Kulturë

Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelas

Shumë vite të jetës së tij ai i kaloi nëpër burgje.

Published

on

Nelson Mandela ishte president i Afrikës Jugore dhe luftëtar i lirisë, i cili luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej të zinjve në Afrikë, posaçërisht në Afrikën Jugore. Ai studioi juridikun. Shumë vite të jetës së tij ai i kaloi nëpër burgje.

Mandela ka lindur më 18 korrik të vitit 1918 dhe pikërisht për nder të datës së lindjes së tij Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2009 ka vendosur që 18 korriku të jetë Dita ndërkombëtare e Nelson Mandelës.

Ditëlindja e Mandelas është edhe Ditë Ndërkombëtare e Nelson Mandelas, e shpallur nga OKB-ja si shenjë mirënjohjeje për kontributin e fituesit të çmimit Nobel për Paqe e pajtimin e arritur në këtë vend.

Në këtë ditë jugafrikanët zakonisht shënojnë ditëlindjen e liderit të tyre kundër aparteidit, i cili ishte 67 vjet në shërbim publik, kurse qytetarët bëjnë 67 minuta punë për komunitet,

Fillimisht Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe të shokëve të tij.

Në vitin 1956 ai u akuzua për “tradhti të lartë” nga regjimi i atëhershëm, bashkë me 155 shokë të tjerë. Procesi zgjati deri me 1961 dhe të gjithë u liruan. Mbas lirimit ai u bë lideri i grupit të armatosur së ANC-së, Umkohnto we Sizwe.

Në vitin 1962 u burgos dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Në vitin 1964 u dënua me burg të përjetshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi.

Në vitin 1990 mbas një kampanje të ANC dhe presionit ndërkombëtar ai u lirua pa kushte. Në vitin 1993 fitoi çmimin Nobel. Kurse në vitin 1994 u zgjodh në zgjedhje demokratike, President i Afrikës Jugore dhe me 9 maj u zgjodh si presidenti i parë i zi në këtë vend.

Në vitin 1999 ai dha dorëheqje dhe ishte aktiv për organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut. Në vitin 2003 kritikoi shumë Toni Blair dhe George W. Bush për intervenimin në Irak.

Mandela vdiq pas një sëmundjeje të gjatë më 5 dhjetor 2013 në shtëpinë e tij në Johannesburg.

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKTK raporton rritje të të ardhurave dhe investimeve në trashëgiminë kulturore

Published

on

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka publikuar të dhënat për nëntëmujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026, duke evidentuar rritje të të ardhurave, investimeve dhe projekteve të konservimit e kërkimit arkeologjik.

Sipas të dhënave të institutit, të ardhurat janë rritur me 93 për qind krahasuar me vitin 2025, ndërsa investimet në pasurinë kulturore kanë shënuar rritje prej 400 për qind.

Edhe projektet e konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik kanë shënuar rritje të ndjeshme. Numri i tyre është rritur me 282 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe me 133 për qind në raport me vitin 2025.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në disa zona të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Lushnjën, Fierin, Korçën, Ersekën, Pogradecin, Divjakën dhe Sarandën.

Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje prej 279 për qind të monitorimeve arkeologjike krahasuar me vitin 2025.

Në kuadër të forcimit të kuadrit rregullator, numri i akteve nënligjore të miratuara ka arritur në tetë gjatë vitit 2026. Ndërkohë, aktmarrëveshjet për monitorimin arkeologjik janë rritur me 32 për qind krahasuar me vitin 2025 dhe me 164 për qind në raport me vitin 2024.

Sipas IKTK-së, këto të dhëna pasqyrojnë zgjerimin e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes, konservimit dhe studimit të trashëgimisë kulturore./atsh/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara