Lajmet

Çitaku: Qytetarët në luftë për ekzistencë, Albin Kurti kalon 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit

Kryeministri Kurti edhe mandatin qeverisës e ka nisur jashtë Kosovës, duke bërë fushatë zgjedhore në Shqipëri.

Published

on

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të rikthehet në Kosovë dhe të merret me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, të cilët sot janë në luftë për ekzistencë.

Çitaku ka thënë se në krizën më të madhe ekonomike të Kosovës, Kryeministri Albin Kurti i ka kaluar 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit, pa arritur asnjë rezultat.

Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizën më të madhe ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, kryeministri i vendit i cili do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës, ka zgjedhur që të ikë nga Kosova e të kalojë kohë nëpër vizita, të cilat thënë më së buti, do të mund të quheshin studimore”, ka thënë Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se Kryeministri, Albin Kurti nuk po qeverisë me vendin – përkundrazi, ai po ikë prej përgjegjësisë që e ka marrë nga votën e qytetarëve.

Nga njoftimet publike të qeverisë, vetëm gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por, pa sjell asnjë sukses të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura dhe tërësisht atipike për një Kryeministër në detyrë. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, kryeministri Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës”, ka shtuar nënkryetarja Çitaku.

Kryeministri Kurti edhe mandatin qeverisës e ka nisur jashtë Kosovës, duke bërë fushatë zgjedhore në Shqipëri.

Sipas Çitakut, kjo është një zgjedhje që Kryeministri Kurti e ka bërë nga fillimi i mandatit e deri sot – duke abstenuar nga qeverisja dhe ballafaqimi me sfidat dhe problemet e qytetarëve.

Në këtë periudhë kohore, qytetarët e braktisur nga qeveria, me rritje enorme të çmimeve, me energji deri trefish të shtrenjtuar, me inflacion prej mbi 14 përqind, zgjidhjen po e shohin ikjen nga Kosova”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.

Më tej, ajo ka shtuar se ishin alarmante shifrat e publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ku 42 mijë qytetarë tanë kishin lënë Kosovën vetëm vitin e kaluar. Ndërsa, mijëra të tjerë presin çdo ditë para ambasadave për të caktuar terminet e tyre për vizë pune jashtë Kosovës.

Qytetarët e Kosovës e kanë votuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen më 14 shkurt duke besuar në premtimet e tyre. Por, ajo çka po shohin është se inflacion më të madh se çmimet, kanë pësuar vet premtimet e Kryeministrit”, ka thënë ajo.

Tutje, Çitaku ka potencuar edhe shqetësimet e Kryetarëve të Komunave të Kosovës, të cilët pa dallim partie po ankohen se kjo qeveri i ka bllokuar të gjitha projektet, duke mos ndarë buxhet për realizimin e projekteve komunale.

E ka bllokuar për muaj të tërë OSHP-në dhe kësisoj, i ka bllokuar të gjitha investimet kapitale anekënd Kosovës. Në vend që të ndërmerr vendime që i përkasin kompetencave qeveritare duke hequr TVSH-në dhe akcizën, kryeministri Kurti po merr vendime arbitrare në fushën e ekonomisë duke ndërhyrë në caktimin e çmimeve“, ka thënë Çitaku.

Në fund, Çitaku ka thënë se krahas papërgjegjësisë totale në qeverisjen e brendshme, qeveria aktuale po tregohet tërësisht jotransparente edhe për procesin e dialogut.

Nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian dëgjuam se qenkan gati 4 marrëveshje të reja. Ne kërkojmë të njoftohemi nga Kryeministri në abstenim Kurti, ose nga Kryeministri faktik Bislimi, se cilat janë këto marrëveshje? Për çka bëhet fjalë. Dialogu me Serbine nuk guxon të degradojë në noterizim të marrëveshjeve teknike paraprake, duke lënë në margjina, e jo në qendër, njohjen reciproke”, ka përfunduar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Lajmet

Prishtinë: Policia realizon 134 urdhëresa gjykate dhe sekuestron armë gjatë javës së kaluar

Published

on

Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara operative.

Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar gjithsej 134 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 35 kanë të bëjnë me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër me kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.

Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në urdhëresa.

Në kuadër të aktiviteteve të tjera të sigurisë, policia ka sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi të municionit.

Ndërkohë, në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, janë shqiptuar gjithsej 3,814 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të kodit rrugor, prej të cilave 567 janë evidentuar nga vetura inteligjente dhe radarët mobilë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Apel për qytetarët në Pejë: Kujdes i shtuar ndaj zjarreve gjatë temperaturave të larta

Published

on

Policia e Kosovës u bën apel qytetarëve në rajonin e Pejës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret.

Duke u bazuar në përvojat e viteve të kaluara, Policia thekson se zjarret paraqesin rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe shkaktojnë dëme të mëdha materiale kudo që shfaqen.

Qytetarët kërkohet të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë tek autoritetet çdo person të dyshuar për zjarrvënie apo veprime të pakujdesshme që mund të shkaktojnë zjarr.

Po ashtu, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo individi që rrezikon jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.

Apeli u drejtohet të gjithë qytetarëve që të jenë maksimalisht të kujdesshëm gjatë përdorimit të mjeteve që mund të shkaktojnë zjarr, si shkrepëset, cigaret, grillat dhe zjarret në natyrë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

PDK dorëzon dy ankesa në PZAP, KQZ në pritje të vendimit për rezultatet përfundimtare

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të merren nga institucionet përkatëse.

Ai theksoi se pas këtyre vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në.

Dy ankesa lidhur me procesin e rinumërimit janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas përfundimit të afatit 48-orësh të ankimimit të dielën në mesditë.

PZAP ka afat prej tre ditësh për të vendosur lidhur me këto ankesa, të cilat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njëra të premten dhe tjetra të shtunën.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen armë dhe municion në tri raste në Zubin Potok

Published

on

Në tri raste të ndara në Zubin Potok janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera të dyshuara, ndërsa policia ka nisur hetimet.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, më 21.06.2026, në një objekt (shtallë për ushqim bagëtish) është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pesë karikatorë të armës së gjatë me gjithsej 151 fishekë, pjesë të uniformës së kamufluar si dhe një bateri ndriçuese. Rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore.

Në një rast tjetër në të njëjtën zonë dhe datë, në një objekt të ngjashëm janë sekuestruar një armë zjarri, 74 fishekë të kësaj arme dhe 254 fishekë të armës së gjatë. Edhe për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime.

Ndërsa në rastin e tretë, në një objekt të pabanuar janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë dhe një bajonetë, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë, dy makina për mbushjen e fishekëve të armës së gjuetisë, rreth 200 gramë barut dhe rreth 2 kg sfera për mbushje fishekësh.

Hetimet për të tri rastet po vazhdojnë nga ekipet relevante policore.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara