Lajmet

Deputetja e LDK-së e akuzon Vetëvendosjen për punësime partiake

Bajrami e ka përmendur punësimin e ish-asamblistit të VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka.

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka pasur një përplasje në Komisionin për Administratë Publike më zëvendës ministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

Duke e kundërshtuar Projektligjin për zyrtarët publikë, deputetët e opozitës kanë thënë se ky projektligj dhe ai për pagat do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetja Bajrami e ka akuzuar Vetëvendosjen për punësime partiake, duke përmendur punësimin e ish-asamblistit të VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, i cili është zgjedhur drejtor në ndërmarrjen “Iber Lepenci”. Ajo ka thënë po ashtu se shqetësim i Zyrës së BE-së dhe LDK-së për Projektligjin për zyrtarët publikë mbetet shpallja e rekrutimit pas një viti për të gjitha pozitat e nivelit të mesëm menaxherial.

“Zëvendësministër, raporti i fundit i progresit, mos e devijo debatin, nuk ka pozitë që nuk e keni ‘kapë’… Nuk dëshiroj që në komision të bëj politikë, mirëpo Vetëvendosje ka mundur të flasë për nepotizëm e politizim në të kaluarën. Trego kush është zgjedhur në ndërmarrjen “Iber Lepenci”? Trego! Prandaj, leni këto blofe që po i hapim konkurset për diasporë. I keni 80 për qind të pozitave të larta me ushtrues detyre, nuk po vijnë njerëzit me punuar me juve, ky është problemi, nuk është problemi i ligjeve. Nuk ka konkurse të brendshme për nivelin e mesëm menagjerial, sepse thuhet që një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit, do të shpallet rekrutim për komplet drejtorët”, theksoi Bajrami.

Mes kritikave dhe vërejtjeve opozita ka kërkuar të hënën që mos të miratohen me nguti dy projektligjet, për zyrtarët publikë dhe ai për pagat në sektorin publik.

Gjatë shqyrtimit të tyre mes dy leximeve në Komisionin për Administratë Publike, deputeti nga radhët e PDK-së, Isak Shabani kërkoi që këto dy projektligje të mos miratohen me nxitim ose me procedurë të përshpejtuar.

“Duket që ky nxitim ka për qëllim që këto projektligje të miratohen ashtu siç kanë ardhur në komision e pastaj të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese, që me vonesë të fillojë implementimi i tyre. Jam i shqetësuar që këto projektligje po tentohen të miratohen pa një analizë të mirëfilltë, pa pasur kohë ne si komision për t’i trajtuar ashtu siç do të duhej. Kur po e themi këtë, ka aq shumë pakënaqësi nga shoqëria civile, sindikatat dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Koha është shumë e shkurtër, nuk do të mund as t’i lexojmë sot e lëre më për t’i shqyrtuar. Prandaj, duhet me na dhënë afat shtesë për t’i trajtuar këto”, theksoi Shabani.

Për këtë kryetari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Valon Ramadani tha se ka një vendim të Kuvendit për përshpejtim të afateve të miratimit të këtyre dy projektligjeve.

“Sa për sqarim, ka vendim të Kuvendit për përshpejtim të afateve, por ajo datë nuk mund të ndryshojë përveç me një vendim të seancës së Kuvendit. Edhe atë ditë në seancë nuk pati ndonjë kundërshtim prej grupeve parlamentare që këto dy ligje të kryhen para Vitit të Ri. Kështu që ne amendamentet mundemi t’i pranojmë deri në orën 12:00”, theksoi ai.

Edhe deputeti nga AAK, Besnik Tahiri ka thënë se shqyrtimi me nguti i Kuvendit për Projektligjin për zyrtarë publikë dhe Projektligjin për pagat është i gabim.

Deputeti Tahiri tha se ka propozuar një amendament për Projektligjin për pagat për caktimin e vlerës së koeficientit në 129 euro. Megjithatë, ai pret që punonjësit e Gjykatës dhe Prokurorisë do të jenë të pakënaqur me Ligjin për pagat dhe do ta dërgojnë në Kushtetuese për shkak të uljes së pagave të tyre.

Ndërsa, për Projektligjin për zyrtarët publikë, Tahiri tha se sigurt që do të përfundojë në Kushtetuese.

