Aktualitet
Çmimi i parë “FOL për Prokurim” iu nda autores Dorentina Kastrati
Published
5 years agoon
By
Betim Gashi– Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse ka ndarë sot çmimin për gazetarë “FOL për prokurim”.
Lëvizja FOL që nga viti 2010 monitoron prokurimin publik në Kosovë. Në kuadër të punës së saj në vitin 2018 kishte lansuar Portalin Prokurimi i Hapur dhe Transparent. Qëllimi i këtij portali është të ju sigurojë institucioneve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile informata në mënyrë që të shohin se si shpenzohet buxheti i shtetit. Në të njëjtën kohë, hulumtimet në fushën e prokurimit publik bëjnë që institucionet publike në mënyrë të vazhdueshme të përmirësojnë këtë fushë.
Mexhide Demolli – Nimani, Drejtore Ekzekutive e Lëvizjes FOL, theksoi se prokurimi publik përbën afërsisht 10% të Bruto Prodhimit të Brendshëm së Kosovës. Çdo vit, rreth 30% e buxhetit të shtetit shpenzohet përmes prokurimit publik, kurse luftimi i korrupsionit dhe keqpërdorimeve të ndryshme në këtë fushë vazhdon të jetë një sfidë e madhe. Znj. Demolli – Nimani tha se “raportimi për prokurimin publik nga gazetaret është i një rëndësie të veçantë. Andaj, për të inkurajuar gazetarinë hulumtuese në fushën e prokurimit publik, FOL sot ndanë tre çmime për artikujt e botuar nga gazetarë hulumtues në këtë fushë, të cilët kanë paraqitur parregullsi dhe keqpërdorime përmes procedurave të prokurimit publik”.
Zëvendës drejtoresha e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID nw Kosovë, Christine Danton, tha se ndihet krenare qw sot, po ndahen çmime për të nderuar tre gazetarë, që me zell kanë kërkuar, kanë hulumtuar, si dhe kanë informuar publikun për keqmenaxhimin potencial të fondeve publike. “Gazetarë që me punën e tyre, kanë ngritur zërin për prokurimin publik, kanë ngritur zërin për qytetarët, të cilët mbështeten tek këto mallra e shërbime. Fituesit e sotëm të këtyre çmimeve janë heronj të vërtetë, puna e tyre ka hedhur dritë në rastet e dyshuara për mashtrime e keqpërdorime, si dhe ka ndihmuar në kërkimin e llogaridhënies nga qeveria. Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent, i krijuar tri vjet më parë, nga Lëvizja Fol, mundësuar nga USAID, ka ndihmuar këta gazetarë dhe shumë të tjerë, sepse afro 50.000 persona e kanë vizituar portalin si dhe kanë kryer hulumtimet e tyre në mbi 15.000 kontrata, me informata për 270 blerës dhe mbi 3200 furnizues në Kosovë. Kur të dhënat komplekse të prokurimit bëhen lehtësisht të kërkueshme dhe të qasshme, ky portal transparence ndihmon OSHC-të, gazetarët hulumtues, sektorin privat si dhe organet vëzhguese të sektorit publik për llogaridhënie” tha Danton, duke shtuar se Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë Kosovën në luftën e saj kundër korrupsionit. “Kur sistemi i prokurimit publik funksionon mirë, si dhe është transparent e llogaridhënës, qytetarët përfundimisht përfitojnë, e ky është synim i secilit vend demokratik”, tha ajo.
Çmimi i parë “FOL për Prokurim” iu nda autores Dorentina Kastrati nga Kallxo.com, për storien “Tenderi i dyshimtë për familjen e ministrit”. Ky hulumtim tregon për favorizime partiake dhe familjare gjatë një procesi të tenderimit në vlerë prej 400 mijë eurove, duke u bërë edhe shkelje ligjore. Hulumtimi tregon se si Komuna e Malishevës i kishte dhënë tenderin për ndërtimin e një shkolle në këtë komunë, kompanisë së vëllait të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë. Se ka pasur parregullsi gjatë këtij procesi tenderues e ka konstatuar dy herë edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit. Hulumtimi po ashtu, tregon se janë bërë edhe manipulime me dokumente nga autoriteti kontraktues në dëm të kompanive që kanë garuar, me qëllim që të favorizohet kompania e vëllait të ministrit. Autorja tha se hulumtimi në fushën e prokurimit shërben si shembull se si brenda një tenderi ka shumë shkelje të cilat kanë lidhje qoftë politike apo familjare. Ndër të tjera, fituesja tha se përmes hulumtimeve të tilla, ju mundësojmë prokurorive të merren me shkelje të tilla, si dhe se të tilla hulumtime janë shumë më të lehta marrë parasysh lehtësimin që na ipet nga çasja në dokumente publike nga portali OPTP.
