Lajmet

Dallimet kulturore s’na ndajnë, na bashkojnë

Published

on

Kryeministri Kurti në “Rolling Film Festival”: Dallimet kulturore nuk duhet të na ndajnë, por të na bashkojnë

“Jam i nderuar që të flas sot në këtë ngjarje e cila promovon jetën, diversitetin dhe përvojat e përbashkëta të komunitetit rom në Kosovë dhe kudo në botë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të gjashtë të “Rolling Film Festival”, që u mbajt nga 16-20 prill, në Prishtinë.

Kryeministri Kurti përgëzoi organizatorët për organizimin e festivalit duke respektuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë kundër pandemisë. 

“E çmoj lartë faktin se Rolling Film Festival është bërë ngjarje e rëndësishme artistike në Kosovë, përmes të cilit pasqyrohet jetesa e komunitetit Rom, mbështetet arti dhe kultura Rome që ndihmon për të luftuar paragjykimet dhe gjuhën e urrejtjes”, tha kryeministri në fjalimin e tij, në skenën e Teatrit Kombëtar.

Ai tha se romët në Kosovë janë pjesë përbërëse e shoqërisë, me të drejta të barabarta e të garantuara, por me probleme të shumta, sikurse janë edhe një pjesë e mirë e komuniteteve tjera. “Arsimi, punësimi dhe pjesëmarrja e integrimi janë probleme që e shoqërojnë komunitetin rom e të cilat duhet t’i zgjidhim së bashku”, theksoi ai. 


Kryeministri Kurti tha se ky Festival i Filmit duhet t’i shërbejë shoqërisë për të kuptuar më mirë dhe më drejt nevojat e Komunitetit Rom por edhe të rrisë ndërgjegjen për të krijuar një shoqëri që nuk përjashton.


“Si shumicë ne duhet të afrojmë pakicën që të bëhet pjesëmarrëse brenda nesh e me ne, prandaj edhe qasja jonë është që pakicat të jenë pjesë përbërëse e jo e veçantë. Kështu kemi vepruar me grupin tonë parlamentar vitin e kaluar e kështu po veprojmë në qeverinë tonë të re, pra përmes fuqisë së shembullit”, tha kryeministri.

Dallimet kulturore, sipas tij, nuk duhet të na ndajnë por të na bashkojnë sepse kultura jonë është ajo çka ne krijojmë së bashku e pa dallim. “Origjina, kultura e historia ekziston për të treguar se kush jemi dhe nga vijmë, atë se ndryshojmë dot, sepse është e vërteta jonë e nuk e zotërojmë dot të shkuarën, por të ardhmen mund ta krijojmë dhe ndryshojmë së bashku sepse atë e kemi në duar”, ishte porosia e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në përmbyllje të fjalimit.

​ 

Festivali u mbyll sot, por audienca do të mund të shohë filmat e festivalit deri më datë 27 prill 2021.

Continue Reading

Botë

Spiegel: Zbulohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig. Të kapur me eksplozivë

Published

on

By

Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja rreth tentativës së sulmit me dron ndaj një aeroplani mallrash ukrainas në aeroportin e Leipzigut, dhe të dhëna kyçe çojnë direkt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke cituar burime në qarqet lokale të sigurisë.

Një nga të dyshuarit në sulmin në Leipzig është i lidhur me një burrë që u arrestua në Serbi në qershor për posedim eksplozivash. Sipas Spiegel, më 11 qershor, policia serbe ndaloi dy makina që po shkonin drejt Bashkimit Evropian pranë kufirit hungarez. Ata ishin Danilo B., i cili ka shtetësi serbe dhe ruse, dhe shtetasi serb Slobodan D.

 

Dronë dhe eksplozivë në kanaçe: “Serbia është një pikë e nxehtë për sabotimin rus”

Në makinën e parë, policia gjeti pjesë të një droni të modifikuar dhe qarqe kontrolli, ndërsa në të dytën, në një ndarje të fshehur, ata zbuluan kanaçe të mbushura me eksplozivë. Të dy kanë qenë në paraburgim që nga qershori, dhe autoritetet gjermane tani po kontrollojnë lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me të dyshuarit në aksionin në Leipzig – një bjellorus dhe një me shtetësi të dyfishtë ruse dhe letoneze.

Përveç kësaj, hetuesit rindërtuan lëvizjet e të dyshuarve dhe zbuluan se njëri prej tyre iku në Rusi pas operacionit nëpërmjet rrugës përmes Serbisë dhe Stambollit. Për shkak të gjithë kësaj, shërbimet evropiane të inteligjencës e shënojnë Serbinë si një “pikë të nxehtë” për sabotimin rus në të gjithë Evropën, duke deklaruar se shërbimet ruse atje rekrutojnë dhe trajnojnë operativë për operacione në terren.

Hetuesit u habitën menjëherë nga metoda identike e prodhimit të pajisjes. Në Leipzig, rreth 600 gramë të eksplozivit plastik jashtëzakonisht shkatërrues Semtex, i cili përdoret edhe nga ushtria, u vendosën në një kanaçe metalike të bashkangjitur në aeroplan, saktësisht e njëjtë me kanaçet e sekuestruara në kufirin serb.

 

Si dështoi sulmi në Leipzig

Vetë sulmi në Leipzig ndodhi më 4 gusht dhe u shmang vetëm nga një kombinim rrethanash. Një dron që mbante eksplozivë fluturoi drejt aeroplanëve të parkuar ukrainas të mallrave Antonov dhe goditi krahun e njërit prej aeroplanëve, por pajisja shpërthyese nuk shpërtheu për shkak të një sigurese të dëmtuar. Aeroplani që goditi droni kishte rezervuarë karburanti plot dhe kishte transportuar ndihmë ushtarake dhe municione në Ukrainë vetëm një ditë më parë.

Aeroporti i Leipzig/Halle është një qendër kyçe logjistike për operacionet e NATO-s dhe dërgimin e armëve në Kiev. Hetuesit përcaktuan se droni i rrëzuar ishte modifikuar shumë: kishte një bateri shtesë për rreze më të gjatë veprimi, një kamerë, një router 5G dhe dy karta SIM, pa drita të jashtme dhe mund të kontrollohej nga një distancë e gjatë përmes një rrjeti celular. Një antenë e veçantë u gjet gjithashtu në një pemë aty pranë që shërbente si përforcues sinjali.

 

Gjurmët e ADN-së dhe zjarrvënia në Poloni

Një përparim në hetim u soll nga gjurmët e ADN-së të izoluara nga një dron, një antenë dhe një kanaçe që përmbante Semtex, të cilat u përputhën përmes bazave të të dhënave në Lituani dhe Finlandë. Hetuesit gjithashtu lidhin një nga të dyshuarit me një sabotim të mëparshëm në qytetin polak të Loxh, ku një zjarr u vu në një dyqan të madh materialesh ndërtimi Leroy Merlin në korrik 2024. Megjithëse fillimisht u mendua se insekticidet ishin ndezur, prokurorët polakë më vonë vërtetuan se ishte sabotim rus.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës nga disa shërbime evropiane, të paktën katër rrjete sabotatorësh nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës janë aktualisht aktivë në tokën e Bashkimit Evropian, dhe policia po kontrollon nëse avionë të tjerë morën pjesë në operacionin në Leipzig. Konkretisht, po atë natë, një aeroplan mallrash i DHL goditi një objekt fluturues të panjohur gjatë uljes.

Për shkak të gjithë çështjes, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, njoftoi publikisht se strukturat shtetërore ruse ishin direkt pas sulmit. Si shenjë hakmarrjeje, Berlini urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe dëbimin e stafit të saj, si dhe ndërpreu kontratën me Shtëpinë Ruse në Berlin. Moska u hakmor duke pretenduar se ishte një gjyq i montuar dhe një provokim dhe mbylli Institutet Gjermane Goethe dhe konsullatën në Shën Petersburg.

Burimi: Index.gr/Spiegel

Continue Reading

Vendi

FSK me përfaqësim në akademitë prestigjioze ushtarake në SHBA

Published

on

By

Një kadet i Qendrës për Studime Universitare (QSU) ka nisur studimet semestrale me bursë në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar kështu një moment historik për këtë institucion ushtarak.

Kjo është hera e parë që një student nga QSU fiton një mundësi të tillë akademikosh në SHBA. Përzgjedhja e kadetit vlerësohet si dëshmi e ngritjes së nivelit akademik e ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe barazimit të standardeve të saj me akademitë më prestigjioze botërore.

Nga institucioni është bërë me dije se ky hap reflekton vizionin e udhëheqjes ushtarake për zhvillimin profesional të kuadrove të reja, duke përfaqësuar një investim afatgjatë në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të FSK-së.

Continue Reading

Vendi

SHBA: Reorganizimi i trupave të KFOR-it do të jetë gradual dhe i koordinuar

Published

on

By

Aleanca e NATO-s ka nisur një proces gradual për optimizimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë, proces ky që do të zhvillohet në bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë. Në një përgjigje për Telegrafin, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë të ditur se prioritet kryesor i Uashingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Sipas zëdhënësit të ambasadës amerikane, gjatë kësaj periudhe pritet vazhdimi i bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë në Kosovë, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. SHBA-ja vlerësoi përkushtimin e misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.

Ky zhvillim vjen në kohën kur KFOR-i po zbaton riorganizimin e trupave në terren, përfshirë edhe praninë te ura e Ibrit në Mitrovicë. Lidhur me hapjen e mundshme të urës për qarkullim, misioni ushtarak ka ripersëritur se ky vendim u takon institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Published

on

By

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kanë njoftuar se të enjten është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok.

Arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me këtë rast dhe sipas urdhrit të PSRK-së.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale ndaj të arrestuarit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara