“Njerëzit duan të më vrasin dhe këtë ma thonë çdo ditë”, u shpreh Amber Heard para gjykatësve teksa dha dëshminë e saj në rastin me Johnny Depp.
Pavarësisht rezultatit të këtij procesi gjyqësor, pavarësisht asaj se cilës palë i besoni, fushata kundër saj që po bën jehonë çdo ditë në rrjete sociale – që ajo “ngacmohet, poshtërohet, kërcënohet çdo ditë” – është e pamohueshme.
“Marr qindra kërcënime me vdekje rregullisht, nëse jo në baza ditore, qysh prej kur filloi ky proces gjyqësor, njerëz që tallen me dëshminë time për sulmin”, tha ajo në seancë.
Përmbajtja e mesazheve nuk është e rëndësishme – aq sa ka ndikim abuzimi që është publik, mizogjinia në masë, me hashtags #AmberTurd.
Ndërsa në anën tjetër, fansat e Depp të veshur sikurse Captain Jack Sparrow (roli i Depp në filmin “Pirates of Caribbean” qëndronin jashtë gjykatës dhe fushata #JusticeForJohnnyDepp po mbizotëron online. Ky hashtag ka mbledhur miliarda shikues në TikTok krahasuar me vetëm disa milionë për #IStandWithAmberHeard. Dhe mbi 740 mijë njerëz nënshkruan një peticion online duke i bërë thirrje atij të kthehet në rolin e tij në “Pirates Of The Caribbean”.
Sigurisht, shumë njerëz e besojnë në heshtje Depp. Dhe shumë e besojnë në heshtje Heard. Dhe shumica thjesht nuk dinë çfarë të bëjnë me këtë rast apo duhet shumë kujdes. Por për disa që kanë mbajtur anën e Depp – të paktën në internet – besnikëria mund të shprehet në mënyrat më të egra.
Dhe për Depp, ky rast ka të bëjë me fitimin e luftërave në Twitter po aq sa me fitoren në sallën e gjyqit, sipas Ann Olivarius, një avokate amerikano-britanike e specializuar në rastet e procesit gjyqësor civil, diskriminimit seksual dhe ngacmimeve seksuale, sulmeve dhe abuzimeve. Gjykata nuk e di nëse reputacioni i tij në industri është dëmtuar, por në opinionin publik ai duket fitimtar.
“Ky është cirk”
“Pse një person që humbet thellësisht në Britani do të shkonte në Amerikë për të ngritur një çështje që është në thelb i njëjti rast?” Olivarius i tha Sky News, duke iu referuar çështjes së pasuksesshme të Gjykatës së Lartë të Depp kundër The Sun në vitin 2020.
“Është gjithçka rreth rrjeteve sociale. Për të, ky është cirk. Është e turpshme për mua si avokate ta shoh se si po zhvillohet rasti. Është poshtërim ndaj saj, degradim. Dhe mund ta shihni luftën në Twitter, që tregon se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë”, deklaroi ajo.
“Avokatët e Depp po përdorin një sërë burimesh për ta dërguar mesazhin se ajo është një grua e thyer, e paqëndrueshme, psikopate dhe nuk është e besueshme”, shtoi mes tjerash ajo.
“Janë 9.8 miliardë mbështetës të Johnny Depp në Twitter, dhe 3.6 milionë mbështetës të Amber Heard. Dhe hashtags janë kryesisht #AmberHeardIsAPsychopath, #AmberHeardIsALiar. Këto gjëra mund të ndikojnë në shëndetin mendor të saj, duke vënë në dyshim mirëqenien e saj. Asnjëra nga këto nuk i drejtohet Johnny Depp”, deklaroi ajo më tej.
“Depp u ka borxh fansave një çek”
Gazetari amerikan, Ronse Esangbedo thotë se fushata pro-Depp ka pasur një ndikim: “Baza e fansave të Depp ka vepruar si krahu i tij i jashtëm i PR-it, #JusticeForJohnnyDepp ka qenë me të vërtetë e famshme në Twitter… duke krijuar simpati për Johnny Depp, kështu që unë mendoj se ai u detyrohet atyre një çek ose dy”.
Eksperti i jetës së të famshëmve, Jeetendr Sehdev thotë se rasti dhe reagimi ndaj tij mund të kenë një ndikim negativ te viktimat e dhunës në familje dhe te gatishmëria e tyre për të folur.
“Ne kemi parë që Amber Heard është shumë viktimë në këtë rast, dhe ne duhet t’u besojmë viktimave kur ato thonë se po abuzohen – një nga diskutimet ka qenë se pse viktimat nuk flasin sepse shpesh nuk janë duke u besuar, kështu që unë mendoj se duhet ta bëjmë atë ndryshim”, deklaroi ai.
Johnny Depp dhe Amber Heard u njohën në vitin 2009 gjatë xhirimeve të filmit “The Rum Diary”. Ai bazohej në një libër të Hunter S.Thompson, dhe përshkruan fatkeqësitë e nxitura nga alkooli të shkrimtarit Paul Kemp (të luajtur nga Johnny Depp), i cili është i fiksuar pas Chenault (Amber Heard)./UBTNews/
Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.
Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.
Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.
Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.
Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.
Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.
Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/
Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.
Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.
Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.
Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.
Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/
Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.
Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.
Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.
Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/
Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.
Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.
E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.
Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.
Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/