Lajmet

Derivatet do të shtrenjtohen për 5 centë në Kosovë

Published

on

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të çmimit të derivateve, e rritje të çmimeve paralajmërohet se do të ketë edhe ditëve në vijim. Aktualisht çmimi i dizelit në Kosovë është 98 centë, ndërsa i benzinës 1 euro, e ky çmim pritet të rritet për 5 centë.

Lirim të çmimit të derivateve deri në 80 centë kishte pasur një vit më herët kur në Kosovë u shënuan rastet e para me COVID-19.

Teksa pranon që ka rritje të çmimeve të derivateve ditëve të fundit, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se në këtë ndikon Berza dhe Organizata prodhuese OPEK, por që sërish potencon se në vend janë çmimet më të lira në rajon.

“Në tregjet ndërkombëtare ka rritje të çmimit e kjo do të reflektojë ditët në vijim edhe tek ne në Kosovë. Këto ditë çmimi është duke u rritur thuajse mund të themi lirisht një rritje shumë e lehtë me nga 1 cent në ditë, po në çmimet me pakicë nuk janë duke u lëvizur këto çmime janë që një kohë të gjatë. Përafërsisht pritet të ketë rritje deri në 5 centë. Kjo ndikon në mënyrë automatike, kështu çmimi është sot mesatar 98 centë, do të thotë do të kemi mbi 1 euro çmimin në tregun tonë të Kosovës”, thotë ai.

Në rritjen e çmimit të derivateve, Berjani thotë se po ndikon prodhimi më i ulët që po bëhet si pasojë e pandemisë COVID-19.

Pikërisht pandemia thotë se kishte ndikuar që një vit më herët të ketë lirim të çmimit të këtyre derivateve.

“Dihet se çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese OPEC, kështu që ka pasur prodhim më të vogël dhe kur ka prodhim më të ulët gjithmonë edhe rritet çmimi. Po në Kosovë sot çmimet sillen përafërsisht 0.98 centë dizeli, benzina është 1 euro, kështu që çmimet në Kosovë janë më të lirat në regjion. Dihet se pandemia ka ndikuar në çmim dhe sot është duke ndikuar, se qarkullimi nuk ka qenë në pandemi ashtu siç duhet të jetë normalisht. Ndërsa, çmimet sot sillen në suaza të normales dhe çmimi për momentin është më i liri në regjion, qytetarët e Republikës tonë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion përveç Maqedonisë e cila e ka 20 centë më lirë”, thotë ai.

Pavarësisht paralajmërimit se do të ketë rritje të çmimit të derivateve, ai thotë se qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me derivate cilësore.

“Sa i përket cilësisë së derivateve të naftës besoj që qytetarët e kanë treguar realitetin, sepse nuk ka pasur ankesa. Është departamenti në Ministri të Tregtisë që kur ka naftë jo cilësore qytetarët duhet të lajmërojnë, kështu që qytetarët janë duke u shërbyer me derivate kualitative siç janë shtetet në regjion. Do të thotë këtë vit nuk kemi pasur probleme dhe nuk ka pasur ankesa”, thotë ai.

Naftëtarët në vend, Berjani thotë se janë përballur me probleme të shumta si pasojë e udhëzimeve administrative për pastrimin e rezervuarve dhe atij për kontroll të cilësisë së derivateve.

“Ne i kemi pasur dy probleme me udhëzime administrative, pastrimin e rezervuarve të cilin e anuloi kryeministri dhe tash e kemi që kontrolli i cilësisë të jetë në Ministrinë e Tregtisë apo do të jetë nën juridiksionin e Doganës së Kosovës. Ne si shoqatë kemi pasur takim me kryeministrin, kemi pasur takim edhe me ministrin Vesel Krasniqi. Kryeministri e tha para disa ditëve se ky udhëzim administrativ do të anulohet, sepse është në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore dhe ne apelojmë që sa më parë ky udhëzim duhet të anulohet, kur dihet se Dogana e Republikës së Kosovës e ka kryer siç është më së miri (të njëjtën punë) dhe te të gjitha shtetet në regjion dhe në Evropë këtë punë e bënë Dogana. Pigmentimin ose ngjyrosjen të cilën e autorizon te një kompani tjetër, mendoj se është shumë gabim. Dogana e Republikës së Kosovës duhet ta bëjë këtë punë nuk i kushton bizneseve, përndryshe në qoftë se lejohet në kompani private ky çmim do të rritet, qytetari do të paguajë me siguri për 5 centë më shtrenjtë 1 litër dizel”, thotë Berjani.

Përveç këtyre, ai thotë se ky sektor është goditur edhe nga pandemia COVID-19, ku thotë se kanë pasur probleme të shumta.

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara