Një juri amerikane e ka shpallur ish-zyrtarin policor Derek Chauvin, 45-vjeçar, fajtor për vrasje për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në rrugët e Mineapolisit, vitin e kaluar.
Chauvin është filmuar duke shtypur Floydin me gju në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit të tij, në majin e vitit 2020.
Pamjet e shpërndara gjerësisht kanë nxitur protesta kundër racizmit në mbarë botën dhe kundër përdorimit të tepërt të dhunës nga ana e policisë.
Chauvin është shpallur fajtor për tri akuza: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim.
Ai do të mbesë në mbajtje, derisa të dënohet dhe mund të kalojë dekada në burg.
Jurisë prej 12 anëtarëve i është dashur më pak se një ditë për të marrë vendimin, i cili ka ardhur pas tri javëve të gjyqit në Mineapolis.
Pasi të dyja palët kanë prezantuar argumentet të hënën e kësaj jave, juria është izoluar në një dhomë të hotelit pa kontakt të jashtëm, ashtu qe të mund të merrte vendim të matur.
Anëtarët e jurisë është dashur të pajtohen në mënyrë unanime dhe ata nuk kanë mundur të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, derisa kanë marrë vendimin.
Ky vendim është pritur me skena feste jashtë gjykatës, ku qindra persona kanë festuar kur kanë marrë vesh lajmin.
Gëzim pas vendimit të jurisë për rastin e Floydit.
Avokati i familjes së Floydit, Ben Crump, ka thënë se ky vendim përbën “pikë kthese në historinë” e Shteteve të Bashkuara.
“Drejtësia e fituar me dhimbje është arritur më në fund”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kanë telefonuar familjen e Floydit pak pas vendimit.
Biden është dëgjuar të ketë thënë se “fundja, ka pak drejtësi”.
“Ne do të punojmë edhe më shumë. Ky do të jetë hapi i parë në të përballurit me racizmin sistematik”, ka thënë presidenti.
Ndërkohë, në një deklaratë televizive, Biden ka thënë se “racizmi sistematik është njollë në shpirtin e kombit”.
Harris u ka bërë thirrje ligjvënësve që të miratojnë projektligjin George Floyd, që synon të reformojë politikat për policinë në SHBA.
“Ky projektligj është pjesë e trashëgimisë së George Flodyit. Kjo punë është vonuar shumë”, ka thënë ajo.
Policia federale në Mineapolis, organizatë jofitimprurëse që përfaqëson policinë – ka falënderuar jurinë për “punën e dedikuar”, që sipas saj ka qenë e përkushtuar dhe ka pasur “barrë të madhe”.
“Ne duam t’i shprehim komunitetit dhimbjen e madhe që kemi, dhe të cilën e ndjejmë çdo ditë. Nuk ka fitues në këtë rast dhe ne respektojnë vendimin e jurisë”, ka thënë federata.
Chauvin pritet të apelojë vendimin kundër tij, kanë thënë mediat amerikane.
Një nga arsyet që mund të jepen në apelim është se rastit i është dhënë shumë vëmendje dhe se sipas ekipit të mbrojtjes, kjo mund ta ketë ndikuar vendimin e jurisë.
Fehim Sali është arrestuar nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës, BIA, dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq.
I arrestuari punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, ndërsa më herët ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.
Sipas raportimeve, ai dyshohet se është marrë edhe me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa ndaj tij ka dyshime se është angazhuar në grumbullimin e votave për persona që mbështesin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq./A.K/
Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Pejë, në bashkëpunim me inspektorët e tregut, kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të mjeteve të mprehta dhe të rrezikshme që po shiteshin nga shitësit ambulantë në zonën e “Qarshisë së Gjatë”.
Sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Kosovës, aksioni ka nisur më 5 gusht 2026, kur gjatë aktiviteteve rutinë u vërejt se shitësit ambulantë po tregtonin mjete të mprehta dhe boksa metali.
