Ndryshimet e humorit nuk janë pasojë e frikës apo tekave tona. Nervoza, edhe zemërimi pa arsye, janë pjesë përbërëse e disa sëmundjeve. Mjekët thonë se këto ndryshime të humorit nuk janë gjithmonë rezultat i frikës apo tekave të pacientit, por edhe i mekanizmave të caktuar që ndonjëherë formojnë gjendjen tonë shpirtërore.
Këto simptoma nuk janë domosdoshmërisht pjesë e sëmundjeve psikiatrike. Irritimi dhe shpërthimet e zemërimit, kur personi i sëmurë është i ashpër edhe ndaj vetes, mund të jenë shenja të dëmtimeve serioze organike.
Goditja në tru
Deficit neurologjik për shkak të dëmtimit të enëve të gjakut në tru, që pengon furnizimin me oksigjen dhe ushqyes në pjesë të trurit. Ajo shfaqet papritur; personi nuk është i vetëdijshëm për atë që ndodh dhe është normale që pacienti të ndihet i shqetësuar kur kalon faza akute e fillon rehabilitimi. Përveç frikës nga një goditje e dytë, nuk është e pazakontë që pacienti të përjetojë ndryshime të papritura të humorit, sidomos nëse goditja ka dëmtuar pjesë të trurit që kontrollojnë emocionet. Pacienti mund të ndihet i shqetësuar, i frustruar, i dekurajuar, por edhe të reagojë me zemërim të madh, ndonjëherë pa një “arsye të dukshme.”
Sëmundja e Alzheimerit
Forma më e shpeshtë e demencës është e Alzheimerit, e cila shoqërohet me ndryshime të personalitetit. Një person që ka qenë i qetë dhe me shumë takt, papritmas bëhet i irrituar, i shqetësuar dhe nervoz pa një shkak të qartë. Nervoza nuk është shenja e parë e kësaj sëmundjeje, e cila dobëson aftësitë intelektuale dhe shkathtësitë sociale. Shenjat e hershme janë të fshehura në mënyrën e të folurit të pacientit.
Autizmi
Autizmi është një çrregullim kompleks i zhvillimit që zakonisht vihet re gjatë tre viteve të para të jetës. Personat me këtë çrregullim reagojnë shumë keq ndaj situatave të paparashikuara. Ata preferojnë rutinën e përditshme, dhe çdo ndryshim i befasishëm mund të shkaktojë pakënaqësi të madhe, zemërim, madje edhe vetëdëmtim.
Depresioni
Një gjendje komplekse psikike që në disa raste dobëson sistemin imunitar. Stresi i përditshëm, në punë, financiar dhe familjar, ndikon fuqishëm në organizëm. Nervoza pa arsye apo zemërimi nuk janë vetëm pasojë e stresit, por maskë për depresionin. Gjendja e shqetësimit, pagjumësia, irritimi i ndërruar me lot që pengojnë funksionimin normal mund të jenë arsye për të kërkuar ndihmën e një specialisti.
Diabeti
Një sëmundje kronike që kërkon disiplinë të lartë dhe angazhim të pacientit, që mund të jetë burim stresi dhe ankthi. Rënia e papritur e sheqerit në gjak ndikon në sjellje e manifestohet me nervozizëm dhe zemërim Një problem i veçantë është se simptomat e rënies së sheqerit si: nauzea, rrahje të shpejta të zemrës, ndjenja e uri, djersitje, dridhje, marramendje e dobësi, shfaqen papritur dhe pa paralajmërim.
Dështimi i mëlçisë
Kur mëlçia nuk është në gjendje të largojë toksinat në mënyrë efikase, grumbullohen në trup e ndikojnë në tru. Kjo shkakton ndryshime të humorit dhe nervozizëm. Simptomat më të zakonshme të dështimit akut të mëlçisë janë lodhje e madhe, humbje oreksi, nauzea, dhimbje në pjesën e sipërme të djathtë të barkut dhe urinë me ngjyrë të errët.
Menopauza
Periudhë ndryshimesh në trupin e gruas, që përjetohen në mënyra të ndryshme nga çdo femër. Shfaqen valë të nxehtësisë, pagjumësi e shtim peshe. Disa gra mund të mos kenë asnjë nga këto simptoma, ose mund të jenë të lehta dhe të padukshme. Ndryshimet hormonale në menopauzë shkaktojnë reagime emocionale të forta, nervozizëm dhe shpërthime të papritura të zemërimit.
Përgatiti: A.Z. /UBT News/