Lajmet

Deklaratë e përbashkët e Presidentes, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit

Institucionet e vendit pas takimit me Quint: Mbajtja e referendumit serb shkel sovranitetin.

Published

on

Institucionet e Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes një deklarate të përbashkët për media, institucionet e vendit thonë se përveç se u ritheksua se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.

“Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”.

Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

“Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”.

“Institucionet e Kosovës mbesin falënderuese ndaj shteteve të Quint-it dhe të gjitha shteteve të tjera demokratike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe shprehin mirënjohjen që edhe sot në takim u rikonfirmua mbështetja e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Duke qenë kështu, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike. Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës është hap i duhur në betejën tonë të përbashkët kundër autokracive dhe avansim i praktikave demokratike, përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara