Pesë të dyshuar të rinj janë arrestuar në lidhje me grabitjen në Luvër, ku hajdutët vodhën stoli mbretërore me vlerë të vlerësuar prej rreth 88 milionë euros, ka bërë të ditur prokurorja publike e qytetit, por gurët e çmuar ende mungojnë.
Sipas The Guardian, Laure Beccuau tha për radion RTL të enjten se arrestimet janë bërë të mërkurën në mbrëmje në kryeqytetin francez dhe në zonat përreth, veçanërisht në departamentin fqinj Seine-Saint-Denis. Por ata “nuk na ndihmuan të gjenim mallrat e vjedhura”, shtoi ajo.
Njëri nga burrat e ndaluar “ishte në shënjestër të hetuesve, kemi gjurmë ADN-je që e lidhin me grabitjen”, tha Beccuau. “Ai ishte dikush që e kishim nën vëzhgim”. Katër të tjerët “mund të na japin informacione se si është kryer vjedhja”, shtoi ajo.
Beccuau tha në një konferencë për media të mërkurën mbrëma se dy burra që ishin arrestuar më parë të shtunën mbrëma kishin “pranuar pjesërisht” rolin e tyre dhe do të akuzohen “për vjedhje të organizuar, që dënohet me 15 vjet burg, dhe për komplot kriminal, që dënohet me 10 vjet”.
Banda me katër persona ndaluan jashtë muzeut të Luvrit rreth orës 9:30 më 19 tetor me një kamion të vjedhur për transport mobiliesh, të pajisur me shkallë dhe ngritës teleskopik. Dy prej tyre, të veshur si punëtorë mirëmbajtjeje, u ngjitën në galerinë “Apollo”, thyen një dritare dhe hapën dy vitrina xhami me prerëse metalike, duke ikur më pas me motorë.
Grabitja zgjati më pak se shtatë minuta. Ata lanë pas një kurorë me diamante e smeralde, por morën tetë objekte të stolisura me gurë të çmuar, përfshirë një varëse që Napoleoni I ia kishte dhuruar Marie Louise dhe një diademë me 212 perla e gati 2,000 diamante që i kishte përkitur perandoreshës Eugénie.
Sipas prokurores Laure Beccuau, dy të arrestuarit e shtunën, njëri ndaluar në aeroportin Charles de Gaulle teksa përpiqej të udhëtonte për në Algjeri, dyshohet të jenë ata që hynë në galeri. ADN-ja e tyre është gjetur në një vitrinë dhe në një skuter të përdorur për arratisje. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që banda të ketë pasur më shumë se katër anëtarë, por deri tani nuk ka prova për ndihmë nga brenda.
Njëri prej tyre, një shtetas algjerian, ishte 34 vjeç, kishte jetuar në Francë që nga viti 2010 dhe ishte i njohur për shkelje të rregullave të trafikut. I dyti ishte 39 vjeç, i lindur në periferi të Parisit, në Aubervilliers, dhe kishte dënime për vjedhje./KP