Çmimi i dytë iu nda autorit Besnik Krasniqi nga Koha Ditore, për shkrimin “Dallavere për hava”. Ky hulumtim ka treguar se si institucionet e Kosovës kanë paguar mbi një milion euro për më shumë se 2,200 bileta avioni, pa pranuar nga kontraktuesi dëshmi të besueshme që tregojnë nëse çmimi i tyre ishte real, ose nëse biletat ishin shfrytëzuar. Pas publikimit të hulumtimit, policia e krimeve ekonomike ka nisur një hetim për këtë rast. Autori tha se duhet t’i largojmë maskat në rastet e prokurimit për t’u treguar sa më real dhe se një falemnderim i takon shoqërisë civile të cilët punojnë në këtë rrugëtim.
Ndërkaq, çmimi i tretë iu nda bashkëautorëve Valon Fana dhe Vyrtyte Gërvalla, për shkrimin “Komuna e Gazmend Muhaxherit kurdis tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit”. Ky hulumtim ka trajtuar një dukuri që ndodh kohë pas kohe në prokurimin publik Në Kosovë. Hulumtimi tregon se si është favorizuar një familje biznesmenësh në procesin tenderues për furnizim me produkte ushqimore për familjet në nevojë, mirëqenia e të cilëve është rënduar për shkak të pandemisë COVID-19. Pas publikimit të hulumtimit, Prokuroria Themelore në Pejë, ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje. Autorët thanë se të punuarit në këtë drejtim dhe të vlersuarit me këtë çmim, mbetet një ndjenjë e veçantë dhe se do të vazhdojnë punën e tyre hulumtuese në prokurim.
You may like
Vendi
Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit
Published
11 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit nga 6 marsi, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje.
“Të konstatojë që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin
brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij
Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja
e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex
constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të
zhvillohen brenda 45 ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66
[Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u tha në vendim.
Vendimi vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë./REL/
Aktualitet
Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës
Published
11 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Media shtetërore iraniane, Press TV, duke cituar një “zyrtar të lartë të sigurisë politike”, njoftoi se Irani ka hedhur poshtë një propozim të Shteteve të Bashkuara që synonte përfundimin e konfliktit aktual, raporton BBC.
Megjithëse burimi mbetet anonim, raportohet se qëndrimi zyrtar i Teheranit është i prerë: “Irani do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe kur të plotësohen kushtet e tij.” Zyrtarët iranianë kanë theksuar vazhdimisht se kërkojnë një përfundim të plotë të luftës dhe jo thjesht një armëpushim të përkohshëm.
Pesë kushtet e Iranit
Sipas raportimeve, pala iraniane ka paraqitur pesë kërkesa kyçe për arritjen e një marrëveshjeje:
- Ndalimi i plotë i agresionit: Pushimi i menjëhershëm i të gjitha sulmeve dhe atentateve nga ana e armikut.
- Garanci sigurie: Krijimi i mekanizmave konkretë që sigurojnë që lufta të mos i imponohet përsëri Republikës Islamike.
- Dëmshpërblimet: Pagesa të garantuara dhe të përcaktuara qartë për dëmet e luftës dhe reparacionet.
- Zgjidhja rajonale: Përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës të përfshira në rajon.
- Sovraniteti detar: Njohja ndërkombëtare dhe garancitë mbi të drejtën sovrane të Iranit për të ushtruar autoritet mbi Ngushticën e Hormuzit.
Pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për të vijuar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, Teherani i ka cilësuar propozimet amerikane si “të tepërta” dhe të papranueshme në formën e tyre aktuale. /BBC/
lajme
Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale
Published
11 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një vendim me rëndësi të veçantë për pensionistët kontributpagues, përmes të cilit shpallet i paligjshëm kufizimi kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore.
Ky vendim vjen pas shqyrtimit të një konflikti administrativ kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku Gjykata ka shfuqizuar nenin që kërkonte që dëshmitë për shkollim të lartë të ishin fituar para datës 1 janar 1991.
Sipas arsyetimit zyrtar, ky kufizim i vendosur përmes një udhëzimi administrativ nuk ka pasur bazë në ligjin për skemat pensionale dhe ka tejkaluar kompetencat ligjore të ministrisë.
Gjykata vlerëson se e drejta në pension duhet të lidhet me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore, e jo me kohën kur dikush ka përfunduar shkollimin.
Ky rregull deri më tani ka krijuar dallime të pajustifikuara dhe ka përjashtuar një kategori të tërë pensionistësh nga e drejta për një pension më të lartë bazuar në kualifikimin e tyre profesional.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme konfirmon se kushti i vendosur ishte arbitrar dhe diskriminues, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit.
Ky vendim u mundëson pensionistëve kontributpagues që të gëzojnë gradën e tyre arsimore pa u kushtëzuar nga data e diplomimit, duke siguruar që lartësia e pensionit të jetë në përputhje me përgatitjen e tyre profesionale dhe kontributet e dhëna gjatë viteve të punës.
Lajmet
REL: Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave
Published
13 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në fund të muajit të ardhshëm do të përballet me pyetjet e deputetëve evropianë lidhur me pretendimet për bashkëpunimin e saj me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë.
Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në të cilën do të marrë pjesë komisionarja Kos është caktuar për 20 prill.
Partia Popullore Evropiane (EPP), si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dëgjimore. Megjithatë, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë (REL), në vend të një seance të jashtëzakonshme do të mbahet një mbledhje e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, e cila do ta zëvendësojë takimin e planifikuar më herët për 16 mars.
Ai takim, edhe pse ishte planifikuar javë më parë, u anulua nga Kos duke u thirrur në një agjendë të ngarkuar. Anulimi ndodhi menjëherë pasi dolën informacione të reja lidhur me biografinë e saj.
Komisionarja evropiane për Zgjerim nga Sllovenia është përballur me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave, e njohur si UDB-a, pasi më 10 mars në ambientet e Parlamentit Evropian u promovua libri me titull “Komisionarja” i autorit slloven, Igor Omerza. Në këtë libër paraqiten dokumente për të cilat autori pretendon se dëshmojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.
Komisioni Evropian mohon që Kos të ketë bashkëpunuar me strukturat e sigurisë së ish-Jugosllavisë. Zyrtarët e KE-së i referohen një procesi të gjerë dhe të detajuar verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia për postin e komisionares.
“Parlamenti Evropian e miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionarët. Komisioni për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 13 mars.
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (UDB) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, ndërsa në vitin 1966 u riemërtua në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit.
UDB-a ishte e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të saj në dekadat që pasuan ishte e përqendruar në ndjekjen dhe veprimin kundër pjesëtarëve të diasporës që konsideroheshin kundërshtarë të interesave të Jugosllavisë.
Akuzat se Kos ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate e Sllovenisë për komisionare evropiane.
Kos i mohon vazhdimisht këto akuza, ndërsa mbledhja e re e 20 prillit do të jetë mundësia e parë që ajo të shprehet pas fakteve të reja të publikuara në libër, të cilat kanë nxitur një valë të re akuzash. /REL/
Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit
Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës
Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale
Ministrja Bogujevci priti arkivat rajonale për 75-vjetorin e Arkivit të Kosovës
Studimet në Media dhe Komunikim: Karrierë profesionale dhe mbështetje financiare në UBT
Hannah Montana feston 20 vjet
REL: Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave
Koncerti i rikthimit të BTS në Netflix tërheq 18.4 milionë shikues globalë
Dardanët gati për “Finalen” e Bratisllavës: Sot seanca e fundit para nisjes drejt Sllovakisë
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
