Lajmet

Dhjetë mistere antike ende të pazgjidhura

Këto kanë ndikuar shumë tek imagjinata e publikut për shekuj me radhë.

Published

on

Historia e lashtë është e mbushur me mistere të pazgjidhura, disa prej të cilave nga vend-varrimet te qytetet e fundosura, kanë ndikuar shumë tek imagjinata e publikut për shekuj me radhë. Ja cilat janë dhjetë prej tyre:

1. Vijat Nazca

Afro 2000 vjet më parë, një qytetërim para-inkas gdhendi një sërë vizatimesh gjigante në rrafshnaltën e thatë të Perusë. Të njohur si Vijat Nazca, këto gjeoglife mbetën të panjohura derisa avionët filluan të fluturonin mbi zonë në vitet 1930. Deri më sot, janë zbuluar mbi 1000 modele. Shumica janë vija të drejta, që shtrihen deri në 48 km, ose forma gjeometrike, nga trapezoidët tek spirale.

Ndërkohë të tjerat paraqesin kafshë dhe bimë, përfshirë një merimangë, një koliber, një majmun, një balenë, një gjarpër me dy koka, një qen dhe një figurë humanoide me nofkën “Astronauti”. Në vitin 2022, u zbuluan 168 gjeoglife, por studiuesit nuk e kuptojnë ende qëllimin e tyre. Një hipotezë i lidh ato me ritualet e ujit, megjithëse ka shumë supozime.

2. Thonis-Heracleion

Një qytet port egjiptian në Detin Mesdhe, Thonis-Heracleion shërbeu si një qendër kryesore tregtare përpara themelimit të Aleksandrisë aty pranë rreth vitit 331 Para Erës Sonë. Heroi i mitologjisë Herakliu (Herkuli) dhe Helena e Trojës supozohet se kaluan disa kohë atje. Megjithatë, rreth shekullit II Para Krishtit, qendra e qytetit u shemb për shkak të lëngëzimit të tokës, ndoshta e shkaktuar nga tërmetet, cunami ose përmbytjet.

Në fund i gjithë Thonis-Heracleion u fundos nën ujë, ku mbeti i humbur derisa u ri-zbulua në fillim të viteve 2000 nga arkeologët detarë. Statuja të mëdha, sarkofagë kafshësh, rrënoja tempujsh, copat e qeramikës, bizhu, monedhat, madje edhe shporta me fruta 2400-vjeçare janë nxjerrë nga dallgët, duke hedhur kështu një dritë të re mbi këtë Atlantidë reale.

3. Rrafshnalta e Kavanozëve

Mijëra kavanoza prej guri të Epokës së Hekurit, disa afro 3 metra të lartë dhe që peshojnë disa ton, mbulojnë peizazhin malor të Laosit verior. Të gdhendura kryesisht nga gurë ranorë dhe të gjetur në grupe që variojnë nga vetëm 1 deri në 400, legjenda thotë se gjigantët i përdornin ato si gota vere.

Por shumë arkeologë besojnë se ato shërbyen si krematoriume për djegien e trupave të të vdekurve. Por ka ende shumë gjëra të panjohura për qëllimin e tyre, mbi mënyrën se si u zhvendosën deri atje dhe për qytetërimin që i prodhoi ato. Studimet e fundit kanë zbuluar se disa prej kavanozëve prej guri datojnë që në vitin 1240 Para Krishtit, pra shumë më të vjetra se skeletet njerëzore të varrosura aty pranë. Problemi është se shumë prej kavanozëve gjenden në fushat e municioneve të pashpërthyera, mbetjet Luftës së Vietnamit, ndaj nuk mund të studiohen në mënyrë të sigurt.

4. Gjiri Guanabara

Duke vepruar sipas një informacioni të marrë nga vendasit, eksploruesi i anijeve të mbytura, Robert Marx, pretendoi në vitin 1982 se kishte zbuluar një numër vazosh romake me dy doreza, të njohura si amfora, në Gjirin Guanabara të Brazilit. Sipas tij, amforat siguruan prova se romakët ishin evropianët e parë që zbarkuar në Brazil, ose 1 mijë vite më herët se portugezët.

Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje ta eksploronte plotësisht vendin, pasi qeveria braziliane e ndaloi për shkak të një plaçkitje të dyshuar të sitit. Marx akuzoi Marinën e Brazilit për hedhjen e sedimenteve mbi amfora në mënyrë që të pengohej rishkrimi i historisë. Deri më sot, një prani romake në brigjet e Brazilit mbetet ende e paprovuar.

5. Paracas Candelabra

Në veriperëndim të Vijave Nazca, të gdhendura në një kodër me pamje nga Gjiri Pisko në Peru, shtrihet Candelabra Paracas, një tjetër gjeoglif masiv me një shtrirje prej rreth 183 metrash nga lart poshtë. Ndonëse qeramika e gjetur në vend daton rreth vitit 200 Para Krishtit, askush nuk e di moshën e vetë figurës në formën e një shandani. Edhe arsyeja e saj e ekzistencës mbetet po aq e paqartë. Një teori thotë se ai shërbeu si një mjet orientimi për marinarët, ndërsa një tjetër pretendon se përshkruante treshen e Zotit krijues.

6. Sacsayhuamán

Diku tjetër në Peru, në periferi të Cuzco, ndodhen mbetjet e kështjellës Sacsayhuamán, e cila u ndërtua me kujdes nga inkasit në vitet 1400. Ashtu si në Machu Pichu, punëtorët inkas lëvizën gurë të mëdhenj – disa prej të cilëve peshonin 125 tonë ose më shumë – përpara se muratorët t’i prisnin në copa më të vogla, duke përdorur vetëm vegla bronzi dhe guri dhe t’i vendosnin mbi njëri-tjetrin pa llaç. Ndonëse kolonizatorët spanjollë çmontuan pjesën më të madhe të kështjellës për t’i përdorur si materiale ndërtimi, Sacsayhuamán ka mbetur strukturalisht e fortë për t’i bërë ballë tërmeteve të mëdha dhe shkatërrimeve të tjera të kohës.

7. Varri i Kleopatrës

Si një sundimtare e lashtë, për Kleopatrën VII, ose të ashtuquajturën mbretëresha e fundit e Egjiptit, dihet shumë. Ajo u bashkua me Jul Çezarin dhe Mark Antonin dhe më vonë kreu vetëvrasje në vitin 30 Para Erës Sonë pas humbjes së Antonit dhe të saj në Betejën e Aktiumit përballë Oktavianit.

Por vendndodhja e Antonit dhe varrit të saj – supozohet se çifti u varros së bashku – mbetet një mister. Disa studiues besojnë se ai ndodhej në Aleksandri, kryeqyteti i saj dhe qendra dikur kulturore e botës mesdhetare, dhe humbi kur një cunami përmbyti qytetin në vitin 365 Pas Krishtit. Të tjerë dyshojnë se ndodhet diku tjetër në deltën e Nilit, ndoshta në një tempull kushtuar Isis dhe Osiris, perënditë me të cilat u lidhën përkatësisht Kleopatra dhe Antoni.

8. Dorëshkrimi i Voynich

Në vitin 1912, tregtari i librave të rrallë, Wilfrid Voynich, shtiu në dorë një dorëshkrim mesjetar që ai pretendonte se ishte vendosur në “një kështjellë të lashtë në Evropën Jugore”. E shkruar në një gjuhë ose kod të zhdukur, askush nuk mund ta njihte origjinën. Ai ishte mbushur me ilustrime të çuditshme të bimëve fiktive dhe grave të zhveshura.

Kriptografi britanik Alan Turing dhe FBI-ja amerikane u përpoqën ta zgjidhnin misterin por dështuan. Disa dyshojnë se ky dorëshkrim është një mashtrim i sofistikuar. Dorëshkrimi i Voynich ndodhet sot në Universitetin e Yale, i disponueshëm për publikun dhe cilindo që është i interesuar të përpiqet ta zgjidhë një herë e përgjithmonë këtë enigmë.

9. Monumenti Yonaguni

Në brigjet e ishullit Yonaguni të Japonisë shtrihet një strukturë shkëmbore nënujore, të paktën 50 metra e gjatë dhe 20 metra gjerë, që i ngjan një piramide të ndërtuar nga njeriu. I zbuluar në vitet 1980 dhe i njohur tani si Monumenti Yonaguni, disa studiues besojnë se ato janë rrënojat e një qytetërimi të lashtë. Megjithatë, shumë studiues të tjerë pretendojnë se “Atlantida e Japonisë” nuk është gjë tjetër veçse një fenomen natyror i formuar nga ngritja tektonike dhe rrymat e oqeanit.

10. Stonehenge

Stonehenge, një nga monumentet prehistorike më të famshme në botë, filloi rreth 5000 vjet më parë, përpara se Anglia të hynte në Epokën e Bronzit. I studiuar mirë për shekuj me radhë, shumica e studiuesve e pranojnë se funksiononte si një vend varrimi, dhe tani dihet se nga erdhën gurët e mëdhenj. Megjithatë, sekretet e tjera të Stonehenge mbeten mister, përfshirë rëndësinë e tij të mundshme fetare, ceremoniale, astronomike dhe terapeutike./history.com – bota.al

Lajmet

Shfaqja “Nyja e Gidonit” sonte dhe nesër në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Published

on

By

Drama “Nyja e Gidionit”, me autore Johnna Adams dhe nën regjinë e Hana Qenës, ngjitet sonte dhe nesër në skenë për të ofruar një përballje të fuqishme emocionale që zë fill brenda mureve të një klase shkolle.

Kjo hapësirë, që zakonisht simbolizon edukimin, në këtë produksion shndërrohet në një territor tensioni dhe sfide ku takimi mes një nëne dhe një mësueseje tejkalon kornizat e një dialogu të thjeshtë.

Përmes interpretimeve të aktoreve Irena Aliu dhe Maylinda Kosumovic, shfaqja zbërthen në kohë reale një përplasje botëkuptimesh mbi përgjegjësinë prindërore, dhunën dhe bullizmin në shkollë, duke e vendosur publikun përballë një nyjeje të pazgjidhshme morale.

Realizimi i kësaj drame ka bërë bashkë një ekip profesionistësh, ku dramaturgjia është punuar nga Zoga Çeta Çitaku, ndërsa vizualiteti i skenës mban vulën e skenografit Burim Arifi dhe kostumografes Hana Zeqa.

Atmosfera plotësohet nga muzika e kompozitorit Ger Kacerja dhe elementet e veçanta të animacionit, të realizuara nga Flaka Kokolli, Elsa Talla, Leonita Thaqi dhe Diellza Franca.

Pjesë e rëndësishme e projektit janë edhe asistentja e regjisë Fluturë Nishori, inspicientja Nazmije Krasniqi, dizajnerja Nita Qahili dhe fotografi Kushtrim Haxha.

Shfaqja, e cila trajton tematika jetike të sistemit arsimor dhe marrëdhënieve njerëzore, i pret shikuesit sonte dhe nesër me fillim nga ora 20:00.

 

Continue Reading

Lajmet

Raporti i PE 2025: Kosova me “vit të humbur” nga bllokada politike

Published

on

By

Raporti i fundit i Parlamentit Evropian për vitin 2025, i përgatitur nga raportuesi Riho Terras, pasqyron një situatë komplekse për Kosovën, duke e cilësuar periudhën e kaluar si një “vit të humbur” për shkak të ngërçit të gjatë politik që paralizoi reformat kyçe.

Sipas dokumentit që pritet të votohet si rezolutë, dështimi për të krijuar institucionet pas zgjedhjeve dhe vonesat në zgjedhjen e Presidentit kanë penguar zbatimin e projekteve strategjike, përfshirë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht se proceset zgjedhore u vlerësuan si paqësore dhe demokratike.

Në rrafshin e sundimit të ligjit, raporti shpreh shqetësim serioz për rënien e Kosovës në Indeksin Global të Korrupsionit dhe veçanërisht për lirinë e medias, ku vendi ka pësuar një rënie drastike prej 24 pozitash në rangimin botëror.

Eurodeputetët bëjnë thirrje për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe ndaljen e presioneve ndaj gazetarëve, ndërkohë që kërkojnë progres më të shpejtë në reformën e drejtësisë dhe kompletimin e këshillave gjyqësorë e prokurorialë.

Kritika të veçanta janë drejtuar edhe ndaj varësisë së lartë nga energjia me qymyr dhe nivelit të ulët të digjitalizimit të shërbimeve publike, që mbetet në shifrën prej 10 për qind.

Pavarësisht këtyre sfidave, Parlamenti Evropian vlerëson lart rreshtimin e palëkundur të Kosovës me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, duke përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Si rrjedhojë, raporti kërkon heqjen e menjëhershme të të gjitha masave ndëshkuese të mbetura ndaj Kosovës, me arsyetimin se ato nuk janë më të justifikuara dhe po dëmtojnë direkt shoqërinë civile e bizneset e vogla.

Njëkohësisht, pesë shteteve mosnjohëse të BE-së u kërkohet të lëvizin drejt njohjes së pavarësisë, për të siguruar trajtim të barabartë të Kosovës në procesin e integrimit.

Sa i përket marrëdhënieve me fqinjët, dokumenti thekson se dialogu me Serbinë ka mbetur pothuajse i pezulluar gjatë vitit 2025 dhe kërkon angazhim konstruktiv për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit.

Raporti rithekson domosdoshmërinë e sjelljes para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjska, duke kritikuar Serbinë për mungesë të ndjekjes penale ndaj përgjegjësve kryesorë.

Në mbyllje, theksohet se ardhmëria e Kosovës mbetet brenda familjes evropiane, por kjo kërkon një vrull të ri reformash dhe një stabilitet të qëndrueshëm politik për të rikuperuar kohën e humbur.

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Kuvendi i Shqipërisë thotë se është goditur nga një sulm kibernetik

Published

on

By

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi të martën vonë se është goditur nga një sulm kibernetik, si pasojë e të cilit janë fshirë një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

“Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kuvendi nuk bëri të ditur se nga ka ardhur sulmi, por më herët gjatë ditës një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, e mori përgjegjësinë për sulmin dhe theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet.

Ky grup hakerësh edhe më herët ka kryer sulme ka kryer disa sulme kibernetike ndaj disa institucioneve në Shqipëri.

Sulmi kibernetik i së hënës vjen në një kohë kur në Shqipëri u rritën shqetësimet rreth sigurisë pasi Irani nisi sulme hakmarrëse në vendet ku ekzistojnë baza ushtarake amerikane menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i filluan bombardimet ndaj Teheranit më 28 dhjetor.

Në të kaluarën, Homeland Justice ka publikuar të dhëna personale të shtetasve shqiptarë dhe ka deklaruar se shkaku i sulmeve kibernetike lidhet me vendimin e Shqipërisë për të strehuar opozitën iraniane, në kampin e Manzës.

Ndërkohë, hetimet e para rreth sulmit të 10 marsit kanë treguar se infrastruktura kryesore e punës së këtij institucioni nuk është prekur, tha ai.

Bëhet e ditur gjithashtu se faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet e tjera që mbështesin veprimtarinë e institucionit vijojnë të punojnë normalisht.

Pasi është vërejtur incidenti janë marrë masa për neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve, theksoi Kuvendi.

Grupi i hakerëve i publikoi disa prej dokumenteve të hakeruar më 10 mars.

Kuvendi i tha se pas sulmit “është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm”.

Ai gjithashtu ka ngritur një ekip i përbashkët teknik dhe hetimor për të zbuluar burimin e sulmit dhe për të rikthyer të dhënat e prekura./REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

UBT hap dyert për gjeneratën e re: Bursa 20% për studentët e shkëlqyeshëm në 10 programet më të kërkuara

Published

on

By

Institucioni lider në arsimin e lartë, UBT, ka shpallur zyrtarisht hapjen e fazës së regjistrimeve të hershme, duke u ofruar një mundësi unike maturantëve që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre në programet më inovative në vend.

Në kuadër të shënimit të një çerek shekulli suksesi, UBT ka vendosur të mbështesë gjeneratat e reja të suksesshmee reja përmes një skeme të veçantë bursash.

Të gjithë kandidatët me sukses të shkëlqyeshëm që aplikojnë gjatë kësaj periudhe, do të përfitojnë automatikisht 20% bursë në dhjetë programet më të kërkuara të studimit gjatë tri viteve të studimit në UBT.

Ky njoftim vjen si një ftesë për të gjithë ata që duan të sigurojnë vendin e tyre në programin që kanë ëndërruar, duke u bërë pjesë e një komuniteti akademik që po transformon tregun e punës.

Të gjithë të interesuarit mund ta bëjnë aplikimin e tyre brenda pak minutash përmes platformës online, duke ndjekur vegëzën zyrtare: Aplikoni Këtu.

Continue Reading

Të kërkuara