Lajmet

Çmimi i rrymës për bizneset pritet të rritet deri në 30 për qind

Published

on

Deri në 30 për qind pritet të shtrenjtohet çmimi i energjisë për bizneset e mëdha, paralajmërojnë përfaqësues të disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.

Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme. Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha – konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

Këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji, si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

Nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin, me çmime të parregulluara, që përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Aktualisht, në tregun e lirë janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni. Disa prej tyre kanë nisur negociatat me prodhues të energjisë në rajon për të siguruar kapacitetet e nevojshme për furnizimin e klientëve të rinj.

Ndërkohë, disa biznese, si Frutex në Suharekë, po kërkojnë kompani vendore për të negociuar çmimin për rrymën.

Bizneset përballë zgjedhjes së furnizuesve të rinj

Drilon Brahimi, drejtor i përgjithshëm i kompanisë Tredint Group L.L.C, e cila u licencua për furnizim me energji elektrike në fund të vitit të kaluar, thotë se janë në fazën e hulumtimit të tregut për të siguruar çmime më të volitshme, por ende nuk kanë nënshkruar asnjë kontratë me kompani prodhuese nga rajoni.

“Shumë kompani vendore, konkretisht ato prodhuese, kanë filluar të na dërgojnë profilin vjetor të konsumit energjetik dhe po kërkojnë informacione rreth çmimit. Ne jemi në fazën e përgatitjes së ofertave. Përgjigjja konkrete për secilën pritet t’iu dërgohet në fillim të majit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Brahimi thekson se çmimi për muajt e parë pritet të jetë deri në 30 për qind më i lartë se tarifat aktuale të energjisë.

Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 13.29 centësh.

Nga 1 maji hyjnë në fuqi tarifat e reja, me një rritje prej 16.1 për qind, por ato nuk do të zbatohen për bizneset me mbi 50 punëtorë.

Rritjen prej 30 për qind për kompanitë e mëdha e paralajmëron edhe Diamant Dalladaku nga kompania Enerco LLC.

Edhe ai thotë se ende nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë me kompani të huaja dhe se janë në proces të hulumtimit të tregut.

“Liberalizimi i tregut të energjisë është një proces i ri dhe gjatë zbatimit po paraqiten sfida. Si problem në kohën e përgatitjes është mungesa e informacioneve për energjinë që shpenzojnë bizneset, të cilat po dalin në tregun e hapur”, thotë Dalladaku për Radion Evropa e Lirë.

Në raportin vjetor të ZRRE-së thuhet se vitin e kaluar mbi 5.400 gigavatë në orë (GWh) ka qenë sasia e përgjithshme e energjisë së shitur te të gjithë konsumatorët në Kosovë. Nga kjo sasi, 3.156 GWh apo 58.4 për qind janë shpenzuar nga konsumatorët familjarë, kurse pjesa tjetër, 2.041 apo mbi 37 për qind, është shpenzuar nga konsumatorët jofamiljarë dhe në këtë kategori përfshihen të gjitha bizneset.

Palushi: Ende nuk kemi oferta konkrete për energjinë

Kompania për prodhimin e lëngjeve Frutex në Suharekë është një nga kompanitë që nga qershori do gjejë vetë kompaninë furnizuese për rrymë.

Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë se kanë dërguar kërkesë për takim në të gjitha kompanitë e licencuara për furnizim me energji, në mënyrë që të negociojnë për çmimin. Megjithatë, Palushi ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga to.

“Po pres në ditët në vazhdim… por, nuk besoj se ato janë të përgatitura për këtë proces, sidomos në kushtet e turbulencës që kanë mbizotëruar vitet e fundit lidhur me çmimet e energjisë elektrike”, thekson ai.

Palushi tregon se për një muaj shpenzon energji në vlerë deri në 40 mijë euro. Në rast të rritjes së çmimit për 30 për qind, për sasinë e njëjtë të shpenzuar ai do të paguante mbi 52 mijë euro.

“Sigurisht se kjo rrit shpenzimet operative, por do bëjmë përpjekje të ketë ndikim në uljen e profitit të kompanisë dhe jo të rrisim çmimet”, thotë ai.

Kompanitë e licencuara, të papërgatitura?

Odat ekonomike në Kosovë kanë kërkuar shtyrjen e këtij vendimi, pasi sipas tyre, edhe pse kompanitë janë të licencuara, shumica prej tyre nuk kanë pasur klientë fundorë dhe kanë ekzistuar vetëm “në letër”, pa veprimtari reale tregtare.

Ky tranzicion, sipas tyre, do të destabilizojë furnizimin dhe do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.

Më 21 mars, Oda Ekonomike e Kosovës kërkoi nga Avokati i Popullit që të iniciojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pezullimin e vendimit për të paktën një vit. Avokati i Popullit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar ankesën e Odës Ekonomike të Kosovës dhe është duke e shqyrtuar.

“Për Avokatin e Popullit kjo është një situatë komplekse për faktin se këto zhvillime janë bërë në kohën kur institucionet kryesore janë në krijim e sipër”, thuhet në përgjigje, ku shtohet se shtrenjtimi i tarifave të rrymës do të ketë pasoja në të drejtat socio-ekonomike për qytetarët.

Megjithatë, ZRRE-ja përsëriti se kapacitetet ekzistuese janë të mjaftueshme për t’i furnizuar bizneset me energji pas liberalizimit të tregut.

“Shumica e furnizuesve janë duke bërë përgatitjet e nevojshme teknike dhe administrative për të qenë funksionalë në treg”, thuhet në një përgjigje që ZRRE-ja i dërgoi Radios Evropa e Lirë.

ZRRE-ja thotë se është duke zhvilluar takime të rregullta dhe informuese me të gjithë furnizuesit e licencuar me qëllim që të informohen në mënyrë sa më të qartë rreth hapave dhe mundësive që ofron liberalizimi i tregut.

Lajmet

Vlora Çitaku zgjidhet nënkryetare e Kuvendit të Kosovës me 95 vota

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot për zgjedhjen e Vlora Çitakut, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në postin e nënkryetares së Kuvendit.

Në votimin e zhvilluar gjatë seancës plenare, kandidatura e Çitakut mori mbështetjen e 95 deputetëve.

Nënkryetari i propozuar nga PDK-ja ishte i vetmi që kishte mbetur pa u zgjedhur në seancën e mëparshme konstituuese, kur u votuan anëtarët e tjerë të kryesisë. Kjo vonesë erdhi pasi PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit pas kalimit të afateve kushtetuese.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin duke vlerësuar se Kuvendi është i konstituar konform rregullave dhe se Qeveria nuk është antikushtetuese, duke i hapur rrugë kështu plotësimit të Kryesisë së Kuvendit.

Continue Reading

Lajmet

PDK përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin në Hagë, kërkon procedim urgjent të projektligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një deklarate për media, PDK-ja ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen, ndërsa ka kërkuar që hapi i radhës të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga kjo parti javën e kaluar.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, deklarata e miratuar nga Kuvendi përfaqëson qëndrimin e institucionit, ndërsa miratimi i projektligjit do të përbënte hapin e radhës institucional.

“Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur”, thuhet më tej në njoftim.

PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e saj lidhur me mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj.

“PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj”, përfundon deklarata.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Published

on

By

DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28 shtator 2026,

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u zhvillua në rrethana të represionit sistematik dhe krimeve të rënda të kryera nga forcat serbe, në një kohë kur popullit të Kosovës i mohoheshin të drejtat themelore dhe e drejta për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe në procesin e çlirimit të vendit;

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë apo zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë dhe duke rikujtuar krimet e rënda të kryera ndaj popullsisë civile, përfshirë vrasjet, dëbimet, dhunën seksuale, shkatërrimin e pronës dhe zhvendosjen me forcë të mijëra qytetarëve;

Duke qenë të bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, përmes mjeteve ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Duke rikujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura me sakrificën e brezave, rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n,

Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton këtë deklaratë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  2. Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin lidhur me ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, ashtu siç është përcaktuar në aktgjykim.

  3. Kuvendi kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme, brenda kompetencave të tyre, për mbrojtjen e së vërtetës historike lidhur me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

    Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës do të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike mbi luftën për liri dhe çlirimin e Kosovës.

  4. Kuvendi rikujton se lufta në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 është trajtuar edhe përmes aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, përfshirë rastet ndaj zyrtarëve politikë, ushtarakë dhe policorë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë. Në këto procese gjyqësore janë trajtuar krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe strukturat shtetërore përmes të cilave ato janë kryer.

  5. Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të respektojnë mandatin e tyre, në përputhje me bazën ligjore mbi të cilën janë themeluar dhe me parimet e shtetit të së drejtës.

  6. Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën çlirimtare të popullit të Kosovës apo për të krijuar barazime mes popullit që luftoi për liri dhe forcave që ushtruan represion dhe dhunë ndaj tij.

  7. E vërteta historike, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe e drejta e çdo të akuzuari për një proces të drejtë gjyqësor, janë parime që duhet të respektohen njëkohësisht. Kuvendi i Republikës së Kosovës deklaron përkushtimin e tij për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe institucionale në dispozicion.

 

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte caktuar të niste sot në orën 11:00, ka pësuar vonesë të dukshme dhe nuk ka filluar punimet as pas më shumë se një ore e gjysmë nga orari i paraparë.

Sipas rendit të ditës, deputetët pritej të mblidheshin për të shqyrtuar disa pika me rëndësi, përfshirë miratimin e Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, si dhe formimin e komisioneve parlamentare.

Megjithatë, mbajtja e seancës është zvarritur për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospranisë së mjaftueshme të deputetëve në sallën e Kuvendit në orarin e caktuar, si dhe nga takimet e konsultimet e minutave të fundit ndërmjet grupeve parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Taylor Swift hyn në histori si artistja më e suksesshme e “MTV VMA”, ndërsa Madonna fiton çmimin e vitit

Published

on

By

Taylor Swift është shpallur artistja më e suksesshme në historinë e ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards, pasi fitoi çmimin kryesor “Videoja e Vitit” gjatë mbrëmjes së të dielës.

Këngëtarja hyri në këtë mbrëmje me barazim me Beyoncé me nga 30 fitore gjithsej, por mori çmimin më të rëndësishëm të natës për videoklipin e këngës saj “The Fate of Ophelia”, e cila është pjesë e albumit të saj të vitit 2025, The Life of a Showgirl.

Nga ana tjetër, Mbretëresha origjinale e Pop-it, Madonna, u shpall “Artistja e Vitit”, si dhe rrëmbeu çmimet “Kënga më e mirë Dance” dhe “Bashkëpunimi më i mirë” përkrah Sabrina Carpenter. Çmimet i fituan me hitin “Bring Your Love”, që ishte edhe singli kryesor nga albumi i Madonnës i vitit 2026, Confessions II.

Gjithashtu, Swift u nderua me çmimin e parë inaugurues për “Regjinë Artistike” (Artist Director), pasi ka shkruar dhe đạoijuar vetë videoklipin me stil teatror e shkëlqyes të këngës “Ophelia”.

Continue Reading

Të kërkuara