Kulturë

Dita e çokollatës

Published

on

13 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Çokollatës dhe ne do të zbulojmë historinë e njërës nga shoqërueset më besnike dhe më të dashura të ditëve tona.

Çokollata është një produkt ushqimor industrial që ka për bazë kakaon. Përdoret për ushqim në formë të pastër dhe si gjysmë produkt në industri e kuzhinë.

Fjala çokollatë rrjedh nga pija e parë me përmbajtje të saj Xocóatl (Xócoc: ëmbël; atl: ujë; d.m.th “ujë i ëmbël”), e cila prodhohej nga Astekët. Kjo pije ka qenë ujë i përzier me kakao, vanilje dhe beber Cajen.

Bima Theobroma Cacao (emri shkencor i kakaos) u klasifikua nga Lineu, duke pasur parasysh emrin dhe përdorimin e tij në qytetërimet që e përdornin në atë kohë.

Historia e kakaos dhe çokollatës

Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6.000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakaos ishin majatë, rreth vitit 1000 p.e.s. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës.

Më vonë majatë dhe astekët filluan kultivimin e kakaos dhe më vonë të prodhonin çokollatë.

Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije e quajtur ksokoatl, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije përftohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë, si mielli e mineralet. Një tjetër mënyrë e përgatitjes ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë.

Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, e cila në antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën. Pas pushtimit spanjoll filloi të përdorej “dybeku” (molinilo), i cili lëvizej poshtë e lart dhe kështu arrihej më shpejt shkuma aq e dëshiruar.

Nuk mund të mos vihet re koincidenca e mënyrës së përgatitjes të pijes së kakaos me traditën afrikane të përgatitjes së çajit (tre cikle të njëpasnjëshëm përgatitje, çdonjëri prej të cilëve përftohet nga zierja e gjetheve të çajit, përzierja e përsëritur deri në arritjen e shkumës).

Ksokoatl-i kishte si efekt lehtësimin e ndjesisë së lodhjes, gjë që lidhej me teobrominën që përmbante. Ai ishte një artikull luksi në gjithë Amerikën qendrore pre-kolumbiane; farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse: në thesarin e perandorit Motekuhzoma (më i njohur si Montezuma), gjendeshin thuajse një miliard të tilla. Thuhet se ksokoatl-i kishte një shije të shkëlqyer.

Hoze de Akosta, një misionar jezuit spanjoll që jetoi në Peru dhe më pas në Meksikë në fundin e shekullit XVI, shkruante: Jo e shijshme për ata që nuk e njohin, më një shkumë në sipërfaqe që nuk ka aspak shije të mirë. Gjithsesi, është një pije shumë e vlerësuar nga indianët, të cilët e përdorin për të nderuar fisnikët që përshkojnë vendin e tyre. Spanjollët, si burrat dhe gratë, të cilët janë mësuar me vendin, janë shumë xhelozë për këtë çokollatë. Thonë se përgatisin shumë lloje, të ngrohta, të ftohta, të vakëta dhe se i fusin shumë erëza; bëjnë me të dhe një brumë që sipas tyre është i mirë për stomakun.

Vetëm në vitin 1502 kakao u njoh nga qytetërimi evropian: Kristofor Kolombo gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje; në kthim mori me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soto u arrit futja e kakaos në Evropë në mënyrë të përhapur, ishte viti 1519.

Ai arriti në Amerikë nga Spanja. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao.

Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës me qëllim tregtar udhëtoi mbi një anije nga Verakruzi në Sevilje në 1585. Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhrat e murgjve spanjollë, të cilët kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t’i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës.

Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe në 1615 në gjithë Evropën. Gjurmët e lidhjes së vjetër të Firences me çokollatën gjenden në disa libra të Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, ku gjenden dëshmi të shumta të shkruara duke filluar nga viti 1600 me një debat mbi çokollatën dhe konsumin e saj.

Gjithmonë në Firence, nga viti 1680 gjenden gjurmë të shkruara mbi temën e çokollatës. Në 1680 botohet “Ndryshimet mes ushqimit dhe çokollatës…” të cilin e ndjekin në 1728: “Mendime rreth përdorimit të çokollatës”, “Letër ku ekzaminohen arsyetimet e autorit të mendimeve të para, rreth përdorimit të çokollatës”.

Në shekullin XVII u kthye në një luks mes fisnikëve të Evropës dhe holandezët, lundrues e zotët, ia morën Spanjës kontrollin botëror. Në Venecian e viteve 700 lindnin dyqanet e para të kafesë, paraardhësit e bareve të sotëm; ato ishin sigurisht dhe dyqane çokollate dhe ishin në garë për të ndryshuar recetat ekzistuese duke shpikur të reja. Në vitin 1790 “Gazeta Veneciane” dokumentoi përhapjen e produktit. Deri në fund të shek. XVIII çokollata konsiderohej si shëruese ndaj çdo gjëje dhe mendohej me veti mrekullibërëse.

Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos; në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës; një shembull ishte Torino i cili kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Zvicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak përgatitja e pijeve të çokollatës u kthye në një pasion.

Në fund të shek. XVIII çokollata e parë e ngurtë siç e hamë sot, u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhet të vinte viti 1820 që sistemi të vihej në punë dhe kubi i parë i çokollatës u prodhua në Angli.

Në vitin 1826, Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë.

Në vitin 1828, holandezi Conrad J. van Houten, e shpejtoi metodën e nxjerrjes së yndyrës nga farat e kakaos, duke i transformua në kakao pluhur dhe gjalpë kakaoje. Zhvilloi gjithashtu të ashtuquajturin “proces holandez”, i cili konsiston në trajtimin e kakaos me alkale për t’i hequr shijen e hidhur. Këto trajtime bënë të mundur prodhimin e çokollatës si ajo e sotmja.

Çokollata e parë me përmasa më të mëdha se ajo e Doretit u prodhua në vitin 1847 nga Joseph Fry. Në vitin 1852, në Torino, Michele Prochet filloi të përziente kakaon me lajthi të shtypura e të pjekura, duke krijuar brumin Gianduia. Daniel Peter, një fabrikant zviceran qirinjsh, u bashkua me të vjehrrin për të prodhuar çokollatë.

Në vitin 1867, filluan të fusnin edhe qumështin si përbërës dhe nxorën në treg çokollatën me qumësht në vitin 1875. Për të larguar ujin nga qumështi në mënyrë që çokollata të ruhej me gjatë, u ndihmua nga një fqinj, fabrikant ushqimesh për fëmijë, me emrin Henri Nestlè. Rudolph Lindt shpiku procesin e quajtur “conching”, i cili konsiston në mbajtjen për një kohë të gjatë të çokollatës së shkrirë për ta bërë mishelën homogjene.

Në vitin 1946, Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi me qëllim për t’i shitur disa kile pastiçierëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç’pritej dhe disa vjet më vonë, në vitin 1964, u krijua çokokremi, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën.

Continue Reading

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.

Filmi sjell historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre në të cilën sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të diplomës.

I bindur se përmes filmit mund të shprehë atë që nuk ka guxuar ta thotë vetë, ai përballet me një proces të brendshëm mes asaj që pritet prej tij dhe asaj që dëshiron të shprehë.

Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.

Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e tetorit.

Filmi është bashkëprodhim mes Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.

Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ministria reagon pas incidentit me alpinistët pranë “Liqenit të Zemrës”

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar pas rastit të raportuar në zonën e Gjeravicës, pranë “Liqenit të Zemrës”, ku një grup alpinistësh dyshohet se janë penguar gjatë rrugëtimit dhe janë përballur me fjalë dhe kërcënime nga një person i pranishëm në atë zonë.

Ministria ka bërë të ditur se për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit ka kërkuar informacione nga institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Komunën e Junikut.

Sipas Ministrisë, është e rëndësishme që destinacionet natyrore dhe turistike të jenë të qasshme për qytetarët, turistët dhe vizitorët, duke respektuar njëkohësisht të drejtat, sigurinë dhe rregullat që vlejnë për të gjithë.

Ndërkohë, Komuna e Junikut ka reaguar më herët duke bërë thirrje që rasti të trajtohet nga organet kompetente. Komuna ka sqaruar se, ndonëse incidenti ka ndodhur brenda territorit të saj administrativ, personi i përfshirë, sipas informatave të deritanishme, nuk është banor i Junikut.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka theksuar se në zhvillimin e turizmit duhet të respektohen të drejtat dhe siguria e vizitorëve, por edhe e banorëve dhe komuniteteve lokale.

Rrethanat e incidentit pritet të sqarohen nga institucionet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Filharmonia e Kosovës hap sezonin e ri me “The Planets” të Gustav Holstit

Published

on

Filharmonia e Kosovës do ta hapë sezonin koncertal 2026/2027 me veprën monumentale “The Planets” të kompozitorit britanik Gustav Holst.

Koncerti do të mbahet më 25 shtator, nga ora 19:30, në Klan Arena në Prishtinë. Në skenë do të jenë rreth 110 muzikantë, në një format të zgjeruar të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

Në koncert do të marrin pjesë edhe instrumentistë mysafirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Holanda, si dhe Kori i Grave i Filharmonisë së Kosovës.

Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti Gregory Charette, i cili është edhe dirigjenti kryesor mysafir i sezonit 2026/2027.

“The Planets” përbëhet nga shtatë pjesë, të dedikuara për planetet Mars, Venus, Merkur, Jupiter, Saturn, Uran dhe Neptun.

Koncerti shënon nisjen e sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës dhe pritet të sjellë një program të zgjeruar orkestral para publikut në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Uta në Sharr”, filmi i animuar shfaqet në Prishtinë dhe Prizren

Published

on

Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, do të shfaqet më 22 shtator në Kino ARMATA në Prishtinë dhe më 23 shtator në Dokukino në Prizren.

Shfaqjet do të mbahen në orën 17:30, 18:00 dhe 18:30, ndërsa hyrja është falas. Për shkak të kërkesës së madhe, pjesëmarrësit duhet të rezervojnë biletat paraprakisht.

Filmi, i cili zgjat 10 minuta, sjell në ekran bukuritë natyrore të Kosovës dhe e përdor natyrën si hapësirë për bashkim dhe mirëkuptim mes komuniteteve.

Në qendër të tregimit janë Uta dhe Deltari, të cilët udhëtojnë nëpër malet e Sharrit, duke i ftuar fëmijët të zbulojnë këtë botë së bashku, pavarësisht komunitetit nga i cili vijnë.

Animacioni është realizuar nga Anibar Studios, ndërsa skenari dhe tregimi janë të Tuba Safçiut. Kënga “Uta në Sharr” është kompozuar, shkruar, interpretuar dhe prodhuar nga Arbër Salihu (La Fazani), me vokal nga Lisa Zuka.

Projekti është pjesë e nismës “Uta në Sharr – Edukim Gjithëpërfshirës dhe Ndërgjegjësim Mjedisor përmes Tregimit të Historive, Animacionit dhe Mësimit në Natyrë”, e financuar nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe e zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova/o.

Nisma po zbatohet në 12 komuna të Kosovës dhe synon të promovojë edukimin gjithëpërfshirës, ndërgjegjësimin mjedisor dhe tregimin e historive për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara