Java e parë e muajit nëntor në Kosovë do të karakterizohet me vranësira, reshje shiu dhe mot të ftohtë, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK). Sipas parashikimit për periudhën prej sot deri më 6 nëntor 2026, temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 5 deri në 11 gradë.
Reshjet më të theksuara parashihen për ditën e nesërme, ku moti do të jetë i vranët dhe me shi, ndërsa në zonat e larta malore priten edhe reshje të përziera shiu dhe bore. Temperaturat gjatë të martës do të sillen nga 0 deri në 8 gradë Celsius. Moti kryesisht i vranët dhe me mundësi për reshje lokale shiu do të vijojë edhe gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte.
Përmirësim gradual i kushteve atmosferike parashikohet të premten, më 6 nëntor, ku priten edhe intervale me diell. Megjithatë, mëngjesi i së premtes do të jetë më i ftohtë, me temperatura minimale që mund të zbresin deri në -1 gradë Celsius.
IHMK ka bërë të ditur se kushtet biometeorologjike do të jenë mesatarisht të pafavorshme për shkak të temperaturave të ulëta dhe lagështisë së shtuar, çka mund të ndikojë veçanërisht te personat me sëmundje kronike, reumatike dhe të frymëmarrjes. Instituti rekomandon përdorimin e veshjeve më të ngrohta gjatë ditëve në vijim. /E.A/