Kulturë

Dita Ndërkombëtare e Teatrit

Published

on

Sot, më 27 mars, festohet Dita Ndërkombëtare e Teatrit, një ditë e caktuar nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit në vitin 1961, për të nxitur dhe përhapur mesazhin e fuqishëm të teatrit në të gjithë botën. Kjo ditë ka për qëllim jo vetëm të nderojë artin e teatrit, por edhe të mbështesë teatrot lokale, të stimulojë shfaqjen e ideve dhe përvojave artistike, dhe të vlerësojë ata që krijojnë, shkruajnë dhe interpretojnë në këtë skenë kaq të pasur me mundësi shprehjeje. Është një mundësi për të thurur lavdërime për dramaturgët dhe për të nxitur ata që kanë histori të jashtëzakonshme për të ndarë ato përmes artit të teatrit.

Teatri është një dritare për shpërndarjen e mesazheve të forta shoqërore dhe kulturore, dhe kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi ndikimin e tij, si dhe për të inkurajuar një angazhim më të madh nga të rinjtë dhe të tjerët që mund të kontribuojnë në këtë art të veçantë. Teatri është një hapësirë ku ngjarjet e jetës bëhen të prekshme dhe ku spektatorët mund të gjejnë reflektim në veprat që shohin.

Historia e teatrit në Shqipëri është e pasur dhe e thellë, duke filluar që nga vitet e para të krijimtarisë teatrale shqiptare. Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në vendin tonë është “Dasma e Lunxhërisë”, një dramë që u shfaq për herë të parë në vitin 1874. Kjo shfaqje, e shkruar nga Koto Hoxhi, u realizua nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” në Gjirokastër, dhe shënoi një moment të rëndësishëm në krijimin e traditës teatrale shqiptare.

Kjo periudhë e hershme është e lidhur ngushtë me Rilindjen Kombëtare, një kohë kur kultura dhe arti ishin të lidhura ngushtë me proceset e formësimit të identitetit kombëtar. Drama e parë shqipe me strukturë të mirëfilltë artistike, “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori, e shkruar më 1885, është një tjetër pikë kthese në zhvillimin e teatrit shqiptar. Kjo dramë, e botuar nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit”, shpalli një hap të rëndësishëm në zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare.

Duke kaluar në periudha të tjera, teatri shqiptar ka prodhuar shumë figura të njohura dhe vepra të jashtëzakonshme që kanë lënë një shenjë të thellë në historinë e artit të skenës. Komediani dhe dramaturgu A. Z. Çajupi, me veprat e tij si “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), si dhe Gjergj Fishta, i njohur për melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), janë vetëm disa nga emrat që kanë ndihmuar në ngritjen e teatrit shqiptar në nivele të larta. Fan S. Noli, Mihal Grameno dhe shumë të tjerë kontribuan me krijime që shprehën tematika të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.

Teatri popullor, i themeluar në vitin 1945 në Tiranë, është institucioni që ka ndihmuar në zhvillimin dhe përhapjen e teatrit profesional në Shqipëri. Inaugurimi i këtij teatri është një ngjarje historike, që ndihmoi në ngritjen e një tradite të pasur me shfaqje të shumta nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Komedia “Topazi”, nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios, shënoi shfaqjen e parë të Teatrit Popullor dhe vazhdoi të kontribuonte në zhvillimin e teatrit shqiptar, duke ofruar premierat e para me cilësi të lartë artistike.

Dita Ndërkombëtare e Teatrit është një mundësi për të kujtuar dhe vlerësuar këtë trashëgimi të pasur kulturore, që ka formuar dhe vazhdon të formojë një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar. Në këtë ditë, artistët dhe krijuesit e teatrit janë të ftuar të festojnë, të shprehin mirënjohjen dhe të ngrejnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtij arti të pazëvendësueshëm.

Continue Reading

Lajmet

Nis Seminari XIX Mbarëkombëtar për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë

Published

on

Ka nisur punimet Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Seminari i këtij viti zhvillohet me temën “Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar” dhe do të zgjasë deri më 31 korrik. Në të marrin pjesë mbi 200 mësimdhënës të gjuhës shqipe nga diaspora, të cilët do të shkëmbejnë përvoja dhe praktika në fushën e mësimdhënies.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Orjana Osmani, mësimdhënës nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Çeku theksoi se diaspora mbetet një pjesë e pandashme e Kosovës dhe një urë e rëndësishme lidhëse me botën. Ai nënvizoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, përmes hartimit të teksteve të përbashkëta me Shqipërinë, trajnimit të mësimdhënësve, zgjerimit të ekskursioneve për fëmijët e mërgatës dhe zhvillimit të platformave digjitale. Sipas tij, rreth 800 mësues dhe 23 mijë nxënës ndjekin mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Orjana Osmani vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve të diasporës në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ajo theksoi se gjuha mbahet gjallë nga ata që ua përcjellin brezave të rinj dhe përmendi forcimin e politikave për mësimin e shqipes, si dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe, e cila synon të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin afatgjatë të saj.

Në emër të mësimdhënësve përshëndeti edhe Dila Rrapi, mësuese nga Italia, e cila prej dhjetë vitesh kontribuon si vullnetare në mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës.

Gjatë ditëve në vijim, seminari do të vazhdojë me punëtori dhe diskutime tematike mbi metodat bashkëkohore të mësimdhënies, motivimin e nxënësve për të mësuar gjuhën shqipe, si dhe sfidat dhe mundësitë për ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rame Lahaj dhe yje ndërkombëtarë të operës performojnë nesër në Sheshin “Skënderbeu”

Published

on

Sheshi “Skënderbeu” do të mirëpresë nesër një mbrëmje të veçantë operistike, ku do të ngjiten në skenë sopranoja Vanessa Goikoetxea, mezzo-sopranoja Štěpánka Pučálková, bass-baritoni Luca Pisaroni dhe tenori kosovar Rame Lahaj.

Nën dirigjimin e maestros italian Giuseppe Finzi, artistët do të interpretojnë një program të përzgjedhur me disa nga kryeveprat më të dashura të repertorit operistik, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së.

Koncerti Gala do të nisë në ora 20:30 në Sheshin “Skënderbeu” dhe do të përcjellë mesazhin se muzika është një gjuhë universale që bashkon njerëzit, frymëzon shpresë dhe promovon paqen e mirëkuptimin.

Aktiviteti organizohet në kuadër të festivalit, i cili këtë vit mbahet nën moton “Play Music, Not War”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Northern Echoes” sjell në Pejë një takim artistik mes Kosovës dhe Norvegjisë

Published

on

Kori Siparantum do të mirëpresë në Kosovë një nga ansamblet më të vlerësuara korale të Norvegjisë, Defrost Youth Choir, në kuadër të koncertit të përbashkët “Northern Echoes”, që do të mbahet më 30 korrik, duke filluar nga ora 20:30, në Kishën Katolike “Shën Katerina” në Pejë.

Koncerti do të bashkojë dy tradita të ndryshme muzikore në një mbrëmje artistike, ku estetika nordike do të ndërthuret me identitetin muzikor shqiptar.

Nën drejtimin e dirigjentit Thomas Caplin, Defrost Youth Choir njihet për interpretimet e rafinuara, qasjen inovative ndaj muzikës korale dhe sukseset në skenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, Siparantum Choir, i drejtuar nga Memli Kelmendi, do të interpretojë vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, duke vazhduar promovimin e kulturës muzikore të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Organizatorët e cilësojnë “Northern Echoes” si një takim kulturash dhe vizionesh artistike, që dëshmon fuqinë e muzikës për të lidhur popujt përtej kufijve. Të gjithë dashamirët e muzikës korale janë të ftuar të marrin pjesë në këtë mbrëmje të veçantë koncertale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama: Liqeni i Shkodrës pjesë e UNESCO-s, thesar natyror me biodiversitet të jashtëzakonshëm

Published

on

Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.

Në qershor të Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës nga UNESCO, duke u përfshirë në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga ky liqen, i cili është ndër më të pasurit në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë.

“Liqeni më i madh në Ballkan, pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, është një thesar natyror me biodiversitet të jashtëzakonshëm, ku peizazhet magjepsëse dhe pasuria e florës e faunës e bëjnë një nga destinacionet më të veçanta të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë ornitofaunës të Shqipërisë.

Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.

/Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara