Lajmet

Demokratët premtojnë kontroll ndaj Trumpit pas fitores në zgjedhjet mesmandatit: Ditët e nënshtrimit kanë përfunduar

Published

on

Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.

“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”

Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.

“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.

Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.

“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/

 

Continue Reading

Live

Alarm për bombë në fluturimin Dublin–Romë: Avioni i “Aer Lingus” devijohet me urgjencë drejt bazës ushtarake në Francë

Published

on

By

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Aer Lingus” i llojit Airbus A320, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar me urgjencë drejt bazës ajrore Évreux në Fauville të Francës, pas marrjes së një alarmi për kërcënim me bombë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit të Francës, Sébastien Lecornu, e cila bëri me dije se autoritetet franceze po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në lidhje me avionin e devijuar pas një kërcënimi me bombë”, thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së kryeministrit francez.

Sipas të dhënave të fluturimit, avioni i fluturimit EI402 të “Aer Lingus” ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 06:23 të mëngjesit dhe kishte si destinacion Aeroportin Fiumicino “Leonardo da Vinci” në Romë, ku parashikohej të ulej në orën 10:50. Autoritetet e sigurisë po kryejnë kontrollet e nevojshme në bazën ushtarake në Francë. /BBC/

Continue Reading

Vendi

Kurti bën homazhe në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së tij.

Pasi bëri nderime te varri i Deharit, kryeministri Kurti deklaroi se një dekadë pa të është një periudhë e gjatë si për familjen, ashtu edhe për vetë shtetin e Kosovës, për shkak të mungesës së drejtësisë dhe zbardhjes së plotë të rastit.

“Sot, me rastin e 10-vjetorit të mbytjes së tij në burgun e Prizrenit, vendosëm lule dhe bëmë homazhe te varri i shokut tonë, aktivistit dhe studentit shembullor Astrit Dehari. 10 vjet pa Astritin janë shumë për familjen, por janë gjithashtu shumë edhe për Republikën e Kosovës, sepse vazhdon të mungojë e vërteta”, u shpreh Kurti para gazetarëve.

Nderimet e sotme shënojnë një dekadë nga ngjarja tragjike e nëntorit të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa thirrjet e familjarëve dhe opinionit publik për zbardhjen e plotë ligjore të rrethanave të vdekjes së tij vazhdojnë të mbeten aktuale. /E.A/

Continue Reading

lajme

Kryeprokurori pranon në takim aktivistet pas protestave para Prokurorisë për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Aktivistet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kanë vazhduar protestën e tyre para Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke kërkuar takim me kryeprokurorin Zejnulla Gashi lidhur me hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Fillimisht, policët dhe zyrtarët e zyrës i njoftuan protestuesit se në takim mund të merrnin pjesë vetëm pesë përfaqësues. Mirëpo, pas këmbënguljes së aktivisteve, kryeprokurori Gashi pranoi të priste shumicën e protestuesve në ambientet e zyrës së tij.

Në këtë takim, aktivistet pritet të paraqesin kërkesat e tyre për drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe trajtim rigoroz të rastit tragjik.

Protestat e nisura pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës kanë përfshirë edhe kërkesa politike e institucionale, me aktivistët që po kërkojnë shkarkimin e ministrave Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla, dorëheqjen e kryetarit të Pejës, si dhe masa ndëshkuese deri në burgim për gjyqtarët dhe prokurorët që janë marrë më parë me rastin. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Vdes një shtetas i Shqipërisë gjatë trajtimit mjekësor në Prishtinë, Policia nis hetimet

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”, pas ndërrimit të jetës të një shtetasi të Shqipërisë në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja është raportuar të mërkurën rreth orës 08:40, ku viktima burrë po merrte trajtim mjekësor në kohën kur ka ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’ju nënshtruar obduksionit, i cili do të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes. Policia po vazhdon me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara