Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores që do të organizohet nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 9 maj në Moskë. Vendimi i tij vjen pavarësisht paralajmërimeve të qarta nga Bashkimi Evropian se pjesëmarrja në këtë ngjarje përkujtuese mund të dëmtojë seriozisht procesin e integrimit të Serbisë në BE.

Sipas agjencisë Associated Press, zyrtarët evropianë e kanë cilësuar këtë vizitë si shkelje të kritereve të anëtarësimit për vendet kandidate dhe si një mesazh mbështetës për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Vuçiq, i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse, ka deklaruar se një njësi ushtarake serbe do të marrë pjesë në paradë dhe se Serbia, për herë të parë, po merr pjesë në organizimin e saj “së bashku” me Rusinë. Ai shtoi se do të udhëtojë drejt Moskës së bashku me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico – një tjetër lider që ka kritikuar qëndrimin e BE-së ndaj paradës. Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, gjithashtu ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, theksoi se blloku nuk dëshiron që asnjë vend kandidat të marrë pjesë në ceremoninë e 9 majit në Moskë, duke e parë këtë si një akt të papërshtatshëm në kohën kur Rusia vazhdon agresionin ndaj Ukrainës.
Në Serbi, Vuçiq përballet me tensione të brendshme. Protesta masive të udhëhequra nga studentët janë zhvilluar kundër korrupsionit dhe qeverisjes së tij autokratike 13-vjeçare. Shkak për këto protesta u bë shembja e një ndërtese në Novi Sad më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona – një ngjarje që lidhet me kontrata të dyshimta me kompani ndërtimi, përfshirë edhe ato kineze.
Në këtë klimë tensioni, parlamenti serb ka miratuar një qeveri të re me ministra të profilit anti-BE. Ndër ta është edhe ministri i Informacionit, Boris Bratina, i cili është parë kohët e fundit duke djegur flamurin e Bashkimit Evropian dhe duke deklaruar: “Nuk duam BE, duam bashkim me Rusinë”.
Gjatë një konference për media, Vuçiq përmendi edhe një raport të shërbimit sekret rus, FSB, sipas të cilit akuzat për përdorimin e armëve zanore ndaj protestuesve në Beograd më 15 mars janë të pavërteta. Këto armë, që përdorin valë zanore për të shpërndarë turma, janë të diskutueshme dhe konsiderohen nga shumë organizata si mjete represive.