Në vazhdën e këtij aksioni, më 12 gusht 2026, inspektorët e tregut të asistuar nga Policia e Kosovës kanë zhvilluar një tjetër kontroll në të njëjtin lokacion, ku te personat e dyshuar u gjetën dhe u sekuestruan: 86 mjete të mprehta, 19 boksa metalikë, 2 shufra metali, 3 fotrolla thike
Policia e Kosovës bën të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë duke përfillur procedurat ligjore në fuqi, me qëllim parandalimin e rreziqeve dhe rritjen e sigurisë publike. /E.A/
Rumania ka ngritur me urgjencë në ajër dy avionë luftarakë F-16 gjatë natës, pasi sistemet e mbikëqyrjes zbuluan pesë objektiva ajrore pranë kufirit me Ukrainën, ku njëri prej tyre depërtoi në hapësirën ajrore kombëtare.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Rumanisë bëri të ditur përmes një deklaratë zyrtare se incidenti ndodhi gjatë natës mes 12 dhe 13 gushtit.
“Sistemi i mbikëqyrjes me radar i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë zbuloi, natën e 12-13 gushtit, në orën 01:27, një grup prej pesë objektivash ajrore në zonën Ismail, mbi territorin ukrainas, pranë kufirit lumor me Rumaninë”, thuhet në njoftim.
Sipas dikasterit të mbrojtjes, dy avionët F-16 u ngritën në ajër për të monitoruar nga afër situatën e krijuar.
“Radarët tokësorë zbuluan një objektiv ajror që depërtoi në hapësirën ajrore kombëtare, afërsisht 2 km në jug të Pardinës. Objektivi qëndroi në hapësirën ajrore kombëtare për rreth 10 minuta, duke lëvizur përgjatë degës Chilia, përpara se të largohej nga territori rumun drejt Ukrainës”, sqarohet më tej në deklaratë.
Ministria rumune shtoi se menjëherë pasi objektivi fluturoi mbi hapësirën ajrore të Rumanisë, u raportuan shpërthime të fuqishme brenda territorit ukrainas. /E.A/
Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest është në kulmin e prezantimit të planprogramit të tij për edicionin e 25-të.
Për çerek shekulli rresht, ky festival në qytetin e Prizrenit ka pritur e përcjellë turistë nga e gjithë bota. Janë të shumtë ata që e ruajnë vizitën në Kosovë ta bëjnë pikërisht në ditët e Doku Festit, pasi siç shprehen ata, e shijojnë çdo resurs që ka qyteti i preferuar i tyre.
Përpos bukurive që u ofron Prizreni, ata kënaqësinë thonë se e kanë në ushqimin që u shërbehet atyre.
“Ushqimin gjithmonë e shijoj restorantet nëpër qytet janë shumë të bukura ushqimi lokal është i mrekullueshëm”, tha Hafty Buthummer, turiste nga Austria.
“Këtu vij që kur kam qenë i vogël, vij çdo verë në Prizren, ushqimin e dua shumë, vendi me pëlqen, qyteti gjithashtu, dhe jam duke e shijuar shume me familjen së bashku”, tha nga Amerika, Ronald Remi.
“Më pëlqejnë qebapat shumë, mishi gjithashtu, por më shumë kam qenë e angazhuar në shikimin e filmave”, ka deklaruar Hana Zorhrabi, turiste nga Irani .
Mbi 250 deri në 300 mysafirë filmbërës dhe personalitete të kinematografisë botërore janë të ftuar në DokuFestin 2026, të cilët janë akomoduar në shtëpi private dhe hotele në qendër të qytetit thotë Zana Meta.
“Shumica e hoteleve i kemi afër qendrës kështu që kanë kërkesë që më qenë sa ma afër për shkak se të gjitha kinematë i kemi brenda qendrës përveç njërës, kështu që kërkojnë që me i pasë të gjitha sa më afër se edhe shumica kanë qejf me shiju atë farë ndjenjën me qenë lokal i Prizenit”, tha Zana Meta.
Ky vërshim i turistëve në DokuFest dhe jo vetëm, po i jep një shtytje ekonomisë lokale të Prizrenit.
“Është e zakonshme përgatitja dhe them që për me arritë atë që kërkohet të kemi shërbim sa më të mirë besojë që edhe e di që të gjithë e shtojmë edhe numrin e punëtorëve, numrin edhe të shërbimit edhe gjithçka sa ma efikase dhe që ata të marrin shërbime më të mirë të mundshëm”, tha Ilir Shala, kryetar i shoqatës së Gastronomëve të Prizrenit.
“Po mundohemi me ruajtur traditën, pra tradicionalen, por kemi edhe bakllava tjera, ka interesim të mjaftueshëm edhe me llojllojshmëri që e posedojmë”, tha afaristi Sabir Shabani.
Secila ditë e festivalit ka bërë që atmosfera në Prizren të jetë e veçantë./rtk/A.K/