Lajmet

DASh-i kritikon Kosovën për dënime të ulëta të lidhura me terrorizëm

Në raport u tha se ka edhe lirime të parakohshme për këto akuza.

Published

on

Departamenti amerikan i Shtetit tha se në Kosovë gjatë vitit 2022, institucionet e drejtësisë vazhduan të shqiptonin dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin, dhe tha se ka edhe lirime të parakohshme për këto akuza.

Në raportin për terrorizmin për shtetet, sa i përket Kosovës, u tha se më 2022, Prishtina vazhdoi të riatdhesonte shtetasit e saj nga kampet dhe qendrat e ndalimit në Siri.

Aty u tha se operacioni i tretë i riatdhesimin të maj, u krye në bashkëpunim me Shqipërinë dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara.

“Deri më tani, Kosova ka riatdhesuar mbi 120 shtetas. Vlerësohet se 80 shtetas të tjerë vazhdojnë të jenë në kampet e të zhvendosurve apo në qendrat e ndalimit, ose në fushëbeteja në Siri. Dënimet e ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin kanë vazhduar”, u tha në raportin e DASH-it.

Sipas SHBA-së, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, “janë caqe potenciale për rekrutim nga organizatat të dhunshme ekstremiste, me orientim etno-nacionalist apo fetar”.

“Gjatë vitit 2022, Kosova ndoqi penalisht një grua të riatdhesuar me ndihmën e SHBA-së. Edhe pse kjo grua u dënua me dy vjet burgim për shkak të bashkimit në grupin Shteti Islamik, gjykatat e Kosovës kanë dënuar të riatdhesuarit me tre deri në katër vjet e gjysmën burgim për organizim dhe pjesëmarrje në aktivitetet terroriste të IS-it”, u tha në raport.

Po ashtu, në raportin për Kosovën përmendet ngritja e aktakuzës ndaj Ylber Belës, për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist. Bela ishte riatdhesuar në Kosovë në maj, në përpjekjen e përbashkët me SHBA-në.

Në raportin e DASH-it u përmend edhe rasti i aktakuzës ndaj katër personave të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste kundër rendit kushtetues. Ata dyshohen se kishin tentuar të krijonin struktura organizative për të kryer sulme terroriste në Kosovë duke kontaktuar me një zyrtar të lartë të grupit Shteti Islamik.

DASH tha se në muajin qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë liroi nga akuzat katër persona: dy dyshoheshin për përgatitje të sulmeve ndaj klubeve të natës, kishave dhe forcave të Kosovës, dhe dy për vepra të tjera penale. Ata u liruan në mungesë të provave.

Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme. Që nga viti 2015, në Kosovë po ashtu ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe sipas ligjit, parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.

DASH vuri në pah se Kosova ka legjislacion për të luftuar edhe financimin e terrorizimit, por tha se ka mungesë të një strategji për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.

“Megjithatë, dënimet e shkurtëra, lirimet e parakohshme dhe me kusht, si dhe joroganizimi i mbikëqyrjes pas lirimit paraqesin kërcënime për sigurinë”, u tha në raport.

Sa i përket incidenteve terroriste më 2022, DASH përmend edhe arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, në dhjetor të vitit 2022, nën akuza për terrorizëm, pas sulmit që përfshiu mjete shpërthyese ndaj zyrave lokale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ndaj stafit të këtij komisioni në Mitrovicë të Veriut.

Arrestimi i tij kishte nxitur banorët lokalë të vendosnin barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar për disa javë rrugët që çonin drejt pikëkalimeve kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Barrikadat u hoqën pasi Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Po ashtu, raporti përmend edhe dënimin që i bëri Qeveria e Kosovës sulmeve të armatosura ndaj policisë në veri të Kosovës, që i cilësoi si akt terrorist.

“Prokurorët kosovarë i klasifikuan këto incidente të lidhura me akuza terroriste dhe raste kundër rendit kushtetues”.

Sa i përket aspektit të sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, raporti i DASH-it tha se “çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri të Kosovës vazhdon të kufizojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj në atë rajon. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të promovuar një mjedis të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit”.

DASH po ashtu përmend edhe vlerësimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë se që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, në Kosovë ka pasur rritje të dezinformatave dhe se ato “janë gjithnjë e më shumë nxitëse të mendimit të dhunshëm ekstremist dhe polarizimi ndëretnik ka kontribuar në rritjen e tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës”.

Në një raport të publikuar në fund të nëntorit të vitit 2023, të hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), u tha se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina, të cilat synojnë të nxisin një luftë ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë.

