Rreth 300 mijë euro ka ndarë Qeveria në detyrë e Kosovës për Komunën e Podujevës dhe të Shtimes.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se këto mjete ndahen për projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza në këto dy komuna.
“Shqyrtimi i propozim vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për komunat: Podujevë dhe Shtime, për përfitimin e projekteve në klauzolë të investimeve të Fondit Burimor. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka sjellë për aprovim kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore. Për Komunën e Podujevës 178 mijë e 730 euro dhe Komunë e Shtimes 117 mijë e 758 euro e 24 cent. Këto projekte kanë të bëjnë me përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza në këto dy komuna”, tha Kurti.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritare janë ndarë edhe 580 mijë euro për pesë projekte kapitale.
“Ministria e Zhvillimit Rajonal ka propozuar të aprovohet rialokimi i mjeteve në shumë prej 587 mijë e 569 euro gjithsejtë për pesë projekte kapitale dhe atë në komunat Vushtrri, Gjilan, Junik, Zubin Potok dhe Rahovec”, u shpreh Kurti.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, janë kompensuar familjet e dy zjarrfikësve që kanë humbur jetën në detyrë më 8 gusht 2024 dhe 8 korrik 2025.
“Po ashtu do të ndajmë 40 mijë euro për mbështetjen e dy zjarrfikësve Sefedin Osmanaj dhe Kaqun Lima të cilët humbën jetën në krye të detyrës në vitin 2024, respektivisht 2025. Pra, 20 mijë euro për familjen e Safedin Osmanaj dhe 20 mijë euro për familjen Lima. Vetmohimi dhe përkushtimi profesional i Sefedin Osmanajt dhe Kaqun Limës ndaj detyrës fisnike të zjarrfikësit duhet të kujtohet gjithmonë me mirënjohjen më të thellë”, u shpreh ai.
Qeveria ka emëruar edhe drejtorin i përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukaj, me mandat katërvjeçar.
Po ashtu është votuar edhe për emërimin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Shemsi Duriqin.