kosovës që kishin të bënin për dhunën mbi popullin shqiptar, pra edhe kundër ish-policëve, maltretimet, marrjet në pyetje, burgosjet, e të tjera, të cilat iu dërguan asociacioneve përkatëse për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Më pastaj, shumë fjalë u bë edhe për marrjen e “letrave”, materialeve të sindikatës, për shënimet personale, pasaportat, etj, që u morën me rastin e bastisjeve të të akuzuarve. Në informatat e përmendura bëhej fjalë për keqpërdorimin e detyrës nga përfaqësuesit e “MUP-it” të Serbisë. Ndërkaq, disa informata të tjera kishin të bënin me aktivitetin konkret të anëtarëve të Sindikatës së Pavarur, si bie fjala, listat e emrave të anëtarëve të SP, procesverbalet e mbledhjeve e të tjera.

Së këtejmi nuk doli në pah ndonjë shkresë a dokument ku do të parashihej “përdorimi i forcës”, veprimet inkriminuese sipas nenit 116 të Ligjit penal, sikundër ngarkohen të akuzuarit.

Prokurori Miladin Popoviq, propozoi që të aprovohen shkresat e reja: akti normativ, Statuti i Sindikatës së Pavarur të SPB të Kosovës, si dhe një listë, siç tha ai, për likudimin e serbëve e malazezve nga komuna e Rahovecit. Këtë propozim e kundërshtuan mbrojtësit, të cilët shtuan se fjala është për dokumentet e pavlera, meqë janë të fotokopjuara, të paevidencuara, të pavulosura dhe që nuk kanë të bëjnë me aktakuzën. Se këto nuk kanë kurrfarë baze e vërtetoi edhe prokurori. Trupi gjykues aprovoi propozimet e mbrojtësve që si prova të merren parasysh certifikatat mjekësore, përkitazi me torturat më të egra që u përdorën kundër të akuzuarve nga inspektorët e sigurimit publik, kur këta i morën në pyetje, në fazën e hetuesisë, “pacientët” e tyre. Fjala është për përdorimin e torturës ndaj Dërgut Bibajt, Sherif Shalës dhe Gani Hajdarajt, si dhe u fol për një sëmundje të Skënder Krasniqit.

Pasi në këtë proces u bë shumë fjalë edhe për një aparat të radio-lidhjeve me valë të shkurtëra, që u gjet në shtëpinë e njërit nga të akuzuarit, mbrojtësi Enver Nimani reagoi: Të lexohet një reklamë e botuar në revistën beogradase “Telegraf” që flet mu për këto aparate. Pra, shtoi ky avokat, i njëjti aparat është reklamuar për t’u shitur, duke shprehur habinë se të akuzuarit ngarkohen edhe për gjëra të tilla. Mbrojtësi tjetër, Mustafë Radoniqi propozoi që të merren si provë raportet e Komitetit (serb) të Helsinkit, përkitazi me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut, torturave, procesve të montuara politike etj; raportin për vitin 1994 të KMDLNJ në Prishtinë, i cili flet po ashtu për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, pastaj raportin e Fondit për të Drejtat Humanitare në Beograd me titull “Albanci II” (“Shqiptarët II”) të cilin, në disa vazhdime e botoi gazeta, po ashtu e Beogradit, “Nasha Borba”.

Së këtejmi, trupi gjykues refuzoi kërkesën që në gjykatore të ftohet eksperti i mjekësisë ligjore për të konstatuar histologjinë e lëndimeve trupore të të akuzuarve që ua shkaktun gjatë hetuesisë.

Mbrojtësit njoftuan edhe për atë se disa nga klientët e tyre, me rastin e arrestimeve, në lokalet e “MUP-it” të Serbisë janë mbajtur edhe deri në 7-8 ditë. Ndërkaq përkujtuan ata: dihet se “organi i punëve të brendshme” mund ta arrestojë dikë më së shumti tri ditë. Pra, ata kërkuan që të shqyrtohen edhe vendimet përkatëse për caktimin e paraburgimeve. Avokatët theksuan edhe një sërë shkeljesh të procedurës penale që nga çasti kur janë paraburgosur klientët e tyre e deri më rastin e ngritjes së aktakuzës. Dhe, siç rrodhi nga ky proces, jo vetëm hetuesit e inspektorët, por edhe gjykatësi hetues Veselin Çagjenoviq me të “dy këmbët” e shkelën ligjin (serb) të procedurës penale.