“Këto dy ligje po vijnë në një shqyrtim të shpejtë, për çka nuk ka kuptim. Kam bërë katër amendamente, për vlerësimin tim, amendamenti kryesor është përcaktimi i vlerës së koeficientit. Ne kemi propozuar si Grup parlamentar që vlera e koeficientit në Ligjin e pagave të jetë 129 euro. Ne do të ballafaqohemi me gjykatës dhe prokurorë. Këta të fundit domosdo do të gjejnë formën dhe mënyrën për ta dërguar në Kushtetuese, për shkak se iu ulën pagat… Nëse kërkesa bëhet për masë të përkohshme e ndal zbatimin… Po ashtu jam i bindur që Ligji për zyrtarët publikë do të përfundojë në Kushtetuese, që lidhet me mandatin. Kur flasim për mandatin e rreth 1600 zyrtarëve të lartë publikë, jam i sigurt që kjo ka me qenë pengesa e patejkalueshme”, tha Tahiri.

Kuvendi në seancën e fundit ka vendosur t’i shmangë afatet procedurale të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, në mënyrë që të caktohen afatet për shqyrtim të dytë në mënyrë të përshpejtuar në seancën e së enjtes më 22 dhjetor.

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

1.Gjatë gjumit, një njeri mund të gëlltisë pa e kuptuar edhe insekte shumë të vogla.

 

2.Gjurma e gjuhës së çdo njeriu është unike, njësoj si shenjat e gishtave.

 

3.Nëse teshtin shumë fort, në raste të rralla mund të dëmtohet edhe një brinjë.

 

4.Në shumë reklama, ora vendoset gjithmonë në 10:10 sepse duket më simetrike dhe më e bukur vizualisht.

 

5.Fjala “dreamt” është e vetmja fjalë në anglisht që përfundon me “mt”.

Continue Reading

Lajmet

25 vjet nga 11 Shtatori, Haxhiu dhe Kurti: Kosova gjithmonë qëndron përkrah Amerikës

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 25-vjetorin e sulmeve që tronditën SHBA-në dhe botën, Haxhiu dhe Kurti kanë vënë në pah solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me popullin amerikan, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve dhe mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në periudhat më të vështira të historisë së saj.

U.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se dhimbja e 11 shtatorit kishte kaluar kufijtë e SHBA-së dhe se qytetarët e Kosovës e kishin përjetuar tragjedinë me një afërsi të veçantë.

“Sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhimbja megjithatë kaloi menjëherë kufijtë e saj. Në qytete anembanë botës, njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe e dërguan mesazhin ngushëllimi. Në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, ndezën qirinj, u mblodhën tubime në marsh dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej ‘Amerikë jemi me ty’. Në shenjë solidaritetit me popullin amerikan, në atë ditë zie, Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm 2 vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut sidomos në ditët e vështira. Prandaj, kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si një tragjedi, e një vendi tjetër, një vendi të largët, dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte se afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës”, tha Haxhiu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri të ditur se shteti i Kosovës gjithmonë do qëndrojë krah Amerikës.

“Mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite. Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25 të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2 mijë e 977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5 mijë persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja. Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet. Dhe bota pësoi ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike. Kosova qëndron përkrah SHBA-ve, jo vetëm se SHBA-ja kurrë nuk e ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë janë për ti mbrojtur këto vlera”, tha ai. /Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti nuk tregon nëse do të marrë pjesë në marshin për ish-krerët

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka treguar se a do të merr pjesë në marshin për ish-krerët e UÇK-së, e cila do mbahet të shtunën.

Ai tha se më vonë do ketë përgjigje për çështje, që nuk kanë të bëjnë me 25-vjetorin e 11 shtatorit, raporton KosovaPress.

“Më vonë përgjigjemi për çështje të tjera, këtu jemi për 25-vjetorin e 11 Shtatorit”, tha ai.

 

Continue Reading

Lajmet

Tre persona arrestohen për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë.

Sipas raportit policor, më 10 shtator janë kontrolluar pesë shtëpi të personave të dyshuar në rrugën “Shala e Bajgorës”, ku janë gjetur dhe konfiskuar disa dëshmi që ndërlidhen me rastin.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara