Lajmet

Danimarka konfirmon dërgimin e të burgosurve në Kosovë më 2027

Published

on

Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027, konfirmuan nga Shërbimi danez i Burgjeve për Radion Evropa e Lirë.

Ky shërbim tha se institucioneve të Kosovës u janë dorëzuar kërkesa specifike për renovimin dhe përshtatjen e burgut të Gjilanit.

“…duke përfshirë një ndërtesë të re për punësim dhe ambiente të reja për vizitorë. Ne presim që puna të nisë këtë verë, kurse gjatë gjysmës se parë të vitit 2027, pritet që burgu të vihet në përdorim”, tha Shërbimi danez i Burgjeve.

Danimarka tha se kjo është një detyrë komplekse, pasi bëhet fjalë për një burg të Kosovës që duhet të funksionojë sipas rregullave daneze.

Shërbimi i Burgjeve tha se kjo është një detyrë sfiduese, duke nisur me renovimin e ndërtesave dhe përshtatjen e tyre sipas nevojave të Danimarkës. Po ashtu, përfaqësuesit danezë kanë zhvilluar vizita të rregullta në objektin e burgut në Gjilan, me qëllim që të planifikohen punët që do të realizohen.

Një gjë e tillë, më 23 maj është konfirmuar për REL-in edhe nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili ka deklaruar se “të burgosurit nga shteti danez pritet të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prillin e 2027-s”.

Megjithatë, ai ka thënë se procesi i renovimeve ende nuk ka nisur.

Transferimi i të burgosurve është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.

Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.

Sipas marrëveshjes, personat që do të transferohen nuk do të jenë shtetas të Danimarkës.

Më herët, Ministria e Drejtësisë e Danimarkës kishte deklaruar për REL-in se të burgosurit të cilët do t’i dërgojë në burgun e Gjilanit janë persona të dënuar me dëbim nga Danimarka.

Megjithatë, shteti danez është zotuar se nuk do të sjellë të burgosur me rrezikshmëri të lartë.

Ata nuk do të jenë të dënuar për krime lufte, terrorizëm, apo persona me çrregullime të rënda mendore.

Në këmbim të këtij transferimi, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Një pjesë do të investohet në Shërbimin Korrektues, ndërsa pjesa tjetër në energji të ripërtërishme.

Sipas marrëveshjes, Danimarka ka premtuar një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh për të mbuluar periudhën e tranzicionit, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes deri në funksionalizimin e plotë të burgut.

Shërbimi i danez i Burgjeve konfirmoi për REL-in se tashmë kanë paguar shumën fillestare.

Pas kësaj, pagesat do të bëhen çdo tre muaj, në varësi të numrit të të burgosurve të pranishëm në institucion./rel

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arianit Gashi, përfaqëson institucionin në ReInvent COST Action në Athinë

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Arianit Gashi, po merr pjesë në aktivitetin ndërkombëtar ReInvent COST Action, i cili po mbahet më 8–9 tetor 2026 në Athinë të Greqisë, duke përfaqësuar UBT-në në një iniciativë që synon zhvillimin e qasjeve inovative për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Ky aktivitet bashkon ekspertë, studiues dhe profesionistë nga vende të ndryshme, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave në fushën e ekonomisë qarkore, inovacionit dhe zhvillimit të materialeve të qëndrueshme. Një nga temat kryesore të ReInvent COST Action është eksplorimi i mundësive për shndërrimin e mbetjeve bujqësore dhe pyjore në materiale me vlerë të shtuar.

Kjo qasje synon të promovojë shfrytëzimin më efikas të burimeve, të zvogëlojë ndikimin mjedisor të mbetjeve dhe të krijojë alternativa më të qëndrueshme për përdorimin e materialeve në sektorë të ndryshëm.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet përbën një mundësi për shkëmbim të përvojave me ekspertë ndërkombëtarë, diskutim të ideve të reja dhe njohje me zhvillimet më të fundit në fushën e materialeve inovative dhe teknologjive të gjelbra.

 

Continue Reading

Lajmet

Dy të rinj shqiptarë akuzojnë policinë në Shkup për dhunë brutale, nisin hetimet

Published

on

By

Një incident i rëndë ka nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, ku dy të rinj të shqiptar moshës 21 dhe 23-vjeçare kanë denoncuar në polici se janë rrahur brutalisht nga efektivët policorë në Shkup.

Sipas dëshmisë së të rinjve, policët kanë shtënë me armë zjarri, u kanë shpuar gomat e veturës dhe më pas i kanë dhunuar fizikisht pasi i kanë lidhur dhe shtrirë në tokë. Ndërkaq, në raportin e brendshëm policor pretendohet se të rinjtë kanë tentuar t’i marrin pistoletën një efekti, pretendim ky që hidhet poshtë nga të dëmtuarit, të cilët deklarojnë se arma kishte përfunduar në veturë pasi policia u kishte thyer xhamin.

Lidhur me rastin ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke kërkuar hetim të menjëhershëm, të paanshëm e transparent, si dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni. Nga BDI theksuan se llogaridhënia është e domosdoshme dhe se dinjiteti i qytetarëve nuk mund të cenhet nga ata që e kanë për detyrë t’i mbrojnë.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur se Kontrolli i Brendshëm ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen e 7 tetorit. Përmes një deklarate zyrtare, Iseni garantoi llogaridhënie të plotë nëse konstatohen shkelje të autoritetit ligjor, duke nëvizuar se uniforma është përgjegjësi për t’i shërbyer ligjit dhe se qytetarët do të njoftohen në kohë për rezultatet e hetimit. /Alsat M/

 

Continue Reading

Lajmet

Shabani e Qerimi deklarohen sërish të pafajshëm për spiunazh në favor të BIA-s serbe

Published

on

By

Të akuzuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë dalë sërish para Gjykatës, ku janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të dy të pandehurit dyshohen se kanë vepruar si bashkëpunëtorë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe dërguar informacione e materiale të ndjeshme në favor të shtetit serb.

Bedri Shabani akuzohet se nga një datë e papërcaktuar deri më 5 qershor 2024, kur edhe u arrestua, i ka dërguar BIA-s të dhëna për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe eprorët e saj. Ndër to përfshihen informacione për Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Mollopolc të Shtimes si dhe për masakrën e Reçakut. Këto të dhëna ai ia kishte transmetuar zyrtarit të BIA-s, Sërgjan Rosiq, si dhe ish-komandantit të Policisë së Serbisë për Ferizajn, Bogoljub Janiçeviq, përmes telefonatave, e-mail-eve dhe takimeve fizike në Serbi.

Ndërkaq, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e deri me arrestimin e tij më 5 qershor 2024, ka mbledhur dhe dërguar informacione lidhur me luftën e UÇK-së, emra të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, si dhe emra dëshmitarësh të Dhomave të Specializuara në Hagë. Informacionet i kishte kaluar po ashtu zyrtarit të BIA-s, Sërgjan Rosiq, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve në territorin e Serbisë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hapet ekspozita fotografike “Kronologjia e Lirisë” nga Ridvan Slivova në Prishtinë

Published

on

By

Sot, më 9 tetor 2026, me fillim nga ora 18:00, në hapësirat e Barabar Centre në Prishtinë, do të hapet ekspozita fotografike e titulluar “Kronologjia e Lirisë”, me autor fotografin e njohur Ridvan Slivova.

Ngjarja organizohet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”. Ekspozita sjell një kronikë të fuqishme vizuale të periudhës së luftës në Kosovë, duke dokumentuar ngjarje tragjike – përfshirë Masakrën e Gollakut – si dhe momente të tjera kyçe të rezistencës dhe rrugëtimit të popullit të Kosovës drejt lirisë.

Të gjithë të interesuarit dhe dashamirët e artit e historisë mund të marrin pjesë në këtë ngjarje ose të informohen më shumë përmes uebfaqes zyrtare të festivalit, www.fotoist.org.

Continue Reading

Të kërkuara