Lajmet

Derna, përse përmbytja ishte kaq katastrofike

Lagje të tëra u zhdukën në det teksa uji i ardhur si cunam pushtoi qytetin.

Published

on

Më shumë se 5,000 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që përfshinë qytetin port libian të Dernas.

Lagje të tëra u zhdukën në det teksa uji i ardhur si cunam pushtoi qytetin.

Familje të tëra u shpërndanë, sipas një gazetari libian, i cili foli me të mbijetuarit në qytet, dhe e përshkroi situatën si “përtej katastrofikes”.

BBC Verify dhe ekipi i gazetarisë vizuale të BBC-së kanë analizuar disa nga arsyet pse përmbytjet shkaktuan dëme kaq katastrofike në Derna.

Reshje rekord

Reshjet u shkaktuan nga stuhia Daniel që goditi Libinë të dielën.

Stuhia – një sistem mesdhetar i ngjashëm me uraganin i njohur si medicane – solli më shumë se 400 mm shi në pjesë të bregdetit verilindor, brenda një periudhe 24-orëshe.

Ky është një përmbytje e jashtëzakonshme për një rajon që zakonisht sheh rreth 1.5 mm shi gjatë gjithë shtatorit.

Qendra Kombëtare Meteorologjike e Libisë thotë se ky është një rekord i ri reshjesh.

Të dhënat satelitore tregojnë shtrirjen e reshjeve në të gjithë rajonin – megjithëse në shumë vende sasia e regjistruar në tokë ishte më e lartë.

Është shumë herët që t’ia atribuosh me siguri forcën e kësaj stuhie, rritjes së temperaturave globale.

Megjithatë, ndryshimet klimatike mendohet se po rrisin frekuencën e ngjarjeve të tilla të forta.

Prof Liz Stephens, një eksperte në rreziqet klimatike dhe qëndrueshmërinë në Universitetin Reading në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se shkencëtarët janë të bindur se ndryshimi i klimës po shton reshjet e lidhura me stuhi të tilla.

Dy diga të mbingarkuara

Lumi Uadi Derna rrjedh nga malet e brendshme të Libisë, përmes qytetit të Dernas dhe në Mesdhe.

Është i thatë për pjesën më të madhe të vitit, por shiu jashtëzakonisht i madh përmbyti dy diga të rëndësishme dhe shkatërroi disa ura.

Banorët e qytetit, të cilët ishin urdhëruar nga autoritetet lokale të qëndronin në shtëpi, raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë përpara se qyteti të pushtohej nga uji.

“Digat fillimisht e kanë ujin, dhe shpërthimi i tyre ka çliruar të gjithë ujin me një lëvizje. Mbetjet e ndodhura në ujërat e përmbytjeve e kanë shtuar fuqinë shkatërruese”, thotë Prof Stephens.

Diga e sipërme kishte një kapacitet depozitues prej 1.5 milion metra kub ujë, ndërsa diga e poshtme mund të mbante 22.5 milion metra kub.

Çdo metër kub ujë peshon rreth një ton (1000 kg), kështu që 1.5 milion metër kub ujë peshojnë .5 milion ton.

Shtoji asaj peshe lëvizjen tatëpjetë dhe mund të prodhohet një fuqi e jashtëzakonshme. Dëshmitarët kanë thënë se ujërat kanë qenë afro tre metra në disa vende.

Vlerësohet se 20 cm ujë nga vërshimet me lëvizje të shpejtë janë të mjaftueshme për të rrëzuar dikë dhe 60 cm mjaftojnë për të notuar një makinë. Pra, nuk është çudi që ndërtesa të tëra u shembën nga përmbytjet.

Ekspertët thonë se është shumë herët për të ditur nëse reshjet ekstreme ishin thjesht të tepërta për t’u përballuar nga digat, apo nëse gjendja e strukturave gjithashtu luajti një rol.

Bazuar në vëzhgimet e tyre, digat ka të ngjarë të bëhen nga dheu ose gurë të hedhur dhe të ngjeshur, të cilat nuk janë aq të forta sa betoni.

“Këto diga janë të ndjeshme kur uji tejkalon kapacitetin e tyre dhe ndërsa digat e betonit mund t’i mbijetojnë, digat me mbushje me gurë zakonisht nuk munden,” thotë Prof Dragan Savic i Universitetit të Exeter, një ekspert në inxhinierinë hidraulike.

Duket se diga e sipërme u ça e para, sipas inxhinierit strukturor Andrew Barr.

Ai thotë se uji më pas me siguri ka rrjedhur poshtë luginës së lumit shkëmbor drejt digës së poshtme përpara se ta çante dhe atë, duke rezultuar në përmbytjen e papritur dhe katastrofike të qytetit që shtrihet i bllokuar midis maleve dhe detit.

Një studim i botuar vitin e kaluar mbi hidrologjinë e pellgut të Uadi Dernas theksonte se zona “ka një potencial të lartë rrezikun nga përmbytjet”, në bazë të vëllimeve të mundshme historike të përmbytjeve dhe se digat “kishin nevojë për mirëmbajtje periodike”.

Raporti, nga eksperti i inxhinierisë civile Abdeluanees AR Ashoor nga Universiteti libian i Omar Al-Mukhtar, tha se “situata aktuale në pellgun e luginës Derna kërkon që zyrtarët të marrin masa të menjëhershme, duke kryer mirëmbajtjen e rregullt të digave ekzistuese, sepse në rast të një përmbytjeje të madhe, rezultati do të jetë katastrofik për banorët e luginës dhe qytetit”.

Disa ekspertë kanë theksuar rolin e mundshëm që ka luajtur paqëndrueshmëria politike në Libi në mirëmbajtjen e digës.

Ndërsa përpjekjet e shpëtimit në qytet vazhdojnë, gazetari libian Johr Ali, i cili ka folur me të mbijetuarit në qytet, tha për BBC: “Njerëzit po dëgjojnë klithmat e foshnjave nën tokë, ata nuk dinë si t’i shpëtojnë. Po përdorin lopata për të marrë trupat nga poshtë tokës, po përdorin duart. Të gjithë thonë se është si dita e gjykimit.” / BBC – Bota.al

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Aktualitet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Vendi

Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Published

on

By

Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së

Published

on

By

Misioni i Fakultetit të TurizmitUBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.

Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.

UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.

Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.

Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.

Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Të kërkuara