Kirurgu i përgjithshëm Prof. Dr. Salih Krasniqi ka rrëfyer në UBT podcast periudhën e luftës në Kosovë, ku përveç punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai shërbeu edhe në spitalet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke trajtuar qindra ushtarë dhe civilë të plagosur. Ai e cilëson atë periudhë si një ndër më të vështirat e jetës së tij, duke e quajtur hapur “gjenocid” atë që ndodhte në spitalet e kohës.
Sipas Krasniqit, vetëm rreth 10 për qind e stafit shqiptar kishte mbetur në punë në spitalet publike, ndërsa ai dhe kolegët e tij punonin paralelisht: gjatë javës në QKUK, ndërsa fundjavave në spitalet ushtarake në terren. Lufta, tha ai, mori përmasa të mëdha pas rënies së familjes Jashari, kur filloi të shtohej ndjeshëm numri i të plagosurve.
Ai ka dokumentuar 1,239 pacientë të trajtuar gjatë asaj periudhe, prej të cilëve 120 kanë vdekur në spital, sidomos pas fillimit të bombardimeve, kur – sipas tij – u rritën keqtrajtimet ndaj pacientëve shqiptarë në QKUK.
Krasniqi ka shërbyer në disa zona lufte, përfshirë Malishevën, Gradicën dhe Llapin. Në korrik të vitit 1998, ai mori pushimin vjetor për t’u angazhuar në Malishevë, ku numri i të plagosurve ishte shumë i madh. Në vitin 2001, ai u angazhua edhe në zonën e Likovës, ku për 43 ditë trajtoi rreth 375 të plagosur.
Rreziku më i madh, sipas tij, ishte rruga drejt spitaleve. “Na dilnin prita. Kishin mundësi të na likuidonin apo të na rrihnin,” rrëfen ai, duke përmendur raste kur mjekë shqiptarë janë keqtrajtuar fizikisht.
Ai ndau edhe dëshmi tronditëse për torturat ndaj pacientëve shqiptarë në spital: rrahje, lidhje për radiatorë, djegie me cigare dhe etiketime si “terrorist” në dokumente mjekësore. Në disa raste, ai arriti të shpëtojë pacientë duke i nxjerrë fshehurazi nga spitali dhe duke i dërguar në vende më të sigurta.
Prof. Dr. Salih Krasniqi e përshkruan atë që ndodhte në sistemin shëndetësor gjatë luftës si një përpjekje të organizuar për shkatërrimin e shëndetësisë shqiptare dhe frikësimin e popullatës civile. Ai thekson se largimi i stafit mjekësor shqiptar nga repartet kyçe, si gjinekologjia, kishte për qëllim pengimin e trajtimit dhe detyrimin e popullsisë për t’u larguar nga vendi.
Rrëfimi i tij mbetet një dëshmi e drejtpërdrejtë e sakrificës së mjekëve shqiptarë gjatë luftës dhe një dokumentim i rëndësishëm i asaj periudhe të errët të historisë së Kosovës.
Ju ftojmë të ndiqni episodin e parë të këtij podcasti: Podcasti