Sipas dinamikës së këti procesi, aktgjykimi “në emër të popullit” pritet të shpallet të hënën, eventualisht të martën.

Në procesin kundër nëntë të akuzuarve në Pejë tërhoqi vëmendjen deklarata e ish-milicit Ramë Shabanhaxhaj, të cilin regjimi serb e caktoi të kryejë detyrën e dëshmitarit.

Para gjyqit serb ai tregoi se dy ditë rresht e kanë arrestuar duke e mbajtur në lokalet e policisë në Deçan. Inspektorët, shtoi ai, më detyruan të nënshkruaj deklaratën, të cilën e përpiluan sipas qejfit të tyre, pra për tërë atë që shkruan në aktakuzë. Gjykatësi hetues (Veselin Çagjenoviç), vazhdoi ai, pasi u fik drita elektrike, më mori në pyetje nën dritën e qiriut. U detyrova (pasi kështu më kishin porositur inspektorët) që ta nënshkruaj edhe deklaratën para këtij gjykatësi. Por, e vërteta është tjetër, këta të akuzuar vepruan në Sindikatën e Pavarur të SPB të Kosovës u morën me probleme sindikale e jo me ato siç i ngarkon aktakuza, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

Lajme të tjera:

Sekretari i Kuvendit Komunal të Kamenicës u lirua nga burgu

U liruan tre veprimtarë politikë nga Dragashi

Gratë protestuan kundër keqtrajtimit të grave në Grejkovc të Suharekës

Rexhep Hamiti i arrestuar në gjendje të rëndë shëndetësore

Policia serbe në 14 shkolla fillore të komunës së Gjakovës plaçkiti kabinetet e lëndës së MPP-së

Dhuna e përditshme në Kosovë

Në Prishtinë policia serbe rrahu rëndë një qytetar

Në disa fshatra të Klinës janë stacionuar forca të mëdha të ushtrisë serbe

Dhuna ndaj arsimit në Mitrovicë gjatë periudhës shtator-mars

Dr. Fehmi Rexhepi u zgjodh drejtor i Institutit të Historisë

U promovua libri “Trashëgimia Etnokulturore dhe historike e Llapit”

Komuniteti shqiptar përkrah kandidaturën e Dolit për president të SHBA-ve

 

 

13 prill 1998

 Edicioni i parë (15:30)

Lajmet kryesore:

Në Namibi u miratua një rezolutë për Kosovën

Shetitje protestuese në qytetet e Kosovës

BSPK mbështet shetitjet protestuese

Talbot vjen në Evropë për të biseduar rreth çështjes së Kosovës

Prizren: Lëvizje të shtuara të ushtrisë serbe

Forca ushtarake u stacionuan në Luzhnicë të Suharekës

Një i ri u keqtrajtua në postbllokun e Nadakocit

Dy vëllezër nga Hertica e Podujevës u arrestuan nga policia

Pejë: Keqtrajtime të shqiptarëve me pretekste të ndryshme

Mitrovicë: Civilë serbë rrahën një të ri shqiptar

Lëvizje ushtarake në Mitrovicë

Gjurma enigmatike gjaku në një banesë në Breg të Diellit!

Lëvizje të forcave ushtarake serbe në drejtim të Klinës

Policia serbe kërcënoi don Mikel Sopin

Në postbllokun e Klinës së Ëperme është vendosur flamuri serb

Dr. Hafir Shala ende në arrest

Për shkak të të shtënave banorët e Baballoçit e braktisën fshatin

Arben Xhaferi: “Fundi i një procesi të kooperimit të pakusht të shqiptarëve”

Një polic keqtrajtoi rëndë disa të rinj shqiptarë në Kaçanik

 

 

Edicioni i dytë (16:00)

Lajmet kryesore:

Nuk bën të ndërpritet mësimi për shkak të manifestimeve të qytetarëve

Organet serbe nuk japin të dhëna për dr. Hafir Shalën

 

Edicioni i tretë (19:00)

Lajmet kryesore:

Një delegacion i LDK-së vizitoi disa familje të viktimave të terrorit serb

Forca serbe janë stacionuar në afërsi të Llabjanit të Pejës

Mbi shtatë mijë qytetarë morën pjesë në shetitjen protestuse në Malishevë

Foto: Mjeku i zhdukur Hafir Shala

 

 

Continue Reading

Botë

8-vjeçarja nga Luiziana humb jetën nga “ameba trungrënëse” pas notit në liqen

Published

on

Një vajzë 8-vjeçare nga Luiziana, Lillian Smart, ka humbur jetën pasi u infektua me Naegleria fowleri, një amebë e rrallë e njohur si “ameba trungrënëse”.

Sipas familjes, Lillian nga Ruston ndërroi jetë pak pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të tetë, ndërsa dëmtimet në trurin e saj ishin shumë të rënda.

Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës kishte njoftuar më herët për një rast të dyshuar të infektimit me këtë amebë te një banor i zonës, pas notit në liqenin Claiborne, rreth 48 kilometra në veriperëndim të Ruston. Dyshohet se edhe infektimi i vajzës ka ndodhur gjatë notit në ujë të ëmbël.

Naegleria fowleri gjendet zakonisht në ujëra të ëmbla dhe të ngrohta. Infeksioni mund të ndodhë kur uji i kontaminuar hyn përmes hundës dhe arrin në tru.

Autoritetet theksojnë se ameba nuk shkakton infeksion kur uji gëlltitet dhe nuk transmetohet nga personi në person.

Departamenti i Shëndetësisë e ka cilësuar infeksionin si “jashtëzakonisht të rrallë, por pothuajse gjithmonë fatal”.

Në Shtetet e Bashkuara janë raportuar vetëm 180 raste të konfirmuara të infeksionit me Naegleria fowleri nga viti 1937 deri në vitin 2025./A.K/

Continue Reading

Vendi

Juridiku në UBT: Rrugëtimi ideal drejt një karriere të suksesshme në drejtësi

Published

on

By

Fusha e drejtësisë kërkon dije, integritet dhe aftësi për të parë përtej një rregulli, për të kuptuar një çështje dhe për të ndërtuar argumentin e duhur. Në një shoqëri ku ligji është pjesë e çdo fushe të jetës, nevoja për profesionistë të përgatitur juridikisht është gjithnjë më e madhe. Pikërisht për këtë, UBT ofron Programin Bachelor në Juridik si një rrugëtim akademik dhe profesional që i pajis studentët jo vetëm me njohuri të thelluara juridike, por edhe me aftësitë praktike të nevojshme për t’i zbatuar ato në realitet.

Programi Bachelor në Juridik në UBT ofrohet në Prishtinë dhe në Kampusin e UBT-së në Prizren, duke u krijuar studentëve mundësinë të ndjekin studimet në një mjedis modern dhe të orientuar drejt zhvillimit profesional. Programi synon të ofrojë cilësinë më të lartë të edukimit juridik dhe të përgatisë studentë të aftë për të përballuar kërkesat e profesionit, për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe për të luajtur një rol aktiv në zhvillimin e shoqërisë.

Gjatë studimeve, studentët ndërtojnë njohuri të qëndrueshme në fushat kryesore të së drejtës, duke përfshirë të drejtën civile, penale, administrative, tregtare dhe kushtetuese, si dhe dimensionet e së drejtës ndërkombëtare. Ata mësojnë të analizojnë legjislacionin, të interpretojnë normat juridike dhe të kuptojnë mënyrën se si parimet dhe rregullat juridike zbatohen në raste konkrete.

Por një jurist i mirë nuk mjaftohet vetëm me njohjen e ligjit. Për këtë arsye, programi i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të mendimit kritik, aftësive analitike, komunikimit profesional dhe argumentimit juridik. Studentët mësojnë të analizojnë çështje të ndryshme ligjore, të hartojnë dokumente juridike dhe të ndërtojnë argumente të strukturuara, duke përdorur edhe metodën IRAC – Çështja, Rregulla, Analiza dhe Përfundimi. Kjo qasje i ndihmon ata të zhvillojnë një mënyrë sistematike të të menduarit dhe të zgjidhjes së problemeve juridike.

Programi i nxit studentët edhe në fushën e hulumtimit dhe analizës juridike. Ata angazhohen në projekte që kërkojnë mbledhjen, analizimin dhe interpretimin e legjislacionit të Kosovës, vendimeve gjyqësore dhe çështjeve të së drejtës kombëtare e ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, studentët zhvillojnë aftësinë për të hulumtuar në mënyrë të pavarur, për të vlerësuar burimet juridike dhe për të ndërtuar përfundime të bazuara në argumente profesionale.

Përveç njohurive individuale, rëndësi i kushtohet edhe aftësisë për të bashkëpunuar dhe komunikuar në mënyrë profesionale. Studentët përgatiten për punë ekipore dhe bashkëpunim me institucionet e drejtësisë, policinë, prokuroritë, gjykatat, organizatat joqeveritare dhe sektorin privat. Kjo i pajis ata me kompetenca që janë të rëndësishme jo vetëm për profesionin juridik, por për çdo mjedis profesional ku kërkohet përgjegjësi, analizë dhe vendimmarrje.

Me përfundimin e studimeve, të diplomuarit synohet të jenë të përgatitur për të vazhduar rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik në fusha të ndryshme të drejtësisë. Ata fitojnë një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm në profesionet juridike, në institucione publike, organizata, sektorin privat dhe fusha të tjera ku kërkohen njohuri dhe kompetenca juridike.

Juridiku në UBT është një përvojë që ndërthur dijen, praktikën, kërkimin dhe zhvillimin personal. Është vendi ku studenti mëson jo vetëm çfarë thotë ligji, por edhe si ta analizojë, ta interpretojë dhe ta përdorë atë me përgjegjësi. Në Prishtinë dhe Prizren, UBT u hap rrugën të rinjve që duan ta shndërrojnë interesimin për drejtësinë në një profesion dhe një karrierë me ndikim.

 

Continue Reading

Vendi

UBT, lider i institucioneve akademike në rajon në ndikimin e qëndrueshmërisë

Published

on

By

UBT ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në Times Higher Education (THE) Impact Rankings 2026, duke u renditur si institucioni më i lartë në mesin e institucioneve akademike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përfshira në këtë krahasim rajonal.

UBT: 801–1000 në nivel global

Pozicioni i përgjithshëm i UBT-së në renditjen globale është përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga grupi 1001–1500 në vitet 2024 dhe 2025, në grupin 801–1000 në vitin 2026. Ky progres dëshmon për forcimin e profilit ndërkombëtar të UBT-së në fushën e qëndrueshmërisë dhe rritjen e ndikimit të tij në nivel rajonal.

Performanca më e fuqishme e UBT-së në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm është veçanërisht e dukshme në:

  • SDG 7 – Affordable and Clean Energy: 50.6–55.3
  • SDG 2 – Zero Hunger: 54.4–62.7
  • SDG 1 – No Poverty: 56.4–62.7

UBT ka shënuar gjithashtu rritje të dukshme në disa nga SDG-të krahasuar me vitet e mëparshme, me progres të veçantë në reduktimin e varfërisë, shëndetin dhe mirëqenien, barazinë gjinore, ujin e pastër, energjinë e pastër dhe punën e denjë.

Me një pikëzim të përgjithshëm në THE Impact prej 53.7–60.6, UBT qëndron në krye të institucioneve të përfaqësuara nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Ky rezultat shkon përtej një pozicioni në renditje. Ai pasqyron ndikimin në rritje të kërkimit shkencor, edukimit, politikave institucionale, angazhimit me komunitetin dhe përkushtimit të UBT-së ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

Continue Reading

Lajmet

Ndalohet një person pas vdekjes së punëtorit në vendpunishten në Veternik

Published

on

Një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim në lagjen Veternik të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 10:30. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë atyre.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarë okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Prokurori i çështjes pritet të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara