Lajmet

Delegacioni i talibanëve në Oslo: Vizita e diskutueshme përfundon me premtime

Delegacioni i talibanëve u largua gjatë natës. Qëndrimi në Oslo u financua tërësisht nga norvegjezët.

Published

on

Vizita e parë e talibanëve në Evropë pas marrjes së pushtetit në Afganistan ka përfunduar. Në Perëndim, ftesa e Oslos mbetet shumë e kontestuar, talibanët i konsiderojnë diskutimet pozitive.

Delegacioni kaloi tre ditë në një hotel konferencash jashtë Oslos. Në dhomat e takimeve, talibanët ishin ulur në tavolina të gjata – përballë tyre, nga ana tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile afgane dhe të vendeve të ndryshme evropiane, si dhe të Shteteve të Bashkuara.

Talibanët erdhën me ftesë të Ministrisë së Jashtme Norvegjeze – por ministrja e Jashtme Anniken Huitfeldt nuk i takoi personalisht dhe dërgoi sekretarin e saj të shtetit.

Pas largimit të delegacionit, Huitfeldt theksoi se bisedimet ishin të pashmangshme për shkak të situatës humanitare në vend: “I gjithë delegacioni përbëhet nga terroristë. Ata përfaqësojnë vrasje dhe terror. Për ne ishte e rëndësishme të përcaktonim se cilët aktivistë duhet të takonim këtu. Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë dërguan pjesëmarrës në negociata”, shpjegon Huitfeldt.

“Problemi është se talibanët janë faktikisht në pushtet në Afganistan. Nëse duam të ofrojmë ndihmë humanitare, duhet të flasim me ta që të mund të ofrojmë ushqim dhe ilaçe.”

Talibanët i shohin diskutimet pozitivisht

Talibanët nxorrën një bilanc pozitiv nga vizita – pati shkëmbime të mira, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë kalimtare, Amir Khan Muttaqi.

Nuk pati asnjë konferencë për shtyp gjatë tre ditëve, por disa media norvegjeze bënë intervista me talibanët. Pyetjet për shkeljet e të drejtave të njeriut u refuzuan.

Dhunë ndaj grave që protestojnë – video të tilla janë inskenuar, sipas Muttaqit: “Protestat me njerëz që bërtisnin dhe kamera kanë qenë të planifikuara me kujdes. Në Kabul, gratë sulmojnë verbalisht ushtarët. Ata i ofendojnë e i provokojnë dhe pastaj i filmojnë. Kur i shoh pamjet nga këta ushtarë dyshoj se janë tanët”.

Protesta kundër bisedimeve me talibanët në Oslo

Debat rreth vizitës në Norvegji

Vizita e parë e talibanëve në Evropë që nga marrja e pushtetit në Afganistan ka ngjallur debat në Norvegji dhe gjithashtu protesta jashtë ambasadave norvegjeze në vende të tjera.

Zahir Athari, një mërgimtar afgan në Norvegji, denoncoi një nga anëtarët e delegacionit në polici për një krim lufte. Ftesa e Norvegjisë – një fyerje për të: “Këto diskutime mund të kishin ndodhur thjesht në Afganistan ose në vendet fqinje. Ne nuk duhet t’u kishim bërë talibanëve nderin që të fluturonin në Norvegji me avion privat”.

Një aktiviste afgane për të drejtat e grave, nga ana tjetër, i sheh gjërat ndryshe. Jamila Afganistani mori pjesë në bisedimet me delegacionin. Në fund ajo nxori një konkluzion pozitiv: “Ishte një takim shumë i mirë, një afrim i parë. Le të shpresojmë që të pasojnë dialogë dhe negociata të tjera”.

Femrat duhet të shkojnë përsëri në shkollë

Talibanët thuhet se siguruan që femrat e të gjitha moshave, për shembull, do të lejoheshin të ktheheshin në shkollë që në pranverë – sipas sekretarit të përgjithshëm të organizatës norvegjeze të ndihmës për refugjatët, Jan Egelund. Kjo është ajo me të cilën duhet të maten ata tani.

“Por në të njëjtën kohë, ne duhet të punojmë gjithashtu për të përmirësuar situatën në Uashington, Londër dhe Bruksel. Aktualisht ka sanksione që e bëjnë shumë të vështirë ndihmën e popullatës. NATO-ja thjesht nuk e kuptoi se duke u larguar nga vendi në gusht sa të hapësh e mbyllësh sytë, ajo la pas 40 milionë afganë, shumë prej tyre gra”, tha Egelund.

Delegacioni i talibanëve u largua gjatë natës. Qëndrimi në Oslo u financua tërësisht nga norvegjezët.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu u bën thirrje partive të flasin me emra për kandidatin për president

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që partitë politike të nisin të flasin me emra për kandidatura për president.

Pas takimit me liderë të partive politike që iu përgjigjën ftesës për takim, Haxhiu ka shprehur keqardhje që partitë opozitare refuzuan takimin.

Ajo ka thënë se pas qëndrimit të Lidhjes Demokratike që pranon president konsensual, ka “ardhur koha që të fillojmë të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual, e që s’është i ndonjë partie politike”.

Tek ka komentuar kërkesën e opozitës që fillimisht të ketë konstituim të Kuvendit dhe më pas të diskutohet për Qeverinë e presidentit, Haxhiu ka thënë se “pas gjithë këtyre muajve nuk kemi nevojë të hamendësojmë se çka sjell mungesa e marrëveshjes”

“E kemi parë disa herë. E dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve. Kam dëgjuar qëndrime e partive të pranishme. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes së presidentit dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme. S’pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, ka thënë Haxhiu në konferencë për shtyp.

Ajo tutje ka thënë se Vetëvendosje i ka votat për kryeparlamentar e Qeveri, por sipas saj prioritet është presidenti për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Prandaj çështja që duhet ta trajtojmë me seriozitet është ajo që e mban të bllokuar perspektivën institucionale të vendit – pra çështja e presidentit. Kurti e theksoi se i ka votat për kryeparlamentar dhe Qeveri. Dhe çështja është te marrëveshja për presidentin. Mund të jetë si çështje në rend të tretë – konstituimi, qeveria dhe presidenti – por është prioritare sepse mund t’i bëjmë të dyja dhe të mos kemi marrëveshje për presidentin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme e panevojshme”, ka thënë Haxhiu “Jam e bindur se qytetarët duan që partitë të ulen e jo të refuzojnë takime e të paraqesin kërkesa në shpërputhje me fuqinë politike të tyre apo kundërshtim me vullnetin e popullit por të ulen të flasin për çështjet e presidentit”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet i kërkuari për falsifikim dokumentesh, në shtëpi i gjenden 45 fishekë

Published

on

Një person është arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë, në Leposaviq, pasi ishte i kërkuar lidhur me një rast të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi është bërë më 17 gusht, rreth orës 12:20. Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 45 fishekë, si dhe disa pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar edhe një telefon me SIM-kartë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hetim ndaj një personi në Gjakovë për bashkëjetesë me një 16-vjeçare

Published

on

Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj një personi në Gjakovë, pasi dyshohet se prej disa muajsh ka bashkëjetuar me një vajzë 16-vjeçare.

Sipas raportit policor, më 17 gusht i dyshuari dhe vajza janë paraqitur së bashku në stacionin policor.

Pas konsultimit me prokurorin, rasti është iniciuar dhe do të trajtohet nga njësitë e hetimeve rajonale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

I ofroi policëve 50 euro që të mos e gjobisin, arrestohet i dyshuari

Published

on

Një person është arrestuar në Gjakovë pasi dyshohet se u ka ofruar zyrtarëve policorë 50 euro ryshfet, në këmbim të mosshqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 17 gusht, rreth orës 03:20, në rrugën “Nënë Tereza”.

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara