Njoftime se mashtruesit po e shfrytëzonin fushatën globale të vaksinimit për të hedhur në treg vaksina të falsifikuara kishte prej kohësh. Tani ato u konfirmuan zyrtarisht nga dy vende, Meksika dhe Polonia.
Një përfytyrim horror. Ti shpreson e beson se më në fund po vaksinohesh kundër virusit korona, që po përhapet me shfrenim në të gjithë botën, dhe paguan madje shumë para, për t’u vaksinuar ndoshta me një vaksinë të rremë.
Fushata globale e vaksinimit ka nxitur pa dyshim edhe mashtruesit që duan të përfitojnë nga kërkesa e madhe për ampulat kundër Covid-19. Prodhuesit e vaksinës gjermano-amerikane Biontech/Pfizer zbuluan së fundi vaksina të falsifikuara në Meksikë dhe Poloni dhe konfirmuan dyshimet për mashtrim.
Për Pfizer falsifikimet nuk janë të befasishme
Sipas gazetës “Wall Street Journal” në Meksikë me vaksinat e falsifikuara janë vaksinuar ndërkohë të paktën 80 vetë. Njoftime për pasoja prej substancës së injektuar nuk ka. Ampulat ranë në sy, sepse gjendeshin në kuti transporti me ftohje me ngjyra ndryshe nga ato që përdoren zakonisht dhe numra serialë të ndryshëm nga vaksinat që i ishin shitur zyrtarisht Meksikës. Po ashtu edhe afati i skadimit qe i ndryshëm nga zakonisht.
Fushata globale e vaksinimit treg interesant për mashtruesit dhe falsifikatorët
Edhe në BE ka pasur të paktën një rast falsifikimi. Televizioni polak TV Polsat raportoi se në Katovice u arrestua një 26-vjeçar në janar. Ai ofronte për shitje në Darknet si certifikatata të falsikuara testesh negative PCR dhe ampula me gjoja vaksinën e Biontech Pfizer. Prokuroria polake i dërgoi ampulat për verifikim tek firma Pfizer, e cila tha se në vend të vaksinës, përbërësi kryesor i ampulave ishte një mjet kundër rrudhave.
Sipas Lev Kubiak, përgjegjës për sigurinë globale tek firma Pfizer, ky lajm nuk është i befasishëm. “Deri sa të jemi në gjendje të prodhojmë sasi të mjaftueshme do të ketë mungesa në furnizim, prej së cilave mund të përfitojnë kriminelët,” – tha Lev Kubiak për “Wall Street Journal”.
OBSH: Vaksinohuni vetëm në qendrat shtetërore
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është e vetëdijshme për problemin e falsifikimit. Në fund të marsit Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se në qarkullim ka ampula vaksinash të falsifikuara. Njoftime për vaksina dhe përpjekje të tilla i janë raportuar OBSH-së nga organet shëndetësore të mjaft vendeve. “Grupet kriminale” mundohen po ashtu të mbledhin shishet bosh të ampulave të përdorura që t’i mbushin ato me lëng pa efekt dhe t’u përdorin për qëllime mashtrimi.
“Vaksinat e falsifikuara kundër Covid-19 paraqesin një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe përbëjnë një barrë shtesë për grupet në nevojë dhe sistemet shëndetësore. Ato duhet të identifikohen dhe të hiqen nga tregu,” tha OBSH në një deklaratë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bën thirrje të gjithëve që të mos vaksinohen në vende të tjera përveç atyre të parashikuara në programet shtetërore të vaksinimit dhe të raportojnë menjëherë autoritetet shëndetësore kombëtare nëse kanë dyshime, në mënyrë që OBSH të mund të informohet gjithashtu për to.
Qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare janë grumbulluar sot në sheshet kryesore të Prishtinës për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga platforma qytetare “Liria Ka Emër”.
Tubimi po mbahet në shenjë revolte ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, me të cilin ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Me moton “JO NË EM RIN TIM”, pjesëmarrësit po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi juridik, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj luftës çlirimtare. Në sheshin “Skënderbeu” situata ka njohur edhe momente tensioni, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e përfaqësuesit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, për të qetësuar turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Organizatorët kanë nërvizuar se ky mobilizim gjithëpopullor synon të mbrojë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës së UÇK-së
Situata në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është tensionuar përkohësisht gjatë protestës gjithëpopullore të organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë momenteve të tensionit midis protestuesve, ka ndërhyrë përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili bëri thirrje për qetësi për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Protesta e thirrur nga platforma qytetare “Liria Ka Emër” me moton “JO NË EM RIN TIM”, ka mbledhur mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Ky tubim vjen si reagim ndaj aktgjykimit të shpallur më 16 shtator, sipas të cilit ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Përfaqësuesit e organizatorëve, përfshirë Ismail Tashollin, deklaruan se ky tubim përfaqëson një mobilizim gjithëpopullor kundër asaj që ata e konsiderojnë padrejtësi ndaj luftës çlirimtare. /E.A/
Profesori Milaim Berisha nga UBT, në bashkëpunim me studiuesin Pablo Prieto-González, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Journal of Human Sport and Exercise” (JHSE), të fokusuar në analizën e aftësive motorike në gjimnastikën artistike.
Studimi sasior përshkrues analizon 239 teknika të përcaktuara në udhëzuesin teknik të Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG) për të dyja gjinitë. Hulumtimi ka identifikuar praninë dhe rëndësinë e komponentëve kryesorë motorikë, si koordinimi, fuqia, shpejtësia, lëvizshmëria, fleksibiliteti, ekuilibri, qëndrueshmëria dhe shkathtësia në secilin aparat.
Gjetjet e studimit tregojnë se, ndonëse disiplinat e gjimnastikës artistike ndajnë aftësi të përbashkëta, secila prej tyre ka kërkesa specifike që ndryshojnë në bazë të nivelit të vështirësisë së lëvizjeve.
Autorët përfundojnë se me evoluimin e teknikave dhe integrimin e teknologjive të reja në këtë sport, programet e stërvitjes duhet të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore. /E.A/
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të enjten gjatë vizitës në Prishtinë se aktgjykimi dënues i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të respektohet, duke nërvizuar njëkohësisht se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.
Gjatë konferencës për media pas takimeve me udhëheqësit e shtetit, shefja e ekzekutivit evropian u shpreh se aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u mor nga një institucion i pavarur gjyqësor.
“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, deklaroi von der Leyen. /E.A/