Lajm në përditësim:
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur zyrtarisht seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Transmetimi publik i seancës realizohet me një vonesë të protokolluar prej 10 minutash, për çka pamjet e drejtpërdrejta nga salla e gjyqit do të bëhen të qasshme për publikun nga ora 10:10.
Konjufca nga Haga: Presim aktgjykim lirues
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i cili po qëndron në Hagë, ka thënë se sot presin vendim lirues për katërshen e UÇK-së.
“Ne presim vetëm një vendim, aktgjykim lirues”, ka thënë ai.
Kongresisti amerikan paralajmëron Hagën para verdiktit: Anshmëria politike nuk ka vend këtu
Pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së — Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — kongresisti amerikan Keith Self ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me ndikimet e mundshme politike në proceset e drejtësisë në Hagë.
Përmes një postimi në platformën X, Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, theksoi se nga Haga po shfaqet një linjë shqetësuese ku anshmëria politike ndikon në vendimmarrje. Ai apeloi që një praktikë e tillë të mos ndikojë në vendimin final ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Më tej, kongresisti Self e ndërlidhi këtë proces gjyqësor me stabilitetin rajonal, duke e cilësuar Ballkanin si një “fuçi baruti”. Ai paralajmëroi se në rajon ka ende regjime shtypëse që synojnë të nxisin përçarje e ndarje të reja, në vend që të punojnë drejt paqes dhe pajtimit.
Dita e Verdiktit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së
Gjykata Speciale në Hagë shpall sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky vendim shënon fundin e procesit më të madh gjyqësor të zhvilluar deri më tani nga Dhomat e Specializuara. Seanca transmetohet në Kosovë pas orës 10:00, derisa interesi i publikut dhe mediave është i jashtëzakonshëm, me vende të kufizuara në galerinë e gjykatës që u janë rezervuar kryesisht familjarëve të të akuzuarve.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar pafajësi dhe lirim të plotë. Zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle, sqaroi se seanca përbëhet kryesisht nga leximi i përmbledhjes së vendimit. Ai po ashtu specifikoi se në rast pafajësie, Hashim Thaçi nuk do të lirohej menjëherë, pasi ndaj tij ka një masë tjetër paraburgimi lidhur me procedurën për pengim të administrimit të drejtësisë, e cila do të kërkonte rishikim të veçantë nga gjyqtari i asaj çështjeje.
Ngjarja ka nxitur mobilizim të madh në Kosovë, ku seanca do të ndiqet drejtpërdrejt në ekranet e mëdha të vendosura në sheshet kryesore. Në Prishtinë dhe qytete të tjera janë paralajmëruar tubime, ndërsa Policia e Kosovës ka marrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit. Si rrjedhojë e këtyre organizimeve, ambasadat e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre për kujdes dhe shmangie të vendeve ku ka grumbullime masive.
Në rrafshin politik, Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur pritjen për një verdikt lirues për të gjithë të akuzuarit, duke kërkuar që kjo ditë të kthehet në festë. Ndërkohë, përfaqësues të kësaj partie kanë bërë të ditur se në rast të një vendimi dënues, do ta kundërshtojnë atë dhe presin reagim qytetar për mbrojtjen e të vërtetës së luftës së UÇK-së.