Autore: Eliza Hoti dhe Adile Muli – studente të vitit të parë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT
Përfaqësimi i grave në politikë mbetet një nga sfidat më të mëdha të shoqërive bashkëkohore, veçanërisht në vendet në tranzicion demokratik. Në Kosovë, barazia gjinore vazhdon të përballet me pengesa strukturore dhe kulturore, pavarësisht përpjekjeve ligjore për të garantuar pjesëmarrjen e grave.
Ligji parasheh kuotat gjinore dhe detyron partitë politike të sigurojnë të paktën 30 për qind përfaqësim të grave në listat zgjedhore, por shpesh kjo masë shihet si minimum formal, e cila nuk përkthehet gjithmonë në fuqizim të vërtetë të grave në vendimmarrje.
Gresa Muli, aktiviste politike dhe asambleiste nga Vushtrria, tashmë në mandatin e saj të tretë, thekson se situata mbetet sfiduese. Sipas saj, kuotat janë një derë hapëse, por shumë gra ende hasin vështirësi për të depërtuar në pozita vendimmarrëse pa u mbështetur nga detyrimi formal i ligjit.
“Gratë garojnë barabartë me burrat, por përgjegjësitë e tyre, sidomos ato familjare, janë më të mëdha. Megjithatë, shumë gra arrijnë të dalin përpara meshkujve, dhe kjo tregon kapacitetin e tyre të jashtëzakonshëm. Duhet më shumë hapësirë për gratë në vendimmarrje, sepse ato kanë aftësi reale për të kontribuar”, shprehet Muli.
Ajo shton se gratë zakonisht tregohen më pak të prekshme nga korrupsioni, një faktor i dëshmuar gjatë viteve në politikë dhe institucione. Për Mulin, e ardhmja duhet të shohë më shumë gra në poste të larta, si ministre, kryetare komunash, lidere partie dhe deputete që fitojnë vendet e tyre pa u bazuar në kuota, duke dëshmuar kështu fuqinë e barazisë gjinore në praktikë.
Profesori i shkencave politike në UBT, Avni Alidemaj ofron një perspektivë kritike ndaj mënyrës se si trajtohet përfaqësimi i grave në Kosovë. Ai thekson se shumë parti përzgjedhin gra në lista kryesisht për të përmbushur detyrimin ligjor, jo për aftësitë dhe përvojën e tyre reale.
“Shumica e grave në lista zgjedhore futen vetëm për hir të kuotës. Kur i përzgjedhim vetëm për këtë arsye, nuk kemi arritur të krijojmë barazi të vërtetë gjinore”, thekson profesori Alidemaj.
Ai shton se shoqëria kosovare ka ndryshuar ndjeshëm pas luftës. Në kontrast me periudhat e mëparshme, kur normat patriarkale dominonin, sot gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi për shkollim, pjesëmarrje profesionale dhe publike. Ky transformim po reflektohet gjithashtu në politikë, ku gratë mund të kontribuojnë në mënyrë më aktive dhe të ndikojnë në vendimmarrje.
Alidemaj vë në pah edhe një aspekt sociologjik: gratë tregohen më të ndjeshme ndaj korrupsionit, një fakt i lidhur me rolin e tyre tradicional si shtylla e familjes dhe bartëse të përgjegjësive morale. Duke marrë shembull vendet skandinave, ai argumenton se barazia gjinore e vërtetë arrihet kur gratë konkurrojnë dhe fitojnë pozita për meritë, jo për kuota: “Atje nuk ka kuota – kush është më i miri, fiton. Ne duhet të synojmë këtë nivel edhe në Kosovë”.
Deklaratat e aktivistes dhe profesorit nxjerrin në pah këtë: kuotat gjinore janë një hap fillestar i domosdoshëm, por jo një zgjidhje përfundimtare. Ato duhet të shihen si një fazë tranzicioni drejt një sistemi politik ku gratë vlerësohen për kapacitetin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre real.