Lajmet

Miratohet Ligji për Lojërat Mesdhetare mes përplasjeve për transparencën dhe rolin e BE-së

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës, me 64 vota për, ka miratuar Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Megjithatë, miratimi u shoqërua me debate të ashpra mes opozitës dhe udhëheqjes së Kuvendit, kryesisht për shkak të vërejtjeve të Zyrës së Bashkimit Evropian lidhur me menaxhimin e parasë publike.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kritikoi ashpër nxitimin për kalimin e këtij ligji, duke cituar shqetësimet e ndërkombëtarëve për mungesë transparence.

“Është e padrejtë forma si neglizhoni amendamentet e deputetëve dhe se si nuk i respektoni kërkesat e BE-së që kërkon ruajtje të transparencës, llogaridhënies dhe parasë publike. Është e çuditshme si po mundoheni ta eskivoni këtë”, u shpreh ajo, duke shtuar se PDK nuk është kundër lojërave, por kundër shkeljes së rregullave në emër të afateve politike.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu përgjigj këtyre kritikave duke vënë theksin te sovraniteti i institucionit dhe urgjenca e situatës politike, duke pasur parasysh afatin për zgjedhjen e presidentit.

“Ne i respektojmë partnerët tanë, por nuk mund ta marrë më tepër parasysh një letër të Zyrës së BE-së sesa vullnetin e qytetarëve të shprehur në Kuvend. Nëse ky Kuvend nuk e zgjedh deri më 28 prill presidentin, shpërndahet me automatizëm. Paramendoni, Kosova ka marrë përgjegjësi t’i organizojë lojërat dhe ne jemi shumë vonë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo madje u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos bëhen “zëdhënës të Zyrës së BE-së”, por të përfaqësojnë interesat e qytetarëve që presin suksesin e këtij organizimi sportiv.

Përveç Lojërave Mesdhetare, seanca e sotme përmbylli edhe disa nisma të tjera ligjore

U miratua Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.

Në lexim të dytë kaluan me nga 69 vota Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm si dhe Projektligji për Shtetësinë e Kosovës.

 

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci takon përfaqësuesit e OKB-së, në fokus bashkëpunimi për kulturën dhe turizmin

Published

on

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka pritur në takim Koordinatorin për Zhvillim në Kosovë të Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Malley, së bashku me përfaqësues të agjencive të OKB-së në vend. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mundësitë e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe organizatave në kuadër të Kombeve të Bashkuara, me theks të veçantë në zhvillimin e projekteve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe turizmit.

Sipas njoftimit, të dyja palët shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit dhe për koordinimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen, me synim avancimin e sektorëve përkatës dhe rritjen e ndikimit të projekteve zhvillimore në vend.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton Ligjin për Sigurimet Shëndetësore

Published

on

By

Me 80 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Ndonëse mori mbështetje unanime në votim, opozita drejtoi kritika të ashpra për vonesën e kësaj reforme dhe mungesën e ministrit Arben Vitia në komisionin përkatës.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se ky ligj vjen me vonesë të madhe, ndërsa qytetarët vazhdojnë të varfërohen duke blerë vetë barna e materiale shpenzuese në QKUK, të cilat do duhej të ishin në listën esenciale. Ismaili shtoi se projektligji ka boshllëqe dhe se sjellja e tij pak para zgjedhjeve ngre dyshime për qëllime elektorale, duke paralajmëruar se qytetarët do të përballen edhe për një kohë me mungesë shërbimesh.

Mbështetje, por me rezerva për zbatimin, dha edhe Albana Bytyqi nga AAK-ja, e cila potencoi se pa një implementim të mirëfilltë, ligji nuk do të ketë rezultat. Në të njëjtën seancë, deputetët miratuan edhe Projektligjin për Shërbimet e Pagesave dhe atë për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja

Published

on

By

Familjarët e akademikut Rexhep Qosja kanë njoftuar se ai u nda nga jeta këtë të enjte. Sipas njoftimit, ceremonia e varrimit të të ndjerit tashmë ka përfunduar, në përputhje me vullnetin e tij për një lamtumirë private.

Në njoftim theksohet se, duke respektuar dëshirën e fundit të akademikut, familja nuk do të organizojë ceremoni pritjeje (të pame) dhe nuk do të jetë pjesë e organizimeve institucionale.

“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja po ashtu nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në kumtesën e shkurtër të familjarëve.

Continue Reading

Të kërkuara